Masakra në Tiranë/ Hesapet e Holandës lahen në Tiranë, 3 të vrarë tek materniteti i vjetër

0

 

Loading...

Artan Cena

Hesapet e Holandës lahen në Tiranë,  3 të vrarë tek materniteti i vjetërPazaret e vjetra kanë shkaktuar vrasjen e Mentor Lufit, Gerti Goxhajt dhe Besnik Sulkut pasditen e djeshme. I plagosur ka mbetur dhe italiani Salvatore Letizia, që kishte lidhje me Sulkun

Tirana është tronditur pasditen e djeshme kur tre persona janë qëlluar dhe vrarë me armë në mes të qytetit, në një atentat ku janë përfshirë dy grupe rivale. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 18:50 minuta në bulevardin “Zogu i Parë” pranë maternitetit të vjetër. Viktimat janë Gerti Goxha, Mentor Lufi (Doçi) si dhe Besnik Sulku. Burime nga policia thanë se shkaku është prishja e pazareve të drogës mes këtij grupi kriminal dhe një vrasje e ndodhur në Holandë në muajin prill, ku mësohet se kishte humbur jetën një i afërm, i Besnik Sulkut. Sipas të dhënave dyshohet se Besnik Sulku ka hapur zjarr ndaj Mentor Lufit, i cili ishte duke lëvizur me nipin e tij Markelian Doçi dhe Gerti Goxha. Me Sulkun mësohet se ishte dhe një italian i cili ka mbetur i plagosur. Salvatore Letizia, 34 vjeç nga Napoli me precedentë të mëparshëm kriminal, për trafik armësh e lëndësh narkotike.

 

Dinamika e krimit

Burime nga policia kanë shpjeguar se 39-vjeçari Mentor Lufi ka qenë duke pirë kafe me Gerti Goxhajn, ndërsa nipat e tij Markeljan dhe Klevis Lufi bënin roje jashtë lokalit. Kjo, pasi Mentor Lufi (Doçi) kishte konflikte të shumta dhe në dhjetor të vitit të kaluar ishte plagosur në një atentat. Në momentin që 39-vjeçari Lufi ka dalë nga kafja dhe është futur në makinë me Goxhajn është qëlluar nga Besnik Sulku, i cili ka shtënë mbi të dy. Më pas dy nipat e Lufit, Markeljani dhe Klevisi kanë vrarë 34-vjeçarin Sulku. Shtetasi italian është përplasur me automjet nga një prej nipave të Lufit, në tentativë për tu larguar nga vendi i ngjarjes. Këtë gjë, e ka pohuar edhe në polici autori. Shtetasi italian është gjetur i gjakosur nga policia. Viktimat kanë qenë në një automjet tip “Tuareg”, kur kishin pikasur diçka të dyshimtë dhe kanë tentuar të kthejnë makinën duke u ngjitur në trotuarin që përshkon mes përmes bulevardin “Zogu I”, duke vënë në rrezik edhe jetën e qytetarëve. Pasi makina nuk ka mundur ta kalojë trotuarin, viktimat kanë zbritur nga automjeti dhe kanë tentuar të largohen më këmbë por janë qëlluar me automatik. Mes dy grupeve ka pasur shkëmbim zjarri. Dy prej viktimave kanë gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërsa njëri ka humbur jetën në spital.

 

Arrestimet nga policia

Pas ngjarjes, policia ka mundur të arrestojë brenda katër minutash pas ngjarjes, 5 persona të dyshuar si dhe ka shoqëruar 30 persona të tjerë që mendohet se kane dijeni për ngjarjen. Mes tyre është edhe Markelian Doçi, nipi i Mentor Lufit i akuzuar nga policia si një prej autorëve pasi dyshohet se gjatë shkëmbimit të zjarrit ai ka qëlluar dhe ka lënë të vdekur shtetasin Besnik Sulku. Edhe shtetasi italian është aktualisht i ndaluar nga policia shqiptare dhe po merret në pyetje për ngjarjen. Nuk ka ende detaje mbi identitetin e te arrestuarve të tjerë. Në vendin e ngjarjes ka shkuar edhe vetë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako dhe drejtues të tjerë të Policisë.

 

Kush janë tre viktimat e pasdites së djeshme

 Një i afërm i Besnik Sulkut është vrarë në Roterdam, Holandë në muajin prill të këtij viti dhe sipas mediave atje, vrasja kishte të bënte me trafikun e drogës. Ilirjan Sula, një 33-vjeçar shqiptar është vrarë me një plumb në kokë në Holandë. Viktima përdorte emrat Durim Sula, Durim Sulku dhe Besnik Sulku. Ai kaloi disa kohë në Holandë dhe pa një banim të regjistruar. Sipas njoftimit të Policisë vrasja u bë me “gjakftohtësi”. Viktima po ngiste Smartin e tij, që ishte parkuar në një fshat afër qytetit të Rotterdamit. Një person i paidentifikuar nga dritarja anësore e vogël qëlloi nga mbrapa në kokën e viktimës. Ai vdiq në vend me telefonin e tij celular në dorë. Gerti Goxha është arrestuar në Kukës me drogë, bashkë me 5 persona të tjerë në Pikën e Kalimit Kufitar Morinë ku do të kalonin 198 pako me kanabis. Goxhajt iu sekuestrua edhe një armë dhe personave të ndaluar iu bllokuan edhe disa automjete. Për këtë operacion, në Neës24 janë transmetuar edhe pamjet filmike të kamionit me drogë. Mentor Lufi, ka një vendim penal nga Gjykatat e Dibrës për kanosje. Më 20 dhjetor 2014, Mentor Lufit i është bërë një atentat dhe është plagosur me 2 plumba në zonën e “Komunës së Parisit”.

 

Loading...

Lini nje pergjigje