Bir i mëkatit apo biri i Botës

0
158

Natasha Xhelili

Gustav Klimt Mada-primavesiHapat e shpejtë që hedh një grua për t’u larguar përfundimisht nga një burrë që nuk e do më dhe, për më tepër e ka tradhtuar me mikun e tij më të mirë, janë një hyrje tërheqëse për një roman që sapo ke nisur ta lexosh e që të rrëmben magjishëm nga fjalia e parë deri tek ajo e fundit, sidomos pas asaj ndërhyrjeje të guximshme. Ndjekja e hapave të saj është e vështirë kur nuk di asgjë për të dhe mundohesh ta ndjekësh në mirëbesim. Ajo foshnjë e flakur shkurreve pa të keq dhe trupi i saj dorëzuar mëshirës së një njeriu brutal janë fillimet e një jete tjetër që e lë pas të shkuarën pa dëshirën për ta kthyer më kokën drejt saj. I vetmi kujtim mbahet në gji prej djalit të mbijetuar këtij sulmi tradicional. Madje ndërrimi i emrit të tij duket sikur u vë kapak vuajtjeve të deriatëhershme. Është e çuditshme se si fatet e personazheve letrar varen nga prejardhja e tyre, kjo varësi rrjedh nga fëmijëria gjithashtu. Nëse kanë një fëmijëri të mbushur me shpresa që thyhen njëra pas tjetrës madje bien pre i tyre ata bëhen më të fortë, por më të pakuptueshëm. Mendja e tyre fiton një gjykim të vetin tejet të veçantë që të themi nuk funksionon sipas mendjes e logjikës, por për të përmbushur trille e ide që nuk i kanë realizuar dot në fëmijëri. Personazhi i librit është i ndjekur nga fati i tij që është paracaktuar në ëndrrat e tij që e ndjekin pas gjithnjë, në çfarëdolloj situate qoftë ai, edhe kur duket sikur fati po i buzëqesh më në fund. Babai i parë, i dytë, i vërtetë, askush prej tyre nuk e njeh dhe beson Lumin, ata shfaqen në jetën e tij me një mision të caktuar, për ta shoqëruar me mënyrën e tyre drejt fatit të pashmangshëm. Shenjat e realizmit magjik ngrenë krye në këtë drejtim dhe Markezi i patretur ende sfidohet në pikën e tij më të fortë, në atë që i bën romanet e tij të pavdekshëm, fati i pashmangshëm i personazheve që vijnë në këtë botë për të përmbushur profeci që duhen vërtetuar prej tyre. Ata kthehen në lodra në duart e fatit njëlloj si personazhet antikë në duart e perëndive.

 

Personazhe të vetmisë universale

Fatlumi shfaqet si një nga personazhet e vetmisë universale që rreken me të gjitha mënyrat për t’u përshtatur, por pamundësia qëndron në natyrën e tyre. Ata kanë një perceptim të veçantë për realitetin që është i pangjashëm me të tjerët. Edhe pse mundohen shumë për të qenë “aty”, jetojnë me të gjitha detajet, ata janë unik në botë, pa mundësi tolerance nga kufijtë e ekzistencës së tyre. Falimentimi në bashkëjetesën me konformizmin i shtyn ata që të zhyten në caqet e vetmisë së tyre, i vetmi vend ku ata janë plotësisht vetvetja. Megjithëse bashkëbisedimi nuk mungon, ata gjejnë edhe shokë, por më tepër për të treguar se i përkasin shoqërisë njerëzore sesa për të plotësuar portretin e tyre personal jetësor. Peripecitë në të cilat kalon personazhi të cilit i ndërrohet babai dhe shtrati i gjumit vazhdimisht, shfaqet gjithnjë me një fat të ri që sjell një mundësi të re për autorin, që të zhvillojë rrëfimin e tij. Hyrja e romanit është pika kulmore e një ngjarjeje që do të ndryshojë përfundimisht fatin e personazheve dhe është nga pjesët më të bukura të romanit. Pas këtij kulmi vjen dekreshendo, e ngjashme me veprat e Dikensit apo Mark Tueinit në aventurat e peripecitë e personazheve të tyre që shpalosin botën e pasur shpirtërore dhe imagjinatën e pakufishme fëmijërore.

