Në Mirditë e Lezhë/ Rama: Projekti ynë për qytetarët, jo politik. Vota e 21 qershorit vazhdon Rilindjen në çdo bashki

0
143

Gëzim Saliu

ne mirdite“Opozita kërkon me kandidatët e saj votë për sherr, ç’lidhje ka çmimi i dritave me kryetarin e bashkisë”

Kryeministri Rama prezantoi dje kandidatët e koalicionit të majtë në bashkitë e Mirditës dhe Lezhës, ku kandidojnë përkatësisht Ndrec Deda dhe Viktor Tushe. Në takimin me qytetarët në Mirditë, kreu i qeverisë tha se vota e 21 qershorit është votë për të vazhduar projektin e Rilindjes në çdo bashki të vendit. “Gratë nuk duhet t’i lënë burrat në drejtimin e gabuar. Në qoftë se burri është demokrat, në rregull, ta tundë shkopin e flamurit të PD-së sa të dojë, por vota në 21 qershor është për fëmijët, gjyshin, gjyshen, nënën, babën, vjehrrën, vjehrrin, nuk është votë për SHQUP-in, nuk është votë për të mbajtur me gajret SHQUP-in. Kjo është votë për të vazhduar projektin e Rilindjes në çdo bashki”, – tha Rama. Më tej ai akuzoi opozitën për mungesën e një projekti lidhur me bashkitë e vendit duke theksuar se në qendër të ideve të tyre qëndron lufta ndaj qeverisë. “Për të gjitha këto, ata çfarë propozojnë? Propozojnë vetëm sherr, kandidatë për sherr. Shikojeni fushatën e tyre, merren me politikën e madhe, merren me qeverinë, merren me probleme që nuk kanë lidhje fare me bashkinë dhe me kryetarët e bashkive. Thonë do ulim çmimin e dritave, po ç’lidhje ka çmimi i dritave me kryetarin e bashkisë dhe me zgjedhjet e 21 qershorit? Ata duan të kenë në çdo bashki dikë që të mos bëjë asnjë punë dhe që të dalë tek dera e bashkisë dhe të thotë “s’kam çfarë bëj, qeveri e poshtër, s’na ndihmon, s’na mbështet, poshtë qeveria, hajde ta rrëzojmë qeverinë”. Muhabete kot”, – tha ai duke kërkuar votën për kandidatin Deda, të cilin tha se e njihte për njeri të ndershëm. “Shumë gjëra mund të thuhen për Ndrecën, por një gjë nuk kam dëgjuar që ta thotë as kundërshtari më i keq, që nuk është burrë i ndershëm”.

 

Lezhë

Më pas Kryeministri Edi Rama vijoi turin e prezantimit të kandidatëve të koalicionit të majtë për bashkitë dhe komunat ku u ndal në qytetin e Lezhës. Gjatë prezantimit të kandidatit Viktor Tushe, Rama ftoi lezhjanët që të japin votën për koalicionin Aleanca për Shqipërinë Evropiane, pasi qeverisja e majtë ofron “një projekt për qytetarët”. “Kemi një vizion dhe vullnet krejt tjetër në marrëdhënien me komunitetin dhe qytetarët. Për këtë arsye, në këtë fazë të fushatës kemi vendosur të flasim për këtë qasje dhe nevojë të madhe që ka projekti ynë për investimin më 21 qershor. Projekti ynë është jopolitik dhe një projekt për qytetarët. Jam i bindur që Lezha dhe lezhjanët do të bëjnë zgjedhjen e duhur. Ne na duhet një zgjedhje e qartë, e fortë dhe pa ekuivoke. Po ashtu, na duhet një shumicë e fortë në këshillin bashkiak, që t’i japë mundësi kryetarit të bashkisë të ecë shumë shpejt”, – deklaroi Rama.

 

Edukimi në Tiranë/ Veliaj “ngel” Bashën në klasë: Asnjë investim. 10 shkolla e 5 çerdhe të reja brenda 4 viteve

