Mbyllet Parlamenti/ Si iu dorëzua serbëve veriu i Shqipërisë

0
173

marshimi i ushtrise serbe ne Shqiperi 1915Kuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën komunistët. Janë 11 vjet letërkëmbim me fratin pukjan që e gjeti firmëtarin krutan në një gjendje të vështirë shpirtërore “pa familje, por me uzdajë se nji ditë e shoh, veçse pa miq përgjithmonë”

 

Ti po më pyet: “Si âsht për t’u spjegue fakti qi në luftë balkanike Shqiptarët nuk luejtën për së gjallit” kundra okupatës sërbo-malazeze? Kjo është një dilemë e intelektualit të ri, të asaj kohe, Mustafa Krujës drejtuar mikut të tij, françeskanit, At Paulin Margjokaj në volumin e letërkëmbimeve më të gjata që ka pasur me të në emigrim. Kruja arsyeton më tej, mbi disa teza pse pushtimi nga serbo-malazezët Shqipëria nuk “reagoi” që vlerësohet historike për kohën, sidomos për trevat e veriut. Kështu, në vëllimin e katërt të serisë së letërkëmbimeve të Mustafa Krujës me miq e bashkëpunëtorë, personalitete të jetës politike e kulturore të Shqipërisë të fushave të ndryshme, të botuara nga “OMSCA-1”, ky konsiderohet më i ploti e ndoshta më interesanti për lexuesin, mbasi paraqet një letërkëmbim mes dy personalitetesh krejt të ndryshëm nga mosha e nga formimi, por me një ndihmesë të çmuar në kulturën kombëtare që, nëpërmjet bisedës së tyre letërore, marrin në shqyrtim e ftillojnë ndodhi e tema të ndryshme të historisë shqiptare të gjysmës së parë të shekullit të shkuar. Njëri ishte një protagonist i jetës politike, por edhe i asaj kulturore, njëri nga firmëtarët e Dokumentit të Pavarësisë, pjesëmarrës në shumicën e ngjarjeve që shënuan historinë e shtetit shqiptar në tridhjetë vitet e para të qenies së tij. Tjetri ishte një frat françeskan, një ish-mësues historie në liceun “Illyricum”, që e kishte bërë hulumtimin e kësaj lënde qëllimin kryesor të jetës së tij, krahas atij të shërbyesit të fesë.

I ndante një ndryshim moshe prej njëzet vitesh, por i bashkonte dëshira e studimit të thellë, dashuria për vendin e tyre, ngulmimi në kërkimin e së vërtetës historike, shpresa, e mbetur vetëm në kufijtë e termit, për të parë një Shqipëri demokratike e dinjitoze. Letërkëmbimi filloi një ditë prilli të vitit 1947, kur Atë Paulini, që jetonte në Bolzano, në një kuvend ku kryente detyrën e meshtarit, merr vesh se në Ortisei, një lokalitet turistik i Trentinos, një nga vendet më të bukura të Italisë, banonte Mustafa Kruja, një emër i njohur i jetës shqiptare. Vendos t’i shkruajë për të vendosur një lidhje me të. Këto letra bëjnë pjesë në vëllimin e katërt, ku letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit nga “OMSCA-1”, publikon letrat e rralla, me personalitete të politikës e të kulturës. Edhe pse letërkëmbim, ajo që çmohet në to është sqima e dijes, sikur këta të ishin artikuj të publikuar për lexues, e jo mes vetes. Ndoshta kjo ishte një projekt-perspektivë e Krujës, gjë që ia impononte çdo letërkëmbyesi, si në këtë rast, duke na dhënë një shkollë të mendimit.

 

