Deklarata e deputetit/ Doshi: Në Shkodër mbështes Voltana  Ademin. Prova të reja për atentatin

0
130

Artan Cena

 

tom doshiPasi ka dalë nga Prokuroria, deputeti shkodran është shprehur se Keti Bazhdari është e përzgjedhur nga LSI-ja. “Kandidati i Vaut të Dejës është i zgjedhur nga PS-ja”, – tha Doshi.

 Teksa është paraqitur në Prokurori për t’u njohur me aktet e hetimit, deputeti Tom Doshi ka deklaruar se tashmë do të bëjë publike prova shtesë, të cilat do të nxjerrin në pah të gjithë historinë e atentatit, të cilat, sipas tij, u munduan të fshiheshin nga ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, Kreu i Kuvendit, Ilir Meta, dhe kreu i Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho. Deklaratat e deputetit janë bërë pasi ai ka dalë nga Prokuroria e Përgjithshme Doshi tha se publikimi i fakteve të reja do të bëjë që Prokuroria të nisë hetimet për kallëzim të rremë ndaj tyre. I pyetur në lidhje me fushatën për kandidat për kryetarë bashkish, Doshi tha se do te mbështesë ata kandidatë që janë të propozuar nga baza socialiste, siç është edhe rasti i kandidatit të Vaut të Dejës. Deklaratat e tij Doshi i bëri pasi doli nga Prokuroria e Përgjithshme ku ishte për të njohur çështjen e tij.

 

Doshi në Prokurori

Si çdo të hënë, Tom Doshi është paraqitur sërish në Prokurori, për shkak të masës së sigurisë ndaj tij, ajo e “Detyrim paraqitjeje”. Mësohet se gjatë ditës së djeshme ai ka marrë të gjitha provat hetimore të dosjes së tij, ku pretendon se kishte një komplot vrasjeje ndaj deputetit shkodran dhe Mëhill Fufit. Në dalje të prokurorisë, ai ka vazhduar që të hedhë akuza ndaj prokurorisë për një hetim jo të plotë, duke paralajmëruar për publikimin e provave që implikojnë në këtë komplot Ilir Metën dhe Spartak Brahon. Ai akuzoi kreun e sigurisë kombëtare Spartak Braho si personi që i ka bërë presion Durim Bamit brenda dhomave të izolimit. Ai tha se do të kallëzojë penalisht Ilir Metën dhe Spartak Brahon. Deputetit shkodran Tom Doshi tha se pasi të njihet me të gjitha provat e marra, do t’i kërkojë prokurorisë disa prova të reja për të provuar komplotin e vrasjes.

 

Mbështes Voltanën

Deputeti shkodran nuk la pa përmendur edhe nisjen e fushatës elektorale. Ai tha se do të vazhdojë të mbështes kandidatin e Vau Dejës dhe socialistët e vërtetë, të cilët tha se e kanë mbështetur gjithmonë. Doshi është shprehur se do të mbështesë të gjithë ata kandidatë që janë nxjerrë në garë nga baza socialiste. “Është i treti mandat që marr nga PS. Dhe kam shkuar me kërkesën e të rinjve të Vaut të Dejës, dhe me kandidatin. Kandidatja Bazhdari është propozuar nga LSI. Sot do shihni tek “Antena Nord” prononcimin e Ballës, që thotë se propozojmë vetëm nga LSI. Unë i uroj suksese Voltana Ademit, pasi nuk mbështes LSI por PS dhe fitoren e ka të sigurt. Shqetësimi im më i madh është ai popull që më mbështet dhe jo politikanët që humbin rrugës”, – tha Doshi. Tri ditë më parë, deputeti doli në krah të deputetit të mazhorancës që kandidon për Vaun e Dejës në Shkodër. Tom Doshi ka ironizuar edhe kuponët e LSI-së për blerjen e votave me xhinse.

