Realiteti “në buzë të greminës”

0
138

Alfred Bualoti

Foto2Qytetari dhe regjisori i madh Aleksandër Morfov është i njohur jo vetëm nga artistët, por edhe artdashësit shqiptarë, të cilët kanë shijuar veprën e tij skenike në katër edicione të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit “Butrinti 2000”. Me gjenialitetin e krijimtarisë së tij, Sasha Morfov është fitues kudo, në mjaft vende të Evropës. Shfaqjet e Sashës vazhdojnë të luhen prej vitesh ngado. Së fundmi, po përmend “Shtrëngatën”e Shekspirit e cila po luhet që prej 17 vjetësh në Teatrin Komisarxhefskaja të San-Peterburgut. Kur e pyeta, se si do mund të luhej roli i Klaretës akoma nga aktorja Vanja pas 17 vjetësh ? – Eh… – m’u përgjigj… ato janë natyra që s’plaken kurrë, si puna e Renit, gruas time. Bashkë me aktoren e shquar, Renin qeshëm të gjithë. Ishim mbledhur në restorantin e Teatrit Kombëtar Ivan Vazov të Sofjes, pas shfaqjes së premjerës të tij, të fundit, titulluar “Në buzë të greminës”. Kjo ishte arsyeja që para pak ditësh unë do të ftohesha nga miku jonë i përbashkët, kolegu Zehrudin Dokle me banim, prej vitesh, në Sofje. Në mesditë, sapo hymë në teatër me Zehrudinin e Mondën, gruan time, mjaft artistë na përshëndetën duke kujtuar me nostalgji Festivalin e Butrintit. Emri i mirë i Festivalit na shoqëroi ngado gjatë gjithë qëndrimit tonë në Sofje. Por çfarë kishte ndodhur këto 4 muaj me artistët bullgarë e në veçanti me aktorët e Teatrit Kombëtar Ivan Vazov? Përse projekti i mëparshëm i regjisorit e drejtorit artistik të teatrit Aleksandër Morfov, “Kthimi i Odisesë në Itakë” ishte zëvendësuar me krijimin pa autor, titulluar “Në buzë të greminës”?

Prej do kohësh artistët e teatrit ishin hedhur në protesta kundër emërimit si kryetar i komisionit të kulturës në Parlamentin bullgar të një deputeti që jo vetëm s’kishte lidhje me kulturën, por ishte mjaft i përfolur në paudhësitë e tij. Pa dyshim që Morfovi iu bashkua protestave të artistëve duke dhënë dorëheqjen edhe nga Teatri Kombëtar. Këmbëngulja, kompaktësia dhe përgjegjshmëria e artistëve bënë që pas disa javë protestash, beteja me të keqen të fitohej. Deputeti i përfolur u largua nga detyra e kryetarit të komisionit të kulturës. Artistët dhe Morfovi i tyre u kthyen në normalitetin e punëve në teatër, por me një ndryshim; diçka kishte ndodhur në jetën e tyre si qytetarë e artistë. Aleksandri mblodhi artistët dhe deklaroi ndryshimin e projektit të Odisesë me diçka tjetër, që askush nuk e dinte se çfarë do të ishte, bile as vetë Morfovi.

Por realiteti i hidhur brenda shoqërisë e politikës bullgare i detyroi që krijimi i përbashkët do ti fliste drejt për së drejti realitetit Bullgar. Kështu, filloi puna e përbashkët për rreth 2 muaj e gjysmë mbi letër të bardhë. Çdo ditë, dirigjenti Morfov i jepte detyra grupit të aktorëve dhe dëgjonte propozime e sugjerime nga vetë ata, të cilët kishin rënë në një emërues të përbashkët, të hulumtonin mbi jetën e përditshme të njerëzve të zakonshëm. Morfovi shkoi më tutje, do të merrej me shtresën më të varfër, të braktisur e të dhunuar të shoqërisë. Edhe emrat e personazheve do të ishin emrat e vetë artistëve…… Artistët-qytetarë me angazhimin, talentin e inteligjencën e tyre do të punonin plot pasion e përkushtim rreth regjisorit, duke sjellë pa pushim karaktere e personazhe nga jeta e përditshme e qytetit… Për gjatë provave ne një moment fatlumë lindi edhe titulli i shfaqjes “Në buzë të greminës”, që nën kuptonte vetë realitetin Bullgar.

