Me të rinjtë në Lushnjë/ Basha: Në 21 qershor kartonët në dorë i kanë qytetarët, Rama-Meta morën 700 mln USD borxh

0
105

Gëzim Saliu

basha lushnje“Thonë Basha flet për taksën e sheshtë e për rritje të rrogave, por s’është momenti i duhur. Si nuk është momenti, kur papunësia rinore ka arritur 40%, kur mjerimi është pesëfishuar, kur çmimet janë rritur”

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, denoncoi dje rritjen e borxhit publik nga qeveria e cila, sipas tij, sot ka hapur një gropë të madhe prej 700 milionë dollarësh. Në një takim me të rinjtë në qytetin e Lushnjës, Basha theksoi se halleve dhe problemeve të qytetarëve, të cilët nuk kanë punë dhe duhet të paguajnë fatura më të larta të energjisë, u shtohen dhe 240 mije lekë që duhet të paguajnë nga borxhi që ka marrë qeveria. “I rritën taksat që të vjelin e të mjelin popullin por jo t’ua kthejnë ju, as me shërbime as me punësime, as me investime, as me larje borxhi. E pyesim ku janë vendet e punës që premtove, ai thotë po mbyll një gropë të madhe; e pyesim pse janë rritur çmimet, po mbyll një gropë të madhe, përgjigjet; pse e ke rritur çmimin e energjisë, pse i ke rritur faturat abuzive, po mbyll një gropë të madhe. Cila është kjo gropë? Është gropa e borxhit sipas tij por Edi Rama ka marrë 700 milionë dollarë më shumë borxh se qeveria paraardhëse dhe s’ka larë asnjë lek borxh që i bie 240 mijë lekë të vjetra për frymë shqiptari nga foshnja tek më plaku”, – deklaroi Basha.

 

Bashkëbisedimi

Në takimin me të rinjtë, kryedemokrati iu përgjigj edhe akuzave të të majtëve, sipas së cilave, fushata e PD-së po mbështet mbi qëndrime politike që nuk kanë lidhje me zgjedhjet vendore. “Sulmet ndaj opozitës, sulmet ndaj meje çfarë tregojnë? Se nuk kanë ofertë, nuk kanë zgjidhje për ju. Thonë Basha flet për taksën e sheshtë e për rritje të rrogave e të pensioneve e për ulje e çmimit të energjisë por ky nuk është momenti i duhur. Po kur është momenti i duhur, në qoftë se nuk është sot, kur papunësia rinore ka arritur 40%, kur papunësia kombëtare është 20%, kur mjerimi është pesëfishuar, kur çmimet janë rritur, kur nafta është më e shtrenjta në Evropë, kur energjia elektrike është kthyer në një makth për çdo familje?! Cilat janë prioritete, nëse jo këto çështje?! E pra, sot ju them se për ne, prioriteti numër 1 është punësimi, lufta kundër varfërisë, lufta për paga të larta, pensione të lart, për punë dhe dinjitet, asnjë prioritet tjetër nuk kemi mbi këto”, – u shpreh Basha. Më tej, lideri i opozitës tha se propozimet e PD-së për uljen e çmimeve të energjisë dhe naftës, për uljen e taksave dhe krijimin e hapësirave për biznesin, për të hapur vende pune u rrëzua nga mazhoranca përmes arrogancës e kartonëve në Parlament. Por, sipas tij, më 21 qershor kartonët janë në dorë të qytetarëve të cilët do të zgjedhin mes ofertës për punë dhe dinjitet dhe arrogancës së qeverisë që solli varfëri dhe mjerim. “Në 21 qershor, këta nuk i kanë kartonët, kartonët i ka populli dhe me kartonët e popullit ne do ta ulim 25% çmimin e energjisë dhe do falim kamatëvonesat për të gjithë shqiptarët. Ne do ta bëjmë Shqipërinë vendin me taksën më të ulët në Ballkan. Uljen e tarifave për të gjitha universitetet dhe për të rihapur filialet e universiteteve publike kudo ku ato janë mbyllur. Oligarkia nuk do të na ndalë dot për rritjen e rrogave, për rritjen e pensioneve, për rikthimin në listën e ndihmës ekonomike të të gjithë personave të larguar me të padrejtë, për kompensimin me vlerë tregu të gjithë objekteve të prishura në mënyrë të paligjshme”, – pohoi kreu i PD-së. Ndërkaq kandidati i PD-së për bashkinë e Lushnjës Darien Xhindoli ka theksuar se programi i tij mbështetet në punësimin, uljen e taksave për biznesin dhe mbështetjen e të rinjve për të hapur biznese.

 

Selia ndryshon pamje/ Nesër PS hap fushatën, Veliaj prezanton programin për Bashkinë

Selia e Partisë Socialiste ka marrë tjetër pamje në kuadër të zgjedhjeve vendore të 21 qershorit. Kështu, në krah të pankartës së vjetër, “Shqipëria e Gjeneratës Tjetër”, e cila ndodhet e vendosur në katin e dytë ku zhvillohen edhe mbledhjet e grupit parlamentar, në oborrin e selisë ka zënë vend edhe motoja e kësaj fushate, “Në drejtimin e duhur”. Bashkia e kryeqytetit duket se zë rolin kryesor në PS, pasi që në hyrje kjo tendë fton për një votë për kandidatin Erion Veliaj. Ndërkaq, në mbledhjen e djeshme të grupit kuvendor, numri i deputetëve pjesëmarrës ishte i paktë kjo edhe për shkak të angazhimit të tyre në fushatën elektorale. Mbledhja e grupit u drejtua nga kreu i grupit parlamentar Gramoz Ruçi, ndërsa Kryeministri Rama vazhdon turin në rrethe ku krahas prezantimit të kandidatëve bën publike edhe domosdoshmërinë e votës për këshilltarët bashkiakë.

