Synimet/ Skënderbeu kampion gati për Evropën

0
158

skenderbeu kampionEkipi korçar është shpallur kampion për herë të 5-të në kampionatin shqiptar dhe pjesëmarrja në kupat e Evropës është sfida e radhës

Futbolli shqiptar njohu për herë të 5-të radhazi si kampion Skënderbeun, që pas festimeve për suksesin, ka marrë pushimet. Por edhe ditët e relaksit në kampin korçar do të jenë të pakta, pasi Skënderbeu këtë verë ka një objektiv akoma më madhor se titulli kampion, pikërisht kualifikimin në fazën e grupeve të një prej dy kompeticioneve më të rëndësishme në Evropë, Champions League ose Europa League. Për t’u realizuar diçka e tillë që do të bënte të lumtur të gjithë shqiptarët, nuk do të jetë aspak e lehtë, por Skënderbeu gjatë këtyre 5 viteve ka ditur të na surprizojë. Në datën 10 qershor do të përfundojnë edhe pushimet e Skënderbeut me skuadrën bardhekuqe që do të grumbullohet fillimisht në kompleksin “Tropikal” për të udhëtuar në 13 qershor drejt Austrisë, ku ashtu si në dy sezonet paraardhëse, korçarët do të zhvillojnë fazën përgatitore përpara përfaqësimit në Champions League. Në tokën austriake kampionët e Shqipërisë do të zhvillojnë disa takime miqësore me kundërshtarë të njohur në arenën evropiane për t’u përgatitur sa më mirë për debutimin në Champions. Tashmë është thuajse e sigurt që të besuarit e Mirel Josës do të jenë pjesë e skuadrave të forta në turin e dytë paraeliminator, sidomos pas fitores së fundit të Sarajevos në kampionatin boshnjak. Dy janë rivalët që e kërcënojnë Skënderbeun në short dhe ato janë Steaua e Bukureshtit në Rumani dhe Zeljeznicar në Bosnje skuadra këto që kanë një koeficent më të lartë në klasifikimin e UEFA-s se ekipi korçar. Gjithsesi, kampionëve të Shqipërisë u mjafton që njëra prej tyre të mos e fitojë kampionatin e saj respektiv në mënyrë që jenë pjesë e vazos së parë. Nëse në Rumani Steaua ka ende shanse të mira për të fituar titullin duke lënë pas modestët e Targu Mures në Bosnje Sarajevo kryeson me një pik avantazh ndaj Zeljeznicarit, 1 javë përpara fundit dhe ndeshjen ku me siguri do të zyrtarizojë titullin por edhe praninë e Skënderbeut në vazon e ekipeve të forta në turin e dytë paraeliminator të Championsit, Sarajevo e ka në shtëpi ndaj një ekipi të mes tabelës që nuk lufton për asgjë. Nëse bën pjesë në vazon e skuadrave të forta Skënderbeu mund të ketë një short më të lehtë dhe kësisoj më shumë shanse për të avancuar në ruandin e tretë paraelimintor të Championsit, që do ti siguronte automatikisht play-offin e Europa Leagues, korçarëve. Pjesëmarrja në Champions League apo Europa League përkthehen në para. Kjo pasi kalimi i tureve shoqërohet me fitime që vijnë nga pjesëmarrja dhe këto do ti shërbenin ekipi korçar që të rrisnin edhe më shumë kapitalin e tyre dhe të bënin edhe investime më të mëdha në klub që rrisin jo vetëm kampionatin korçar por edhe nivelin e Superligës Shqiptare që në këto vitet e fundit ka përfituar ku historia e vetë kampioneve, kuksianeëve janë shembulli më i mirë.

 