***

Niagara Falls, 18 maj 1958

Fort i dashuni mik,

Çdo gjâje i vjen dita e vet dikur: kështu si po i vjen sod, mbas pesë muejsh, letres s’ate me 6/12/57 me pasun pergjegjen t’eme. Me pasun për të shtruem hesapë ndërmjet nesh, prap se prap un po dalkam për të marrë. Se ti paske pasë pritun tetë muej për me m’u përgjegjun, pra tre mâ shumë se un. Po t’i shtojmë mbasandej këtij hesapi edhe ndryshimin e dý moshave t’ona e atê, mendoj un, të punëve tjera qi ka secilli prej nesh, un jam edhe mâ shumë fitues. Po të kallxoj punët e mija qi nuk besoj se i ke ti: me kontrolluem se ç’i mungon shtëpisë e me dalë e me i blemë; me gatuem; me lamë enët (kapërceva rendin, por s’ka gjâ); me shtruem tryezën e mbasandej me e dëlirë. Qe, pra, ti këto punë nuk i ke, besoj. Vajza e mjerë, qi ka mbetun femën shqiptare 400- derhemsh ( e prandej edhe pa burrë!) nuk don me më lânë qi të merrem me asnji kso punësh qi i përkasin grues; por kush lanë e shpërlanë ndërresat e kush dëlirë shtëpinë bashkë me 10 orë punë e rrugë përjashta? Këto i ka mbi shpinë trup’i saj, e veç me e mbytun, se nuk banë mâ tepër.

Me kaqë, desha vetëm me zgjatun kuvêndin me tý, se më paska pasë marrë malli. E tash po dal te argumentet e letrës s’ate. Faleminderës qi të paska kënaqun panegjyriku i Ernestit për mue. Edhe tjerë miq si ti janë kënaqun. Âsht nji reakcjon shpirtnuer shumë të shameve qi kam pasun prej anmiqsh e kundrështarësh të paburrní. Âsht e vërtetë, si po thue vetë, se ti ke mjaft lândë të shkrueme mbi jetën t’eme.

Un paskam folë në letrën e mbrapme qi të kam dërguem për “qytetninë” amerikane si antithesë me “barbarinë” asjatike, natyrisht përsa i përket epokës s’onë e jo historisë. E po e mbaj kët’antithesë. Ti duket se po dashke me i a mohuem kryekëput Amerikës çdo farë qytetnije shpirtnore, tue i konceduem vetëm përparimin teknik, e me i a njohun “ kurvës së motit” si monopol gjithë ç’âsht pasuní shpirtnore. Por ke kaluem rrëshqitas e thue se “nuk po hîmë në nji pyllë tepër të dendun. Okay, pra; edhe un kisha me thânë si ti, se njimênd nuk do të dijshim kurrsesi me dalë prej nji pylle t’atillë, e pa kurrfarë dobije.

Ti po më pyet: “Si âsht për t’u spjegue fakti qi në luftë balkanike Shqiptarët nuk luejtën për së gjallit” kundra okupatës sërbo-malazeze? Un për vete, historikisht do t’a zhvillojsha këtë themë kështu:

  1. Në 1908, Shqiptarët u gjindën përpara nji avenimenti politik e historik të papritun: përpara revolucjonit të Tyrqe të Rij qi i dha fund absolutizmës së sulltanit, edhe me ndihmën e tyne, dhe çeli nji herë të re, herën konstitucjonale, në sundimin othoman. Gjithë Evropa u çudit e u hutue, se nuk e kishte parapamë e pritun nji gjâ të këtillë. Tash ajo besoi se “njeriu i sëmûtë”, jo vetëm qi s’e kishte t’afër dekën, por qi po kishte mjaft gjasë me u shëndoshun krejt e me u mbëkâmbun edhe nji herë. Prandej, tre muej mâ vonë, në tetuer, Austro-Hungarija nxitoi me aneksuem Bosne-Hercegovinën ndërsa ishte në kohë, dmth. para se t’u forconte regjim’i ri, e Bullgarija me u shpallë e pavarme e me aneksuem vilajetin “Rumelija Lindore”.
  2. Gjithë popujt jo-tyrq të mbretnisë othomane e brohoritën n’e parë regjimin e ri tue besuem se do të pështetej mbi parime liberale e nji systemë decentralizimi administrativ e kulturuer. Por u zhgënjyen shpejt. Tyrqit e Rij kishin ardhun në fuqí me idena krejt të kundërta; me forcuem mbizotnimin e elementit tyrk e centralizimin e filluem me reformat antifeudaliste të Mahmudit II e të vazhuem prej të birit, Abd-ul-Mexhidit. Në 1909 pakënaqsija vot tue u shtue e dhe në Shqipní nisën me u shtue turbullinat lokale. Represjone barbare në Kosovë e Mbishkodër (Durgut, qëndresë heroike e malsoret, Ismail Kemal e Luigj Gurakuq në Cetinë e Podgoricë, Libri i Kuq).
  3. 1912-ta e gjet gati gjithë parinë shqiptare kundra regjimit të vendosun në Stamboll prej elementit tyrqist fanatik. Por ç’donte kjo parí ? Duhet të flasim për parinë e stërvitun, mbasi i pastërvituni s’ka mundun kurrë e askund me konceptuem nji program politik. E pra parija e stërvitun, e ashtuquejtuna parí intelektuale, s’ishte kurrkund e marrun vesht rreth nji programe politike-kombëtare e, natyrisht, as rreth nji plani veprimit. Mâ zí, parija e tre elementavet fetarë qi përbâjshin popullin t’onë rrojshin, mendojshin e veprojshin secilli në botën e vet mbë vete. Mblidhen e shmbëlidhen beglerët, deputetën e senatorë në parlamentin othoman, lidhin e zgjidhin, vendosin e zhvendosin ndër vete e ignorohet elementi katholik, në të vërtetë mâ i cillsuemi për me thânë fjalën e vet, mbasi ishte ai qi pak parandej kishte lamë me gjak të vet shkrepat e Mbishkodrës dhe kishte lëshuem para sŷve të botës nji program kombëtar, 12 pikat e Librit të Kuq. Vendoset në kryeqytet kryengritja në tânë Shqipninë, por pa nji përgatitje të mirë e pa program. Parlamenti mbyllet për pushime e beglerët shpërdahen nëpër vêndet e tyne. Përgatisin popullin për kryengritje.( Nuk jam i sigurtë nga kujtesa e ime për këtë pikë: në se njimênd qe mbyllë parlamenti e beglerët t’anë deputetën qenë kthye, apo i dhanë me mjete tjera udhzimet për kryengritje.)
  4. Esad Pashë Toptani vê në dijení vllaznín e vet, Toptanët tjerë. Këta ishin në kontakt e në marrveshtje me elementin nacjonalist burgez të Shqipnisë së mesme. Elbasani kishte beglerët e vet – për Jugën s’po flas, se nuk dij hollsina – edhe ata në kontakt me ne të prefekturës së Durrësit. Abdi beg Toptani e un bâmë nji udhtim në Shkodër me nji pretekst. Un isha djalosh 25 vjeçar aso kohe, ishte e para herë qi vejsha n’atë qytet me famë, nuk njifsha personalisht askênd atje. Vizitën e parë i a bâmë së bashku me Abdi Benë, Hasan-Rizá begut. Kështu ishte taktika qi kishim caktuem: kishim votun hajsmi, me i paraqitun Valisë gjêndjen e prefekturës s’onë (Durrës, Kavajë, Shjak, Tiranë e Krú) edhe për nji punë tjetër private qi më përkitte mue, pretekst edhe kjo. Vizituem, mandej, parinë e qytetit, myslimane e katholike, Emz. Serreqin e Prengë Pashën prej katholiqet, Sylço begun e Alush Lohen prej Myslimanet. Asnjiu s’i folëm për kryengritje. Abdi begu ishte tepër prudent ; u nis vetë, para meje, për Tiranë e më porositi mue me folë vetëm me Prengë Pashën, mbasi zona e jonë vetëm me Mirditë (mâ përpiknisht, me 12 Bajrakët) përpiqej, e Prenga, po të donte, do të merrej vesht edhe me tjerë : kler e parí myslimane.

Pasha i Merditës pra, e un n’emën të prefekturës së Durrësit mbarë u muermë vesht plotsisht e mbas nevojës qi çfaqi Pasha, mue m’u desh me shkuem edhe në Kallmet në nji mbledhje krenësh qi kishte grishun ai atje në shtëpí të vet, por… pa qênë ai vetë. Të gjitha pikat e veprimit, mbi të cillat qênë marrë vesht në këtë mënyrë 12 Bajrakët e prefektura e Durrësit, janë zbatuem pa asnji shmângëje a mungesë. Këtê po due t’a nënvizoj për me të siguruem veçanë edhe tý personalisht me kompetencën qi m’apin faktet e jetueme me trup, me krye e me zêmër fillim e mbarim, sikurse kam pasë siguruem dikur gjithë kënduesit e Hyllit të Dritës, qi legjenda e tradhtisë së Toptanet në ndeshjen malcore të Bregut të Matës me Shjakas, âsht edhe mâ pak se legjendë, âsht krejt e thjesht nji përrallë e shpifun prej atyne malsore të shkretë, qi i muer mbë qafë vetëm mêndja e lakmija e vet. Tash vonë, atë përrallë e përtrîni edhe Karl Gurakuqi me kryeartikullin e Shqipnisë së Lirë në rasën e 28 Nândorit.