Fatlumi që aty nga fundi quhet edhe fatkeq, është i destinuar të përmbush fatin e tij, fatin çdo lumi të vërtetë, të derdhet në det. Edhe kur duket se gjithçka po shkon më së miri dhe personazhit duket se i qesh fati, një gjë e re në jetën e tij ndryshon. Ai det i stërmadh që shtrihet para syve të personazhit herë si një fashë blu, herë me pamje më të gjerë, herë në sytë e personazheve që e sjellin afër, apo vendeve që jetojnë praninë e tij, por që quhen Ranëz, apo Shkretaj, mbetet si një dëshirë për t’u realizuar prej personazhit të romanit. Gjithsesi në një mënyrë apo një tjetër deti e ndjek si një kolombre prenë e vet. Personazhi nuk njeh prehje, të gjitha ëndrrat e tij e përcjellin në det. Por mendoj se edhe deti këtu ka kuptimin simbolik të pafundësisë. Pafundësisë së mundësive që ofrohen në jetë, të dëshirave që kërkojnë të përmbushen, e ëndrrave që mpiksen me dritë realiteti,mbi të gjitha e fatit që shkruhet e skalitet në jetët tona për tu përmbushur. Kësisoj personazhi i romanit të Demir Gergjit është një personazh kompleks që gjen rrugëzgjidhje në botën e artit që bëhet ndërlidhës me realitetin.

Personazhi i Elirës është një personazh që përmbush egon e autorit për t’i dhënë pak qetësi personazhit të tij. Ajo i përshtatet mënyrës së tij të jetesës duke u lakuar e përkulur që ti shkoj pas. Elira është si një personazh i krijuar në tavolinë, e krahasueshme me figurat e grave të krijuara nga romantikët, si një ikonë që shërben si pikë orientimi. ajo plotëson figurën e heroit kryesor duke përmbushur dhe kërkesën e tij ndaj realitetit: ai mund të gjejë diçka të bukur e të vlershme aty, që është e natyrshme për botën e tij. Përveçse e bukur dhe me zemër të mirë, ajo është një diell i lindur për të, e bën të ndihet i realizuar në jetë, duke i dhënë atij një familje të plotë. Elira është qetësia shpirtërore që ai ka kërkuar gjithnjë dhe ai mundet ta ketë afër dhe ta prek lumturinë e vet.

Personazhet e nënave shqiptare janë figura kaq komplekse e të veçanta që pasqyrojnë me vërtetësi rolin dhe vendin e femrës në shoqërinë shqiptare, që në vepër paraqitet patriarkale dhe e nënshtruar ndaj pushtetit të burrit dhe nuk ka fuqi të mbrojë as të drejtat e fëmijës së vet. Me siguri autori me këtë paraqitje ka dashur të evidentojë këtë lloj gruaje,por edhe ta ndëshkojë atë për këtë përulje në këto stade. Edhe pse autori përshkruan një periudhë të gjatë në roman, nëna e heroit të veprës mbetet po e njëjta, ajo vdes prej gëzimit të madh kur sheh se fëmija e vet arrin të realizohet në jetë vetëm me forcat e veta. Përkrahja vetëm me shikime, apo lot të fshehur nuk janë të mjaftueshme për autorin, ai është kërkues ndaj personazheve të veta dhe do të realizojë nëpërmjet tyre konceptin e vet për figurën dhe rolin e gruas.

 

 Veçori të rrëfimit

Autori kujdeset që të mos e bëj monoton rrëfimin e vet. Për këtë arsye sjell mënyra të ndryshme shkrimi. Rrëfimi i mbushur me ngjarje që rrjedhin shpejt në dramacitetin e vet shënojnë hyrjen e romanit që paralajmëron një vepër të stolisur me një gjuhë të zgjedhur me kujdes, me fjalë e shprehje krahinore që shënojnë një hapësirë e kohë të përcaktuar. Autori zgjedh të përshkruajë peripecitë e personazhit të vet që kalon në to si në rrathët e ferrit, por që e bëjnë më të fortë duke mbushur botën e tij shpirtërore. I ngjashëm me  Hak Finin, Tom Sojerin, apo Oliver Tuistin, Fatlumi në hallkat e jetës ngjiz pasionin e tij për pikturën. Ky lloj rrëfimi mbaron me etapën e parë të jetës së personazhit dhe vendin e tij gjatë kohës së studimeve do ta zërë ditari, i përdorur jo rrallë si në letërsinë shqipe ashtu dhe në atë botërore. Kjo mënyrë shkrimi i jep mundësi personazhit të shprehet në vetë të parë duke na afruar në botën e vet, për t’i lexuar edhe skutat më të fshehta të mendimit, për ta njohur më mirë këtë student që ka kaluar një jetë të trazuar. Ngjyresa tashmë është e ndryshme, ajo është e mbushur me motivin e mungesës për një të fejuar që shpaloset pak nga pak me mënyra të ndryshme, si nga dashuria e përshkruar, nëpërmjet letrave e ngjarjeve që ndodhin aty për aty. E vendosur në një tablo në murin e dhomës së tij ajo buzëqesh herë pas here, për t’ia ndriçuar sadopak ditën heroit, që e ndjen pafund mungesën e saj dhe na shfaqet me zemër në dorë për të na bërë të pranishëm. Megjithëse është periudha më e mirë e jetës, ajo e martesës për faktin e thjeshtë se ai gjen dikë që e do më në fund në jetën e tij të mbushur me refuzime, pjesa e tretë nëse mund ta quajmë kështu shkruhet me një stil tjetër që rrjedh shpejt drejt fundit. Dukuria e retardacionit e cila përdoret në veprat e mëdha epike shfaqet këtu ndërmjet një personazhi të ri që quhet ashtu si autori, por që e mbush në një mënyrë tjetër jetën e tij, bëhet një zëdhënës i mendimeve dhe ndjenjave të tij nëpërmjet tregimeve që shkruan për të treguar dhimbjet e heroit në momentet e vështira të jetës së tij. Vdekja e disa personazheve bën të mundur kapërcimin e e problemeve me të kaluarën dhe e çon heroin tonë drejt fundit të pashmangshëm. Ecja drejt detit, kur duket se gjithçka po rregullohet më në fund, të bën të mundur të kuptosh gjithë pikëpyetjet që kanë lindur gjatë leximit të veprës. Lumi nuk është vetëm një personazh i një vepre letrare ai është një dukuri shoqërore për të gjithë ata të rinj që u rreshtuan në radhët e brezit të humbur dhe kapërcyen muret e ambasadave të huaja në Shqipërinë e viteve ’90 apo hipën në tragetet apo aniet që do t’i çonin drejt brigjeve të shpresës.

