Standard.al

Vizita e parë e një kryeministri serb/ Sot Vuçiç në Tiranë, pritet me ceremoni zyrtare nga Rama. Takim me Nishanin, Metën e Bashën

0

Gëzim Saliu

rama-vucicRama për “Danas”: Vizita e Vuçiçit në Shqipëri, indikator për vendosmërinë e vendeve për të shënuar progres në rrugën e nisur në Berlin

Për herë të parë, ditën e sotme Shqipërinë do ta vizitojë një kryeministër serb, ku Aleksandër Vuçiç dhe delegacion që e shoqëron pritet të mbërrijë në orën 11:00 në aeroportin e Rinasit. Pas mbërritjes në Tiranë, kreu i qeverisë serbe do t’i drejtohet Pallatit të Brigadave, ku në 11: 30 homologu Edi Rama do ta presë në një ceremoni zyrtare, në Pallatin e Brigadave, si shenjë reciprociteti e mirëpritjes së Kryeministrit shqiptar në pallatin “Serbska” gjatë vizitës së tij në Beograd. Pas takimit mes dy delegacioneve në bibliotekën e Pallatit të Brigadave, dy kryeministrat do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp. Axhenda e Kryeministrit serb do të vijojë me një takim me Presidentin e vendit, Bujar Nishani, ku ky i fundit nuk do të ndjekë shembullin e homologut Timoslav Nikoliç, që nuk priti në Beograd Kryeministrin shqiptar, por do ta mirëpresë në zyrën e tij. Axhenda e ditës së parë të vizitës së Vuçiçit në Tiranë do të mbyllet me një takim me kreun e Kuvendit, Ilir Meta, si edhe me kryebashkiakun e Tiranës dhe kryedemokratin Lulzim Basha.

 

Intervista e Ramës

Sipas Kryeministrit shqiptar, vizita e homologut të tij serb në Tiranë ka një rëndësi të veçantë. I intervistuar nga e përditshmja serbe “Danas” lidhur me këtë vizitë në kuadër të samitit SEECP në Tiranë, Rama e cilësoi ardhjen e Kryeministrit serb në kryeqytetin shqiptar si një indikator për vendosmërinë e vendeve për të shënuar progres në rrugën e nisur në Berlin gushtin e kaluar, nën lidershpin vizionar për Ballkanin të Kancelares gjermane Merkel. “Ne presim thellim të bashkëpunimit me Serbinë dhe që së bashku të ecim në rrugën e paqes dhe të integrimit evropian, me besimin se Shqipëria dhe Serbia, populli shqiptar e serb, të mund të bëjnë për Ballkanin sot atë që Franca dhe Gjermania, francezët dhe gjermanët bënë për Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore”, – tha Rama. Më tej në intervistën për Danas kreu i qeverisë u shpreh optimist për thellimin e bashkëpunimit me palën serbe, për te ecur bashke në rrugën e paqes dhe integrimit evropian te vendeve. Sipas tij, suksesi i bashkëpunimit përcakton jo vetëm fatin e shqiptarëve, por dhe të serbëve, në projektin për një Europë të Bashkuar. “Europa e Bashkuar është projekti më i madh i njerëzimit për paqe, që mund të jetë imagjinuar ndonjëherë”, – theksoi kreu i qeverisë.

 

