Në Dibër e Bulqizë/ Basha, Ramës: Me pasionin që më sulmon mua, sulmo varfërinë, papunësinë dhe rrogat e ulëta

0
128

Gëzim Saliu

Basha ne fushate“Në 21 qershor, vota juaj për PD-në është refuzim i politikës që e ka zhytur Shqipërinë në krizë të thellë ekonomike”

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u takua dje me banorë të Dibrës dhe Bulqizës, ku pasi u njoh me shqetësimet e qytetarëve ai tha se dyshja Rama-Meta nuk mbajtën asnjë premtim. Sipas kryedemokratit, mazhoranca sot kërkon t’i fshihet llogaridhënies duke sulmuar opozitën dhe kandidatët e saj. “Edi Rama nuk ka ofertë për ju. Unë i them sot, kthehu në Dibër, përdor të njëjtin pasion me të cilin sulmon Lulzim Bashën, për të sulmuar rrogat e ulëta, për të sulmuar varfërinë, papunësinë! Me të njëjtin inat që sulmon kryetarin e opozitës, që të ka mundur një herë dhe prapë do të të mundë, vërsulju listave nëpër dyqane që janë dyfishuar!”, – tha ai.

 

Oferta e PD-së

Nga ana tjetër në takimet e djeshme, Basha theksoi se PD e ka ofertën për të nxjerrë vendin nga kriza dhe për të kthyer shpresën. Në këtë kontekst, lideri i opozitës ftoi qytetarët që në 21 qershor të miratojnë platformën e taksave të ulëta, uljen e çmimit të energjisë. “Vota juaj në 21 qershor është vula e një referendumi popullor, për të ulur me çdo kusht çmimin e energjisë dhe për faljen e kamatëvonesave, për të ulur me çdo kusht taksat, për të rritur pensionet dhe pagat, për të rikthyer në listën e ndihmës ekonomike të gjithë ata që janë larguar me të padrejtë dhe këdo tjetër që ka nevojë për të, për subvencione për bujqësinë dhe blegtorët”, – pohoi Basha. Më tej kryetari i Partisë Demokratike i konsideroi zgjedhjet vendore si ditën e llogaridhënies së qeverisë dhe refuzimit me votë të keqqeverisjes dhe ndaljes së të keqes. “Në 21 qershor, vota juaj për Partinë Demokratike është refuzim i politikës që e ka zhytur Shqipërinë në krizë të thellë ekonomike, që i ka zhytur shqiptarët në papunësi, që i ka rritur çmimet e ka bërë të pamundur mbijetesën për mijëra familje anembanë vendit”, – tha ai. Në të gjitha takimet e zhvilluara në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet lokale, kreu i forcës më të madhe opozitare ka akuzuar mazhorancën e majtë qeverisëse se i ka ikur premtimeve të dhëna para zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 23 qershorit. Sipas Bashës, shumica jo vetëm që nuk ka mbajtur premtimet e saj por e ka çuar vendin drejt rrënimit ekonomik, ku ka theksuar ai, varfëria dhe papunësia janë rritur në masë dy vitet e fundit. Nga ana tjetër kryedemokrati ka bërë të ditur në fushatë edhe ofertën e demokratëve e cila lidhet me taksat e ulëta, rritjen e pagave dhe pensioneve dhe uljen me çdo kusht të çmimit të energjisë për faljen e kamatë-vonesat. Ndërkaq akuzave të mazhorancës se të tilla premtime nuk vlejnë për zgjedhjet vendore, kreu i PD-së i është përgjigjur duke pohuar se vetëm përmes një vote për opozitën dhe një fuqizimi të qytetarëve përkundrejt shumicës qeverisë do të bëhet e mundur detyrimi i saj për të ndryshuar qëndrimin e saj mbi këto çështje.

 

Takimi me të rinjtë/ Kosova: Kampus universitar dhe rikonstruksion të shkollave. Garanci për kreditë për studentët

Kandidati i djathtë për Tiranën, Halim Kosova, zhvilloi pasditen e djeshme një takim me studentët, të cilët njohu me planet e tij për arsimin nëse zgjidhet në krye të bashkisë. Në fjalën e tij, pasi premtoi qëndrimin larg fjalëve dhe më shumë fokus tek puna, Kosova shpalosi idetë e tij për sa më shumë hapësira për studentët. “Ne do të investojmë për rikonstruksionin e shkollave dhe sidomos do të punojmë për kampusin universitar. Pas 21 qershorit do të vazhdoj menjëherë negociatat me rektorin e Universitetit të Tiranës. Ne do të krijojmë hapësira për studentët, ku ata të mund të marrin ambiente me qera zero, ku të prezantojnë projektet e tyre. Do të bëhet një kompleks shumë i bukur në ndihmë të studentëve dhe qytetit të Tiranës”, – tha ai. Më tej, Kosova ka premtuar një mbështetje financiare më të madhe për studentët që pas diplomimit mund të hapin biznese. “Bashkia e Tiranës do t’u ofrojë garancinë bankave që ju të mund të merrni kredi. Ndërkohë, fondin prej 5.2 milionë dollarësh në mbështetje të studentëve që hapin biznese, ne kemi planifikuar që në 3 vitet e ardhshme ta çojmë në 15 milionë euro”, – deklaroi ai. Më herët Kosova zhvilloi një takim me artistë, ku theksoi se Tirana ka nevojë për kontributin e inteligjencës, pedagogëve dhe studentëve. “Qyteti është i etur për ide në arkitekturë, art, ka nevojë për ndërtime të bukura dhe cilësore, por dhe për ushqim shpirtëror si; skulpturë, muzikë, pikturë. Do të nxis dhe mbështes të paktën 300 projekte artistike e kulturore në mbështetje të trashëgimisë dhe modernizmit. Do të krijoj mundësi ekspozimi të veprave në hapësirat publike dhe mundësi praktike për të vënë në skenën e Teatrit të Metropolit pjesët e gjithë artistëve të rinj”,pohoi kandidati opozitës. Sipas tij çdo zyrë, ndërmarrje dhe agjenci e bashkisë do të jetë një qendër e formimit profesional përmes praktikave për të paktën 300 studentë.

 

Kërkesat e shkodranëve/ PS dhe PD bien dakord: Hiqen flamujt e shumtë elektoralë që “mbysnin” qytetin

Edhe pse në Shkodër nisi fushata më herët se kudo, ku flamujt elektorale të partive mbushën çdo rrugë të qytetit, duket se palët politikë i janë bindur shqetësimit të qytetarëve lidhur me këtë çështje. PD, PS dhe LSI nisën dje të hiqnin flamujt e shumtë që ishin vendosur në çdo pjesë të Shkodrës, gjë e cila kishte ndikuar në një pamje jo të bukur të qytetit. Si për ironi si PD ashtu edhe PS vendosen që “betejën” e heqjes së flamujve ta nisin nga sheshi “Nënë Tereza” ku të parët ishin demokratët, pasuar nga socialistët e më pas Lëvizja Socialiste për Integrim. Nënkryetarja e Partisë Demokratike Greta Bardeli dhe zëdhënësja për shtyp e kandidates së majtë Keti Bazhdari deklaruan se këtë mision e marrin pas kërkesave të qytetarëve, shoqatës së ambjentalistëve, por edhe kritikave të faktorit ndërkombëtar. Këtë vendim të partive e cilësuan si të drejtë qytetarët e Shkodrës, të cilët prej ditës së parë të vendosjes së flamujve e quanin veprimin e partive si aktin e fundit të shëmtimit të qytetit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here