Standard.al

Fushata për 21 qershorin/ Rama: PD edhe në 2017-ën do të puthet me Milon

0

 

Gëzim Saliu

rama inspektime ne divjakeNë Roskovec, Rama për kryebashkiakun aktual që rikandidon: Është batakçi, meriton të quhet kështu. Në Divjakë kreu i qeverisë premton 100 milionë dollarë në vit për fermerët

Kryeministri Rama deklaroi dje në Divjakë, ku prezantoi kandidatin e së majtës Fredi Kokoneshi, se krahas zgjedhjeve vendore, të majtët do të fitojnë edhe në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme parlamentare të 2017-ës. Në takimin me banorët, Rama kërkoi votën për kandidatët e majtë, duke theksuar se ky nuk përbën kërcënim për ata që votojnë djathtas. “SHQUP thotë po na kërcënon Edi Rama, po i kërcënon demokratët se u thotë po votuat për SHQUP nuk do keni ujë, drita, punë e bukë. Ça kërcënimi është ky? E para e punës unë nuk u them kështu. E dyta ku është kërcënimi këtu? Fushata e tyre nuk ka lidhje me problemet që duhet të trajtojë populli për të investuar votën dhe me problemet që do trajtojë bashkia. Kandidatët e tyre nuk kanë lidhje fare me këtë punë. Ata janë aty për të bërë atë që ju thashë dhe nëse njëri apo njëra do tentojë të bëjë të kundërtën nuk e lë SHQUP-i, sepse SHQUP-it i duhen këto zgjedhje për të trajtuar bashkitë si llogore kundër qeverisë me shpresën do nxisin pakënaqësi. Dhe shpresojnë që në 2017­ën do puthen me Milon, dhe jo më të puthen me vullnetin e popullit shqiptarë”, – deklaroi kreu i qeverisë.

 

Takimet

Në takimin me banorët e Divjakës, Kryeministri i vendit iu rikthye premtimit elektoral për mbështetjen e bujqësisë duke paralajmëruar fondin prej 100 milionë dollarësh për sipërmarrjet në këtë sektor. “Do të shpallim një program të ri në bashkëpunim me BERZH dhe një sërë bankash të nivelit të dytë, duke krijuar një mundësi prej rreth 100 mln dollarë në vit që do të jetë në dispozicion të gjithë atyre sipërmarrje fermerë që krijojnë zinxhir vlere dhe që krijojnë zinxhirë në rritjen e punësimit”, tha ai. Nga ana tjetër edhe pse pohoi se PS dhe LSI janë dy parti por një forcë, kreu i qeverisë nuk nguroi të bënte thirrje për votimin e socialistëve në këshillat bashkiakë. “Partia Socialiste ka bërë një hap kolosal duke përfshiri 50% të grave në këshillat bashkiakë. I dhamë fund historisë së diskriminimit të grave”, – deklaroi Rama. Po në Divjakë Kryeministri inspektoi edhe punimet për ndërtimin e pedonales, e cila do të jetë me gjatësi 2 kilometra. Projekti përfshin ndërtimin e një trotuari me gjerësi 3 metra dhe një brez i gjelbëruar dhe 6 sheshpushime të pajisur me stola përgjatë pedonales, si dhe ndriçimi. Gjatë vizitës në Divjakë, Rama inspektoi punimet për poliklinikën e re në këtë qytetet, investim i buxhetit të shtetit. Ndërkaq gjatë pasdites kryeministri Rama prezantoi në Roskovec Majlinda Bufin, ish-deputete e PS që kërkon votat për të fituar përballë kryebashkiakut demokrat aktual Gëzim Caushi. Në këtë takim, kreu i qeverisë nuk ngurroi të cilësonte kandidatin e PD-së si batakçi. “Atyre u duhet që pas 21 qershorit këtu të vazhdojë ky batakçiu që keni në mënyrë që gjërat të… Jo për këtë është hera e parë që e them diçka për kryetar bashkie të tyre, po ky e meriton vërtet atë fjalë, dhe jo vetëm e meriton vërtet, por unë jam i bindur se pas 21 qershorit ai meriton më shumë dhe më shumë do ketë”, – u shpreh ai.

