Masakra në Tiranë/ Dy vëllezërit Markelian dhe Klevis Doçi po hetohen edhe për vrasjen në Holandë

0
170

 

 Artan Cena

 Dy vëllezërit Markelian dhe Klevis Doçi2Prokuroria e Krimeve të Rënda ka ngritur dyshime ndaj vëllezërve, sepse në ditët që është ekzekutuar Durim Sulku në Roterdam ata nuk kanë qenë në Shqipëri

Me arrestimin Markelian dhe Klevis Doçit, policia shqiptare duket se po zbardh edhe ekzekutimin e ndodhur në datën prill të këtij viti, ku u vra Durim Sulku, vëllai më i vogël i Besnik Sulkut, të riut nga Bulqiza që humbi jetën pasditen e së mërkurës në një atentat ku qëlloi për vdekje Mentor Lufin (Doçi) dhe Gerti Goxhaj. Shënjestra e atentatit ka qenë Lufi dhe sipas policisë Goxhaj nuk ka lidhje me ngjarjen, por është viktimë e rastësishme. Prokuroria e Krimeve të Rënda që ka marrë në dorë këtë çështje është duke hetuar dhe atentatin në Roterdam të Holandës. Nga verifikimet e sistemit TIMS, rezulton se dy vëllezërit Markelian dhe Klevis Doçi në ditët që është kryer atentati në Holandë nuk kanë qenë në Shqipëri. Për këtë arsye policia shqiptare ka kërkuar bashkëpunim me atë holandeze për të zbardhur dhe atentatin e ndodhur atje.

 

Ekzekutimi në Holandë

Dy vëllezërit Markelian dhe Klevis Doçi njëherazi nipat e viktimës Mentor Lufi po hetohen edhe për vrasjen e Durim Sulkut në Roterdam të Holandës. Prokuroria për Krime të Rënda krahas akuzës për vrasjen e Besnik Sulkut, pasditen e së mërkurës në Tiranë, ndaj dy vëllezërve Doçi ka ngritur dyshime, se janë ata autorët e ekzekutimit në Holandë. Kjo për faktin se nga verifikimet e kryera në sistemin TIMS, rezultojnë se të dy vëllezërit Doçi me datë 6 prill ndodheshin jashtë territorit shqiptar dhe mendohet se janë ata ekzekutorët e Sulkut në një nga parkingjet e Roterdamit. Pritet që në ditët në vazhdim, prokuroria t’i drejtojë autoriteteve të drejtësisë holandeze një kërkesë duke kërkuar gjurmët e mundshme të gishtave apo ndonjë provë tjetër të gjetur në vendin e vrasjes së Durim Sulkut. Hetuesit thonë, se me ngritjen e këtyre dyshimeve dhe ngjarjes së ndodhur në bulevardin Zogu i Parë, prokuroria ka ngritur akuzën e vrasjes për gjakmarrje në bashkëpunim ndaj dy vëllezërve Markelian dhe Klevis Doçi.

 

Armët e krimit

Me ndihmën e ekspertëve të Policisë Shkencore është provuar se Markelian Doçi me një pistoletë tip Makarov ka vrarë atentatorin Besnik Sulku. Ndërsa në rolin e shoferit të makinës Tuareg, Klevis Doçi e ka goditur me makinë italianin Salvatore Letizzia dhe më pas ka tentuar të ndjek atentatorin tjetër Sulku, të cilin në ndjekje e sipër e ka qëlluar me armë Markelian Doçi, duke e lënë të vdekur. Hetuesit thonë se dy vëllezërit kanë dhënë shpjegime të hollësishme duke treguar dhe pranuar veprimet e tyre në mbrojtje të xhaxhait të tyre, tashmë të vrarë Mentor Lufi.

