Skandali i ilaçeve/ Prokuroria: Ka funksionuar me urdhër të një drejtuesi . PD: Ja skandali me insulinat

1
165

 

 Hetuesit janë duke punuar për të zbuluar se ku përfundonin paratë që merreshin nga llogaritë bankare të dy personave që u ka dalë emri gjatë hetimeve si pronarë të disa farmacive.

Skandali i ilaçeveRimbursimi i ilaçeve në mënyrë të falsifikuar nuk mund të ishte bërë pa urdhrin e një drejtuesi të lartë të Fondit, ose të paktën pa pëlqimin e tij. Ky është rezultati i deritanishëm i hetimeve të bëra nga Prokuroria e Tiranës që ka marrë në dorë dosjen e skandalit të rimbursimit të ilaçeve në disa farmaci që nuk rezultojnë të paregjistruara në asnjë vend. Gjatë hetimeve prokurorisë i kanë dalë edhe dy emra të rinj, ai i Hysni Roçit dhe i Hasime Tahirajt. Sipas prokurorisë po hetohet se ku kanë përfunduar paratë që kanë shkuar në llogaritë e këtyre dy personave. Hetuesit thonë se rritja e shumës së parave që rimbursoheshin brenda dy muajve, dallohet qartë nga recetat e dorëzuara dhe për këtë fakt drejtoria e Kontrollit të Shërbimit Parësor Farmaceutik duhet të ushtronte kontroll në këto farmaci.

 

Përfituesit kryesorë

Prokurorët që hetojnë skandalin me paratë e rimbursimit të ilaçeve janë të sigurte se skema me farmacitë fiktive nuk do të kishte funksionuar, pa bashkëpunimin apo urdhrin e një zyrtari të lartë të Drejtorisë së Përgjithshme të Fondi të Sigurimeve të Detyrueshme Kujdesit Shëndetësore. Shkeljet janë të tilla që nuk mund të kalonin pa u vënë re thanë burime pranë grupit hetimor. Dy përfituesit më të mëdhenj, nga kjo skeme rezultojnë të jenë dy persona, Hysni Roçi dhe Hasime Tahiraj. Emrat e këtyre dy personave kanë dalë në pah, pas verifikimit të raporteve të auditit dhe pas kontrollit të llogarive bankare.

 

Farmacitë fantazmë

Hetuesit po punojnë për të zbuluar se ku përfundonin paratë që merreshin nga llogaritë bankare të shtetasve Hysni Roçi dhe Hasime Tahiraj. Si Roçi ashtu edhe Tahiraj, rezultojnë se kanë përfituar nga drejtoria e rimbursimit para për llogari të farmacisë “Lundra”, “Adelina” apo “Nutrimed”, të cilat nuk figurojnë të regjistruara në ndonjë vend. Por të implikuar direkt në këtë skandal korrupsioni, janë përgjegjësit e disa sektorëve të drejtorisë së Përgjithshme të Fondi të Sigurimeve të Detyrueshme Kujdesit Shëndetësore dhe drejtorive rajonale. Hetuesit thonë se rritja e shumës së parave që rimbursoheshin brenda dy muajve, dallohet qartë nga recetat e dorëzuara dhe për këtë fakt drejtoria e Kontrollit të Shërbimit Parësor Farmaceutik duhet të ushtronte kontroll në këto farmaci.

 

Marrja e dëshmive

Edhe recetat e dorëzuara në sektorin e pranimit dhe atij të rimbursimit në këto drejtori duhet të vinin re ndryshimet e dukshme të firmave të mjekëve apo ilaçeve të shënuara. Gjithashtu edhe zyra e sektorit të informatikës, duhet të dallonte se vulat në këto receta ishin të falsifikuara pasi duken qartë me pamje të lirë ndryshimet në shkronjat e afruara që mendohen se janë shkruar me dorë. Burimet thonë se prokuroria do të vazhdoi marrjen në pyetje të personave të përfshirë në këtë skandal të ilaçeve të rimbursuara si dhe të sekuestroj të gjitha praktikat e ndjekura që nga moment i dorëzimit të këtyre recetave të falsifikuara e deri te kalimi i lekëve në llogarite e tyre bankare.

 

Zbulohen emrat e katër farmacive

 Zbulohen emrat e 4 farmacive që përfituan shuma marramendëse nga skema e vjedhjes së parave të rimbursimit të ilaçeve. Burime nga prokuroria thanë se farmacitë me emrin “Bërzhita”, “Lundër”, “Adelina” dhe “Nutrimed 2012”, falsifikuan receta dhe me pas tërhoqën nga fondi i rimbursimit të ilaçeve mbi 430 mijë euro vetëm për 5 muaj. Parregullsitë e gjetura tek këto farmaci fantazmë, kanë qenë të shumta thanë hetuesit dhe dyshimet janë se pronaret e këtyre kompanive fantazmë bashkëpunonin me drejtuesit e Fondit të Sigurimeve të Kujdesit të Detyrueshëm Shëndetësor.