 

Arkitektura e romanit

Mund të thuhet se i gjithë romani është një aventurë në aspektin stilistik e strukturor. I bindur në aftësitë e përvojën e vet autori eksploron me sukses stile të ndryshme shkrimi. Termat e përdorur për sa i përket strukturës kanë karakteristikat e veta dalluese që shfaqen jo vetëm në këtë vepër të fundit, por në gjithë krijimtarinë e tij në prozë a poezi qoftë. Ai merr guximin ta ndërpresë rrëfimin e vet duke përdorur neologjizma si ndërhyrje, hyrje, që shfaqen papritur në roman për të na mbajtur të gjallë kureshtjen dhe për të na kujtuar se ka diçka tjetër përpos këtij tregimi në plan të parë e rrjedhës së zakonshme të rrëfimit të ngjarjeve. Vepra është si një labirint të cilin e përshkojmë me fillin e Arianës të cilin autori na e jep në dorë për siguri. Aty ka shumë kalime që shtjellohen gjatë veprës dhe Minotauri me siguri është “babai” i veshur me të bardha që trondit qenësinë e heroit të veprës. Është një roman i mbushur me ndjenjën e dhimbjes, mungesës e moskuptimit dhe pse mbizotërojnë notat optimiste në plan të parë. Reminishencat e realitetit ndihen kudo në vepër pa qenë qendër e vëmendjes së autorit. Në ngritjen e kooperativave, në funksionimin e luftës së egër të klasave apo në shprehje të zakonshme në atë kohë si: Lwmin e parw shtetit” apo përdorimi e eufemizmave për figurën e diktatorit “Buzagaz i madh”, “Katwr mjekrat” që shqiptarët i njohin mirë përse është fjala. Duke qenë se përdor vitet gjatë rrëfimit ngjarjet vendosen në kohë reale dhe kushtet e çdo periudhe të sjellë do të mbajnë vulën e kohës.

Po ç’është kjo forcë që e drejton këtë lloj shkrimi, këto lloje personazhesh, që bëjnë jetë të çuditshme, që ndryshojnë vazhdimisht, që nuk njihen kur rriten, që janë po kaq të zotë në fatin e tyre të pashmangshëm, që i qeshin në sy fatalitetit? Cili është biri i botës që ka humbur identitetin e vet në damarët e jetës dhe nuk mund t’i përgjigjet pyetjes sa të thjeshtë në dukje aq të vështirë për t’iu përgjigjur? Pse mbeti gjithnjë ai fëmija i flakur shkurreve të mbijetesës dhe pre i ëndrrës që shfaqet e rishfaqet gjithnjë me një synim të caktuar?

Puna si gazetar, apo si moderator në emisione të ndryshme në radio, janë një përvojë e vyer për një shkrimtar. Përvoja e fituar gjatë trajtimit të temave të ndryshme sociale, psikologjike apo filozofike, kanë krijuar te autori një studiues të vëmendshëm, një njohës të rrallë të zhvillimit të botës artistike jo vetëm letrare,por mbi të gjitha një krijues që e ushqen talentin e vet në këto burime.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here