Standard.al

Vizita në Tiranë/ Vuçiç: Kosova, pjesë e Serbisë. Rama: Njohja e saj ju çliron, s’ka projekt “Shqipëria e Madhe”

0

Gëzim Saliu

konferenca rama vucicVuçiç: Droni u organizua politikisht. Rama: Në Shqipëri do kishim qeshur me Serbinë e Madhe

Rama: Jemi shumë të vegjël për të mos bashkëpunuar. Vuçiç: Krenar që jam i pari Kryeministër serb që vij në Tiranë, falënderime për mikpritjen

Për herë të parë, dje rreth orës 11:00 të paradites, shkeli në tokën shqiptare një Kryeministër serb, ku Aleksandër Vuçiç dhe delegacioni që e shoqëronte u prit në aeroportin e Rinasit nga zëvendëskryeministri shqiptar Niko Peleshi. Nën masa të rrepta sigurie delegacioni serb u nis drejt Pallatit të Brigadave në Tiranë, ku u prit nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, me një ceremoni zyrtare. Kreu i qeverisë serbe ishte thuajse i përpiktë në orarin e përcaktuar në protokoll, ku rreth orës 11:35 ai ishte prezent në Pallatin e Brigadave. Në këtë pritje nuk mungoi ngritja e flamurit serb përkrah atij shqiptar dhe shtrëngimi i duarve mes dy krerëve të qeverive përkatëse. Më pas Rama dhe Vuçiç dëgjuan himnet përkatëse të luajtura nga banda e Gardës së Republikës, ku Kryeministri serb nuk ngurroi të këndonte nën zë gjatë momenteve të ekzekutimit të himnit të shtetit të tij. Pas ceremonisë zyrtare, dy kryeministrat të shoqëruar nga delegacionet e tyre mbajtën një takim kokë më kokë dhe më pas zhvilluan konferencën e përbashkët për shtyp.

 

Konferenca

Edhe pse tensioni i konferencës së Beogradit nuk u ndie, në konferencën e djeshme nuk munguan deklaratat provokuese të dy kryeministrave si edhe qëndrimet e kundërta për Kosovën si edhe ndeshjen Serbi-Shqipëri. Lidhur me këtë të fundit, Vuçiç e cilësoi si një episod të motivuar politikisht. “Ishte një episod i keq për marrëdhëniet tona. Ishte i organizuar politikisht, pasi flamuri i Shqipërisë së Madhe u ngrit për këtë arsye. E njohim autorin: është një person me emrin Ismail. Së bashku me disa të tjerë ka ardhur nga Italia 3-4 ditë para ndeshjes. Kjo tregoi se sa të brishta janë marrëdhëniet tona”, – deklaroi ai. Ndërsa Kryeministri shqiptar në përgjigje pohoi se nëse një ngjarje e tillë do kishte ndodhur në vendin tonë do ishte marrë me më shumë sportivitet. Nga ana tjetër, Rama bëri të ditur se shqiptarët nuk e kanë në program Shqipërinë e Madhe. “Ne do kishim qeshur po të kishim parë flamur të Serbisë së madhe, por kjo është çështje perceptimesh. Mendoj që mësimi është nxjerrë nga të dyja palët. E kemi kapërcyer me kurajo atë moment dhe sot jemi këtu. Shqipëria e madhe për ne nuk është projekt apo program. Është një ide që e ushqejnë ata që nuk i duan të mirën shqiptarëve, jo kombi ynë, që nuk synon zmadhime në kurriz të askujt, por vetëm bashkëjetesë normale. Kështu që, nuk ka projekt të Shqipërisë së madhe në Shqipëri. Nuk ka projekt të Shqipërisë së madhe, mes nesh. Ka vetëm një projekt, projekti i bashkimit tonë në rrugën e Bashkimit Evropian”, – tha ai. Ndërkaq një tjetër çështje që ndau palët ishte Kosova, ku Vuçiç nuk nguroi të deklaronte në konferencë se Serbia e cilësonte atë dhe Metohinë si pjesë të Beogradit. “Është fakt se nuk pajtohemi rreth çështjes së Kosovës dhe Metohisë. Serbia, Kosovën dhe Metohinë e trajton si pjesë përbërëse të saj derisa Shqipëria Kosovën e trajtoj si shtet të pavarur. Flasim ndryshe, mendojmë ndryshe, problemet nuk zgjidhen me luftë, por me dialog”, – tha ai. Nga ana e tij, Kryeministri shqiptar duke pranuar ndarjen mes palëve për këtë çështje, theksoi se serbët do të ndihen më të çliruar nëse e pranojnë Kosovën. “Në Beograd, unë e kam nënvizuar rëndësinë e dialogut. Por, sigurisht, që as nuk kam ndryshuar dhe as nuk do të ndryshoj asnjëherë qëndrim lidhur me Kosovën, dhe bindja ime ka qenë dhe mbetet që njohja e Kosovës do të ishte një çlirim i madh dhe për ju, për Serbinë. Por nuk dua që të hymë më thellë në këtë çështje, sepse këtu sot jeni miq në shtëpinë tonë dhe ne respektojmë miqtë dhe të gjitha sensibilitetet që ata kanë”, – u shpreh Rama.

