“Tritolet” / SMS kërcënuese ndaj ministrit Saimir Tahiri, dyshime për Vladimir Gjutën

0
151

 

Artan Cena

Saimir TahiriMesazhi në numrin persona të ministrit të Brendshëm: “Nëse merresh me familjen Gjuta, do ta pësosh”. Shtohen rojet, Tahiri lëviz prej ditësh me makinë të blinduar

Një mesazh kërcënues në telefonin e ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, ka detyruar agjentët e Policisë së Tiranës të kryejnë disa kontrolle të befasishme në bizneset dhe vilat e familjes Gjuta, ditën e enjte në Tiranë. Lajmi bëhet i ditur nga burime të Ministrisë së Brendshme. Përmbajtja e mesazhit ka qenë tekstualisht: “Nëse merresh me familjen Gjuta, do ta pësosh”. Pikërisht pas këtij mesazhi ka pasur kontrolle policore në pronat e kësaj familjeje. Policia ka nisur hetimet për rastin, ndërsa ngjarja është referuar edhe në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Si uniformat blu, ashtu edhe organi i akuzës, shprehen tepër të rezervuara mbi rastin në fjalë për shkak edhe të sekretit hetimor. Burime nga Policia e Shtetit bëjnë me dije se pas mesazhit kërcënues, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka rritur masat e sigurisë gjatë lëvizjeve të tij, duke shtuar numrin e automjeteve si dhe të truprojave.

 

Kërcënimi i ministrit

Pak ditë më parë në numrin personal të ministri Tahiri është dërguar një mesazh kërcënues. Nuk jepen detaje të përmbajtjes së mesazhit, që tashmë është dorëzuar pranë prokurorisë për krime të rënda, të cilët po hetojnë numrin e personit dërgues. Burimet thonë se referuar tekstit të shkruar, prokuroria dyshon se është nisur nga ndonjë pjesëtar i familjes Gjuta. Kjo pasi në tekstin kërcënues ndër të tjera i kërkohet ministrit të ketë kujdes me familjen Gjuta dhe ta lërë rehat, në të kundërtën do të ketë pasoja. Pas këtij mesazhi, tashmë të dorëzuar në prokurori, mësohet se policia ka ushtruar disa kontrolle të befasishme në lokalin e familjes Gjuta që ndodhet në rrugën e Elbasanit. Përveç sendeve të ndaluar, aty është kërkuar edhe verifikimi i aparateve celular dhe numrat të cilat punonjësit e lokalit dhe pjesëtarët e kësaj familje kanë në përdorim. Nga ana tjetër, çdo mëngjes Policia e Shtetit kontrollon me imtësi makinat pranë banesës së ministrit Tahiri dhe pjesëtarëve të familjes së tij.

 

Kërkimet për Gjutën

Pavarësisht hetimeve nga ana e prokurorisë dhe policisë, burimet thonë se ende nuk dihet vendndodhja e Vladimir Gjutës, personit që dyshohet se ka organizuar vendosjen e sasisë së tritolit në farmacinë e babit të ministrit Tahiri. Bashkë me Vladimir Gjutën është shpall në kërkim edhe nipi I tij, Baftjar Bruka, që mendohet se është në Itali. Gjykata e Krimeve të Rënda, gati tre muaj pas arrestimit ka urdhëruar lirimin nga qelia të Ernest Gjutës, i afërmi i të dyshuarit si organizator i tritol vënies në farmacinë e babait të ministrit Tahiri. Burimet thonë, se lirimi i Ernest Gjutës ka ardhur me kërkesë të prokurorisë, pasi nuk është arritur të gjenden prova të mjaftueshme që implikon atë në organizimin dhe vendosjen e tritolit në rrugën “kongresi i manastirit” dhe “Muhamet Gjollesha” mëngjesin e hershëm të datës 10 shkurt të këtij viti. Për këtë ngjarje vazhdojnë të qëndrojnë në qeli me masën e sigurisë “arrest me burg” shtetasit Lumjan Matmuja, Kamber Bruka, Erjon Dule dhe Emirjon Gjuta.

