Dështojnë Tatimet, mosrealizim plani 15% në prill dhe 8% si 4-mujor

0
135

Ervin Kaduku

drejtoria e tatimeve–  Administrata fiskale është hedhur në sulm propagandistik kundër medias që denoncon rritjen drastike të borxhit publik dhe rezultatet zhgënjyese në buxhet

Këto ditë është vënë në lëvizje makina propagandistike e sektorit financiar të qeverisë “Rama”. Deri tani, kemi dëgjuar vetëm “bëma”, por duket se ka ardhur koha që ajo të kalojë në mbrojtje. Madje, të thellë.

Ditën e hënë është kujtuar “zonja e parë e Tatimeve”, që deri tani nuk ishte prekur shumë nga kritikat, si ish-kolegia e saj e Doganave, Spiropali, e hequr “për motive personale” nga detyra. Briesida Shehaj ka paraqitur një tablo rozë të biznesit të vogël që, sipas saj, lulëzon në Shqipëri, aq sa nuk e ka për gjë të paguajë dy e tri herë më shumë taksa se një vit më parë.

Dje, zyra e shtypit e Ministrisë së zotit Cani ka dalë mbi barrikada, duke bërë thirrje që media të përmbahet, duke hedhur në treg një seri argumentimesh tepër akademike, që ngatërrojnë edhe mendjen më të përgatitur të financave. Fjala është se kreut të Financave publike nuk i kanë pëlqyer zërat, gjithnjë e më të shumtë, madje edhe nga krahu mazhoritar, që po shqetësohen lidhur me rritjen e pakontrolluar të borxhit publik. Këtij kori i është bashkuar vazhdimisht, por edhe ditën e djeshme, gazeta “Standard”, e cila kishte prekur me hollësi problemin e rrezikut që i vjen Shqipërisë dhe ekonomisë së saj nga rritja e pakontrolluar e borxheve, në një kohë kur të ardhurat buxhetore nuk po realizojnë objektivat e planifikuara. Kjo është një detyrë morale dhe profesionale e medias, ndërkohë që këto zonja e këta zotërinj nuk duket se po e kryejnë me të njëjtën vendosmëri detyrën e tyre, për të cilën paratë i paguajnë taksapaguesit.

A ka të drejtë morale të mërzitet nga kritikat drejtoresha e Tatimeve? Po ministri i Financave? Vetë statistikat e kësaj Ministrie lidhur me realizimin e të ardhurave për katër muajt e parë të vitit nuk duhet t’u japin të drejtën që të jenë aq komodë në karriget e tyre…

Tatimet janë me 15.4 për qind mosrealizim të planit për muajin prill të këtij viti, sipas këtyre statistikave zyrtare, duke sjellë në arkën e shtetit 1.6 miliardë lekë të reja më pak se sa ishte planifikuar. Kjo administratë është madje më keq se Doganat, edhe këto në mosrealizim, por “më të lehtë”… vetëm 11.3% minus!!

Zonja Shehaj regjistron, gjithashtu, mosrealizim të dukshëm edhe ndaj shifrave të planifikuara për progresivin e 4-mujorit. Asaj i mungojnë në llogari afro 3.3 miliardë lekë, apo 23 milionë euro, që i mungojnë shtetit shqiptar nga paaftësia apo korrupsioni në këtë sektor të shtetit. Mosrealizimi i Tatimeve si katërmujor është në masën 8.2 për qind. Ishin planifikuar të ardhura në masën 39.7 miliardë lekë, por janë grumbulluar vetëm 34.6 miliardë. Tatimet kanë arkëtuar 4.1 për qind më pak të ardhura nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, 13.2 për qind më pak nga planifikimi për taksat nacionale, madje 26 për qind më pak nga të taksat e punonjësve si të ardhura personale. Ndërkohë, ndërmarrjet rënkojnë në barrën e taksave, që duket se janë në objektiv të Tatimeve dhe strategjisë fiskale të qeverisë së majtë. Taksat mbi to janë 15.6 për qind më të larta se planifikimi.

