Masakra te materniteti/ Skema, si u vra Durim Sulku në Roterdam, përfshirja e Kamorrës napolitane në vrasjen e trefishtë

0
164

 Artan Cena

Durim SulkuProkuroria kërkon ndihmë në Holandë

Policia holandeze ka renditur faktet e vrasjes së Durim Sulkut pas fakteve të reja të zbuluara në Tiranë. Prokuroria e Krimeve kërkon informacione nga Holanda dhe Italia

Prokuroria Shqiptare ka vendosur që të kërkojë ndihmë nga homologët Holandezë për të zbardhur shkaqet e masakrës me tre të vrarë në bulevardin “Zogu i I”, përballë maternitetit të vjetër. Në shkëmbimin e zjarrit të 27 majit, mbetën të vrarë, Mentor Lufi (Doçi) Gerti Goxha dhe Besnik Sulku. Në pranga u vunë dy vëllezërit, Klevis dhe Markeljan Doçi dhe italiani, Salvatore Letizzia. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar informacione edhe nga Italia për kamorristin, Salvatore Letizzia. Nga ana e policisë holandeze është rindërtuar edhe skema e vrasjes së Durim Sulkut, vëllait të Besnik Sulkut që mbeti i vrarë në Tiranë. Kjo është bërë pasi njëri prej vëllezërve Doçi ka pranuar se është ai autori i vrasjes së Sulkut në Roterdam të Holandës.

 

Vrasja pas koke

Policia holandeze ka rindërtuar të gjithë skemën e vrasjes së Durim Sulkut, më 6 prill të këtij viti përpara shtëpisë së tij në periferi të Roterdamit, në Riderkerk. 33 – vjeçari u qëllua me katër plumba brenda makinës së tij, sapo e parkoi për t’u ngjitur në shtëpinë ku jetonte me të dashurën. Një person zbret nga një BMW dhe e godet nga pas në kokë. Durim Sulku ishte nisur nga qendra e Roterdamit drejt shtëpisë në Riderkek. E lajmëron të dashurën me një mesazh në Whatsapp se do të jetë në shtëpi në orën 23:30. Por 10 minuta më vonë mbërrin në parkim. Ai nuk kupton se 2 persona me një makinë BMW i kishin ngritur pritë për ta vrarë. Pasi e ekzekuton autori largohet me shpejtësi bashkë me shoferin, aq sa rrezikojnë të bëjnë edhe aksident, siç tregohet nga shenjat e frenimit. Makina u gjet e braktisur në ujërat e Niu Maas. Ata kishin tentuar ta fundosnin, por plani dështoi për shkak të zbaticës. Ky gabim i ka dhënë gjurmë konkrete policisë për të mbërritur tek autorët. Pritet që këto gjurmë në ditët në vijim të krahasohen me gjurmët e gishtave të dy vëllezërve Markejan dhe Klevis Doçi.

 

Hetimet holandeze

Autoritetet holandeze provuan përmes dëshmive se BMW-ja kishte qëndruar në parkimin përpara shtëpisë së Sulkut edhe përpara vrasjes. Ajo ishte vjedhur në Amsterdam para dy muajsh. Në parkim u gjet edhe një fugon, i vjedhur edhe ai në Amsterdam. Edhe ai dyshohet të jetë përdorur për të vëzhguar Sulkun. Këto fakte ngrenë dyshime se vrasja kishte kohë që planifikohej dhe se nuk ishte pasojë e ndonjë konflikti të momentit. Mënyra e ekzekutimit është e tipit mafioz dhe mjaft e sofistikuar pasi në vendin e ngjarjes nuk është lënë asnjë gjurmë. Policia e Roterdam ka provuar se Durim Sulku jetonte në mënyrë të paligjshme prej vitit 2010 në Holandë, në dy apartamente. Por ajo tregohet e rezervuar në lidhje me aktivitetin e tij.

 

Prokuroria shqiptare

Prokuroria e Përgjithshme i ka kërkuar zyrtarisht autoriteteve holandeze informacione lidhur me vrasjen e Durim Sulkut në 6 prill në Roterdam. Burime nga organi qendror i akuzës konfirmuan se shkresa është nisur. Prokurorët që po hetojnë vrasjen e trefishtë të së mërkurës në bulevardin “Zogu i Parë” janë në pritje informacioneve që ka mbledhur pala holandeze për vrasjen e 33-vjeçarit shqiptar, vëllai i Besnik Sulkut që mbeti viktimë e shkëmbimit të zjarrit 4 ditë më parë në Tiranë. Grupi hetimor shpreson se informacioni që do vijë në rrugë zyrtare të hedhë dritë mbi dyshimet e ngritura se Markeljan dhe Klevis Doçi kanë vrarë në Roterdam Durim Sulkun. Informacion u është kërkuar autoriteteve italiane lidhur me aktivitetin kriminal të Salvatore Letizia-s. Në pritje të përgjigjeve prokurorët vazhdojnë hetimet për vrasjen e 3 -fishtë ndodhur me 27 maj. Hetuesit kanë mundur të rindërtojnë dinamikën e ngjarjes. Por ajo çfarë mbetet enigmë është pjesëmarrja në krim e italianit Salvatore Letizia.