  1. Qe ndër këto kushte qi plasi kryengritja e 1912-s, tue filluem në Kosovë. Ka qênë verë, korrik besoj. Na të prefekturës së Durrësit e kemi nisun, për nji ditë me 12 Bajrakët, mbasi muerëm lajmin nga Hasan beg Prishtina se atje po vlonte. Malsorët e Bregut të Mates, plot nji javë para nesh, i ranë befas nji detashmenti qi ishte tue kaluem rrugës nëpër ta prej Leshje. Vranë do ushtarë e bânë mjaft plaçkë; edhe prej sish qe bâmë do dâm. Na pritëm nji bataljon qi po vinte në Krú udhës drejt, tue e pritun ku mbaron fusha e fillon Krasta; mâ fort nji përpjekje demonstrative e symbolike, se nuk e kishim ndër mênd me u vramë aspak! Mandej edhe do batare pushkë e ndonji top nga ana e ushtrisë para se me hŷmë në qytet, gjithashtu si përpjekja e parë. Shtabin e kishim nalt, në mal të Krusë, ku bânte mâ fresk e kishte ujë të ftohët me të këputun. Prej andej duelëm në Skuraj e Milot edhe zûmë vanë e Matës. Këtu qemë tue sharruem ndërmjet dý zjarmesh, prej Leshje e prej Kruje. Shpëtuem pa dâm edhe aty; kâmba e shpejtë, faqja e bardhë; e “mâ mirë të thonë hiku Leka se mbet Leka”!
  2. Kosovarët kanë hŷmë në Shkup pa pushkë, tue pasë lajmuem qeverija se ishte gati me ramë në kuvênd me kryengritësit. Edhe na lajmohemi me pezulluem çdo veprim me armë e me dërguem në Shkup përfaqsuesit t’anë. Muerëm atë rrugë të gjatë mbë kual: Marka Gjoni ( i ati i Kapidan Gjonit), Abdi Toptani e un, natyrisht të shoqnuem edhe prej ndonji tjetri, por na të tre, demek, ishim krenët. Kur mbërrîmë na në Shkup, gjithça kishte qênë kryem! Kosovarët ishin marrë vesht me Marshal Ibrahim Pashën me ato kushte qi janë njohun si 14 pikat : mbrênda katër vilajetevet qi na i kemi pasë quejtun Shqipní, kudo qi shumica e popullit flitte shqip, nëpunsit do të dijshin shqip e shkollat do të mësojshin shqip; Shqiptari do t’i shërbente mbretit në kohë paqe vetëm në Rumelí (në Tyrqinë e Evropës). Këto tri pika kishin mâ tepër rândsí e tjerat s’i mbaj mênd. Ndër krenët e Kosovës mbretnonte Khaosi, kishte ndër ta nacjonalista, si Hasan Prishtinë e Bajram Curr, qi do t’a kishin rrezikuem edhe jetën e tyne për t’i siguruem Shqipnisë nji autonomí të plotë ; kishte koka, si Riza beg Kryeziu i Gjakovës e Isë Boletini, në polin e kundërt, qi do të kishin bâmë gjithashtu për me shliruem Abdyl-Hamidin e me e hypun përsrí në thront, me qênë Kosova e falun prej shërbimit ushtarak e taksash ; kishte gjind t’urtë e të stërvitun si Nexhib Draga, qi spjegojshin se me koka t’atilla, siç ishte krejt popull’ i Kosovës, fitim’ i atyne 14 pikave duhej konsideruem nji mrekullí për atëherë; kishte edhe asish, ndër të parë të vêndit, qi kishin qênë gati me kthye e shkuem në shtëpí me njerëzit e tyne, porsa t’ishte marrë lajmi qi u ndërrue kabineti në Stamboll, ai i Tyrqe të Rij me nji “ancien régime”.
  3. Ti më ke ndjekun deri këtu ndoshta me nji farë interese, porse edhe tue menduem se athue e kam marrë vesht un se ç’më ke pyetun, apo jo! Po, edhe t’a shkrova madje mû në krye të këtyne pikave. Tash pra po i përgjigjem drejtpërdrejt pyetjes s’ate. Tashmâ po e dijmë se si u bâkan gverriljet e partizanëvet : u dashkan armë, municjon e pare ar qi mos të mêjnë kurrë, nji organizim sa mâ i përsosun, qi mund t’a bâjnë vetëm gjind të mësuem e të stërvitun e mund t’a mbajnë vetëm njerëz qi kanë në shpirt ndjenjën e disiplinës. A i kishte populli shqiptar këto elemente atëherë?
  4. Në tetuer 1912 plasi lufta e në dhetuer po t’ asaj vjete, dmth vetëm mbas dy muejsh a mâ pak, u mblodh konferenca e Londrës ndërmjet gjashtë Pushteteve të mëdhá edhe vûni në rendin e ditës çashtjen shqiptare. Ishte pra urtí diplomatike për qeverín e përkohshme të Vlonës, qi ishte në kontakt të përditshëm me konsujt autrijak e italjan, jo vetëm qi mos të provokonte veprime luftarake, por edhe t’i shkëshillonte këto. E, mbënjanë të mbesë diplomatija, ku ishin armët et. et. et.? Austrija e Italija, jo vetëm qi nuk na ndihmojshin me mjete materjale, por na kshillojshin pajadamë mos me lujtun asnji gisht dore. E as qi kishim si me i a bâmë ndryshe, pa pasë vendosun me shkaktuem, qysh’atëherë, nji luftë të përgjithëshme.