Shifrat flasin vetë. Totali i të ardhurave në buxhet për periudhën janar-prill 2015 ishte 121 miliardë lekë, sipas statistikave të publikuara nga Ministria e Financave, duke shënuar një rritje me 4.2% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Por ndikimin kryesor në këtë rritje ka vijuar ta japë zëri i të ardhurave jotatimore dhe ai i fondeve special, ndërsa të ardhurat nga tatimet e doganat ka vijuar me performancë negative (rënie 1%), me rezultatin më të keq që e ka dhënë TVSH-ja. Të ardhurat nga TVSH, një tregues i saktë i qarkullimit në ekonomi, ranë me 9%, në rreth 37 miliardë lekë. Dhe TVSH-ja e grumbulluar nga Tatimet rezulton edhe më keq: minus 11.5 për qind më pak nga plani. Zëri që po mban peshën kryesore në rritjen e të ardhurave në buxhet për katërmujorin është ai i të ardhurave jo tatimore, konkretisht “të ardhura nga institucione buxhetore”, që u zgjerua me 3.9 miliardë lekë, apo 44% në 13 miliardë lekë. Ky zë ka ndikuar në 82% të totalit të rritjes së të ardhurave në vlerë absolute (në total të ardhurat në buxhet u rritën me 4.8 miliardë lekë. Rritja e tarifave të universiteteve dhe të ardhurat nga licenca celulare janë arsyet kryesore të rritjes së të ardhurave jo tatimore.

Sa i përket borxhit, vlen që t’i kujtohet ministrisë se, në korin e të shqetësuarve për ritmet e rritjes së tij tani është bashkuar edhe vetë financuesi: FMN-ja. Nuk është krim rritja nominale e borxhit, por është shumë e dëmshme që të mos realizohen parametrat e parashikuar për të ardhurat që mund ta shlyejnë atë në të ardhmen.

Në vend që të merakosen se gjethja e fikut që po përdorin nuk po ua fsheh dot dështimin, zyrtarët e Tatimeve dhe të Financës në përgjithësi më mirë të ulen e të bëjnë si duhet punën e tyre …!

 

 

Rriten 40% importet e karburanteve

Importet e karburanteve këtë vit po kalojnë nëpër oscilacione me rënie-ngritje nga muaji në muaj. Gjatë muajit prill zhdoganimet e karburanteve arritën në 38 mijë tonë me një rritje gati 40 për qind në krahasim me muajin mars të këtij viti dhe 12 për qind më shumë se, prilli i vitit të kaluar.

Burimet nga Shoqata e Hidrokarbureve thanë se, shkaqet i importeve më të larta janë rritja e konsumit dhe një aktivitet më i ulët i ARMO-s në përpunimin e naftës vendase.

Të njëjtat burime pohojnë se rritja e konsumit është nxitur nga zgjedhjet lokale. Fluksi i udhëtimeve për shkak të fushatës është në rritje për rrjedhojë shitjet në pikat e pakicës janë rritur ndjeshëm.

Aktorët e tregut presin rritje të mëtejshme gjatë muajit në vijim kur edhe fushata do të kulmojë.

Por, gjithashtu aktiviteti me hope i ARMO-s që përpunon naftën vendase për tregun ndikon në luhatjet e importit të naftës. Por sipas Shoqatës ndryshimi i zhdoganimeve të karburanteve nuk i cenon të ardhurat në buxhet pasi doganat e vjelin njësoj akcizën si për naftës e vendit ashtu edhe për atë të importit.

Një ditë më parë Ministria e Energjisë ka përmbyllur fazën e parë të kontrolleve dhe verifikimit të subjekteve që ushtrojnë veprimtarinë e tregtimit me shumicë të lëndëve hidrokarbureve.

