Standard.al

Me të rinjtë e Kukësit/ Basha: Rama nuk ka as ofertë, as zgjidhje, për PD-në punësimi është prioriteti numër një

0

Gëzim Saliu

basha kukesKreu i PD-së: Me votën për opozitën, ju votoni alternativën për uljen 25% të çmimit të energjisë dhe faljen e të gjitha kamatëvonesave si edhe uljen e tarifave studentore në nivelin e mëparshëm

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, bashkëbisedoi dje me të rinjtë e qytetit të Kukësit, ku u njoh me shqetësimet e tyre që nga punësimi deri tek taksat e larta që po falimentojnë bizneset. Në këtë takim, kryedemokrati theksoi se situata aktuale nuk ka asnjë zgjidhje, pasi, sipas tij, dyshja Rama-Meta nuk e ka prioritet punësimin e qytetarëve shqiptarë. “Ata merren ditë për ditë me opozitën, sepse nuk kanë çfarë të thonë; sepse premtuan 300 mijë vende pune dhe nuk hapën asnjë vend pune, sepse premtuan shëndetësi falas dhe e kanë katandisur ne ditën e saj më të zezë. Ne u ofruam mundësinë në Parlament, duke ofruar amendamentet tona për heqjen e taksave, për uljen e taksave për bizneset që të krijonin më shumë vende pune, nuk i pranuan, i shkelën, i hodhën poshtë. Ai nuk ka ofertë, ai nuk ka zgjidhje sepse për të punësimi juaj nuk është prioritet. Ka dy vjet që e ka provuar. Për mua, punësimi i shqiptarëve, punësimi i të rinjve është prioriteti numër një”, – tha Basha.

 

Bashkëbisedimi

Në takimin me të rinjtë, Basha foli edhe lidhur me rastin e dhunës policore në Kukës, ku qytetarët po protestonin për energjinë elektrike. Në këtë kontekst, lideri i opozitës theksoi se kjo mazhorancë nuk ka mbajtur asnjë premtim dhe se sot u ofron qytetarëve vetëm dhunë dhe mjerim. Sipas Bashës, platforma e Partisë Demokratike parashikon ulje të çmimit të energjisë dhe falje të kamatëvonesave. “Me votën për Partinë Demokratike, në 21 qershor ju do të votoni për alternativën tonë, për uljen me 25% të çmimit të energjisë dhe faljen e të gjitha kamatëvonesave anembanë Shqipërisë, për të mbajtur hapur të gjitha universitetet publike dhe filialet e tyre nga Kukësi, Peshkopia e kudo ne Shqipëri dhe për të ulur tarifat studentore në nivelin e mëparshëm”, – u shpreh ai. Nga ana tjetër, kreu i opozitës tha se prioritet i Partisë Demokratike në nivel qendror dhe vendor është ulja e taksave dhe rikthimi te taksa e sheshtë. “Me taksat e rritura shkaktuan krizë ekonomike, eksod për shqiptarët, varfëri për shqiptarët, papunësi për shqiptarët, çmime të larta për shqiptarët, për vete kridhen në lukse të papara. Ne së bashku do të hapim rrugën e taksave të ulëta, më të ulëtat në Ballkan dhe rikthimin e taksës së sheshtë në të gjitha nivelet”, – deklaroi ai. Ndërkaq kandidati për kryetar i Bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehu tha se ne nuk mund të pranojmë që kryebashkiaku të punojë vetëm për familjen e tij. “Brenda pallatit të Kulturës, një pjesë të pallatit të kulturës, kryebashkiaku ia ka dhënë djalit të tij. Kur e pashë që ai e kishte bërë zyrë për një drejtori që drejtohet nga djali i tij, thashë: Vendimi i parë që do jetë, si kryebashkiak i ardhshëm të largohet sa më shpejt dhe t’i kthehet qytetarëve pallati i Kulturës”, – theksoi Shehu.

 

Kosova: Të vijë ta përurojë Rama, vetëm të bëhet terminali. Debat me Veliajn për projektet

Kandidati i opozitës për Bashkinë e Tiranës, Halim Kosova, zhvilloi dje një takim me banorët e zonës ku do të ndërtohet terminali multimodal, projekt i cili hap 1 mijë vende të menjëhershme pune. “Ky terminal i parametrave evropianë me plot gojën mund ta quajmë një investim të munguar, i është ofruar prej dy vjetësh Tiranës dhe këto dy vite, thjesht nga xhelozira politike, ky nuk po zbatohet dhe s’po gjen mundësitë që të ofrohen rreth 1000 vende pune që në momentin e parë, t’i pakësohen qarkullimit në qytet rreth 220 autobusë, nga ana tjetër të përmirësohet cilësia e ajrit në qytet”, – tha Kosova. Në këtë kontekst, kandidati i PD-së tha: “Unë mendoj që ky projekt të realizohet duhen tri gjëra shumë të thjeshta. Duhet një tabaka, duhen një palë gërshërë sipër, duhet dhe një shirit, blu a lejla, a të kuqe s’ka rëndësi fare se çfarë ngjyre, dhe një për ta prerë. Këto të tria kaq të thjeshta, le t’i marrë kush të dojë, e kam deklaruar edhe herë tjetër, mjafton që asnjë minutë të mos humbim për realizimin e këtij projekti”. Më herët, në një takim tjetër elektoral, Kosova iu përgjigj pozitivisht edhe ftesave të shumta për debat publik nga ana e kandidatit të majtë Erion Veliaj, duke theksuar se në qendër të tij duhet të jenë projektet konkrete. “Nuk është koha për llafe boshe e batuta. Nëse është fjalë për të debatuar për një projekt në të mirë të qytetarëve, më ka në fushë të betejës e nuk dal pa fitore”, – deklaroi Kosova.

 

Mitingu/ PD hap nesër zyrtarisht fushatën në Pallatin e kongreseve

Partia Demokratike do të hapë zyrtarisht fushatën e saj për zgjedhjet vendore të 21 qershorit ditën e nesërme në mitingun që do të mbahet në Pallatin e Kongreseve. Në këtë takim, përpara anëtarëve dhe simpatizantëve të partisë nga i gjithë vendi do të prezantohen të gjithë kandidatët e opozitës për zgjedhjet lokale. Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka, deklaroi se forca më e madhe opozitare do të vijojë të ketë një strategji elektorale të komunikimit të kandidatëve me grupe të vogla, ndërsa mitingjet e mëdha do të jenë të kufizuara. “Kandidatët në radhë të parë duhet të njihen me problemet e qytetarëve dhe më pas nëpërmjet programeve të tyre për çdo zonë, për çdo qytet, për çdo bashki të arrijnë t’iu përgjigjen kërkesave që kanë qytetarët. Mendojmë se formati është i duhuri për të njohur problemet, për të komunikuar direkt, por sigurisht që fushata ka edhe formate të tjera që do përshtaten pastaj, hapja e fushatës, mbyllja e fushatës. P.sh. ne të enjten kemi hapjen e fushatës që do jetë një ceremoni, sigurisht do ketë edhe aspektin festiv të saj”, – u shpreh ai për “AS”. Ndërkaq, mazhoranca e majtë prezantimin e kandidatëve të saj për 61 bashkitë e vendit e zhvilloi të premten e javës së kaluar, ku mesazhi ishte për të votuar propozimet që do t’i çojnë njësitë vendore në “drejtimin e duhur”.

 

 

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.