Me kaqë, besoj se t’a kam tfilluem mjaft mirë mendimin t’em për sa i përket pyetjes s’ate mbi shkaqet e çdo natyre për të cillat Shqiptarët nuk mundën e, edhe sikur të mundshin, nuk duhej me u vûmë pushken shkelse sllavo-grekë të tokës së vet në 1912-            13. Tash mund të shtŷhemi mâ tutje. Porse deshta edhe me justifikuem (ligjuem) deri diku pse u zgjata me revolucjonin e regjimin e Tyrqe të rij në lidhje me pyetjen e parë. Kisha ndër mênd me tënduem të provoj a të spjegoj tërthoras qi do t’ishte gabim me krahasuem epopenë shqiptare – kështu mâ po e quejmë edhe në prosë – të fillueme me Lidhjen e Prizrenit e njizânit me pushtetet othomane, do t’ ishte gabim, pra, mbas mendimit t’em e këtë kam dashun të qaroj, me krahasuem ato gjeste me rrethanat krejt të ndryshme, nga çdo pikpamje, t’okupatës balkanike të Shqipnisë. Kam dashun të kallxoj se aso kohe të largë kishim para nesh nji Mal të Zi të vocërr e në 1912 – 13 ishin kundra nesh Malazez, Sërb e Grekë gjatë kufîje të Shqipnisë mbarë, pa përmendun Bullgarë e Tyrq. Në 1909-1912 Shqiptarët qênë kaçafytun me Tyrqit vetëm e krejt në mënyrë khaotike, pa pasë qênë kurrë të zotnit me u organizuem rreth nji programe kombëtare. E shi nj’ashtu shkonte puna e jonë edhe nën okupatën 1912 -’13 e jo ndryshe. Sido qoftë, kujtoj se s’kam bâmë nji mundë të kotë tue t’a përshkruem shkurt atë perjodë. Këndoji, n’i paç kund, ata dy rreshta të shpalljes së pavarsisë s’onë në Vlonë, këndoji e analizoje kuptimin e tyne tepër rivelatuer e instruktiv.

Fjala sheh (arab. shejkh) s’ka në shqipet nji kuptim as aqë të gjanë as aqë fisnik sa n’origjinën e vet. Te na âsht përgjithsisht nji ignorant qi fshihet nën këtë titull e nën nji veshë të posaçme, qi don me qênë nji farë frati i nji sekti mysliman; por jo i sektit bektashijan, në të cillin bajnë titullin dervish e kur marrin nji gradë, bâhen baba (atë), nji gradë edhe mâ nalt dedë (gjysh), i par’ i gjithë bektashijet kryegjysh. Dervishët mund të martohen, por dervish’ i martuem nuk bâhet dot babà. Dedei mundet me qênë e mâ të shumtën âsht abat i nji kuvêndi. Në Shqipní sikur kemi ndër orthodoksa Prifti ose greqisht-opull (os) (sl. Popoviq, Popof), ashtu kemi ndër myslimanët : Shehi ase Shehu e Hoxha. Shehu e hoxha martohen.