 

Bashkëpunimi

Nga ana tjetër në konferencë, Kryeministri Vuçiç shprehu falënderime për mikpritjen e Shqipërisë e ndërsa vuri theksin tek rëndësia e bashkëpunimit. “Edhe Shqipëria edhe Serbia e ka një të ardhme të mirë, nga e shkuara nuk mund të ikim po duhet të shikojmë të ardhmen, unë dëshiroj t’i zgjas dorën miqësore popullit shqiptar, pa marrë parasysh ndryshimet tona. Ne kur nuk pajtohemi mund ta kalojmë këtë me fjalë të cilat tregojnë shumë më shumë. Nuk kam asnjë vërejtje në këtë mikpritje, po të thosha të kundërtën nuk do isha i sinqertë. Ky takim do të jetë shumë i mirë për të dyja shtetet tona. Shqipëria e Serbia i kanë marrëdhëniet shumë më të mira seç i kanë pasur në të shkuarën e do t’i thellojmë më tej”, – pohoi ai. Ndërkaq, Kryeministri shqiptar tha se ishte zotuar se çfarëdo të thoshte homologu ai nuk do ndihej i provokuar. “Ne besojmë që Serbia dhe Shqipëria duhet të bashkojnë zërin e tyre dhe trokasin me vizion dhe argumente të fortë në dyert e Evropës së Bashkuar dhe Brukselit. Sepse paqja është shumë e brishtë, por është dhe shumë e madhe për shpatullat tona. Na duhet një mbështetje shumë më e fortë, shumë më e qëndrueshme, shumë më konkrete, nga BE dhe Komisioni Evropian. Jemi të bindur që, bashkërisht, ne mund të marrim shumë më tepër mbështetje sesa veç e veç”, – deklaroi Rama.

 

Mosmarrëveshja për detin dhe çështja “Idrizi”/ Rama: S’negociojmë interesin kombëtar me fqinjësinë e mirë, nuk na tregon Athina kë zgjedhim nënkryetar