Kandidati i mazhorancës për kryetar Bashkie, Erion Veliaj, duke analizuar disa të dhëna për gjendjen e çerdheve, kopshteve dhe shkollave, theksoi dje se në 92% të kopshteve të Tiranës mund të shkojnë vetëm 50% e fëmijëve në moshë parashkollore. “Në kopshtet dhe shkollat e Tiranës kemi 4-fish më shumë fëmijë dhe nxënës. Do të thotë që jemi 4 herë më ngushtë në hapësirat që ne kemi në një shkollë apo kopsht. Një fëmijë që shkon në një kopsht apo shkollë me infrastrukturë të mirë, me hapësirë, ngrohje dhe ndriçim, performon 20% më shumë sesa një fëmijë që thahet së ftohti apo që rri ngushtë”, – tha ai. Në këtë kontekst, Veliaj bëri një bilanc të punës së Bashkisë në këto vite, ku gjatë 2013-ës, sipas tij, ajo nuk ka arritur të kryejë investimet, çka ka bërë që në një vlerësim publik të marrë notën 4. “Planifikoi 89.5 milionë lekë për rikonstruksione shkollash dhe shpenzoi vetëm 31.9% të fondit. Pra, merr notë ngelëse. Planifikoi 58 milionë lekë investime për rikonstruksione dhe ndërtime kopshtesh, realizoi 37%. Sërish notë ngelëse. Planifikoi 17.2 milionë lekë investime për ndërtim kopshtesh të integruara me çerdhe dhe realizoi 0%”, – deklaroi kandidati i mazhorancës. Ndërkaq, Veliaj u premtoi prindërve dhe mësuesve një kontratë me 10 pika, ku rol të rëndësishëm do të ketë jo vetëm ndërtimi i objekteve të reja, por edhe rehabilitimi i plotë i ndërtesave aktuale. “Do të sigurojmë ngrohje në të gjitha çerdhet, kopshtet dhe shkollat brenda vitit tonë të parë; do të ndërtojmë 5 çerdhe të reja brenda mandatit të parë; 8 kopshte të integruara me çerdhe brenda mandatit të parë dhe 10 shkolla të reja brenda mandatit tonë të parë”, – premtoi ai.

 

Hidhet shorti/ Kosova i treti në fletën e votimit, Veliaj i gjashti. Numrat për kandidatët në 9 bashki

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve hodhi dje shortin e renditjes së kandidatëve për Bashkinë e Tiranës në fletën e votimit. Kështu, të parët në listë janë kandidatët e pavarur Gjergj Bojaxhi dhe Sazan Guri, përkatësisht i pari dhe i dyti. Renditja vijon me kandidatin e Partisë Demokratike, Halim Kosova, Dhimitër Muslia, i mbështetur nga Partia Kristian-Demokrate; Arben Tafaj dhe i gjashti kandidati i Aleancës për Shqipërinë Evropiane, Erion Veliaj. Po ashtu sipas shortit renditja e kandidatëve në fletët e votimit do të jetë e tillë:

 

Për Kamzën

Safet Gjici i pari

Xhelal Mziu i dyti

Për Durrësin

Vangjush Dako i pari

Grida Duma e dyta

Për Elbasanin

Qazim Sejdini i pari

Ardian Turku i dyti

Për Fierin

Enkelejd Alibeaj i pari

Armando Subashi i dyti

Albert Çaçi i treti

Për Lushnjen

Darien Xhindoli i pari

Fatos Tushe  i dyti

Për Korçën

Gjergji Mero i pari

Sotiraq Filo i dyti

Për Lezhën

Viktor Tushe i pari

Fran Frrokaj i dyti

Për Shkodrën

Vullnet Elbasani, i pavarur i pari

Keti Bazhdari e dyta

Voltana Ademi e treta

 

Gazeta greke/ “Kathimerini’’: Shqipëria, pretendime territoriale ndaj Greqisë

Gazeta greke “Kathimerini’’ në një artikull kushtuar Shqipërisë, shkruante dje se vendi ynë ka pretendime territoriale ndaj Greqisë. Në shkrimin e saj, të cilin e cilësonte të mbështetur në burime diplomatike, gazeta greke rendit disa detaje, që nga nota e protestës dorëzuar nga Tirana zyrtare te autoritetet greke për eksplorimin e sasisë së hidrokarbureve në detin Jon, deri te vizita e Erdoganit në Tiranë, që sipas tyre po ndihmon në ringjalljen e çështjes çame gjatë takimit që realizoi me PDIU-në. “Nota e protestës së javës së kaluar, e cila i bëri thirrje Athinës që të rishikojë planet e saj për eksplorimin e hidrokarbureve në detin Jon, me arsyetimin se po shkel mbi ujërat territoriale shqiptare, u kërkoi gjithashtu zyrtarëve grekë për të bërë studimet e tokës në dispozicion të Epirit në Greqinë veriperëndimore. Duke folur për “Kathimerini”-n, burimet diplomatike e interpretuan këtë lëvizje si një përpjekje të qartë për të vënë në pikëpyetje kufijtë ekzistues mes të dy vendeve. Të njëjtat burime thonë se këto lëvizje janë të frymëzuar nga ideali nacionalist i të ashtuquajturës ”Shqipëri e Madhe” – për të gjitha pjesët e Ballkanit ku jetojnë shqiptarët – që është e popullarizuar në mesin e politikanëve të vendit. Analistët dyshojnë se protestat shqiptare janë duke u ushqyer nga Turqia. Shqetësimet se Ankaraja është duke punuar kundër interesave greke në zonë u forcuan javën e kaluar, kur presidenti turk Rexhep Taip Erdogan u takua në Tiranë me zyrtarë të partisë nacionaliste Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU)”, – shkruante “Katherimini”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here