Standard.al

Fushata pë 21 qershorin/ Basha: Nuk gënjehen më qytetarët me thes mielli, në 21 qershor ndëshkohet me votë keqqeverisja

0

Gëzim Saliu

basha peqinKreu i PD-së: Ku janë 100 milionë dollarë që i mungojnë buxhetit të shtetit për periudhën janar-prill?

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, vijoi dje turin e bashkëbisedimit me qytetarët në kuadër të zgjedhjeve vendore të 21 qershorit, ku u ndal në Berat, Fushë-Mbret të Elbasanit dhe në Peqin. Në këto takime, kryedemokrati u njoh me shqetësimet e banorëve për papunësinë, rritjen e taksave, çmimeve dhe gjobave si edhe vështirësitë e bizneseve që po shkojnë drejt falimentimit. Nisur nga këto problematika, Basha kërkoi që qytetarët të ndëshkonin me votë qeverinë në 21 qershor, pasi, sipas tij, ajo është përgjegjësja kryesore për gjendjen e papunësisë dhe varfërisë në vend.

 

Takimet

Në Berat, një banor shprehu shqetësim për heqjen në mënyrë të padrejtë nga përfitimi i ndihmës ekonomike. “Gruan e kam 80 për qind qorre, më kanë hequr edhe përkrahjen. Çunin e kam sëmurë, vet jam papunë, jam 60 vjeç, ku do ushqehem? Jam pa bukë, më beso, mos më beso. Hajde shiko shtëpinë, po pata për të ngrënë, më dënoftë Zoti lart!”, – tha ai. Më përgjigje të tij, kreu demokrat theksoi: “Në qoftë se shumica prej jush këtu në Berat, të djathtë e të majtë, mendoni se kjo nuk është aspak rruga e duhur, e punësimit, e pakësimit të varfërisë, e së ardhmes dhe perspektivës për të rinjtë, t’i japim një mesazh të fortë me votën tonë, me një votë kundër papunësisë, kundër varfërisë, kundër mos mbajtjes së premtimeve dhe kundër mos bërjes asgjë për të mbajtur premtimet”. Ndërkaq, në takimin me banorët në Fushë-Mbret të Elbasanit problem kryesor u shfaq rritja e çmimit të energjisë e papunësia. “Kemi shku në fund për copën e bukës, po vuajmë, energjia elektrike është ngritur shumë, nuk jemi në gjendje ta paguajmë, mor bir!” Nga ana e tij Basha tha se taksat dhe çmimet janë rritur, ndërsa buxhetit të shtetit i mungojnë 100 milionë dollarë vetëm në katër muaj. “Taksat i rrit, çmimin e energjisë e rriti, akcizën e naftës e rriti. Të paktën të lante borxhin. Jo e rriti edhe borxhin. Ku janë paratë? Të paktën të mbaronte rrugën, as rruga nuk mbaron. Ku janë paratë? Ku janë 100 milionë dollarë që i mungojnë buxhetit të shtetit për periudhën janar-prill. Përgjigja vjen me votë me 21 qershor. Do pranoni me votë me 21 qershor këtë regjim gënjeshtar, mashtrues që nuk hap vende pune, që vjedh nga lekët e taksave apo do ta refuzoni?”, – deklaroi ai. Ndërkohë, në Peqin shqetësimet kryesore të banorëve ishin të përqendruara tek situata e rëndë ekonomike, e cila ka detyruar sipas tyre emigrimin masiv të qytetarëve. Pronari i një bari i tha kryedemokratit se dhe kafen që kushton 40 lekë e pinë me emrin në listë e ndërsa Basha pohoi se 21 qershori është momenti për të ndëshkuar me votë keqqeverisjen. “Nuk gënjehet më njeri me thesin e miellit. Në këtë kohë krize njeriu ka nevojë për zgjidhje të vërteta, zgjidhje të mëdha. Ne kemi një platformë të ulim me 25% çmimin e energjisë dhe të falim të gjitha kamatë-vonesat, të ulim taksat në nivelin më të ulët në Ballkan. Të imponojmë taksën e sheshtë dhe të punojmë së bashku për rritjen e rrogave dhe pensioneve. Ndihmë ekonomike dhe financiare për ata që prodhojnë dhe punojnë për t’i qëndruar në krah njerëzve të punës dhe punës së ndershme. Cila është oferta nga krahu tjetër? Sharje, fyerje!”, – u shpreh kreu i PD-së.