 

Doçi dhe Sulku para “luftës” kishin qenë anëtarë të Kamorras napolitane

 Mentor Lufi (Doçi) kishte zhdukur një sasi prej 20 kilogramë kokainë me vlerë 1 milionë euro. Kamorra kishte kërkuar që të kthehej droga ose do të kishte hakmarrje

Mentor Lufi (Doçi) dhe Besnik Sulku para se ti hynin një rruge të gjatë hasmërie mes tyre kishin qenë bashkë pjesëtarë të Kamorras napolitane. Ky është rezultati i hetimeve të bëra deri më tani në lidhje me masakrën e ndodhur tek materniteti i vjetër në Tiranë. Hetimet kanë zbuluar se shkak i kësaj hasmërie të jetë një sasi prej 20 kilogramë heroinë me vlerë 1 milionë euro, që Menton Doçi e kishte zhdukur. Lënda narkotike nuk kishte mbërritur në destinacion dhe italianët e Kamorras i kishin kërkuar llogari Sulkut. Në këto kohë kanë nisur edhe sherret mes dy dibranëve. Prandaj Mentor Doçit në muajin dhjetor të vitit të kaluar i është bërë një atentat, të cilit i shpëtoi. Pas kësaj ky i fundit dyshohet se ka urdhëruar vrasjen e vëllait të Besnikut, Durim Sulku i cili jetonte në Roterdam. Këtu më pas situata ka kaluar në luftë dhe Kamorra në ndihmë ka sjellë edhe italianin, Salvatore Letizzia dhe ngjarja përfundoi me 3 viktima.

Zhdukja e kokainës

Dyshimet për vrasjen e vëllait të tij, por dhe 1 milionë euro të pakthyera për 20 kilogramë kokainë, duket se bënë bashkë italianin Letizia dhe Besnik Sulkun për të vrarë 39-vjeçarin, Mentor Doçi. Ndonëse armiq të betuar me njëri-tjetrin Doçi dhe Sulku kishin qenë më parë ortakë e punonin për llogari të organizatës mafioze italiane Kamorra. Burime pranë organit të akuzës, thanë se atentatet ndaj Doçit nisën pasi 39-vjeçari nga Bulqiza i kishte marrë grupit mafioz rreth 20 kilogramë kokainë dhe nuk kishte kthyer paratë nga shitja e saj. Sipas të dhënave, Doçi kishte marrë drogën nëpërmjet Besnik Sulkut e kishte shitur atë dhe bosëve të mafias u kishte thënë se kokaina kishte humbur. Nga këtu, nisin problemet për të, ku në dhjetor, Doçi i shpëtoi mrekullisht një atentati në lokalin e Gerti Goxhajt. Miku i tij, i cili mbeti i vrarë në përplasjen e së martës, arriti t’i shpëtonte jetën duke e tërhequr brenda ambienteve të lokalit e kështu dhe atentatorit, i cili dyshohet se ishte Besnik Sulku. Pas dështimit të këtij atentati, Kamorra ka dërguar në Tiranë një prej vrasësve profesionistë të saj. Salvatore Letizia kishte ardhur 5 herë në Shqipëri dhe herën e fundit, 8 orë para atentatit në të cilën mbetën të vrarë Mentor Doçi, Gerti Goxhaj dhe Besnik Sulku.

 

Të akuzuarit

Për ngjarjen, Prokuroria ka dërguar në gjykatë italianin bashkë me dy nipat e Mentor Doçit, me akuzën e vrasjes për gjakmarrje. Fillimisht u dyshua se Salvatore Letizzia ishte një vrasës me pagesë i kontaktuar nga Besnik Sulku për të vrarë Mentor Lufin. Kjo pasi Markeljan e Klejvi Doçi, dyshohen dhe si atentatorë të vëllait të Besnik Sulkut në Holandë. Durim Sulku u ekzekutua me një plumb në kokë teksa parkonte automjetin e tij në një nga zonat periferike të Roterdamit. Ndërkohë që dyshimet janë të forta që 35 – vjeçari napoletan dhe organizata kriminale ku bën pjesë, të jetë përfshirë në trafikun e drogës dhe ta ketë ngarkuar atë me ekzekutimin e Mentor Lufit, për shkak të prishjes se pazareve. Por ende nuk është mundur të konfirmohen lidhjet e tij me tregun e drogës në Holandë aty ku ushtronte aktivitetin e tij Mentor Lufi dhe dy vëllezërit Besnik dhe Durim Sulku. Megjithatë hetim intensive po zhvillohet në këtë drejtim nga prokuroria për të parë nëse Salvatore Letizia dhe klani tij kanë patur interesa në tregun e drogës në Holandë.

