Intervista/ Basha: Kosova zgjidh ngërçin politik të Tiranës, Rama nuk e kapërdiu dot humbjen e 2011-ës

0
150

basha me ora news“Me ofertën e Kosovës për bashkëpunim pa kushte në të mirë të projekteve do të punësohen mijëra qytetarë, ai ka pëlqyeshmëri unanime”

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, deklaroi dje në një intervistë për “Ora News” përballë gazetares Ilva Tare se kandidati i opozitës për Bashkinë e Tiranës, Halim Kosova, e zgjidh ngërçin e krijuar mes këtij institucioni dhe qeverisë së majtë. Po ashtu ai bëri edhe një bilanc të punës së tij në krye të Bashkisë së Tiranës, të cilën e drejtoi për 4 vjet.

 

Po e nis me bilancin tuaj në krye të Bashkisë së Tiranës, keni një të tillë dhe si është ai?

Kam një bilanc të premtimeve, shumicës dërmuese të cilave u jam përgjigjur me përfundimin në kohë dhe afat të projekteve. kam një bilanc si kryetar i Bashkisë në detyrë, deri në ditën e fundit në detyrë. Bilanc që është transparent, i ditur për qytetarët jetohet dhe preket nga qytetarët e Tiranës.

 

Kanë të drejtë kundërshtarët tuaj kur thonë se nuk keni mundur të realizoni pjesën e madhe të premtimeve dhe vizionit që keni dhënë në 2011-ën.

Faktet flasin vetë, unë kam modelin e fakteve dhe rezultateve, modelin e punës. Po shkoj në faqen e Bashkisë së Tiranës dhe të klikoj Tirana moderne evropiane. Me përcaktime të sakta gjeografike ndodhen të gjitha veprat e realizuara nga Bashkia e Tiranës në këto katër vite. Është fare thjesht të evidentosh në lagjen ku jeton se çfarë ka realizuar bashkia e Tiranës në këto katër vite. Harta ka rrugët, kualifikimet urbane, shkolla, sheshe, lulishte, kopshte, bulevardin e ri, lumin e Tiranës, terminalin.

 

Bulevardi i ri nuk ekziston…

Sigurisht që ekziston. Të gjithë jemi dëshmitarë që u bë projekti, si u hoq hekurudha, shtyllat e tensionit të lartë. Sot traseja e bulevardit është kantieri më i madh në Shqipëri. Në 2 vjet qeverisje kantieri më i madh në Shqipëri mbetet bulevardi i Tiranës i financuar nga Bashkia e Tiranës, fonde për të cilat kam lobuar personalisht sipas një projekti modern të përzgjedhura nga 7 projekte. Ka një histori të një kryeministri që ishte kryebashkiak të Tiranës dhe që unë e munda në 2011, por që për fat të keq mjerisht nuk i doli inati. Ka arritur ta pengojë përkohësisht bulevardin por nuk ka arritur ta ndalojë dhe s’do arrijë. Bulevardi njësoj si projektet e tjera janë projekte në zbatim dhe Halim Kosova do të sigurojë zbatimin deri në fund të katër projekteve që janë tiparet e Tiranës evropiane. Me shtrirje dhe financime siç është rasti i terminalit multimodal në të cilin e vërteta është siç e tha dhe Kosova gjatë fushatës pritet vetëm prerja e shiritit. Ofertën ja bëri zotit Rama, meqë inatet personale, meqë protagonizmi i sëmurë dhe smira politike e detyruan ta mbanin peng karshi rivalit të tij politik dhe kryeministrit të ardhshëm, atëherë le ta presë zoti Rama shiritin… Besoj se ne e zgjidhëm ngërçin politik me kandidaturën e Kosovës. Zgjidhëm ngërçin politik me Halim Kosovën. Me ofertën e tij për bashkëpunim pa kushte në të mirë të projekteve që do të punësojnë mijëra qytetarë. Oferta jonë e Halimit, Kosovës, qytetarisë është zgjidhje dhe kam besim se do mbështetet nga qytetarët. Kosova ka pëlqyeshmëri unanime.

 

Projekti multimodal apo trami thatë që ishin dhe vizion, në 2011 me 8 maj nuk jeni votuar për vizionin. Jeni votuar që vizionin ta ktheni në vepra dhe ta shikoni të realizuar. Pse nuk i bëtë në dy vitet e para të qeverisjes kur në qeveri ishte Berisha?

Të dyja. Kush e tha? Shumica dërmuese e këtyre projekteve janë projektuar dhe kanë nisur nga puna në dy vitet e para të punës sime si Kryebashkiak. Këto nuk bëhen brenda natës. Ka pasur projektim, lobim për financim. Bulevardi ka kërkuar një lobim intensiv, të gjeje në 2011 në mes të krizës botërore financim për një vepër të tillë unë mendoj se asnjë kryebashkiak në Ballkan nuk ia ka dalë të sigurojë një financim të huaj të drejtpërdrejtë për një vepër madhore siç është bulevardi, kantieri më i madh në 80 vite në Tiranë dhe mbetet kantieri më i madh edhe gjatë qeverisjes së tyre. Sigurisht që ka pasur një punë përgatitore, por vizioni ishte i domosdoshëm. Në 2011 Tirana ishte një qytet me ndërtime kaotike, pa plan, pa vizion, pa rrugëzgjidhje.