 

Drogë në “Autostradë”, në pranga 4 persona, u gjendet heroinë

 Katër persona, dy nga Shkodra e dy nga Fushë-Kuqja e Kurbinit, janë vënë në pranga nga policia pasi janë kapur me një sasi droge. Aksioni antidrogë i koduar “Autostrada” është bërë nga Policia e Lezhës. “Strukturat e Drejtorisë Policisë së Lezhës, kanë bërë të mundur, realizimi me sukses të i operacionit të koduar “Autostrada”, thanë burimet policore. Si rezultat i këtij operacioni është bërë kapja dhe arrestimi në flagrancë i personave të mëposhtëm: Denis Shema, 32 vjeç, banues në Shkodër, Kushtrim Kraja, 27 vjeç, banues në lagjen “3 Heronjt”, Shkodër, Ridvan Keqi, 31 vjeç, banues në Fushë Kuqe, Kurbin dhe Saimir Keqi, 37 vjeç, banues në Fushë Kuqe, Kurbin. Arrestimi i tyre është bërë pasi, me datën 27 maj 2015 në autostradën Lezhë, Shkodër, në vendin e quajtur Mabe, Lezhë, ju sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 50 gramë lëndë narkotike, të dyshuar si Heroinë, të ndarë në 10 qese, 2 automjete, 8 telefona celular dhe 1 peshore elektronike. Policia bëri të ditur se po vazhdon punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes. Dosja me materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Lezhës, për veprën penale “prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

 

 Pranga italianit, po trafikonte një kallashnikov shqiptar

 Jo vetëm shqiptarët, por edhe italianët kanë filluar që të bëjnë trafiqe armësh të marra në vendin tonë për t’i shitur në shtetin e përtej Adriatikut. Policia e Durrësit ka arrestuar dje një qytetar italian, i cili ka tentuar që të kalojë municione luftarake nga Porti i Durrësit drejt Italisë. Gino Negro, 32 vjeç, u ndalua nga policia e kufirit në portin e Durrësit, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin që drejtohej prej tij, iu gjet një armë zjarri automatik tip kallashnikov, si dhe rreth 700 fishekë. Sipas policisë, shtetasi italian i kishte fshehur municionet në brendësi të automjetit dhe do t’i trafikonte në vendin e lindjes.

 

Prokuroria: Të sekuestrohen 3.5 mln lekë, janë para të përfituara nga droga

 Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar nga gjykata konfiskimin e shumës prej 3.5 milionë lekësh, të investuara në bono thesari pranë Bankës së Shqipërisë nga shtetasja Zenepe Cenaj, banuese në Shkodër. Sipas prokurorisë, është provuar se këto para ajo i ka përfituar nga aktiviteti i paligjshëm i djalit të saj, Ylber Cenaj, i arrestuar në Francë për “Trafik lëndësh narkotike”. Prokuroria e ka regjistruar procedimin penal për hetim pasuror, pas informacionit të mbërritur nga autoritetet franceze mbi arrestimin e Ylber Cenaj. Sipas të dhënave nga Franca, Cenaj dhe 25 persona të tjerë janë arrestuar në kuadër të një operacioni të zhvilluar në qytetin Perizhe, pranë Bordosë, ku policia kishte zbuluar një rrjet që trafikonte dhe shpërndante lëndë narkotike (kanabis, kokainë etj.), në lokalet e natës, në këtë zonë. Nga hetimet rezultonte se, aktiviteti i këtij grupi kishte nisur që në vitin 2011. Pikërisht, gjatë kësaj periudhe, shtetasi Ylber Cenaj kishte dërguar në Shqipëri një sasi parash, të cilat janë investuar nga e ëma e tij në Bono Thesari. Nga hetimet e kryera prej Prokurorisë për Krime të Rënda rezulton se Zenepe Cenaj nuk ka pasur asnjë mundësi reale të krijonte të ardhura të tilla. Për këtë arsye, prokuroria ka krijuar bindjen e plotë se “paratë e kanë prejardhje nga veprimtaria e paligjshme e të birit”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

1 COMMENT

  1. Burimi I te gjitha te keqijave sic e tha dhe Sala, eshte Depo Omega Farma me pronarin Nadir Causholli qe ka ber shifra te papara me keto vjedhje maramendese. Nadiri me shok kan vjedhur te pakten 32 million Euro nga xhepat tona. E di shume mire se me ka ofruar dhe mua te futem tek kjo loje e ndyre qe ka krijuar ky zotri. Personi numer 1 i skemes eshte Nadiri me Omega farm-en.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here