Standard.al

Ndryshon ligji/ Kush preket, legalizim për 60 mijë objekte të ndërtuara pas vitit 2009

0

Gëzim Saliu

legalizim për 60 mijë objekte të ndërtuaraNë Komisionin e Ligjeve, Lame: 200 mijë, të cilat gjenden në zona informate do të legalizohen deri në vitin 2017. Bylykbashi: Legalizimi s’është falas, qeveria nuk mbajti premtimin

Qeveria ndryshon sërish ligjin e legalizimeve duke i hapur rrugë përfshirjes në këtë proces të rreth 60 mijë objekteve të ndërtuara pa leje pas vitit 2009, të cilat ishin përjashtuar nga ligji i mëparshëm, për shkak të ndryshimeve të miratuara në Kodin Penal. Komisioni i Ligjeve miratoi dje në parim projektligjin mes debateve të palëve politike, ku opozita e cilësoi amendimin si elektoral dhe akuzoi qeverinë për mosmbajtjen e premtimit për legalizime falas. Nga ana e tij, kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame, bëri të ditur se me këtë projektligj anulohen dy parashikime të ligjit aktual të cilat bënin të pamundur procesin e legalizimit për ndërtimet pas 2009-ës “Ndryshimet në Kodin Penal të futura në fuqi në janar të 2009-s kishin dy parashikime. Së pari, bllokonin legalizimin e ndërtimeve të bëra në tokë shtetërore apo në tokën e palëve të treta. Së dyti, parashikonin dënim me gjobë dhe me burg”, – tha ai.

 

Ndryshimi

Ndryshimet në ligjin e legalizimit sipas së cilave qytetarët të cilët kanë ndërtuar banesa pa leje pas 2009 do të kenë të drejtë të futen në proces u bënë publike dje në mbledhjen e komisionit të ligjeve nga kreu i ALUIZNI-t Artan Lame. “Për fat të keq kjo masë ndërtimesh mbeti jashtë procesit të legalizimit. Kemi të bëjmë me 40 deri në 60 mijë ndërtime të kryera pas janarit të vitit të 2009 deri më sot”- tha ai. Por këto ndryshime u bënë objekt debati në mbledhjen e komisionit mes mazhorancës dhe opozitës. Sipas demokratëve qeveria nuk mbajti premtimin për legalizim falas, të cilën propozon të përfshihet në ligj, ashtu sikurse heqjen e barrës hipotekore për energjinë. “Pse ju nuk mbani premtimin? Së dyti, pse e keni refuzuar atë që ne u përpoqëm t’ia bashkëngjisnim premtimit tuaj, ta sillnit sot këtu legalizimin falas? A do të ishte me vend që ju të propozonit heqjen e barrës hipotekore për faturën e energjisë?”, deklaroi deputeti demokrat Oerd Bylykbashi. Në replikë me kolegun e tij, socialisti Bashkim Fino akuzoi qeverinë e kaluar se në 8 vite nuk bëri asgjë për legalizimet e ndërsa sipas tij në vetëm 18 muaj të majtët kanë arritur rezultate konkrete. “Se çfarë ka legalizuar PD në 8 vjet dhe çfarë ka legalizuar Lame në 18 muaj. Në 8 vjet keni legalizuar 21 700, në 18 muaj kemi legalizuar 32 000. Zoti kryetar këtu mbyllet çdo gjë”- tha ai. Në këtë debat u përfshi edhe kreu i ALUIZNI-t Lame i cili tha se procesi i legalizimit është i gjithi falas. “Do paguash – me ato 4-5 zbritje të përcaktuara – vetëm parcelën ndërtimore, nëse nuk është e jotja, por është e shtetit apo e një pronari. Nga paratë që do paguash parcelën, 10% të tyre mos ia jep ALUIZNI-t. Paguajini një vit dritat dhe sillni faturën që keni paguar dritat për një vit, në mënyrë që të të falen edhe këto 10%. Barra në këtë rast është pozitive për qytetarët”, pohoi ai. Nga ana tjetër Lame theksoi në Komision se nga 350.000 objekte pa leje në total, 50.000 janë legalizuar nga viti 2005, 21.700 gjatë 8 viteve të qeverisjes së demokratëve dhe 32.200 gjatë këtyre 18 muajve. “Nga 300 mijë objekte të mbetura; 200 mijë, të cilat gjenden në zona informale parashikohen të legalizohen deri në vitin 2017”, – u shpreh ai.

 

Debati në Kuvend

Artan Lame: Ndryshimet në Kodin Penal të futura në fuqi në janar të 2009-s kishin dy parashikime. Së pari, bllokonin legalizimin e ndërtimeve të bëra në tokë shtetërore apo në tokën e palëve të treta. Së dyti, parashikonin dënim me gjobë dhe me burg. Ndryshimi në ligj prek 40 deri në 60 mijë ndërtime të kryera pas janarit të vitit të 2009

Oerd Bylykbashi: Pse ju nuk mbani premtimin? Së dyti, pse e keni refuzuar atë që ne u përpoqëm t’ia bashkëngjisnim premtimit tuaj, ta sillnit sot këtu legalizimin falas? A do të ishte me vend që ju të propozonit heqjen e barrës hipotekore për faturën e energjisë?

Bashkim Fino: Se çfarë ka legalizuar PD në 8 vjet dhe çfarë ka legalizuar Lame në 18 muaj. Në 8 vjet keni legalizuar 21 700, në 18 muaj kemi legalizuar 32 000. Zoti kryetar këtu mbyllet çdo gjë

Artan Lame: Procesi i legalizimit është i gjithi falas. Do paguash, me ato 4-5 zbritje të përcaktuara vetëm parcelën ndërtimore, nëse nuk është e jotja, por është e shtetit apo e një pronari

 

Për 59 mijë e 400 subjekte/ Mazhoranca fal 80% kamatëvonesat për sigurimet shëndetësore e shoqërore. PD: Ligj elektoral

Ndërkaq, Komisioni i Ligjeve diskutoi dje edhe projektligjin që parashikon faljen e kamatëvonesave për sigurimet shëndetësore edhe shoqërore, nismë e cila pritet të prekë rreth 59 mijë e 400 subjekte që nuk kanë paguar deri në Dhjetor të vitit 2014. Por sipas demokratëve ky ligji është sjellë vetëm për të marrë disa vota më shumë. Deputeti Oerd Bylykbashi tha se ligji synimin e vetëm e ka elektoral. “Jemi përpara një projektligji që ka vetëm një objektiv, që është ai elektoral. Se si ne të vjelim vota duke i trajtuar me një falje një numër të caktuar subjektesh. Është ligj elektoral, është i qartë tani, sepse bëhet në mes të fushatës”, – pohoi ai. Por në ndërhyrjen e tij, deputeti socialist Bashkim Fino theksoi se projektligji kishte ardhur që në muajin mars. “Ky nuk është ligj elektoral sepse ka ardhur në fillim të marsit. Shihni me kujdes, afati është 30 prill, ndërkohë që ne tani po e kalojmë në maj”, – deklaroi deputeti i PS-së. Ndërkaq nuk munguan edhe kritikat e vetë deputetëve të mazhorancës ndaj projektligjit. “Pse falen në masën 80%”, – pyeti Fino e ndër Majko theksoi se,: “Pse 80% dhe jo 50% apo jo 30%, duhet një shpjegim”. Nga ana e tij demokrati Bylykbashi tha se kamatvonesat duhet ti falen në masën 100% subjekteve. “T’i falen në masën 100 %, t’i falen edhe atyre që kanë paguar”, – deklaroi deputeti i PD-së.

 

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.