 

Në Vorë/ Meta shpërndan 300 leje legalizimi: Bashkia e re do jetë shembull i shkëlqyer i urbanizimit

Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, shpërndau dje, për herë të parë, pasi pjesë deri më tani e këtij procesi ka qenë Kryeministri Rama, leje legalizime falas për banorët e Vorës. Në këtë takim ai prezantoi kandidatin e koalicionit të majtë për këtë Bashki, Luan Sallakun, të propozuar pikërisht nga LSI. Duke vënë theksin në bashkëpunimin e frytshëm mes institucioneve që në 10 ditë punë bëri të jenë gati 300 dokumente legalizimi, Meta apeloi që ky mobilizim të vijojë edhe më tej nga kandidati për kryebashkiak në garën elektorale të 21 qershorit. “Natyrisht që zgjidhja kërkon edhe respektimin e dokumentacionit dhe do të jetë një prioritet, jam i bindur edhe i bashkisë së re dhe i kryetarit të ri të kësaj bashkie që të ndjekë me urgjencë dhe të bashkëpunojë fuqishëm me ALUIZNI-n, me Drejtorinë e Përgjithshme të Hipotekave në mënyrë që ky proces të përfundojë në kohë rekord dhe Bashkia e re e Vorës të jetë një shembull i shkëlqyer i legalizimit dhe më pas i fazës së dytë që është po kaq e rëndësishme për zhvillimin gjithë këtij komunitete, që është urbanizimi i kësaj bashkie të re që të jetë një bashki model sa i përket zhvillimit dhe sa i përket shërbimeve që ofron ndaj të gjithë komunitetit”, – u shpreh Meta.

 

ALUIZNI: Si do zgjidhet problematika për ndërtimet pas 2009-ës

Në takimin e djeshëm në Vorë, Drejtori i ALUIZNI-t, Artan Lame, në fjalën e tij radhiti problematikat e zonës së Vorës në procesin e legalizimit, ku nuk munguan kritikat ndaj kryebashkiakut aktual, demokratit Fiqiri Ismaili. “Janë mbi 7 mijë objekte që përfshin Bashkia e re e Vorës që presin legalizimet. Në më tepër se 1/3 e tyre deri më tani është bërë puna nga ana jonë për rishikimin e dosjeve dhe vazhdon gjithë procedura tjetër më pas për dhënien e lejeve të legalizimit. Një problem tjetër i zonës së Vorës, por edhe i shumë zonave të tjerave, janë objektet e ndërtuara pas 2009-ës, të cilat për shkak të një ngecjeje ligjore nuk mund të përfshihen në legalizim. Ky është një nga problemet që do të marrë zgjidhje nga ana jonë. Kemi hapur një zyrë të veçantë në Vorë, e cila pas 2 javësh do të kthehet në drejtori që do të mbulojë Vorën dhe Kamzën. Do të kemi shumë më tepër njerëz për këtë zonë”, – tha Lame.

 

I pezullohet fabrika e miellit/ PD, Patozi: Qeveria sulmon kandidatin e PD-së në Vorë me urdhër të Metës

Partia Demokratike reagoi dje ndaj vendimit të AKU për pezullimin e fabrikës së miellit të kandidatit të djathtë në Bashkinë e Vorës, Fiqiri Ismaili. Deputeti demokrat i deleguar për zgjedhjet në Vorë, Astrit Patozi, e cilësoi këtë si një sulm të pastër politik të orkestruar, sipas demokratëve, nga ana e kreut të LSI-së Ilir Meta. “Strukturat mafioze të LSI-së në qeveri shënuan sot një sulm të ri ndaj zgjedhjeve të lira në Bashkinë e Vorës, duke vënë në shënjestër direkt kandidatin e opozitës, Fiqiri Ismaili. Ministria e Bujqësisë dhe Autoritet i Kontrollit të Ushqimit, që drejtohen me telefon nga kryetari i Kuvendit, Ilir Meta urdhëruan pezullimin e fabrikës së miellit të zotit Ismaili, pa asnjë arsye dhe në kundërshtim të plotë me rregullat dhe procedurat ligjore”, – tha ai. Duke bërë të ditur se një grup kontrolli nga AKU zbarkoi në fabrikë dy ditë më parë, Patozi tha se vendimi arbitrar i pezullimit u mor një ditë më pas, pa pritur edhe afatet më minimal që të verifikoheshin rezultatet e analizave. “Të gjithë ne e dimë se administrata shtetërore e ka pushim të shtunën dhe të dielën, por kjo me sa duket nuk vlen për horrat e LSI-së në qeveri, të cilët punojnë në mënyrën e tyre, me bllok në dorë. Goditja e biznesit të zotit Ismaili vjen pas një vale presioni mbi të gjitha sipërmarrjet private, që ushtrojnë aktivitetin e tyre në zonën e bashkisë së Vorës, dhe pas trysnisë që po ushtrojnë forcat e policisë dhe elemente kriminale mbi aktivistet e Partisë Demokratike. Një klimë e tillë represive në fushatë nuk mbahet mend asnjëherë në Vorë, madje as edhe në zgjedhjet e 2001-shit, të cilat kanë qenë më të këqijat në këtë aspekt”, – deklaroi deputeti i PD-së Astrit Patozi.

 

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.