Ministria e Arsimit e pranon/ Si po u falen fondet publike universiteteve private

0
160

shkolle mesuesMinistria e Arsimit pranon përfitimin e privatëve nëpërmjet kërkimit shkencor. Lindita Nikolla e kundërshton

Ministria e Arsimit duket e vendosur për të miratuar ligjin e ri për arsimin e lartë, ligj, i cili u jep fonde publike universiteteve private dhe nga ana tjetër rrit tarifat për studentët. “E thënë që në krye të herës, qartë dhe prerë. Jo, ky ligj nuk çon para publike në Institucionet e Arsimit të Lartë privat. E kundërta është e vërtetë. Para publike dhe private drejt IAL-ve publike. Krijojmë kështu mundësinë për transformimin e IAL-ve në Institucione Publike të Pavarura, si ente publike moderne që ofrojnë një shërbim publik në lirinë më të madhe sipas modeleve më të suksesshme ndërkombëtare”, – u shpreh ministrja e Arsimit Lindita Nikolla dje në Komsionin e informimit Publik. Por vetëm pak momente më vonë në të njëjtën mbledhje përfaqësuesit e tjerë të Ministrisë së Arsimit thanë se “nga fondet publike do të përfitojnë të gjithë institucionet e arsimit të lartë, të cilat paraqesin projekte për kërkimin shkencor”. Një frazë e cila nxjerr qëllimin e Ministrisë së Arsimit, për ti dhënë lekët e taksave të shqiptarëve universiteteve private, të cilat tashmë do të përfitojnë miliarda, si nga lekët e studentëve si nga lekët e shtetit.

 

Ligji

“Institucionet e arsimit të lartë kryejnë veprimtari kërkimore-shkencore bazë ose të zbatuara, studime, projekte për zhvillim dhe veprimtari të tjera krijuese, të përcaktuara në statutin e tyre, sipas natyrës dhe objektivave specifikë të institucionit. Ato garantojnë integrimin e veprimtarisë kërkimore në atë të mësimdhënies. Veprimtaria kërkimore-shkencore, që kryhet në institucionet e arsimit të lartë, synon të mbështetë zhvillimin e vendit dhe rritjen e cilësisë së arsimit. Nëpërmjet veprimtarisë kërkimore-shkencore personeli akademik dhe studentët fitojnë aftësi për kërkime të pavarura, në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm profesional dhe të karrierës akademike. Veprimtaria kërkimore-shkencore e krijuese rregullohen sipas këtij ligji, akteve ligjore e nënligjore në fuqi si dhe statutit të institucioneve të arsimit të lartë”, – thotë ligji i Arsimit të Lartë. Veprimtaria kërkimore-shkencore zhvillohet, sipas përcaktimeve të këtij ligji, në: a) institucionet e arsimit të lartë; b) institutet dhe qendrat ndërinstitucionale të kërkim-zhvillimit; c) institutet e kërkim-zhvillimit pranë ministrive. Strukturat e sipërpërmendura të kërkimit shkencor zhvillojnë veprimtaritë e tyre në përputhje me misionin dhe fushat e kompetencës dhe u nënshtrohen kritereve të financimit të veprimtarisë së tyre kërkimore-shkencore sipas këtij ligji dhe akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi. Ato kanë detyrimin të bëjnë publike veprimtarinë e tyre si edhe rezultatet përkatëse, me përjashtim të rasteve të veçanta, që rregullohen me akte ligjore ose nënligjore. Veprimtaritë e kërkimit shkencor në institucionet e arsimit të lartë realizohen mbi bazën e programeve dhe projekteve të miratuara nga organet kompetente në këto institucione, në përputhje me statutin dhe rregulloret e institucionit. Fushat, drejtimet, vëllimi i punës dhe afatet e veprimtarisë kërkimore-shkencore përcaktohen nga vetë institucionet e arsimit të lartë, bazuar në fushat prioritare të zhvillimit kombëtar dhe në programet e ofruara. Veprimtaria kërkimore-shkencore e personelit akademik në IAL vlerësohet sipas përcaktimeve në statut ose akteve të tjera të institucionit. Institucionet e arsimit të lartë kanë të drejtë të hartojnë programe dhe projekte kërkimore në bashkëpunim me institucione të tjera publike ose private, brenda dhe jashtë vendit. Institucionet e arsimit të lartë ofrojnë, nëpërmjet veprimtarive kërkimore-shkencore, të zhvillimit dhe krijuese, shërbime për të tretë. Të ardhurat nga këto veprimtari administrohen nga njësia bazë ose ajo kryesore, që realizon veprimtarinë, sipas përcaktimeve të këtij ligji dhe të akteve të tjera, ligjore dhe nënligjore në fuqi. Fondet nga buxheti i shtetit shpërndahen në formë granti, sipas kategorive të mëposhtme:

  1. a) Granti i politikave të zhvillimit për institucionet publike të arsimit të lartë
  2. b) Granti i mësimdhënies
  3. c) Granti i punës kërkimore-shkencore dhe veprimtarive krijuese.