Ministri Gjiknuri ka firmosur kërkesën për revokimin e licencës së 23 kompanive të tregtimit me shumicë, të cilat nuk kanë përmbushur kërkesat ligjore të kapaciteteve minimale dhe kushteve teknike.

Mirëpo, edhe pas aksioneve mbetet i pasqaruar tregtimi i naftës vendase në pikat e pakicës e cila nuk i përmbush standardet që kërkon ligji shqiptar për pikën e flakërimit dhe të squfurit.

 

 

Pastrimi i parave, në nivele rekord

Krimet e pastrimit të parave regjistruan vitin e kaluar nivelin më të lartë të pesë viteve të fundit. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, vitin e kaluar janë evidentuar 326 krime të pastrimit të parave, në rritje me 1.6 herë krahasuar me vitin 2013. Vitet e fundit, ndryshimet ligjore kanë rritur numrin e institucioneve që janë të detyruara të raportojnë transaksionet e dyshimta të pastrimit të parave. Të dhënat nga Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave tregojnë se vitin e kaluar janë raportuar 1230 raste të dyshimta të pastrimit të parave, vlera më e lartë e regjistruar ndonjëherë. Pjesa dërrmuese e raportimeve, rreth 67% vijnë nga bankat tregtare, ndërsa noterët kanë raportuar 10% të numrit total. Sipas kësaj Drejtorie, tre janë llojet kryesore të transaksioneve të dyshimta që raportohen nga subjektet e detyruara me ligj. 33% e rasteve të raportuara kanë të bëjnë me përdorimin e llogarive individuale nga ana e sipërmarrësve, me qëllim fshehjen e transaksioneve të biznesit dhe evazionit fiskal. 11.5% e transaksioneve të dyshimta lidhen me blerjen e pasurive të paluajtshme me burim të panjohur të fondeve, ndërsa 9.1% e rasteve lidhen me derdhjen e shumave të mëdha në vlera të mëdha. Vitin e kaluar, u nxorën 36 urdhra bllokimi, në vlerën e 18 milionë eurove, nga të cilat 15 milionë euro u sekuestruan më tej me vendim gjykate. Edhe shifrat e bllokimit dhe sekuestrimit ishin në vlerat më të larta historike të regjistruara në një vit kalendarik. Gjithsej, Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave ka referuar 462 raste në polici dhe prokurori.

 

 

Ulen vjedhjet në rrjetin e energjisë

Humbjet në shpërndarjen e energjisë elektrike, të cilat janë parashikuar të arrijnë në 8% në vitin 2020 sipas parashikimeve të Ministrisë së Energjisë, do të rëndojnë më shumë në eliminimin e humbjeve joteknike të “vjedhjeve” të energjisë dhe më pak në humbjet teknike nga rrjeti.

Këtë vit është planifikuar që niveli i humbjeve gjithsej të jetë 31.8%, ku humbjet teknike do të zënë 21.04% të totalit dhe humbjet joteknike (vjedhjet) do të zënë 10.7 për qind të totalit duke u ulur me 10 për qind në krahasim me një vit më parë.

Planifikimet thonë se humbjet teknike do të rriten me 23% dhe humbjet jo teknike do të ulen me -47%.

Në një kohë që vjedhjet pritet të përgjysmohen këtë vit, humbjet nga amortizimi i rrjetit pritet të avancojnë edhe më tej në krahasim me vitin 2014, duke arritur në 20.6 për qind nga 17% për qind që u raportuan vitin e shkuar.

Ministria e Energjetikës ka pohuar sistemi i shpërndarjes së energjisë është mjaft i amortizuar, në shumicën e linjave më shumë se 40 vjeçar.

Që pas privatizimit tek cekët e CEZ, investimet në rrjet dhe në nënstacionet e shpërndarjes kanë qenë thuajse zero. Për pasojë humbjet teknike për shkak të amortizimit të rrjetit do të jenë të larta edhe në vitet në vijim.