Në konferencën e përbashkët me Kryeministrin serb, Aleksandër Vuçiç, Kryeministri Edi Rama foli edhe lidhur me dy çështja “të nxehta” sa i përket politikës së jashtme. Sa i përket mosmarrëveshjeve me Greqinë sa i përket kufirit detar dhe deklaratave të Athinës pas zgjedhjes së Shpëtim Idrizit si nënkryetar i Kuvendit, Rama pohoi: “Me Greqinë kemi një marrëdhënie të gjatë të fqinjësisë së mirë, partneritet strategjik dhe nuk kemi absolutisht asnjë lloj problemi me qeverinë e Athinës. Unë e kam uruar kryeministrin Tsipras, e kam ftuar për vizitë në Tiranë, do të isha i lumtur të vizitoja Athinën. Nuk shoh asnjë arsye në botë që as Athina dhe as qarqe mendimtarësh në Tiranë të çuditen pse shteti shqiptar kërkon nga autoritetet greke, bazuar në praktikat rutinore, informacion për kërkimet në det. Ndërkohë që nuk është sekret dhe nuk ka filluar me qeverinë e re të Athinës përpjekja jonë për të gjetur gjuhën e përbashkët dhe për të zgjidhur një çështje që është e interesit kombëtar. Ne duam të vijojmë bashkëpunimin e nisur edhe në të shkuarën. Kemi zgjidhur problemin e vjetër të toponimeve dhe kemi mbajtur hapur kanalin e dialogut në lidhje me çështjen e detit. Ne nuk kemi ndërmend ta negociojmë interesin kombëtar me pretendimin e një fqinjësie të mirë. Ne nuk jemi zotuar të mbyllim sytë për një problem që nuk e krijuam ne dhe nuk e ushqejmë ne. Sa i përket nënkryetarit të Kuvendit, nuk e imagjinoj dot që Athina apo kushdo kryeqytet tjetër duhet të na tregojë ne si duhet të operojmë dhe është një problem artificial”. Ndërkaq, i pyetur për deklaratën e tij mbi Maqedoninë pas incidentit të Kumanovës, e cila u interpretua si kërcënim për veto për anëtarësimin në NATO, kryeministri shqiptar tha se respektimi i marrëveshjes së Ohrit është detyrim për Shkupin. “Sa i përket Maqedonisë, unë kam nënvizuar dhe do ta bëj atë të deklaratës së Samitit të Uellsit. As kam thënë veto, as kam kërcënuar. Ne jemi anëtarë të NATO-s, edhe kur është fjala për t’u dhënë zell deklaratave të përbashkëta të NATO-s, që falë edhe këmbënguljes sonë ka përfshirë edhe përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike. Këtë e themi dhe do ta themi me plot të drejtë. Nuk është as kërcënim, as bllokim, por qëndrim. Mbrëmë kemi marrë konfirmimin e Gruevskit për të qenë këtu. Plotësohet numri i të gjithë kryeministrave për të qenë këtu”, – deklaroi Rama.

 

Reagon Athina: Rama po zhvlerësohet çdo ditë

Pas deklaratave të Kryeministrit Rama reagoi dje edhe Ministria e Punëve të Jashtme greke me anë të zëdhënësit të kësaj ministrie, Kutras, ky i fundit tha për mediat vendase se krerët e Shqipërisë po zhvlerësohen çdo ditë. Ai u shpreh se duhet të kthehet arsyeja dhe e drejta ndërkombëtare, pasi sipas Kutras, kjo është rruga e vetme e Shqipërisë drejt BE-së.

 

Basha, Vuçiçit: E ardhmja e përbashkët e rajonit në BE, Kosova e pavarur realitet

Kryetari i Partisë Demokratike dhe kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha, priti dje në një takim Kryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, dhe delegacionin që e shoqëronte. Basha i uroi mirëseardhjen në Tiranë Kryeministrit serb, ndërsa vlerësoi se kjo vizitë është një hap përpara në intensifikimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Serbisë. Lideri i opozitës shprehu angazhimin e Partisë Demokratike për të mbështetur zgjerimin dhe forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në funksion të zhvillimit ekonomik dhe rritjes së mundësive për një jetë më të mirë për qytetarët shqiptarë dhe serbë. “Shqipëria dhe shqiptarët nuk kanë dallime politike kur vjen fjala tek dëshira për të pasur marrëdhënie sa më normale bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Serbisë të cilat do të jenë një impuls zhvillimi për dy vendet. Bashkëpunimi kërkon vullnet të dyanshëm ndërsa shprehu bindjen se është koha për të lënë pas të shkuarën dhe për të përqafuar të ardhmen. Kjo është sfida e brezit të ri të politikanëve në të dy vendet dhe mbarë rajonin. Vizioni ynë është integrimi evropian i të gjitha vendeve të Ballkanit dhe këtu duhet të orientohen energjitë tona për të çuar përpara projektin final të anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, – deklaroi Basha. Nga ana tjetër, kreu i PD-së tha se tashmë është koha për të parë ç’mund të bëhet në interes të qytetarëve dhe të ardhmes. “Qytetarët tanë presin lidership të vërtetë evropian, tejkalim të problemeve të së kaluarës dhe punë të përbashkët për zhvillim ekonomik, punësim dhe mirëqenie. Ne duhet të punojmë me përkushtim për hartimin dhe realizimin e projekteve të përbashkëta infrastrukturore dhe ekonomike”, – pohoi ai. Po ashtu, Basha mirëpriti angazhimin për të avancuar projektin e nisur 6 vite më parë nga ministrat e brendshëm asokohe Basha dhe Daçiç për të hequr pengesat kufitare, dhe për të mundësuar lëvizjen e lirë mes dy vendeve si edhe angazhimin e Kryeministrit Vuçiç për projektin e autostradës Durrës-Kukës-Prishtinë-Merdare-Nish. “Për ne Kosova e pavarur është një realitet që nuk drejtohet kundër serbëve dhe Serbisë, por një zgjidhje përfundimtare e krizës së shkaktuar në rajon pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë”, – pohoi Basha. Në këtë kontekst, kryetari i Partisë Demokratike vlerësoi dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit dhe ka nxitur intensifikimin e këtij dialogu në funksion të zgjidhjeve dhe lehtësirave të prekshme për qytetarët e dy vendeve. “Unë shpresoj që dita kur lidershipi serb të njohë pavarësinë e Kosovës të mos jetë e largët pasi ky është interesi më i mirë për të dy vendet dhe rruga e vetme për të garantuar paqe, siguri, mirëqenie dhe zhvillim për të gjithë rajonin”. Duke u ndalur tek situata në Luginën e Preshevës Basha i kërkoi Kryeministrit Vuçiç një vëmendje më të madhe nga ana e qeverisë serbe si për sa i përket zhvillimit ekonomik dhe infrastrukturor të kësaj zone por dhe rritjes së shanseve për punësim dhe arsimim. Po ashtu ai kërkoi nga kryeministri serb edhe zbatimin e marrëveshjes për tekstet shkollore në gjuhën shqipe për nxënësit e Luginës së Preshevës.