 

Merkel në korrik në Tiranë, Gjermania: Maqedonia të ecë në rrugën drejt BE-së

Gjermania shpreh shqetësime lidhur me zhvillimet e fundit në Maqedoni dhe bën thirrje që Shkupi të shprehë vullnetin për të vazhduar rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Ministri i Jashtëm gjerman, Frank Walter Steinmeier, në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun shqiptar Ditmir Bushati theksoi: “Shprehëm shpresën që nuk do të ketë incidente të tilla të mëtejshme dhe që gjendja jo vetëm të qetësohet, por që në Maqedoni të konsolidohet vullneti për të vazhduar rrugën drejt BE dhe jo të krijohen dyshime për këtë. BE është treguar e gatshme për të ndërmarrë përpjekje ndërmjetësuese”. Zhvillimet në Maqedoni me një popullsi mbi 30 për qind shqiptare, ishte një nga çështjet për të cilat kryediplomati shqiptar udhëtoi drejt Berlinit, me ftesë të homologut gjerman. Berlini e Tirana gjithashtu ndanë të njëjtin qëndrim kur i përsëritën Shkupit kërkesën për të shmangur shndërrimin e krizës politike në një krizë ndëretnike, që për Bushatin e Steinmeier do të kishte pasoja edhe për rajonin. “Kriza aktuale të ndalet e të mos përshkallëzohet dhe rruga, ose busulla orientuese e Maqedonisë, sikurse e gjithë vendeve të rajonit, të vijojë të mbetet integrimi euroatlantik, që bazohet në sundimin e së drejtës dhe në marrëdhënie të mira ndëretnike, siç parashihet në Marrëveshjen e Ohrit”, – tha Bushati. Çështja e azilkërkuesve nga Shqipëria drejt Gjermanisë ishte gjithashtu një nga temat e diskutuara mes Bushatit e Steinmeier, për të cilën ky i fundit vlerësoi fushatën sqaruese të autoriteteve të Tiranës në bashkëpunim me ambasadën gjermane. Përfshirë diskutimin për konferencën e ardhshme të vendeve të Ballkanit në Vjenë, Bushati e Steinmeier u takuan në Berlin në paraprirje të vizitës së Kancelares gjermane Angela Merkel në Tiranë, pas zgjedhjeve lokale të 21 qershorit.

 

Kosova: Kërkoj të shërbej me integritet dhe përkushtim për Tiranën

Kandidati për kryetar Bashkie në Tiranë, Halim Kosova, u takua dje me banorë të njësisë 1 në Tiranë, ku ndau me ta idetë e tij për menaxhimin e qytetit. Në këtë takim ai tha se është angazhuar në këtë garë, sepse kërkon të shërbejë me integritet e përkushtim.“Kjo pastërti e punës time më bën që të dal serbes në çdo rrugë, në çdo cep, karshi çdo lloj tubimi dhe grumbullimi njerëzish dhe unë kam lënë çdo gjë personale, çdo gjë personale që ti përkushtohem asaj që ta marrin vesh në këtë vend se çdo të thotë që mos vesh dorën tek lekët e qytetarit ashtu sikurse dje tek lekët e pacientit, për të bërë më të mirën e duhur për qytetin e Tiranës. Por nuk është puna ndershmëria e një personi, puna është mënyra se si ti do të kontrollosh gjithë sistemin derisa taksat, fondet të shkojnë në vendin e duhur”, – pohoi Kosova. I pyetur për planet për të rinjtë, Kosova tha: “Të gjithë të rinjtë që kanë një ide, që kanë një ëndërr, që duan të përfshihen në punë, ne do t’i japim zyra, ambiente me qera zero. Ka një ide në Londër që ne duam ta përqafojmë, ku të rinjtë ftohen të gjykojnë se si e mendojnë ato, po themi në rastin konkret Tiranën, mbas 10 apo 20 vitesh. Dhe çdo projekt do të ketë një çmim të caktuar, në mënyrë që të gjithë ta vrasim mendjen, jo çfarë do bëjmë nesër në mëngjes, por pak më larg”. Duke u ndalur tek infrastruktura, kandidati ëpr kryebashkiak pohoi se do të ketë angazhim serioz për projekte të plota dhe të qëndrueshme. “Kur të bëj një rrugë mos thuaj faleminderit shumë, mirupafshim, u lamë bashkë. Jo. Rruga do drita, rruga do kanalizime, pastaj përveç këtyre duhet menduar shtëpi më shtëpi si do rregullohet puna. Ndryshimi ka ardhur duke mos u kënaqur kurrë me atë që ke. Turbulloje të tashmen që të kesh sukses për të ardhmen”, – u shpreh Kosova.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here