 

Akuza ndaj italianit

Akuzën e “Vrasjes për gjakmarrje” në bashkëpunim mësohet se Prokuroria e ka ngritur edhe për italianin Salvatore Letizzia. Hetuesit thonë se pistoleta me të cilën Letizzia ka qëlluar në drejtim të dy viktimave Mentor Lufi dhe Gert Goxhaj, është e faktuar edhe nga ekspertët e policisë shkencore të cilët në krahët e italianit kanë fiksuar gjurmë të mbetjeve të barutit. Krahas kësaj prove, prokurorët thonë se gjatë kontrollit fizikë në xhuboksin e italianit është gjetur edhe fotoja e viktimës Mentor Lufi. Ndërsa një nga kamerat e sigurisë në zonë, e kanë fiksuar italianin duke mbushur pistoletën pak sekonda para ekzekutimit Lufit dhe Goxhajt. Hetuesit mësohet se kanë gjetur edhe motorin me të cilin dy atentatorët kishin shkuar pranë vendit ku kryen atentatin e pasditen së mërkurë. Paraditen së sotme, tre të arrestuarit, italiani Salvatore Letizzia dhe dy vëllezërit Markelian dhe Klevis Doçi do të dalin para Gjykatës së krimeve të rënda, ku prokuroria ka kërkuar caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” deri në përfundim të hetimeve.

 

Italiani Letizzia, kreu i një klani të Kamorras në Napoli

Autori i masakrës së ndodhur 3 ditë më parë pranë Fakultetit të Shkencave, 34-vjecari Salvatore Letizzia është një emër i njohur për drejtësinë italiane. 34-vjeçari nga Napoli ka qenë i arrestuar në Itali për plagosje dhe armëmbajtje pa leje në vitin 2007. Salvatore Letizzia dyshohet se është kapoja e një prej klaneve të Kamorrës dhe njihet me emrin Piccolo Lettizzia. Letizzia është nipi i Armando Lettizzia, i cili është arrestuar në vitin 2009 si porositësi i shumë vrasjeve për llogari të Kamorras. Gjatë profilit të Lettizia citohen edhe mediet italiane ku e konsideron një person të rrezikshëm dhe vrasës gjakftohtë. Në mediet italiane nuk përmendet fakti që Salvatore Lettizia është drejtuesi një prej klaneve të Kamorrës por pasqyrojnë vetëm ngjarjen e ndodhur 2 ditë më parë në Tiranë ku mbeten të vrarë 3 persona. Salvatore Lettizzia është një prej të ndaluarve nga policia për masakrën e datës 27 maj në Tiranë ku mbetën të vrarë Mentor Lufi, Gerti Goxhaj, Besnik Sulku. Ai u arrestua në flagrancë në një hotel pranë vendit të ngjarjes pak minuta pasi kreu atentatin. Sipas policisë, italiani ka mbërritur në Shqipëri me misionin e vrasësit me pagesë. Para vrasjes, ai ka ardhur edhe 5 herë të tjera në vendin tonë brenda një periudhe kohe një mujore. Sipas të dhënave në sistemi TIMS ai ka hyre në datën 9 prill, 17 prill, 30 prill, 15 maj dhe 27 maj ditën kur kreu edhe atentatin.

 

Pranga kryekomunarit të Blinishtit, i dehur në timon gjuajti dhe policët

 Drejtonte automjetin në gjendje të dehur dhe është ndaluar nga policia, por pas debateve me efektivët, kreu i Komunës së Blinishtit në Lezhë i ka goditur ata. Sipas burimeve policore, 53-vjeçari Jak Zhuba, kryekomunari i Blinishtit, ishte duke drejtuar makinën tip “BMW”, kur ka dalë nga rruga në afërsi të fshatit Piraj, në rrugën Lezhë-Blinisht. Zhuba i është nënshtruar testit të alkoolit dhe ka rezultuar në gjendje të dehur, mbi 0.5% alkool, fakt që e ka kundërshtuar. Ndaj ka filluar të debatojë me efektivët e policisë dhe më pas, sipas burimeve, edhe t’i godasë me grushte. Policia kryer fillimisht shoqërimin e 53-vjeçarit Zhuba, e më pas ka ushtruar kontroll në banesën e tij. Gjatë kontrollit në banesë u gjetën dhe u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një armë gjuetie shotgan 12 mm, pa leje, dhe 3 copë thika të madhësive të ndryshme. Policia tha se materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Lezhës. Kryekomunari do të hetohet për 5 akuza: “Goditje për shkak të detyrës”, “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve të gjahut sportive”, “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve të ftohta”, “largim nga vendi i aksidentit” dhe “Drejtim i automjeteve në mënyrë të parregullt, në gjendje të dehur”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here