Deshmia ekskluzive/ Mikesha fiorentine 98-vjeçare: Ju rrëfej Gasper Palin!

0
289

Gasper Pali e Italia KokaNë njëqindvjetorin e poetit “të humbur” në letrat shqipe, Gasper Pali, – një imazh modern që jetoi në Shkodrën e Luftës së Dytë Botërore, – është përgatitur dhe janë hedhur në qarkullim poezitë me titull “Prendimi i andrrimeve”. Gaspri, poeti i `30-ës, është cilësuar një nga poetët më të rafinuar të poezisë shqipe, i cili ndonëse në vite të pakta jete (26 vjeç) la një poezi “të denjë estetikisht”. Është studiuesi i ri, poet, Lisandri Kola, pas kësaj sipërmarrje të takimit me brezat, duke botuar në Kosovë librin e Gasprit, të pajisur me shënime dhe që shënon botimin e tretë të poetit. Kola për “Standard” vë në dispozicion intervistën e rrallë e të përkthyer prej tij, me miken e Gasprit, 98-vjeçaren fiorentinase

 

Quhet Italia Koka (Mencacci), nji fiorentine e martueme me nji shqiptar (z. Mikel Koka), dhe ka qenë studente së bashku me Gasper Palin në Firence. Të dy, në fakt, çifti Koka, ishin miq të Gasprit. Sot ajo jeton në Romë dhe asht 98 vjeçe. Pavarësisht viteve të saj, znj. Italia, na sjell disa kujtime mbi Gasprin, mbi jetën studentore, aspiratat, vdekjen e poetit.

 

Znj. Italia, së pari Ju falënderojmë për këtë intervistë që po jepni. Kjo intervistë asht shumë e veçantë për mue si përgatitësi i botimit ‘Prendimi i andrrimeve’ dhe për publikun tonë, për shkak se jeni bashkëkohëse e Gasper Palit dhe mike shkolle. Në këtë mënyrë, përmes kujtimeve Tueja, mund të ndriçojmë sërish disa aspekte jetësore të poetit – të mbetuna të errëta ose të paplota për nji sërë dekadash. A mund të na thoni si e mbani mend G. Palin në ato vite universitare, që keni ndjekë së bashku në Firence?

Me Gasper Palin jemi njohë në vitin e parë të Universitetit. Ishim në të njejten klasë.

Ishte nji djalë shumë i edukuem, serioz e fjalëpakë dhe për ma tepër ishte njeri që studionte shumë.

 

Ma sa kam pá në letërkëmbimet me Filip Ndocajn, Gaspri ishte nji njeri i hareshëm e me shumë humor, megjithëse edhe shumë pesimist njikohësisht në momente të caktueme. A asht e vërtetë kjo, apo thjesht mund të jetë nji pjesë e së vërtetës?

Nuk mbaj mend të ketë qenë nji njeri shumë i hapun. Asht e vërtetë që ishte njeri me ndiesi dhe shenja pesimizmi për jetën.

Mbasi mësova për vdekjen e tij në 1942, mendova se pesimizmi i tij qe varë edhe nga gjendja e tij shëndetsore. Për sëmundjen e tij, unë dhe im shoq, mësuem vetëm mbas vdekjes së tij.

Me gjasë kishte frikë se nji situatë e tillë mund t’i prishte marrëdhaniet e tij shoqnore. Edhe sikur ta dinim për sëmundjen e tij, për ne kishte me qenë e parandësishme sa i takon shoqnisë sonë.

 

Megjithëse asht e vështirë, ngaqë kanë kalue shumë vjet, a mund të na thoni se cili ishte raporti i Gasprit me letërsinë? Interesi i tij? Cilët autorë kishte ma të pëlqyem? Flasim si për letërsinë e huej, ashtu edhe për atë shqipe.  

 Sigurisht mundem me thanë se ishte nji djalë dashunues i “së bukurës”: i artit, i arkitekturës, i letërsisë.

 

A ndodhte që Gaspri, në mjediset miqsore, të lexonte ndonji poezi të tijën? Nëse ndodhte, kjo ndodhte vetëm për pak miq intimë apo ai ishte i hapun edhe për nji pjesë të miqve, që nuk mund të cilësoheshin si intimë?

Në atë periudhë nuk e njihja gjuhën shqipe, prandej nuk ishin gjana posaçërisht për interesin tim.

 

Në nji pjesë të mirë të poezive vihet re shumë vendlindje, shumë Shkodër. Sa vend zinte Shkodra ndër bisedat tueja dhe si ndihej Gaspri në nji ndër qyetet ma të mëdhaja kulturore, siç asht Firence?

Gasprit i pëlqente shumë qyteti i Firences. E dashunonte Firencen. Por me e kujtue sot në mënyrë të detajueme, e kam të pamundun. Sidoqoftë, sikurse dhe im shoq, ishin shumë të lidhun me atdheun e tyne.

