Standard.al

Banka Botërore/ Ja kushtet për kredinë 1.2-miliardë USD, borxhi i lartë publik prek ekonominë

0

Ja kushtet për kredinë 1.2-miliardë USDPak ditë më parë Bordi i Drejtorëve të Bankës Botërore miratoi kuadrin e partneritetit me Shqipërinë për pesë vitet e ardhshme, që parashikon mbështetje përmes huadhënies për një vlerë totale prej 1.2 miliardë dollarësh. Institucioni financiar ndërkombëtar ka publikuar të plotë këtë kuadër partneriteti ku një pjesë të rëndësishme zënë tre prioritete që janë kthimi i balancave makroekonomike, krijimi i kushteve për përshpejtimin e rritjes së sektorit privat dhe forcimi i manaxhimit të sektorit privat dhe ofrimit të shërbimeve. Referuar prioritetit të parë, Banka Botërore thekson se pikat e dobëta ekonomike të Shqipërisë përkeqësohen nga borxhi i lartë publik dhe pagesat e prapambetura, planifikimi i papërshtatshëm dhe menaxhimi i investimeve publike, veçanërisht në infrastrukturën e transportit, deficitet fiskale të paqëndrueshme dhe mungesa e balancave në sektorit financiar, përfshirë volumin e madh të kredive të këqija. Në kuadrin afatshkurtër dhe më tej, këto pika të dobëta mund të prekin gjenerimin e përfitimeve të mirëqenies sociale dhe shpërndarjen e tyre ndërmjet familjeve dhe kompanive, aftësinë e familjeve dhe të firmave për të akumuluar asete dhe kthimet që marrin familjet dhe kompanitë. Sipas grupit të Bankës Botërore, trajtimi i sfidave makro­fiskale dhe financiare është parakusht për vendin për të kaluar në një model të ri rritjeje. Strategjia propozon tri objektiva të të mbështetura nga një program i fortë ndërhyrjesh teknike dhe financiare për të zbatuar kuadrin makro­fiskal afatmesëm të dakordësuar. Një objektiv do të përqendrohet tek konsolidimi fiskal, duke reformuar fusha me detyrime fiskale të paqëndrueshme, të tilla si pensionet. Një tjetër objektiv do të përqendrohet tek rritja e transparencës dhe parashikueshmërisë në financimin dhe menaxhimin e investimeve publike, veçanërisht në infrastrukturë. Ndërsa, objektivi i tretë do të trajtojë dobësitë e sektorit financiar që cenojnë stabilitetin dhe minojnë rolin e institucioneve të sektorit financiar për nxitjen e rritjes dhe të prosperitetit të përbashkët. Përsa i përket krijimin e kushteve për përshpejtimin e rritjes së sektorit privat do të ofrohet mbështetje transformuese për Shqipërinë, nëpërmjet pesë objektivave që janë krijimi i një mjedisi biznesi me cilësi të lartë, ofrimi i energjisë së pastër, eficentë dhe financiarisht të qëndrueshme dhe formalizimi dhe rritja e gjithëpërfshirjes dhe qëndrueshmërisë së tregut të punës. Gjithashtu, kuadri i partneritetit ndërmjet Bankës Botërore dhe Shqipërisë do të ketë një përparësi tjetër edhe forcimin e menaxhimit të sektorit privat dhe ofrimit të shërbimeve. Programi do të përqendrohet në mënyrë selektive në ndërhyrjet e lidhura me menaxhimin e sektorit publik dhe ofrimit të shërbimeve. Mbështetja synon në mënyrë më të drejtpërdrejtë besimin e qytetarëve tek qeverisja, forcimin e ofrimit të shërbimit, përmirësimin e ekzekutimit të shërbimit dhe aksesin në shërbimet bazë. Këtu përfshihet mbështetja për rritjen e sektorit privat nëpërmjet partneriteteve publike dhe private për t’u angazhuar në ekzekutimin e shërbimeve.

 

 

Kukësi e Lezha, rekordmenë në papunësi

Kukësi dhe Lezha figurojnë si zonat me papunësinë më të madhe përkatësisht me 51.3% dhe 48.2%. Këto të dhëna vijnë pas përpunimit të bërë nga Instat sipas ndarjes së re territoriale-administrative me 61 bashki. Papunësia më e ulët reflektohet në Berat me 20.7% e ndjekur nga Fieri me 23.9%.ndërkohë që edhe rrethet si Dibër, Shkodër dhe Durrës numërojnë një papunësi më të lartë se 30%. Shkalla më e lartë e papunësisë nëse i referohemi përpunimit të të dhënave të bëra nga Instat haset tek të rinjtë. Kryeson përsëri Kukësi me rreth 75.5% të papunësisë tek të rinjtë e ndjekur nga Lezha me 75.1%, Shkodra me 64.2%, Dibra me 60.6%. Por ajo që bie më shumë në sy është fakti që papunësi të lartë tek të rinjtë është regjistruar edhe në kryeqytet ku figurojnë rreth 51.3% e tyre. Berati që regjistronte nivelin më të ulët të papunësisë në total kur bëhet fjalë për të rinjtë edhe këtu janë të regjistruar rreth 40.6% e të rinjve të papunësuar. Por nëse bëjmë një krahasim të numrit të të papunëve në meshkuj dhe femra për Kukësin rezulton se numri më i lartë i të papunëve është në meshkuj me 52.6% krahasuar me atë të femrave me 48.8%. Lezha gjithashtu shënon një numër më të lartë të meshkujve të papunësuar krahasuar me femrat respektivisht 48.5% ndaj përqindjes së femrave me 47.7%. Ndërsa për sa u përket zonave të tjera kemi një përqindje të përafërt për sa i përket papunësisë mes meshkujve dhe femrave.

 

 

Riaktivizohet stacioni hekurudhor i Kasharit, nismë e qeverisë “Berisha”

Investimi i përgatitur nga qeveria “Berisha” për fillimin e aktivitetit të transportit të udhëtarëve me hekurudhë nga Durrësi në Kashar, me vlerën 19.2 milionë lekë, nga të cilat vetëm 9 milionë lekë janë për ndërtimin e infrastrukturës së stacionit të udhëtarëve, u përurua dje.

Investimet e kryera në stacionin Kashar janë pjesë e projektit të Hekurudhës Shqiptare për të patur akses në transportin hekurudhor në zonën periferike të Tiranës ku po zhvillohen tregje të veprimtarisë së biznesit vendas, të cilët do të transportojnë me hekurudhë shumë mallra dhe lëndë të pare. Fillimisht në drejtimin Durrës-Kashar dhe anasjelltas do të jenë në dispozicion 7 trena dhe nga stacioni i Kasharit do të mbërrijnë dhe do të nisen trenat për në drejtim të Librazhdit, Vlorës dhe Shkodrës.

Hekurudha ka lidhur një marrëveshje me një shoqëri të transportit urban e cila, në koordinim me orarin e nisjes së trenave nga Kashari në Durrës, do të nisë nga qendra e Tiranës (pranë Muzeut Kombëtar) autobusë për në stacionin e Kasharit dhe në kthim do të transportojë në qendër të Tiranës udhëtaret që kanë udhëtuar me tren nga Durrësi.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.