Standard.al

“Ankthi” i gjeneve

0

 

James CookImpulsi i parezistueshëm për të zbuluar çfarë ka përtej një kodre, apo një oqeani, apo edhe madje jashtë planetit, është një tipar karakteristik i identitetit njerëzor. Në dimrin e vitit 1769, në fillim të udhëtimit të tij në paqësor, eksploruesi anglez James Cook mori nga një prift polinezian me emrin Tupaia një dhuratë të jashtëzakonshme: një hartë. Nuk është e qartë nëse Tupaia e kish hartuar në letër apo vetëm e kish përshkruar me fjalë: e sigurtë është që harta i dha Cookut një vështrim të Paqësorit jugor, shumë më të plotë se ai që çdo europian tjetër kish patur në dispozicion përpara tij. Harta përshkruante të gjithë grupet më të rëndësishëm të ishujve në një zonë afërsisht 5000 kilometra në diametër, nga Markezi deri në Fixhi: përkonte me atë që vetë Cook kishte dokumentuar, dhe tregonte shumë gjëra që kapiteni ende nuk i kishte parë. Në Tahiti, Cook i kish dhënë Tupaias një shtrat në bordin e Endeavour. Menjëherë pas kësaj, polineziani shushati ekuipazhin duke e udhëhequr anijen deri në një ishull që Cook nuk e njihte, pothuajse 500 kilometra më në jug, pa u konsultuar asnjëherë me busullën, hartat, orën apo sekstantin. Në javët që pasuan, ndërkohë që ndihmonte në drejtimin e Endeavour nga një arkipelag në tjetrin, Tupaia i habiti sërish marinarët me aftësinë e tij për të treguar me saktësi në drejtim të Tahitit, në çdo moment të ditës apo të natës, me apo pa re. Cook ishte i vetmi i eksploratorëve europianë që kuptonte domethënien e vërtetë të bëmave të Tupaias. Banorët e ishujve të shpërndarë në të gjithë Paqësorin jugor ishin pjesë e një populli të vetëm që shumë kohë më parë kish eksploruar, kolonizuar dhe krijuar hartën e atij oqeani të madh, pa patur në dispozicion asnjë prej instrumentave detarë që Cooku i konsideronte të domosdoshëm; dhe i kishte ruajtur ato harta vetëm në kujtesë, duke i transmetuar me traditën gojore. Kanë kaluar dy shekuj, dhe sot rrjeti global i gjenetistëve që përpiqen të rindërtojnë flukset migrues të njeriut modern duke analizuar gjurmët e ADN të përhapura nëpër vendet ku ka shkelur, si thërrime, mund t’i demonstrojë Cookut se kishte të drejtë: paraardhësit e Tupaias kishin kolonizuar Paqësorin 2300 vjet më herët. Emigrimi i tyre pothuajse i pamundur përmes Paqësorit ishte vazhdimi i një marshimi të gjatë drejt lindjes, që e kish patur fillimin në Afrikë, 70 mijë vjet më parë. Nga ana e tij Cook, me udhëtimin e tij, vazhdonte migrimin nga Afrika drejt perëndimit, që paraardhësit e tij kishin ndërmarrë pak a shumë në të njëjtën kohë me ata të Tupaias. Kështu takimi mes këtyre dy burrave kishte mbyllur një rreth të hapur me mijëra vite më parë. Cook vdiq dhjetë vjet më vonë në Hauai, për shkak të një grindjeje që përfundoi keq. Ishullorët grabitën një varkë; kapiteni humbi qetësinë dhe hapi zjarr, dhe bashkë me ekuipazhin e tij vrau disa prej tyre, por hauaianët arritën ta kapin në betejë dhe e goditën deri sa vdiq. Për disa, vdekja e Cook shënoi fundin e një epoke që historianët perëndimorë e quajnë era e eksplorimeve. Por që atëherë, sigurisht që nuk kemi pushuar së eksploruari. Kemi mbetur të fiksuar pas nevojës për të shtuar detaje në hartat gjeografike të Tokës; të arrijmë polet, majat më të larta, humnerat oqeanike më të thella; të lundrojmë deri në skajet më të largët dhe të fluturojmë larg nga planeti, në hapësirë. Sot, ndërkohë që ndjekim me pasion “Curiosity”-n teksa eksploron Marsin, SHBA, bashkë me disa qeveri dhe kompani private, përgatiten të dërgojnë edhe njeriun në planetin e kuq. Ka ëndërrimtarë që flasin edhe për dërgimin e një mjeti hapësinor në yllin më të afërt.

 

Matematikani gjenial fshehtësinë e mori në varr?

Miku i tij, matematikani i pranuar Cardic Villani ka deklaruar se Nash disa ditë para vdekjes i ka thënë se ka zbuluar zëvendësimin për formulën e Einsteinit të teorisë së relativitetit. Matematikani i famshëm dhe fitues i Çmimit Nobel John Nash, beteja e të cilit me shizofreinë është shfaqur në filmin e njohur holivudian ‘A Beautiful Mind’ (Mendja e bukur), në të cilin e aktronte Russel Crowe, ka zbuluar se është në prag të një zbulimi vetëm disa ditë para vdekjes tragjike në aksident komunikacioni. Javën e kaluar në moshën 86-vjeçare e ka pësuar me bashkëshorten e tij Alicia (82) në taksi nga aeroporti me rastin e kthimit nga Norvegjia. Miku i tij, matematikani i pranuar Cardic Villani ka deklaruar se Nash disa ditë para kësaj i ka thënë se ka zbuluar zëvendësimin për formulën e Einsteinit të teorisë së relativitetit. Vilanni ka deklaruar për The Times se Nash ia ka sqaruar zbulimin e tij, për të cilin konsideronte se do të ndihmojë në shpjegimin e gravitetit kuantik. Teoria e relativitetit e Einsteinit shpjegon se gravitacioni është pasojë e lakueshmërisë së hapësirës e kohës.

 

Nasa shpalli konkurs për ndërtimin e shtëpive në Mars dhe Hënë

Edhepse ende nuk kemi gjetur dëshmi për jetë në Mars ose në Hënë, Agjencioni amerikan i gjithësisë hapi konkurs për 3DPHAB (3D Printed Habitat Challenge) për të qenë të sigurt që banorët e ardhshëm të satelitit dhe të planetit të kuq të kenë çati mbi kokë. Projekti 3DPHab, që është pjesë e programit Sfida të shekullit nga NASA, parashikon zhvillim të teknologjisë për ndërtim të një shtëpie larg planetit tonë me përdorimin e resurseve lokale dhe materialeve ricikluese. Qëllimi është ndërtimi i shtëpive për kolonistët që një ditë do të banojnë në Hënë ose në Mars. – “Plani është që në Hënë dhe në Mars të dërgohen makina për ndërtim që do ti ndërtojnë shtëpitë për banorët”, shkruhet në shpalljen e NASA-së. Në fazën e parë të konkursit, i cili do të jetë i hapur deri më 15 korrik, nga kandidatët e interesuar kërkohet që të mendojnë zgjidhje reale arkitektonike në version 3D, ndërsa fituesi i konkursit do të fitojë çek prej 50.000 dollarëve. Etapa e dytë, në të cilën fituesi do të marrë 1,1 miliona dollarë, do t’ju përkushtohet teknologjive për printim 3D dhe teknologjitë për kombinimin e materialeve lokale dhe të eksportuara, ndërsa në fazën e tretë do të theksohet ndërtimi i objekteve me ndihmën e teknologjive të përmendura.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.