Në bisedat e tyne Shqipnia, ishte nji temë e vazhdueshme. E njejta ndodhte edhe me miqtë e tjerë, bashkëkombës të tim shoq. Në fakt, im shoq nuk pranoi të qëndronte në Itali, paçka se i kishim të gjitha kushtet. Për mue ka qenë e vështirë ta kuptoja, qoftë edhe sot, përse u nisëm.

 

Cilët ishin miqtë ma të afërt të Gasprit? Me kë shoqnohej ai ma shumë?

Mundem me thanë se rrinte shumë shpesh në shoqninë tonë (timen dhe të tim shoq, Mikelit). Më kujtohet Filip Ndocaj, të cilin e veçoni në pyetjet tueja, por shumë pak.

Nuk do të doja të gabohesha, por mik i Gasprit ishte dhe Isuf Allamani. Edhe ai u martue me nji vajzë fiorentine. Isufi u pushkatue prej komunistëve.

 

Me sa jemi të informuem, Gaspri ka qenë dhe personi që Ju ka mundsue njohjen me bashkëshortin Tuej. Si e kujtoni këtë gja?

Shumë herë kemi studiue së bashku me Gasprin. Ishte ai që ma prezantoi Mikel Kokën, burrin tim të ardhshëm. U takuem në Fakultetin tonë të Letërsisë.

Pas fejesës sime me Mikelin jemi takue dhe kemi dalë shpeshherë me Gasprin. Në fakt, Gaspri ka pa’ qenë ftue shpesh edhe në shtëpinë time, nga prindët e mi.

Gaspri u rikthye në Shqipni para nesh. Ai pati disa letërkëmbime me Mikelin. Më bjen ndër mend për nji kartolinë që më pat nisë, në të cilën më shkruente: “…të presim nuse në Shqipni…”.

Morëm vesh për vdekjen e tij disa javë përpara se të niseshim për në Shqipni. Isha martue prej do muejsh me Mikelin. Na erdhi shumë keq, sepse për ne ishte nji njeri shumë i dashtun.

 

Meqë jemi në këtë pikë të bisedës sonë, a mund t’ju pyesim se si e morët vesh lajmin e vdekjes së Gasprit, dhe si mund ta përkufizoni humbjen e parakohshme të këtij poeti, qoftë në plan njerëzor qoftë në plan artistik?

Më duket se ishim në Romë për disa ditë së bashku me Mikelin. Atje, dikush ia dha lajmin Mikelit. Sigurisht, vdekja e tij e parakohshme ishte e dhimbshme për ne.

 

Znj. Italia a dispononi ndonji kujtim konkret (libër, dorëshkrim a diçka tjetër) nga ana e Gasper Palit?

Për fat të keq jo. Shumë gjana kanë humbë përgjatë viteve. Di që im bir ka arritë të gjejë disa fotografi, pikërisht për këtë rast.

 

Meqenëse Ju jeni diplomue vetë për Letërsi, ç’mendim keni për vlerat estetike të poezisë së Gasper Palit?

Më duket se kam lexue ndonji poezi të tijën, po shumë vite ma herët, por nuk jam në gjendje t’i kujtoj.

A mendoni se Gaspri do të ishte nji kritik i mirë, nëse do të kishte pasë fatin të jetonte ma gjatë?

Sigurisht që do të ishte nji kritik i shkëlqyem. Megjithatë nuk jam në gjendje ta përfytyroj vijimsinë e tij letrare.

 

Së shpejti afron dhe 100 vjetori i lindjes së Gasper Palit, a jeni e mendimit se ka prapë për të zbulue nga ky poet?

Nuk e di. Sigurisht që gjithçka do të varet nga dorëshkrimet, të cilët do të jenë në dispozicion dhe nga interpretimet që do të bajnë mbi to lexuesit.

 

Znj. Italia Ju falënderojmë përzemërsisht për intervistën!

Intervistoi dhe përktheu:

Lisandri Kola,

Maj, 2015

 

 

Në njëqindvjetorin e poetit “të humbur” në letrat shqipe, Gasper Pali, – një imazh modern që jetoi në Shkodrën e Luftës së Dytë Botërore, – është përgatitur dhe janë hedhur në qarkullim poezitë me titull “Prendimi i andrrimeve”. Gaspri, poeti i `30-ës, është cilësuar një nga poetët më të rafinuar të poezisë shqipe, i cili ndonëse në vite të pakta jete (26 vjeç) la një poezi “të denjë estetikisht”. Është studiuesi i ri, poet, Lisandri Kola pas kësaj sipërmarrje të takimit me brezat, duke botuar në Kosovë librin e Gasprit, të pajisur me shënime dhe që shënon botimin e tretë të poetit. Kola për “Standard” vë në dispozicion intervistën e rrallë e të përkthyer prej tij, me miken e Gasprit, 98-vjeçaren fiorentinase.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here