 

Takimi me Vuçiçin/ Nishani: Mbështetje për shqiptarët e Luginës, nënshkrim të marrëveshjes për diplomat

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, priti pasditen e djeshme në një takim Kryeministrin serb, Aleksandar Vuçiç, ku kreu i shtetit vlerësoi vizitën si shumë të rëndësishme dhe si shprehje konkrete të vullnetit për vendosjen e urave të komunikimit mes dy vendeve. Sipas njoftimit për shtyp, Presidenti shqiptar është ndalur gjatë bashkëbisedimit tek të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, duke kërkuar një kujdes dhe mbështetje më të madhe nga ana e qeverisë serbe. Ndërkaq një tjetër pikë ku është ndalur kreu i shtetit ka qenë edhe njohja reciproke e diplomave mes dy vendeve, për të cilën Nishani ka sugjeruar që marrëveshja të nënshkruhet gjatë kësaj vizite të Vuçiçit. “Kjo do të jepte një mesazh më të drejtpërdrejtë të vullnetit për t’i çuar përpara marrëdhëniet mes dy vendeve, por edhe në respekt të premtimeve dhe angazhimeve që i japim njëri-tjetrit”, – tha Nishani. Sa i takon dialogut Prishtinë-Beograd, kreu i shtetit e ka vënë theksin tek rëndësia e zbatimit të marrëveshjeve të arritura, ndërsa ka shprehur interesin e Tiranës zyrtare për paqe në rajon, pas ngjarjeve të verifikuara në Kumanovë. Nga ana e tij, Kryeministri Vuçiç ka deklaruar se mbetet i angazhuar për të avancuar marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë. Ai ka theksuar se vizita e tij në Tiranë u realizua me bindjen e sinqertë për rëndësinë e përparimit të këtyre marrëdhënieve, të cilat i ka konsideruar “kyçe” për stabilitetin dhe paqen në rajon.

 