Po prisnim me pa durim të shikonim shfaqjen. Salla e teatrit kombëtar Ivan Vazov e Sofjes ishte e tej mbushur si nga hera në shfaqjet e Sasha Morfovit. Perdja e skenës ishte e hapur dhe përveç pak objekteve metalikë, skena dukej më shumë e boshatisur. Pas pak nga fundi i skenës shfaqet Reni si një grua e varfër me një bebe në duar e cila përpiqet ta qetësojë nga të qarat fëmijën e saj dhe që fundin e shfaqjes do ta përmbyllë pikërisht kjo fëmijë. Më pas nëpërmjet muzikës “ala Morfov” gëlojnë personazhet e shfaqjes e ne dallojmë që kemi të bëjmë me shtresën më të varfër, të braktisur e të dhunuar të shoqërisë. Që nga të pa strehët e deri tek të gjëmtuarit e fatkeqët handikapatë në karrocë invalidi.

Të gjithë përpiqen të sistemohen e të kërkojnë strehë në tarracën e një pallati shumëkatësh. Shoqëruar nga një erë e fortë e cila i bën ata që gati të fluturojnë nga tarraca për minuta të tëra, krijohet që në fillim një skenë alegorike e pa zakontë. Zhurma e një avioni ardhur nga fundi i skenës sa vjen e rritet dhe ai bëhet krejt i dukshëm e i frikshëm duke kaluar mbi kokat e tyre e duket sikur po kalon edhe përmes sallës. Çdo gjë shtang. Ndërsa këmbehen disa batuta me largimin e avionit: – ndoshta…., për Londër…..,- Paris apo Nju Jork……… Lëvizja domethënëse e tronditëse e avionit përsëritet edhe në disa momente të tjera për gjatë spektaklit.

Për një orë e tridhjetë minuta gjithçka është në lëvizje dhe ritëm në shfaqen e Sashës. Do të duheshin faqe të tëra për t’i përshkruar ato, por unë po përmend vetëm dy apo tre momente nga të cilat mund të krijohet një ide mbi këtë spektakël sa gjenial aq edhe domethënës të artistëve dinjitozë.

I gjithë grupi i mjeranëve festojnë natën e vitit të ri. Plot ritëm ata rregullojnë tavolinën e darkës me kuti kartoni e sende të ndryshme për tu ulur, si arka kova boje e sende të tjera. Ndërsa orkestra e përbërë nga instrumentistë-aktorë luan vazhdimisht melodi nostalgjike, një nga personazhet banor i pallatit të pa shpresë bashkohet me ta duke mbajtur në duar një kuti. Dhe kur e pyesin se çfarë është ajo, ai ju thotë: – është “laptop”. Orkestra hesht e të gjithë entuziazmohen e grumbullohen rreth tij. Hapet plot enigmë kapaku i “laptopit” me zhurmat karakteristike të lidhjes edhe me skype. Mjeranët fillojnë të flasin me sytë imagjinarë me njerëzit e tyre nëpër botë. Në një moment dikush nga një kryeqytet i Evropës i thotë babait të saj se do të kthehet në Bullgari pasi e ka marrë malli. I gjithë korri i mjeranëve oshtin duke thënë: Jooooooo.! Në këtë moment tragjikomik m’u faneps një kor super gjigant shqiptarësh që do të bënin të njëjtën gjë. Më pas heshtje… Mbyllet dhe hapet përsëri kapaku i kutisë “laptop” e ajo s’është gjë tjetër veçse një kuti çokollatash që fillojnë t’i shpërndajnë duke u ëmbëltuar disi. Por edhe ky moment u prish me njëherë nga ardhja e avionit përbindësh mbi kokat e tyre e të spektatorit. Sikur thoshte se moria e ujqërve dhe e çakejve qëndron lart e ju të pashpresët aty poshtë.

Për pos momenteve të tilla të shumta, artistët treguan talentin edhe profesionalizmin e tyre të lartë edhe nëpërmjet këngës, kërcimit apo rënies së instrumentit. Në morinë e personazheve, dy artistë spikatën edhe për perfeksionin psikofizik të karaktereve të tyre. Dejan Donkov handikapati në karrocë apo klloshari çalaman Leart Dokle. Teksti mjaft i pakët i shfaqjes, kërkohej me ngulm nga regjisori Morfov që të buronte krejt natyrshëm, pa qenë aspak nevoja e shtirjes apo e lojës nga pozicioni i “aktorit të madh” në të kundërt, vepra do të diskreditohej apo do të humbiste emocionalisht. Sa bukur dhe domethënëse…

Skenografia kishte të bënte me elementë më së shumti teknikë, pasi të ngrije në skenë një pallat shumëkatësh nuk është e lehtë. Por përgatitja e skenografit apo teknika në Teatrin Kombëtar Ivan Vazov të Sofjes ja kishin dalë paq duke përdorur platforma solide metalike, të cilat ngriheshin e uleshin nga shtretër të mëdhenj pneumatikë poshtë skenës.