 

Simoni: Zyrtarë të lartë do të dërgohen në gjyq për korrupsion

Funksionarë të lartë të shtetit dhe të zgjedhurit vendor, si zv/ministra, prefektë e kryetar bashkishë, pritet të ulen në bankën e të akuzuarit në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Kreu i Gjykatës së Krimeve të Rënda, Sandër Simoni, në një intervistë deklaroi se numri i çështjeve ka tendencë të rritet, pasi të tilla janë edhe rastet që po hetohen aktualisht nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Në kumtimin e tij, Simoni është shprehur se, “nuk janë vetëm shqiptarë që eksportojnë në këtë mënyrë kriminaliteti, siç jemi mësuar të themi deri tani por janë dhe qytetarë të huaj, dhe vendet fqinje kryesisht, të cilët mbi territorin shqiptar importojnë këtë lloj kriminaliteti që është trafikimi i narkotikëve. Politik-bërësit duhet ta shohin me shqetësim këtë të dhënë për të forcuar pikat e kalimit kufitar apo për t’u bërë të ditur vendeve anëtare të Këshillit të Europës që janë dhe shtetasit e tyre që e shohin Shqipërinë si një vend ku mund të bëjnë importim, eksportim apo tranzitim të lëndës narkotike”, tha ai. Në 5 vite, nga viti 2009 deri në 2013 , kjo gjykatë ka dhënë 274  vendime  për korrupsion. Në fjalën e tij, Simoni foli edhe për kompetencat që ka marr institucioni që ai drejton, “Gjykata e Krimeve të Rënda ka marr kompetenca legjislative më tepër për sa i përket kompetencave vendore të gjykimit të një kategorie funksionare. Ne mendojmë që juridiksioni fillestar i Gjykatës së Lartë, përsa i përket gjykimit të deputetëve apo ministrave, qoftë për vepra penale të korrupsionit apo për vepra të tjera penale, është diçka e pakuptimtë tashmë”, tha Simoni. Ne tryezën e fundit për reformën në drejtësi , Simoni ka propozuar që të  gjitha rastet për gjykimin e zyrtareve të lartë t’i referohen për kompetencë kësaj gjykate. Sipas tij gjykata e larte nuk ka as kapacitetin për t’i shqyrtuar këto raste.

 

Romë, shqiptari përdhunoi ish-të dashurën, kapet pas 1 muaj

Një shqiptar është vënë në pranga mëngjesin e djeshëm sepse akuzohet se ka përdhunuar një femër 35 vjeçe. Ngjarja ka ndodhur në kryeqytetin italian, Romë. Siç bëhet e ditur, shqiptari 21-vjeçar ishte arrestuar edhe më parë për të njëjtat akuza. Ai ishte i papunë prej kohësh dhe policia e kishte ndaluar disa herë. Ngjarja mësohet se kishte ndodhur në 10 prill, kur viktimat e këtij përdhunimi ishte paraqitur tek karabinierët e Kattolica në Romë dhe kishte bërë denoncimin. Ajo kishte treguar se kishte pasur një lidhje dashurie me shqiptarin, por që kishte përfunduar disa muaj më parë. Por mëngjesin e 10 Prillit, ndërsa ishte në shtëpi duke bërë punët e mëngjesit në pritje që djali ti kthehej nga shkolla kishte ndodhur ngjarja.  Kishte rënë dera dhe ajo kishte dalë. Ishte ai. Fillimisht i kishte kërkuar një cigare dhe në mënyrë të papritur kishte hyrë në shtëpi. E kishte qëlluar fillimisht me grushte e shqelma dhe më pas e kishte shtrirë për tokë, duke i grisur rrobat dhe e kishte përdhunuar. Pas 30 minuta gruaja kishte mundur të reagonte dhe të ikte. Ajo ishte paraqitur në polici. Që nga ajo ditë shqiptari ishte në kërkim për tu vënë në pranga mëngjesin e djeshëm.