Âsht e para herë qi po e dij, prej teje, qi Hitleri i paska pasun të parët e vet çifutën. Kush e ka zbuluem e provuem këtë fakt të çuditshëm? Fakt i çuditshëm jo aqë për të mbytunit e qinda, ndoshta mija çifutnish të Gjermanisë e për dëbimin e tyne mbarë prej Gjermanije me urdhnin e njí stërnipi të vet, sa për të marrunit e këtij stërnipi çifutnish qëndrimin e apostullit të racës arjane e për durimin e popullit gjerman të nji komedije kaqë banale. E si âsht lânë kaqë mbas dore theksim’i këtij fakti nëpër botë?

Fjala lotë don me thânë short, më ra lota = më ra shortja. S’guxoj me të siguruem nëse vjen prej it. lotto, se edhe kjo pa ardhëka nga nji gjerm. e vjetër laut ose lauta, gjëní me anglo-saks. hlot.

Për ça ka thânë Selman Riza, et., do t’a keshë kënduem përgjegjen t’eme ke Shêjzat kaherë. Për fjalën prashtu kam thânë adv. pa e vramë fort mênden, i tërhjekun ndoshta prej pjesës – ashtu; edhe Mann-i e Krist. ashtu adverb e kanë; por un, tash qi më nxite ti me e stërholluem mâ imtë, t’ap fort arsye tý për lidhzë (lidhës).

Sa për vargun e heshtun të Lahutës së Malcisë “Edhe ipeshkvi jabanxhí”, un jam i bindun se ata qi më kanë pasë thânë se ishte kështu, nuk më kanë gënjyem. Sod as nuk mbaj mênd mâ aspak se kush kanë qênë – kam pasë pyetun mâ se nji-, por besoj se kanë qênë burra të mirë e në gjêndje me e dijtun. Mbas letrës s’ate i shkrova, se kisha për t’i shkruem, Karl Gurakuqit e e pyeta. M’a vertetoi edhe ky se ishte ashtu. Por për veten t’eme un nuk e zâ nji problemë këtê, prandej as nuk e kam stërholluem kurrë. Madje më thotë mêndja qi ai varg nuk âsht botuem kurrë askund, por ka mbetun në dorshkrim. Athue janë ruejtun dorshkrimet e vepravet fishtjane? Nuk e besoj. Ti i paske marrë ato fjalë të të ndjyemit P. Gjergj si nji pohim historik. Kurse un kisha me i marrë thjesht si nji trill poetiko-patrijotik dalë ashtu pa dashun e pa menduem gjatë e hollë. Me pasë për t’a nxjerrë historinë t’onë për epokën e përshkrueme, prej Lahutës, mund të dalë nji legjendë, por jo sakt historí.

Un nuk dij se kur kishin me u botuem e a kishin me u botuem ndonji herë shkrimet e mija, përkthime e origjinale qofshin. Këtë veç Zoti e din. Gabime ndër to do të gjinden sa të duesh ; mund të them vetëm se kujdesi s’ka munguem. Them kujdesi i parë, tue i shtrimë mendimet në letër. Edhe nji shikim të parë va kam hjedhun. Por mâ fort se kështu nuk jam lodhun me to. Mendojsha me i bâmë qërtimet e fundit, me ndryshime eventuale, kur të kishin fatin me u botuem.

Tash me argumentet e letrës s’ate kam mbaruem punë krejt. Vetë edhe s’po kam ç’me shtuem tjetër. Por hê, qeshë tue harruem me të lëvduem për studimet historike qi ke nisë me botuem ndër Shêjzat. Un deri tash s’e kam marrë pjesën e dytë.

Këto katër fletë dý faqesh âsht e drejtë me m’i quejtun për katër letra. Festat t’i kam uruem gjithmonë me kartolina. Këtu po t’uroj me gjithë zêmër e bashkë me gjithë dy të mijt shumë shëndet e të mira tjera.

 Mustafa

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here