 

Llalla: Prokurorët i mbyllin çështjet sipas pagesave që u ofrohen

 Në shumë raste janë prokurorët ata që vendosin të mbyllin çështje në bazë të vlerave financiare që ofrohen nga palët në konflikt. Deklarata bombë u bë nga Kreu i hetimit, ndërsa Prokurorë nga e gjithë Shqipëria, ishin mbledhur për të votuar vendet vakante në Këshillin e Prokurorëve. Korrupsioni dhe marrja e ryshfetit për zgjidhjen e çështjeve sipas tij ekziston pasi perceptimi i publikut nuk vjen nga asgjëja. Pa doreza dhe i drejtpërdrejtë, kryeprokurori Adriatik Llalla i është drejtuar vartësve që luftën ndaj korrupsionit ta nisin nga vetja. Llalla tha se, “qytetarët kanë shqetësim se në shumë raste nuk gjejnë zgjidhjen e duhur në dyert e prokurorisë. Madje, ka raste ku pretendojnë se përfundimi i hetimeve nga prokurorë të ndryshëm bazohet në vlera financiare të dhëna në formë ryshfeti. E ritheksoj, personalisht jam i prirur të flasë vetëm në bazë të fakteve. Qytetarët flasin dhe ata duhet të dëgjohen me forcë. Për publikun, në Prokurorinë Shqiptare ka shumë të tjerë që janë përfshirë në veprime korruptive. Ne duhet të dëshmojmë se jemi në krahun e publikut, në çdo rast”. Sipas tij është e pa pranueshme që prej më shumë se 2 vitesh vetëm dy Prokurorë janë në hetim për korrupsion. Pas një gare të fortë kandidatësh, trupa e prokurorëve votoi 5 anëtarët e rinj të Këshillit të prokurorëve , Arben Dollapaj, Dritan Peka, Irma Balli, Gentian Osmani dhe Ramadan Troci. Votimi i tyre ishte i fshehtë, për zgjedhjen e pesë nga shtatë anëtarët e Këshillit të Prokurorisë, të cilët mbetën vakantë në përfundim të mandatit 3-vjeçar të anëtarëve të mëparshëm. Këshilli i Prokurorisë organizon konkursin për kandidatët për prokurorë dhe të atyre që do të ngrihen në detyrë, shqyrton vlerësimin e punës, si dhe jep mendim për shkelje disiplinore të kryera nga prokurorët, për të cilat Prokurori i Përgjithshëm i propozon Presidentit të Republikës shkarkimin nga detyra.

 

Çako me homologun gjerman: Të angazhuar për të ndalur azilkërkuesit

 Policia shqiptare është e angazhuar maksimalisht për të frenuar fenomenin e azilkërkuesve në vendet e Bashkimit Evropian. Megjithatë, sërish numri i të larguarve, është i madh dhe një pjesë e mirë e tyre kanë zgjedhur Gjermaninë. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako, priti në një takim Presidentin e Policisë Federale gjermane, Dieter Romann. “Falë angazhimit të strukturave të luftës kundër trafiqeve të paligjshme kemi arritur të vëmë nën kontroll disa agjenci turistike udhëtimi të cilat organizonin me anë të mashtrimit udhëtime drejt Gjermanisë. Fluksi është frenuar duke shkuar drejt normalitetit”- ka nënvizuar në takim, Çako. Dieter Romann ka theksuar se në drejtim të frenimit të fenomenit azilkërkues, autoritetet shqiptare prej shumë kohësh kanë marrë nismat e duhura dhe Policia Kufitare po bën punën e duhur. Ai shtoi se policia gjermane vlerëson punën e palës shqiptare në drejtim të parandalimit dhe frenimit të fenomenit të azilkërkuesit dhe njoftoi tri masa të marra nga qeveria gjermane për të frenuar fenomenin e azilkërkuesve. E para është shkurtimi i procedurave dhe afateve të azilit, rikthim nga Gjermani në vendet e tyre dhe bashkëpunim me shërbimet të përbashkëta me vendet e origjinës. Nga ana e tij Drejtori i Policisë së Shtetit e ka siguruar për gatishmërinë e policisë shqiptare për të bashkëpunuar në këtë drejtim me Policinë gjermane dhe me FRONTEX.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here