 

Veliaj: Pse nuk i realizoni që tani premtimet, kur keni në dorë ende Bashkinë?

Kandidati i ASHE-së për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, prezantoi dje kontratën e re dhe ndryshimet rrënjësore që duhet të pësojë njësia 5 e cila theksoi si, ka shumë probleme. “Kontrata jonë konkrete për njësinë 5 është një shkollë e re e mesme, një çerdhe, një kopsht i integruar me çerdhe, një bibliotekë për studentët e njësisë dhe qendra shëndetësore e re në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë brenda mandatit tonë të parë”, – pohoi ai. Nga ana tjetër Veliaj nuk ngurroi që as në këtë takim të sfidonte kandidatin e PD-së por edhe drejtuesit aktualë të bashkisë. “Unë i sfidoj sot publikisht. Le t’i pastrojnë sot ata rrugët meqë e kanë ata sot bashkinë. Pse premtojnë për 4 vitet e ardhshme kur kanë në dorë të na impresionojmë për 25 ditët e ardhshme. Janë të paaftë dhe nga 21 qershori e tutje, nëse ka një kompani që nuk kryen pastrimin ne do ta ndërpresim menjëherë kontratën”.

 

Kosova: Ulim në maksimum tarifat bashkiake për pensionistët

Kandidati i opozitës për kryebashkiak të Tiranës, Halim Kosova, u ndalu dje në njësinë 5 në Tiranë, ku u takua me pensionistë dhe gra të kësaj njësie për të biseduar për zgjidhjen e problemeve ekonomike kryesisht, por edhe shqetësimet kryesore të këtij komuniteti. Duke u shprehur se në planin e tij janë ulja në minimumin e mundshëm të tarifave bashkiake për pensionistët, ai shtoi se do të stimulojë grupe vullnetare të rinjsh, që të ndihmojnë këtë grupmoshë me shërbimet e nevojshme. “Do të ulen taksat, se sado të pakta të jenë, janë shumë për një që e ka pagën ose pensionin shumë të vogël. Do të ulen taksat për biznesin, për të krijuar më shumë vende pune. Jam i angazhuar, që në krye të një stafi, i cili do të ecë se s’bën me ritmin tim, se nuk ka rrugë tjetër, do të jemi në shërbim të qytetarëve të Tiranës, për të bërë më të mirën e mundshme për individin, për familjen, për lagjen dhe për të gjithë qytetin”, – tha Kosova. Edhe pse zgjedhjet janë lokale dhe jo qendrore, duke bërë që mjetet në duart e kryebashkiakëve të jenë shumë të pakta për të ndikuar në pagat e pensionet që marrin, apo edhe në taksat që paguajnë qytetarët, kandidati i PD-së për Bashkinë e Tiranës më 21 qershor është i bindur se mund të bëjë diçka. “Ajo që unë kam në dorë është që t’u lehtësoj nga taksat që ka në dorë bashkia dhe sigurisht që do ta bëj. Po studiojmë një mundësi për lehtësi të tjera, se si ilaçet t’ju vijnë në shtëpi dhe mos detyroheni ju të dilni për të marrë një shërbim, por ai t’ju vijë juve në shtëpi”, – deklaroi ai.

 

Për Kurbinin/ Kolegji Zgjedhor vendos sot për Pjetrajn, 1 apo 2 kandidatë në garën e 21 qershorit?!

Kolegji Zgjedhor do të vendosë sot për fatin e kandidatit të Partisë Demokratike, Ilir Pjetraj, për Bashkinë e Kurbinit. Në orën 14:00, trupi gjykues do të marrë në shqyrtim kërkesën ankimore të PD-së për vendimin e marrë nga KQZ-ja për mosregjistrimin e Pjetraj arsyetimin se regjistrimi i tij kishte tejkaluar afatet e parashikuara nga Kodi Zgjedhor, për regjistrimin kandidatëve për kryetar bashkie për zgjedhjet e 21 qershorit. Nëse kolegji vendos të miratojë vendimin e KQZ-së atëherë zgjedhësit e Kurbinit nuk do të kenë mundësi tjetër zgjedhjeje përveç kandidatit të majtë, ose në të kundërt nëse kolegji vendos të hedh poshtë vendimin e KQZ-së, regjistrohet kështu automatikisht vëllai i deputetit Mhill Fufi, Ilir Pjetraj që do të kandidojë si kryetar bashkie për zgjedhjet e 21 qershorit. Pas dorëheqjes së kandidatit Altin Biba, Partia Demokratike propozoi Ilir Pjetraj si kandidatin për kryetar Bashkie në Kurbin.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here