Mediat serbe, jehonë deklaratës së Vuçiçit për Kosovën: Rama provokoi sërish

Mediat serbe komentuan dje vizitën e Vuçiçit në Tiranë ku vunë theksin te deklaratat e tij për Kosovën, të cilën e cilësoi si pjesë të Serbisë. Gazeta serbe “Kurir” e ka cilësuar si provokim thënien e Ramës lidhur me shqiptarët e luginës së Preshevës. “Rama provokon përsëri: T’i jepen të njëjtat të drejta shqiptarëve në Preshevë, si serbët në veri të Kosovës! – shkruante “Kurir”. Më tej kjo gazetë duke komentuar deklaratën e Ramës gjatë konferencës me kryeministrin Vuçiç thekson se ai po kërkonte të drejtat e shqiptarëve të Preshevës. “Zoti Rama ju kërkoni respektimin dhe të drejtat për shqiptarët në Preshevë. Por ndërkohë si është trajtimi i serbëve në Shqipëri?”- ka qenë kjo pyetja e gazetares serbe drejtuar kryeministrit Rama përgjigjja e të cilit ishte: “Sa i përket serbëve në Shqipëri nuk kam dëgjuar asnjëherë asnjë lloj ankese të kësaj natyre dhe e them me krenari, Shqipëria por edhe Kosova kanë garantuar një trajtim spektakolar të minoriteteve”. Ndërkohë Gazeta Blic thekson si titull kryesorë, “Vizita historike e Vuçiç në Tiranë: Kosova është pjesë e Serbisë”. Ndërsa më i moderuar ka qenë televizioni B92 ku theksoi se i vetmi dallim mes Shqipërisë dhe Serbisë ishte Kosova.

 

Në foto edhe Isa Boletini/ Meta me Kryeministrin serb: Vizita konfirmon angazhimin për projektet rajonale

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta dhe Kryeministri serb Aleksandar Vuçiç, në takimin e përbashkët të zhvilluar dje konfirmuan vullnetin për të çuar përpara marrëdhëniet dhe projektet dypalëshe. “Vizita e Kryeministrit Vuçiç ndodh në një moment historik për ecurinë e marrëdhënieve mes dy vendeve. Kjo vizitë konfirmon angazhimin konkret për vazhdimin e projekteve rajonale”, – pohoi Meta. Sipas njoftimit të shpërndarë nga zyra e Kuvendit, kryetari i këtij institucioni shprehu gjithashtu gatishmërinë që parlamentet e dy vendeve të rrisin bashkëpunimin. “Marrëdhëniet mes popullit serb dhe atij shqiptar janë kyçe në rajon. Është detyrë e politikanëve të dy vendeve që të ndërtojnë mirëbesimin reciprok”, – theksoi Meta, i cili vlerësuar se të dy vendet duhet të maksimizojnë energjitë në mbështetje të perspektivës evropiane. Ndërkaq një detaj interesant nga takimi mes Metës dhe Vuçiç ishte se në shtrëngimin e duarve mes tyre binte në sy dhe piktura në murin e dhomës së pritjes së delegacioneve. Një pikturë e luftëtarëve kosovarë të cilëve u prin heroi kosovar Isa Boletini, ishte sfondi i shtrëngimit të duarve mes Metës dhe Vuçiç.

 

Anulohet darka në Durrës, Vuçiç dhe delegacioni serb mbeten në Tiranë

Ndonëse ishte parashikuar një darkë në Durrës, në nder të delegacionit serb që vizitoi Shqipërinë në orët e fundit të mbrëmjes së djeshme u mësua anulimi i saj. Burime policore zyrtare deklaruan se delegacioni serb, i kryesuar nga kryeministri Aleksandar Vuçiç ndryshoi axhendën dhe si rrjedhojë, nuk do të ketë bllokim rrugësh dhe qarkullimi i automjeteve do të vazhdojë normalisht. Ndonëse nuk dihen ende motivet e anulimit të eventit, burime pohuan se darka me shumë mundësi do të mbahet në Tiranë.

 

Kryeministrat e Ballkanit në Tiranë/ Vjen Gruevski, refuzon Tsipras. Çfarë pritet nga dyshja Mustafa-Vuçiç

Nisi dje punimet në Tiranë në Pallatin e Brigadave Forumi Ekonomik i Vjenës. Ky i fundit mbahet në kuadër të Samitit të Berlinit dhe ku vendet e rajonit do të bëjnë gati projektet konkrete. 7 vendet pjesëmarrëse në këtë forum janë: Shqipëria, Serbia, Mal i Zi, Bosnje-Hercegovina, Kosova, Maqedonia dhe Greqia. Në këtë forum pritet që të pranishëm të jenë 6 kryeministra, pasi ftesën e ka refuzuar Kryeministri grek Aleksis Tsipras. Ndërkaq pritet me interes dita e sotme ku në panel do jenë kryeministrat e Ballkanit, mes tyre ai i Kosovës Isa Mustafa dhe ai i Serbisë Vuçiç si edhe kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama dhe Kryeministri i Maqedonisë Gruevski.

 

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.