 

Studentët

Të drejtat dhe detyrimet e studentëve. Studentët kanë të drejtë: të ndjekin të gjitha veprimtaritë mësimore që zhvillohen në kuadrin e programit të studimit ku ata janë regjistruar; b) të përdorin infrastrukturën që institucioni i arsimit të lartë vë në dispozicion të procesit mësimor si dhe të përfitojnë nga shërbimet mbështetëse që ofrohen nga ai institucion; c) të marrin pjesë në proceset e vendimmarrjes së institucionit të arsimit të lartë, në përputhje me përcaktimet e këtij ligji dhe statutin e institucionit; ç) të shprehin vlerësimin e tyre për cilësinë e mësimdhënies dhe punën e personelit në institucionin e arsimit të lartë. d) të nënshkruajnë kontratë shërbimi, në momentin e regjistrimit në institucionet jopublike të arsimit të lartë. Elementet e kontratës dhe forma e saj përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për arsimin. dh) të sigurohen nga institucioni i arsimit të lartë, në një ndër shoqëritë e sigurimit, për të gjithë kohëzgjatjen e parashikuar të studimeve, për riskun e ndërprerjes së veprimtarisë apo risqe të tjera, sipas përcaktimeve në udhëzimin e ministrit përgjegjës për arsimin dhe ministrit të financave. Studentët kanë për detyrë: a) të zbatojnë rregullat e përcaktuara nga institucioni i arsimit të lartë; b) të respektojnë të drejtat e personelit dhe të studentëve të tjerë; c) të paguajnë tarifat e përcaktuara në këtë ligj dhe nga institucionet e arsimit të lartë si dhe tarifat e shërbimeve që u ofrojnë institucionet e arsimit të lartë; ç) të respektojnë Kodin e Etikës së institucionit të arsimit të lartë. Studentit përsëritës i ndërpritet mbështetja nga fondet publike, me përjashtim të rasteve të forcave madhore.

 

Granti i punës kërkimore-shkencore

Granti i punës kërkimore-shkencore përfshin fondet për kërkimin shkencor. Pjesë e këtij granti janë edhe fondet për studimet e doktoratës, të cilat u jepen institucioneve të arsimit të lartë mbi bazën e aplikimit. Ky grant është i hapur për të gjitha institucionet e arsimit të lartë të akredituara që zhvillojnë kërkim shkencor. Shpërndarja e fondeve të kësaj kategorie bëhet nga AKKSHI, mbi bazën e projekteve që institucionet paraqesin, sipas kritereve të përcaktuara në strategjitë sektoriale dhe në ligjin vjetor të buxhetit. Vlerësimi i cilësisë së kërkimit shkencor përbën kriterin bazë të renditjes së institucioneve të kërkimit shkencor nga AKKSHI dhe përcaktimin e masës së financimit, të përfituar prej AKFAL-it, për IAL-të publike. Institucionet e kërkimit shkencor marrin masa për vlerësimin dhe sigurimin e brendshëm të cilësisë, nëpërmjet njësisë përkatëse, përbërja dhe funksionimi i së cilës përcaktohen në statutin ose rregulloren e institucionit përkatës.

 

Kredia

Ministria përgjegjëse për arsimin ndërmjetëson kreditimin e studentëve, me qëllim mbështetjen financiare për përballimin e kostos së studimeve. Kredia studentore është e hapur për aplikim për të gjithë studentët që fitojnë të drejtën për studime në programet e studimit në institucionet e arsimit të lartë. Skema e kreditimit studentor përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

 

Kriteret e krijimit të IALPP-së

Mund të aplikojnë për transformim në IALPP institucionet e arsimit të lartë që përmbushin kriteret e mëposhtme: a) Institucioni ekzistues i arsimit të lartë duhet të jetë i akredituar institucionalisht dhe të ketë të akredituara programet e studimit që ofron, në përputhje me përcaktimet e këtij ligji; b) Themeluesi i institucionit ekzistues të arsimit të lartë duhet të ofrojë garancitë e duhura financiare për funksionimin e IALPP-së, për, të paktën, tri vitet e para të veprimtarisë; c) Themeluesi merr përsipër detyrimin t’i kalojë IALPP-së në mënyrë të parevokueshme të drejtën e përdorimit mbi të gjitha pasuritë e paluajtshme, ku zhvillon veprimtarinë IAL-ja ekzisuese, si edhe pasurive të tjera, të domosdoshme për ushtrimin e veprimtarisë së IALPP-së. Pasuritë duhet të jenë të lira nga çdo barrë dhe themeluesi nuk duhet të ketë detyrime ndaj personave të tretë; ç) Themeluesi nuk duhet të jetë i dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale; d) Themeluesi nuk duhet të jetë palë e paditur në procese gjyqësore që kanë të bëjnë me çështje thelbësore, të cilat lidhen me veprimtarinë dhe funksionimin e IAL-së ekzistuese; dh) Institucionet e arsimit të lartë, që kërkojnë të transformohen, duhet të kenë krijuar, paraprakisht, strukturat akademike dhe të funksionojnë sipas përcaktimeve të këtij ligji për institucionet publike të arsimit të lartë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here