Standard.al

EDITORIAL/ Kur kallashnikovi sfidon policinë, ku mbetet siguria?

1

Nga Artan Cena

Tre të rinj janë ekzekutuar në mënyrë makabre mbrëmjen e djeshme në Tiranë. Edhe pse Tirana ishte e blinduar nga efektivë policie me rastin e vizitës së Kryeministrit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, dy të rinj nuk kanë dashur t’ia dinë dhe kanë kryer një masakër me kallashnikov në një prej zonave më të dendura të Tiranës, vetëm pak metra larg Fakultetit të Shkencave dhe maternitetit “Mbretëresha Gjeraldinë”. Në rrugët e Tiranës sot qarkullonin 1310 policë, helikopterë të ushtrisë, agjentë të shërbimeve sekrete, por asnjëri nuk mundi që të kontrollonte apo ndërhynte për të shmangur këtë masakër të ndodhur pak para mbrëmjes.

Tirana ishte e blinduar, por “sherifët” e gjetën kohën për të kryer hakmarrjen për të cilën ishin nisur. Tirana ishte e blinduar, por sërish edhe pse fillimisht u bë një aksident dhe më pas një masakër, asnjë efektiv policie nuk u gjend aty pranë. Tirana ishte e blinduar dhe për këtë arsye fatmirësisht policia mundi të vejë në pranga autorët e dyshuar dhe të shoqërojë edhe disa persona të tjerë që kishin dhënë ndihmë në këtë krim të rëndë.

E gjitha duket se ishte një hakmarrje e organizuar. E vërtetë që krimi i momentit nuk mund të parandalohet, por ky ishte një krim i parapërgatitur, por edhe pse Tirana ishte e blinduar edhe pse kishte një plan masash sërish asnjë oficer, agjent policie nuk kishte marrë informacione për masakrën që do të ndodhte. Qytetarët duhej që të ndiheshin të sigurtë në qytetin e tyre sepse në terren për të ruajtur kryeministrin Aleksandër Vuçiç, ishin mijëra policë, por asnjë prej tyre nuk mundit të mbrojë jetët e tre të rinjve, pavarësisht nga e kaluara e tyre.

Por qytetarët nuk u ndien të sigurtë. Ata u tmerruan kur breshëritë e armëve u shkrehën jo në këmbët e tyre, në një prej zonave që duhet të jetë më e sigurta, në derën e maternitetit të vjetër, aty ku lind jeta e jo ku humbet. Por qytetarët nuk u ndien të sigurtë. Revolta e tyre nuk shikohet në rrugë, por ajo shikohet në rrjetet sociale, ku të gjithë i kanë kujtuar shtetit faktin se në rrugë dje ndodheshin 1310 efektivë policie, por sërish një vrasje e trefishtë nuk u parandalua.

A mund të mjaftohemi duke thënë se “bandat po vrasin njëri-tjetrin”, siç do të thoshte kryeministri Edi Rama disa muaj më parë, por edhe pse çdo ditë ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri thotë se “policia është reformuar”, sërish policia ka mbetur pa informatorë, pa agjentë pa njerëz që mund të parandalojnë krimet. Tre të rinj u vranë dje në mes të Bulevardit “Zogu I”, dhe e vetmja gjë e mirë që mund të thuhet është se, të dyshuarit u ndaluan pa u larguar në drejtim të paditur.

1 Comment
  1. ari says

    policet e tahirit po merreshin me te vaferit qe nuk kann te paguajn drita dhe po siguronin kazinot e tahirit,balles e rames.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.