 

Vrasja e indianit në Angli, kapet pas 11 vitesh shqiptari i kërkuar

Një shqiptar ka rënë në prangat e policisë irlandeze pas më shumë se 11 vitesh në arrati. Shqiptari i kërkuar për vrasje në qytetin e Manchesterit ishte fshehur për gati 11 vjet. Mediet irlandeze njoftuan për arrestimin e Alfred Kurtit, 31 vjeç, i cili së bashku me disa shqiptarë të tjerë, në prill 2004 vranë në qytetin e Manchesterit, shtetasin britanik me origjinë indiane Bob Singh. Teksa u arrestua nga skuadra irlandeze e ekstradimeve, Kurti tha se ai nuk ishte personi që ata kërkonin dhe se ai quhej Albert Gjini. Gjatë seancës së parë të ekstradimit oficerët e policisë irlandeze i thanë policisë se, nga krahasimi i shenjave të gishtërinjve marrë nga policia e Manchesterit, rezulton se personi përpara gjykatës është Alfred Kurti. Për këtë vrasje si bashkautor u ekstradua nga Italia në Angli dhe u dënua me 16 vite burg Emirjan Hysaj. Ndërsa Mariol Semaj do të dënohej me 12 vite. Të akuzuarit tjetër Artan Hysaj iu rrëzuan akuzat për vrasje në gjykatë.

 

Në një ditë në Shqipëri dhunohen 15 femra, shkaqet

Dhuna ndaj femrave duket se është një fenomen që vazhdon të jetë shqetësues për Shqipërinë. Kështu 15 gra raportojnë çdo ditë se janë dhunuar në Shqipëri. Bashkëshortët janë në shumicën e rasteve, dhunuesit, por në rritje po vijnë rastet e dhunës dhe nga baballarët dhe vëllezërit. Arsyet e dhunës shpesh janë banale. Ndërgjegjësimi i femrave për ta denoncuar dhunën sa vjen dhe rritet. Por aktivistët kundër dhunës kërkojnë nga autoritetet që të marrin më shumë përgjegjësi për t’i ndihmuar viktimat e këtij fenomeni. Shpeshherë për burrat dhunues gjykata vendos trajtimin e tyre në një qendër të posaçme këshillimore. Shqipëria përfaqësohet tashmë në Komitetin Kundër Dhunës me Bazë Gjinore në Këshillin e Europës. Ky komitet ndihmon në monitorimin e fenomenit dhe në implementimin e politikave për mitizimin e tij.

 

Për 24 orë prangosen në pikat doganore 4 persona të kërkuar

Bien në pranga disa persona të kërkuar. Policia Kufitare ka bërë të ditur se janë kapur katër persona të dënuar për vepra të ndryshme penale. Dy persona janë ndaluar në pikën e Morinës, në Kukës. Të ndaluarit janë Agim B. dhe Luan S. që të dy shtetas të Kosovës. Ata u ndaluan nga shërbimet e policisë kufitare gjatë përpjekjes për të hyrë në Shqipëri pasi rezultonin persona në kërkim nga drejtësia kosovare. Sipas marrëveshjes mes Kosovës dhe Shqipërisë, të dy këta shtetas u janë dorëzuar autoriteteve kosovare. Ndërkohë, nga shërbimet e Policisë Kufitare të Kakavijës është ndaluar 51-vjeçari, Arben Mara, i dënuar nga Gjykata e Tiranës me 18 muaj burg për akuzën e “falsifikimit të dokumenteve”.

 

Granatë në një banesë në Krujë, nuk ka të dëmtuar

Një shpërthim granate ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në Krujë. Policia e Shtetit, përmes një deklarate zyrtare të publikuar paraditen e së dielës, ka bërë të ditur se nga një informacion paraprak i siguruar në rrugë operative, është mësuar mbi një ngjarje të rëndë në Krujë. Disa persona të paidentifikuar raportohen të kenë hedhur një granatë dore artizanale në oborrin e banesës së shtetasit me inicialet A. G., e si pasojë e shpërthimit ka pasur vetëm dëme materiale, kryesisht xhamat e banesës, por jo lëndime apo viktima. Policia ka bërë të ditur se janë marrë të gjitha masat e nevojshme për identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj ngjarjeje.

 

Ekstradohet në Itali shqiptari i kërkuar për grabitje të rëndë

Zyra Qendrore Interpol Tirana kreu të dielën ekstradimin nga aeroporti i Rinasit drejt Italisë, të shtetasit Arben Përbibaj, banues në Lukovë të Sarandës. 33-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Bergamos ka lëshuar në ngarkim të tij një urdhër-arrest për veprën penale të “vjedhjes se rëndë“. Vitin e kaluar, në qytetin e Bergamo, shtetasi Arben Përbibaj, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka vjedhur nga një automat që ndodhej brenda një dyqani, një sasi prej 6.400 eurosh, si dhe disa sende të tjera. Arrestimi Përbibajt me qëllim ekstradimi drejt Italisë u bë në Sarandë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here