 

Fushata në Fier/ PD akuza PS-së: Po shfrytëzohet administrata dhe ambientet publike në këmbim të votës

Partia Demokratike në Fier ka akuzuar Partinë Socialiste dhe kandidatin e saj Armando Subashi se po shfrytëzojnë administratën dhe ambientet publike në këmbim të votës. Zëdhënësja e PD-së, Hereqi, deklaroi se punonjësve të ndërmarrjeve publike po u bëhet presion për të votuar kandidatin e koalicionit të majtë Armando Subashi. “Ndërsa kërkojnë kartat e identitetit si garanci, japin premtime për likuidim të faturave të energjisë elektrike dhe ujit, e gjithashtu premtojnë vende të reja pune në burgun e Fierit”, – tha ajo. PD Fier i kërkoi PS-së dhe kandidatit të saj Subashi të respektojnë rregullat e lojës për një garë të ndershme elektorale kundrejt kodit zgjedhor. “PD do të denoncojë në vazhdimësi çdo shkelje që bashkia Fier do të kryejë në fushatë zgjedhore”.

 

Përfshihet në fushatë/ Tom Doshi mbështet kandidatin e PS-së në Vaun e Dejës: Mos u shisni te LSI-ja

Deputeti i përjashtuar nga grupi parlamentar socialist, Tom Doshi, u përfshi dje në fushatën për zgjedhjet vendore ku mbështeti kandidaturën e Aleancës për Shqipërinë Evropiane në Bashkinë e Vaut të Dejës, Gjok Lleshin. Doshi ishte i pranishëm në një takim elektoral të Lleshit në Bushat, ku ka shtuar se ai është kandidatura fituese në këtë zonë. “Jam këtu me ftesë të Gjok Lleshit dhe rinisë së Bushatit. Jam i përjashtuar nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, por jo nga kjo parti, pasi mua nga kjo parti dhe politika më përjashton vetëm populli i cili më ka zgjedhur”, – tha ai. Nga ana tjetër, Doshi nuk kurseu akuzat në drejtim të Lëvizjes socialiste për Integrim. “Unë mbështes Gjokë Lleshin për Bashkinë e Vaut të Dejës por dua t’u bëj apel shkodranëve të mos shiten tek Lëvizja Socialistë për Integrim, por të votojnë sipas bindjeve të tyre”, – tha ndër të tjera Doshi. Në këto zgjedhje kandidati i Aleancës për Shqipërinë Evropiane, Gjok Lleshi përballet me kandidatin e djathtë Zef Hila.

 

OMONIA: Zgjedhja e Idrizit nënkryetar Parlamenti njollos Shqipërinë

Organizata OMONIA u bë pjesë dje në debatin mes PBDNJ-së e PDIU-së për emërimin e Shpëtim Idrizit në postin e nënkryetarit të Kuvendit. OMONIA tha se zgjedhja e Idrizit në këtë post është një njollë për Shqipërinë. “Përfshirja e partisë PDIU në koalicionin qeverisës si dhe zgjedhja e Idrizit në pozicionin e N/Kryetarit të Parlamentit Shqiptar njollos imazhin e shtetit të rilindur që mundohet të promovojë Kryeministri i Shqipërisë”, thuhej në deklaratën e saj. OMONIA e lidhi reagimin e saj për emërimin e Idrizit me shqetësimin për rritjen e valës së nacionalizmit në Evropë. “Në një kohë që e gjithë Evropa ndjek me shqetësim rritjen e valës së nacionalizmit ekstrem dhe forcat e shëndosha demokratike pozicionohen kundër tij duke izoluar këto fenomene, z. Rama me veprimet e tij dhe deklaratat publike vepron në drejtimin e kundërt. Kulmin e kësaj politike të rrezikshme e përbën edh përfshirja në koalicionin qeverisës të një partie që të vetmen arsye ekzistence ka kultivimin e urrejtjes ndaj Greqisë dhe helenizmit për përgjithësi”, – theksohet në reagim.

 

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.