Legjionarët që u shpallën kampionë në Evropë

Për shumë lojtarë shqiptarë që luajnë jashtë sezoni 2014-2015 ishte tejet pozitiv. Nëse emra si Sokol Cikalleshi, Bekim Balaj, Andi Lila, Elseid Hysaj, Alban Meha etj. u afirmuan në disa prej kampionateve më të rëndësishme në Evropë, shumë të tjerë u shpallën kampion me skuadrat ku ata luajnë jo vetëm Evropë, por edhe në kontinente të tjera. Ky sezon mund të konsiderohet thjesht fantastik për Shkëlzen Gashin. Sulmuesi i kombëtares kuqezi fitoi titullin e tij të parë në Zvicër me Bazelin, në një sezon ku Gashi ishte protagonisti kryesor i skuadrës së drejtuar nga Paulo Sousa. 21 golat e realizuar nga 26-vjeçari që i japin atij të drejtën të kryesojë listën e golashënuesve në ligën maksimale të futbollit helvet për të dytin vit radhazi, ishin një ndihmesë e madhe për Bazelin që u shpall matematikisht kampion 3 javë përpara fundit të kampionatit. Por Gashi nuk është i vetmi futbollist i kombëtares sonë që bën pjesë në radhët e Bazelit pasi me formacionin nga St Jakob Park luajnë edhe Taulant Xhaka dhe Arlind Ajeti që gjithashtu patën rolin e tyre në fitimin e titullit të 18-të kampion nga skuadra e tyre. Një sezon të mrekullueshëm zhvilloi edhe Besart Berisha në Australi me Melbourne Victory. 15 golat e 29-vjeçarit dhe sidomos ai i realizuar në finalen e play-off-it ndaj Sydney Fc i hapën rrugën drejt fitimit të titullit kampion skuadrës së Melbourne Victory. Berisha tashmë mund të konsiderohet në kuptimin e plotë të fjalës një legjendë e futbollit australian pasi në 4 sezone në vendin e kangurëve ai ka fituar 3 kampionate. Nga Australia në Azerbajxhan. Ansi Agolli dhe Admir Teli u shpallën për të dytin sezon radhazi kampion të Azerbajxhanit me skuadrën e tyre Karabag duke rezultuar vendimtarë në suksesin e radhës të ekipit të tyre. Titullin kampion e fitoi edhe Xhevair Sukaj në Iran. Në sezonin e tij të fundit me skuadrën e Sepahanit sulmuesi shkodran mori në duar edhe njëherë tjetër trofeun e kampionit. Festë pati edhe për tre nga talentet e futbollit shqiptar Endri Çekiçin, Enis Gavazajn dhe Qazim Laçin. Çekiçi i cili bëri edhe debutimin e tij me Dinamon e Zagrebit këtë sezon fitoi titullin në Kroaci, ndërkohë Gavazaj dhe Laçi edhe pse për pjesën më të madhe të sezonit kanë qenë pjesë e skuadrave të të rinjve fituan kampionatet respektive me Gent në Belgjikë dhe Olimpiakosin në Greqi.

 

Rosberg triumfon në Montekarlo

Një fitore e dhuruar nga skuadra e tij. Nico Rosberg triumfoi në çmimin e madh të Monacos, duke përfituar nga një gabim apo nga një shpërblim varet nga këndvështrimet i skuderisë Mercedes, të cilët e thirrën në bokse Lewis Hamilton në momentin kur makina e sigurisë hyri në pistë pas aksidentit mes Versttapen dhe Grosjean, britaniku deri në ato çaste po dominonte i qetë garën e principatës. Madje lëvizja e gabuar e Mercedesit bëri që britaniku ta përfundonte çmimin e madh në vendin e 3-të pas Ferrarit të Sebastian Vettel. Gara e Montekarlos nuk shquhet për spektakël dhe adrenalinë, pasi vetë pista nuk të lejon parakalime dhe në fakt në kufijtë e monotonisë po zhvillohej edhe kjo e radhës, me Hamilton që i nisur nga “pole position” nuk e pati të vështirë të kontrollonte mbarëvajtjen e këtij çmimi të madh, ndërsa pas tij i vetmi që në fragmente të caktuara u mundua të dhuronte emocione ishte Vettel, por edhe tentativat e gjermanit për t’iu afruar Rosberg nuk rezultuan efikase. Gjithçka u ndez në batutat finale, pak xhiro nga përfundimi, kur 17-vjeçari Max Verstappen, shumë agresiv, goditi njëvendëshen e Roman Grosjean, me makinën e sigurisë që hyri në pistë. Mercedesi në mënyrë krejtësisht të pashpjegueshme kërkoi nga Hamilton të kryente një ndalesë në bokse, me Rosberg dhe Vettel, të cilët deri në ato momente as nuk i ishin afruar 30-vjeçarit, që përfituan në maksimum. Nuk pati më histori me Nico Rosberg që triumfon në principatë për të dytin vit radhazi, ndërsa Vettel vazhdon të konfirmojë gjëndjen e mirë të Ferrarit, pavarësisht se të dy pilotët gjerman duhet të falenderojnë drejtuesit e Mercedesit.

 

Alves drejt United-it

Duket se historia mes Manchester Unitedit dhe Dani Alvesit, i është afruar fundit pasi që raportohet se Barcelona të martën do të bëjë publik largimin e brazilianit. Mbrojtësi brazilian ka qenë pjesë e gjigantit spanjoll që nga viti 2008 dhe është i vendosur që të largohet në fund të sezonit kur t’i skadojë kontrata. Sipas “SportEnglish”, 32-vjeçari pritet të njoftojë largimin e tij nga Barcelona në një konferencë për shtyp të martën dhe kështu i hap rrugën ekipit të United. Besohet se Louis van Gaal është një admirues i madh i tij dhe është i gatshëm t’i ofrojë një kontratë ku do të fitonte 150,000 paund në javë.