Vuçiç në Tiranë, blindohet kryeqyteti, në ajër dhe helikopterë

Vizita e Kryeministrit të parë serb në Shqipëri do të blindojë Tiranën nën masa sigurie që janë parë vetëm për vizitën e Atit të Shenjtë. Aleksandër Vuçiç mbërrin sot në Tiranë në një vizitë dyditore. Për vetë historikun e marrëdhënieve të shqiptarëve, kryesisht të Kosovës me këtë vend, por edhe dinamika që po shoqëron rajonin këto kohë, bën që kjo situatë të menaxhohet veçse kështu. Megjithatë parë kjo reciprokisht, edhe Beogradi u blindua kur shkoi Kryeministri ynë. Mësohet se në terren do të sigurojnë mbarëvajtjen e kësaj vizite, qindra forca policie, gardistë, efektivë nga antiterrori, shërbimi inteligjent, si edhe helikopterë të ushtrisë. Jo vetëm Tirana ka marrë masa të tilla, edhe Beogradi do të nisë me shefin e qeverisë trupë shoqëruese, madje edhe shërbimin inteligjent serb. Në këto 2 ditë Tirana do të vuajë kufizimin e qarkullimit dhe bllokimin e disa rrugëve dhe shesheve. “Duke filluar nga ora 10:40 datë 27-28 maj 2015, do të ketë kufizim deri në bllokim lëvizje në hyrje të autostradës. Segmentet rrugore ku nuk do të lejohet parkimi i mjeteve janë: nga “Ura e Elbasanit”, bulevardi “Zhan Dark”, bulevardi “Gjergj Fishta”, ekspozita “Shqipëria Sot”, ura “Vasil Shanto”, pallati me Shigjeta, “Unaza e Re” në drejtim të sheshit “Shqiponja”. Segmentet rrugore ku nuk do të lejohet parkimi i mjeteve janë: Nga “Ura e Elbasanit”, bulevardi “Zhan Dark”, bulevardi “Gjergj Fishta”, ish-ekspozita “Shqipëria Sot”, ura “Vasil Shanto”, pallati me Shigjeta, “Unaza e Re” në drejtim të sheshit “Shqiponja”. Gjithashtu nuk do të lejohet asnjë parkim duke filluar nga ora 23 e 59 e datës 26 në akset rrugore… Nga rruga e “Rinasit”, në “Qaf Kashar”, sheshi “Shqiponja”, rruga “Dritan Hoxha” në të dyja senset (hyrje-dalje), rruga e “Durrësit”, sheshi “Skëndërbej”, bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, rruga “Ismail Qemali”(nga radiotelevizioni në drejtim të liceut), rruga e Elbasanit deri te pallati i “Brigadave”. Nuk do të lejohet parkimi dhe qarkullimi i mjeteve në rrugën “Ismail Qemali” dhe “Donika Kastrioti”. Këshillohen qytetarët të evitojnë lëvizjen me mjete në këto rrugë, ose të përdorin rrugën e vjetër Ndroq. Edhe në rrugën nga Tirana në Durrës nuk do lejohet parkimi ndërsa në orët e mbrëmjes së sotme do të bllokohet qarkullimi.

 

Samiti i Presidentëve/ Greqia e Maqedonia përfaqësohen me zv.ministra. Nishani: Kumanova s’ishte konflikt ndëretnik

Samiti i Presidentëve të vendeve të Evropës Juglindore ka mbledhur krerët e shteteve të Ballkanit për të diskutuar lidhur me tematikat e rëndësishme të bashkëpunimit në rajon. Por ndërsa mesazhi kryesor ishte për paqe, luftë ndaj ekstremizmit dhe anëtarësim në BE, situata e tensionuar mes Shqipërisë dhe Greqisë e po ashtu Maqedonisë ka bërë që këto dy vende të përfaqësohen në takim nga zv.ministra. Nga ana e tij kreu i shtetit shqiptar Bujar Nishani tha se kriza në Maqedoni nuk duhet transmetuar si konflikt ndëretnik. “Kriza që përfshirë Maqedoninë nuk duhet lejuar të përshkallëzojë më tej. Pritshmëria jonë legjitime është që të ketë një hetim të plotë, të shpejtë e të besueshëm, plot hije e paqartësi që ka tronditur thellë jo vetëm Kumanovën dhe qytetarët e saj të pafajshëm, por gjithë rajonin dhe partnerët ndërkombëtarë. Bëj thirrje për frenimin e menjëhershëm të përpjekjeve për ta shndërruar këtë episod të paqartë, gjithsesi të izoluar në burim konflikti të paqenë ndëretnik”, – pohoi ai. Në të njejtën linjë, Presidenti bullgar Daniel Mitov tha: “Ne nuk duam që të ketë luftëra në Ballkan, por duam paqe dhe stabilitet. Ne nuk duam që kufijtë të lëvizin më, por duam që këto kufij mos të jenë më të dukshëm. Duam që zgjedhja sovrane e popullit të Ballkanit të respektohet”. Nga ana e saj Greqia përmes zv.minsitrit të jashtëm Nikolaos Chountis theksoi: “Perspektiva evropiane dhe e vendeve të rajonit duhet të jetë forca shtytëse për të kapërcyer sfidat duke u mbështetur në marrëdhënien e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal”. Ndërkohë Zv.ministre e Jashtme e Maqedonisë Dragana Kiprijanovska pohoi se politika e fqinjësisë së mirë në rajon nuk ka alternativë tjetër. “Si vend jemi të gatshëm të dedikojmë të gjitha forcat tona për të kapërcyer të gjitha dallimet ekzistuese dhe për të kapërcyer sfidat në strukturat e sigurisë ekonomike dhe politike”. Ndërkaq në këtë samit u përfaqësua për herë të parë edhe Kosova me Presidenten Jahjaga e cila tha: “Kosova mbetet e përkushtuar për stabilitetin rajonal dhe përmirësimin e marrëdhënieve ndërfqinjësore duke kontribuar në avancimin e këtij bashkëpunimi”.

 

 

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.