 

Drogë në aksin Shqipëri-Kalabri-Sicili, 19 të arrestuar

 Sasi të konsiderueshme droge qarkullonin në aksin Shqipëri-Kalabri-Katania, lëvizje që janë zbuluar nga policia italiane, e cila ka arrestuar 19 persona. Sipas raportimeve të mediave italiane, hetimet janë kryer në periudhën nëntor 2012-prill 2013, me ndihmën e disa bashkëpunëtorëve të drejtësisë. Lëndët narkotike ishin të llojeve të ndryshme, kryesisht kokainë, marijuanë dhe hashash, – kanë deklaruar hetuesit e çështjes. Sipas burimeve, drejtues të organizatës kanë qenë vëllezërit sicilianë, Vito dhe Michele Musumeci. Megjithatë, shtatë prej të arrestuarve janë dërguar në arrest shtëpie.

 

 Aksidentohet një familje në Fier, 2 vajza në gjendje të rëndë

 Një aksident rrugor ka ndodhur në aksin rrugor Fier-Patos, në vendin e quajtur “Kështjella”, gjatë pasdites së djeshme dhe sipas raportimeve janë përplasur dy makina, me pasojë plagosjen e 5 personave. Nga burime paraprake mësohet se në aksident janë përfshirë mjetet tip BMW, me targa AA 459 FH, me drejtues shtetasin Tahir Rizai, si dhe ai “Citroen”, me targa AA 125 KC, me drejtues shtetasin Fatmir Velmishi. Për pasojë kanë mbetur të plagosur dy drejtuesit e mjeteve, por edhe pasagjerët e ndodhur në mjetin tip “Citroen”, të cilët identifikohen vetëm me iniciale: shtetasja V. V., vajza e saj B. V., si dhe shtetasja I. Y., të cilat janë transportuar menjëherë për në Spitalin Rajonal të Fierit, por jashtë rrezikut për jetën.

 

 Arsenal në shtëpi, Shimës i gjenden armë dhe fishekë

 Një arsenal armësh është gjetur në banesën e një personi, në periferi të kryeqytetit. Policia e Tiranës, në vazhdën e aksioneve për ruajtjen e rendit, ka bastisur paraditen e së martës një shtëpi në kryeqytet, ku dhe ka gjetur një sasi armësh. Burime policore zyrtare bëjnë të ditur se uniformat blu kanë kontrolluar shtëpinë e shtetasit Hajdar Shima, i cili është arrestuar për zotërimin e armëve luftarake. Sipas burimeve, në shtëpinë e Shimës janë gjetur një automatik, një pushkë, një çifte dhe 3.500 fishekë.

 

Nga qelia, i dënuari për vrasje vë dy gjoba, denoncohet në polici

 Dy persona denoncuan një të dënuar me burg të përjetshëm, i cili u ka vënë gjobë nga burgu. Sipas policisë së Durrësit, ai është Hysen Shera i akuzuar për vrasje të dyfishtë tek vendi i njohur me emrin “4 Rrugët e Shijakut” në vitin 2002. I dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje, u vuri gjobë dy shokëve të tij. Bëhet fjalë për 58-vjeçarin Hysen Shera që, sipas policisë së Durrësit, i cili me anë të dy letrave kërcënuese të nisura dorazi nga një person ende i paidentifikuar, ka kërcënuar dy personat. Të parit, një 60-vjeçari i ka kërkuar 30 milionë lekë. Madje për këtë shumë ka ofruar edhe shtëpinë e tij. Letrën e dytë kërcënuese ia ka drejtuar një të njohurit tjetër 30-vjeçar. Shera kërkonte brenda 7 ditëve, 10 milionë lekë si dëmshpërblim për shpifje ndaj tij për vrasjen e dyfishtë të ndodhur në Shijak në vitin 2002. Të dy të kërcënuarit i janë drejtuar policisë, kurse hetuesit morën në pyetje 58-vjeçarin. Shera ndodhet në regjimin e Fushë-Krujës për vrasjen fqinjëve të tij Fatmir dhe Izmir Sula përkatësisht babë e bir në vitin 2002, tek “4 Rrugët e Shijakut”. Gjithashtu Shera, është dyshuar si autor i një tjetër ngjarje në vitin 1996 në Krujë ku mbeti i vrare me arme zjarri Lutfi Meta.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here