Standard.al

Me banorët e Shkozës/ Kosova: Zgjidhje që 8000 apartamente të pashitura në Tiranë të shkojnë tek njerëzit në nevojë

0

Gëzim Saliu

halim kosova fushatePremtimet e Kosovës: 50% më shumë banesa sociale si dhe rritje me 30% të buxhetit të bonusit të strehimit

Kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës, Halim Kosova zhvilloi dje nja takim me banorë të zonës së Shkozës ku premtoi një fond të veçantë të institucionit që pretendon të drejtojë pas 21 qershorit për të ndihmuar njerëzit në nevojë me apartamentet e pashitura. “Në Tiranë janë 8000 apartamente, në zonën e Kasharit që rrinë bosh dhe biznesi ka ngrirë investimin aty. Bashkia ka menduar si të ketë një fond të posaçëm që këto apartamente që rrinë bosh që njerëzit në nevojë të shkojnë në këto apartamente, duke i dhënë prioritet çifteve të reja.”­ u shpreh Kosova.

 

Takimi

Duke u përqendruar tek politika e strehimit, Kosova tha se gjatë katër viteve të ardhshme do ketë 50% më shumë banesa sociale si dhe një rritje me 30% të buxhetit të bonusit të strehimit. “Transparencë maksimale në përzgjedhjen e përfituesve për strehimin ku përfaqësues nga të përndjekurit, gratë kryefamiljare, komuniteti rom, etj, do të jenë pjesë e vlerësimit. Programe të veçanta për të gjithë ata që janë pjesë e ndihmës ekonomike duke mundësuar shërbime pa tarifa për çerdhet dhe kopshtet publike, mbështetje për pagesat e ujit. Negocim më çdo biznes për të respektuar kuotën e 1 në 25 të punësuar nga personat me aftësi të kufizuar. Bashkia do të ulë taksat për bizneset që punësojnë njerëz nga shtresat në nevojë. Do të hapen 2 qendra sociale pranë zonave më në nevoje dhe 3 qendra sociale multidisiplinare. 4 mensa ushqimi për personat që marrin ndihmë sociale, ku do të serviret jo ushqimi i mbetur i supermarketeve, por këta qytetarë do të trajtohen me dinjitet, me ushqimet më të mira BIO që ofrojnë fermat e Tiranës”, premtoi kandidati demokrat për bashkinë më të madhe të vendit. Nga ana tjetër në takimin e Shkozës Kosova ka garantuar se nëse do të zgjidhet në krye të bashkisë çdo mbledhje dhe Komision i Këshillit Bashkiak do të jetë me dyer të hapura dhe do të transmetohet nga një Televizion, për të ofruar transparencën maksimale. “Për të arritur transparencën mjafton të hapësh derën e bashkisë. Çdo mbledhje dhe komision i këshillit bashkiak bashkësia do të pronotojë një kanal televiziv, të jenë live që të jemi transparent dhe ju të shikoni se si punohet dhe ku shkojnë të ardhurat e bashkisë. Jeni një ushtri jashtëzakonisht e madhe që prisni të bëhet diçka për ju”, tha ai. Ndërkohë bindjen në realizimin e propozimeve që po bën në fushatë Halim Kosova  theksoi se e gjen te vetëbesimi si menaxher.  “Bashkia do të ketë një njeri që do të dijë të menaxhojë buxhetin”.

 

LZHK hap fushatën, Shehi: Me Kosovën për Tiranën kemi qëlluar në shenjë

Lëvizja për Zhvillim Kombëtar prezantoi dje platformën e saj për Tiranën, ku i pranishëm në takim ishte edhe kandidati i së djathtës për kryeqytetin, Halim Kosova. Duke bërë një panoramë të nevojave që ka kryeqyteti, Shehi tha se duhen trefishuar fondet pasi Tirana sipas tij ka nevojë për vepra të mëdha infrastrukturore, duke nisur nga rrugët. “Në Tiranë, në qoftë se ne nuk i liberalizojmë lejet e ndërtimit, jo që të ndërtojmë te sheshi Skënderbej, por që t’i japim një mundësi qytetarëve shtëpi për shtëpi, të shohin një të ardhme me pasurinë e vetë. Çdo vit kemi shtime, për çdo metër rrugë dy makina, gjë që nuk mund të ndodhë në ndonjë qytet tjetër. Sigurisht që do të vijë dita që ky qytet do të vetëbllokohet, siç edhe është bllokuar. Çlirimi i transportit publik këtu në kryeqytet është nevojë urgjente”, tha ai. Nga ana tjetër, kreu i LZHK-së shprehu mbështetjen për Halim Kosovën, si kandidaturën që korrigjon zgjedhjet e mëparshme për Tiranën. “Kemi shumë punë të mëdha për të bërë dhe këto punë bëhen me burra të ndershëm, me administratë të rregullt dhe me burra që kanë kurajo. Unë gjykoj që këtë radhë kemi rënë në shenjë”, u shpreh Shehi.

 

 

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.