 

Rodriguez: Ishim afër titujve

James Rodriguez përfundoi sezonin e tij të parë me fanellën e Real Madridit. Edhe pse kur u transferua në “Santiago Bernabeu”, tregoi se arsyeja ishte për të fituar trofe, në vitin e tij të parë mbeti duar bosh. Mesfushori kolumbian ka thënë se është i kënaqur me vitin e tij të parë në Real Madrid, pasi ka shënuar gola dhe ka asistuar për bashkëlojtarët e tij por fati i mungoi për të fituar trofe. “Unë jam i lumtur me vitin tim të parë te Reali i Madridit. Personalisht mendoj se kam treguar paraqitje të mira ku edhe kam shënuar gola. Unë kam dashur trofe por këtë nuk ia arritëm. Ishim afër titullit në La Liga dhe afër për në finalen e Ligës së Kampionëve, por fati nuk na përcolli”, – tha Rodriguez.

 

Buyo: Pogba dëshiron Realin

Ish-portieri Francisco Buyo thotë se Paul Pogba dëshiron të luajë krahas bashkëkombësve të tij, Karim Benzema dhe Raphael Varane, te Real Madridi. Mesfushori i Juventusit po kërkohet nga të gjitha klubet e pasura, ndërsa krahas Los Blancos shërbimet e tij i duan edhe Barcelona, Manchester City dhe Paris Saint-Germain. Buyo, i cili ka regjistruar 500 paraqitje për Mbretërit gjatë karrierës, ka thënë se Florentino Perez tashmë ka filluar planet për transferimin e 22-vjeçarit në Santiago Bernabeu. “Perezit i pëlqejnë lojtarët e mirë, ai e ka lëvduar Pogban dhe e ka pyetur nëse i pëlqen Reali. Nëse e pyet një lojtar se ai pëlqen ky ekip dhe ai thotë po, do të thotë se dëshiron t’i bashkohet, edhe atë në një të ardhme të afërt. Krahas një marrëveshjeje të favorshme financiare, te Real Madridi do t’u bashkohej edhe shokëve të tij, Karim Benzema dhe Raphael Varane”, – është shprehur Buyo për Telefoot.

 

Xhemaili drejt rikthimit në Itali

Blerim Xhemaili pritet të largohet nga gjiganti turk Galatasaray në fund të sezonit. Ylli shqiptar i Përfaqësueses së Zvicrës po luan me mjaft sukses te Glatasaray por dëshiron një rikthim në Itali. 29-vjeçari i cili më parë ka luajtur për Torinon dhe Napolin, po kërkohet me ngulm nga skuadra italiane Genoa. Genoa do të luaj në Ligën e Evropës vitin e ardhshëm dhe tenton ta bind Galatasarayn me pesë milionë euro për mesfushorin tetovar. Gjithashtu të interesuara për lojtarin janë edhe Fiorentina e Torino, por oferta më joshëse për të vije nga Gjermania ku Borussia Moenchegladbach po e kërkon dhe në rast transferimi tek ky klub, Xhemaili do të luante në Ligën e Kampionëve.

 

Klopp, favorit për stolin e Realit

Trajneri i Borussia Dortmundit, Jurgen Klop, ka befasuar gazetarët në konferencën e tij të fundit për shtyp si trajner i klubit gjerman. Klopp ka kohë që po lidhet me një transferim te Real Madridi, dhe këto spekulime tash po i shton vet trajneri. Si do që të jetë, ai ka dashur të tregojë se e di mirë gjuhën spanjolle, kur u pyet nëse e di këtë gjuhë. “Ma sill një birrë të lutem”, – u përgjigj Klopp në spanjisht në pyetjen e reportierit gjerman nëse ai di vërtet spanjisht. Jurgen Klopp dhe Rafa Benitez janë favoritët për t’u emëruar trajnerë të Real Madridit

 

Dybala: Shpresoj të fitoj trofe me Juven

Sulmuesi i Palermos, Paulo Dybala, ka konfirmuar se ka arritur marrëveshje me Juventusin. Ai thotë se do të largohej nga Palermo vetëm për Juventusin. Sulmuesi u përshëndet me fansat në humbjen 3 me 2 nga Fiorentina dhe nesër do të ketë testet e para mjekësore në Torino. “Ata më donin më së shumti dhe shpresoj që Carlos Tevez të qëndrojë. Juventusi më kërkoi më së shumti. Ata bënë çmos që të siguronin nënshkrimin tim dhe kjo më bëri të vendos. Atje mund ta fitoj titullin, sepse janë skuadër e trofeve. Edhe unë luaj të fitoj dhe mund të gjej suksesin me ta”, – ka thënë Dybala për “Sky Sport Italia”

 

Silva: Ky sezon, i paharrueshëm

Kapiteni i Paris Saint-Germainit, Thiago Silva, ka premtuar se klubi do të vazhdojë të fitojë trofe edhe në të ardhmen. Kryeqytetasit festuan titullin e tretë radhazi në Ligue 1, ndërkohë që kanë fituar edhe Kupën e Ligës dhe Trofeun e Kampionëve në Francë, ndërsa janë në finale të Kupës së Francës. “Këtë sezon do ta mbaj mend gjatë gjithë karrierës”. “Kemi fituar tre trofe dhe kemi një javë para se ta fitojmë edhe një tjetër”. “Nëse vazhdojmë me këtë mentalitet, do të vazhdojmë të fitojmë”, – ka thënë brazilian

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here