E gjithë shfaqja krijonte në çdo moment një tablo të mbushur me personazhe e detaje pa fund të jetës reale. Aty stigmatizoheshin jo vetëm shtresat e varfra, por edhe vetë të pasurit në cinizmin e sjelljeve të tyre. Veset apo imoraliteti brenda shoqërisë Bullgare përshkonte gjithashtu mjaft momente të shfaqjes. Skenat në ndarjet e shumta të apartamenteve apo në rrugë e dyqane zhvilloheshin në të njëjtën kohë në disa plane, aq sa ti nuk mund ti rrokje dot të gjitha, megjithëse Morfovi jo pa qëllim i përsëriste ato disa herë, bile edhe me “tepri” për të arritur qëllimin e duhur. Megjithëse spektatori rrokte plot gjëra me vlerë, në atë mori skenash e detajesh të shpëtonin pa vënë re edhe të tjera detaje, e që ti dëshiroje me ngulm ta rishikoje shfaqjen.

Nuk po kuptonim se si kaloi një orë e gjysmë dhe ja… arriti momenti final përmbyllës i saj. Të gjithë mjeranët e braktisur e të shkretë, vendosin ti japin fund jetës duke u hedhur nga tarraca e pallatit shumëkatësh. Por më parë se të ndodhte kjo, Reni gruaja fatkeqe, nuk donte që bebeja e saj të pësonte të njëjtën mënyrë dhe fëmijën ja dorëzon një plaku zemërmirë që të kujdesej për të. Ra nata… e ndërsa Reni vrapoi me të tjerët për të ngjitur shkallët e tarracës, ndriçohet Plaku zemër mirë me fëmijën në duar e që dëshiron ti tregojë një përrallë. E ja si belbëzon tekstin: – Na ishte një herë një vend që quhej Bullgari… Sapo u përmend kjo fjalë fëmija filloi të qajë me dënesë si nga një trembje. Plakut i erdhi e pa pritur dhe tentoi me gjithë qenien e tij ta qetësojë e si për ta ndaluar, ai thotë falët e fundit: – jo, jo… jo nuk është më… nuk është më!!! Fëmija qetësohet së bashku me mbarimin e shfaqjes. Ndërsa duartrokitjet e spektatorëve nuk reshtën për shumë e shumë minuta.

Për gjatë darkës në restorantin e teatrit, Morfovi e trajtonte shfaqen si një vepër simfonike të luajtur nga aktorë e ku asnjë nuk duhet të stonojë apo çedojë. Në konceptin e punës së tij, Sasha nuk rresht së menduari apo përmirësuari shfaqjen edhe pas premierës. Kështu po ndodhte edhe me këtë vepër. Ndërsa nuk e fshihte dëshirën për të qenë pjesë e festivalit të Butrintit, i vinte keq që kjo shfaqje për nga pikëpamja teknike nuk mund të realizohej kurrsesi në skenën magjike të Butrintit. Si president nderi i Festivalit ai do të donte shumë të ishte prezent në të, por edhe këtë vit axhenda e tij, ishte e ngjeshur dhe e mirë përcaktuar. Së shpejti do të nisej për në Teatrin Kombëtar Rumun, ku do të rifreskonte shfaqjen e tij të luajtur që prej 5 vitesh “Vizita e Damës Plakë”. Më pas do të shkonte në Teatrin Kombëtar të Budapestit për një premierë të re e kështu me radhë, kur në të njëjtën kohë ishte komanduar edhe drejtor në Teatrin e tij, deri sa të vinte zëvendësuesi pasi këtë detyrë ai e refuzonte. Të përcjellë me plot dashuri nga artistët e nga Morfovi, u ndamë duke shpresuar për një tjetër takim. Me impresionet akoma të gjalla të shfaqjes bisedonim për gjatë kthimit në Tiranë dhe se sa shumë i përkiste ajo shoqërisë shqiptare. Por nuk ja vlente të preokupoheshim më shumë; pasi tek ne, apo më mirë të themi për sojin e artistëve të teatrit, nuk kanë më interes ngjarje e nivele të tilla.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here