Ministria e Energjetikës ka miratuar tashmë një program investimesh me ndihmën e Bankës Botërore që në total kap shifrën e 275 milionë dollarëve deri në 2018, kryesisht për pjesën operative dhe të shpërndarjes, dhe programi e objektivi i qeverisë është që të investohen në të gjithë sistemin, pra gjenerim, transmetim dhe shpërndarje rreth 450 milionë dollarë deri në 2020.

 

 

Shtohen shitjet e makinave në Evropë

Industria e makinave në Evropë raporton rritje të shitjeve për të 20-in muaj me radhë. Të dhënat më të fundit i referohen muajit Prill, dhe sinjalizojnë se trendi pozitiv nxitet nga rimëkëmbja e ekonomisë së rajonit si dhe nga dalja në treg e modeleve të reja të “Renault”, “BMW”, dhe “Fiat Chrysler”. Numri i makinave të reja të regjistruara në rajon gjatë muajit Prill, shënon një rritje prej 6.9% në krahasim me të njëjtën periudhë të një vitit më parë, për të prekur 1.21 milionë njësi. Gjatë katër muajve të para të vitit, shitjet janë rritur me 8.1%, për një total prej 4.85 milionë autoveturash të shitura. Ekspertët shprehen se kjo industri ka njohur një performancë mbi pritshmëritë, dhe trendi aktual e konfirmon mjaft mirë një gjë të tillë. Mbështetja kryesore ndaj industrisë vjen pikërisht nga momenti pozitiv që po përjeton ekonomia evropiane. Nga ana tjetër edhe uljet sezonale të çmimit kanë nxitur trendin pozitiv. Në Gjermani, çmimet janë ulur mesatarisht me 12%. Ndërkohë “Reanault” dhe “Fiat” janë prodhuesit që ofrojnë edhe incentivat më të larta. Nga ana tjetër, “BMW”, që është edhe prodhuesi më i madh i makinave të luksit, raporton një rritje të shitjeve me 12%. Shitjet e “Renault”, që është edhe prodhuesi i tretë më i madh i kontinentit, janë regjistruar në një rritje prej 15% gjatë muajit të shkuar. Për sa i përket tregjeve, ai italian raporton edhe rritjen më të madhe, me 24%, e ndjekur nga Gjermania, ku kërkesa është rritur me 6.3%, e më pas ndjekin Britania e Madhe, dhe Spanja, me 3.2 dhe 2.3% respektivisht.

 

 

Kuvendi i jep detyra Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar rezolutën për vlerësimin e veprimtarisë së Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) për vitin 2014. Kuvendi ka vlerësuar veprimtarinë e Autoritetit në drejtim të: Forcimit të rolit mbikëqyrës dhe rregullator të AMF-së në përmbushje të objektivave të saj, nëpërmjet forcimit të pavarësisë, llogaridhënies dhe të përgjegjshmërisë; Përmirësimit të vazhdueshëm të kuadrit ligjor dhe nënligjor, në përputhje me parimet ndërkombëtare dhe direktivat evropiane; Mbrojtjes së interesave të konsumatorëve dhe investitorëve, duke garantuar në të njëjtën kohë zhvillimin dhe sigurinë e operatorëve të mbikëqyrur; Hartimit të metodologjisë së mbikëqyrjes me fokus riskun për tregun e sigurimeve dhe krijimin e platformës bazë për të bërë të mundur tarifimin me bazë riskun; Plotësimit të detyrimeve të shoqërive të sigurimit ndaj Byrosë për financimin e Fondit të Kompensimit për pagesat e prapambetura.

Për vitin 2015, Kuvendi ka kërkuar që Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare të angazhohet në monitoronin shoqëritë e sigurimit për pagimin e dëmeve, administrimin e rreziqeve të fondeve të investimeve, veçanërisht rrezikut të likuiditetit, amendimet ligjore për sigurimin e detyrueshëm të mjeteve motorike etj.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here