“Post-Kumanova”/ Kosovarët e burgosur në burgjet e Maqedonisë janë në gjendje të rëndë

0
164

 

arrestim maqedoniKosova mësohet se kishte dijeni për zhvillimet që do të ndodhnin në Maqedoni. Familjarët e të arrestuarve pas sulmit në Kumanovë kanë vizituar të afërmit e tyre. U çojnë ushqime dhe veshje.

Familjarët e disa nga të arrestuarve gjatë konfliktit të armatosur në Kumanovë kanë vizituar ditën e djeshme ata në burgun e Shutkës në Shkup. Kjo ka qenë vizita e parë e familjarëve që nga arrestimi i tyre të shtunën e 9 majit. Një pjesë e familjeve i kanë sjellë ushqime dhe sende të nevojshme të afërmeve të tyre. Ambasada e Kosovës në Shkup po ndjekë situatën e të burgosurve dhe se janë shprehur shqetësime për keqtrajtimin e tyre. Familjarët kanë realizuar vizitën pasi që kanë plotësuar disa kushte të nevojshme, deri tek sigurimi i një deklarate të noterizuar dhe dokumente tjera personale dhe familjare. Ata kanë qëndruar vetëm pak minuta dhe se mësohet se të burgosurit që janë në gjendje të rëndë shëndetësore nga brutaliteti nuk janë lënë për të realizuar vizitën dhe se nuk janë dhënë arsyetime.

Avokatja Ajtene Ademi-Iseini që po mbron grupin e të arrestuarve të Kumanovës ka kërkuar që të burgosurve t’u lejohet trajtimi mjekësor në spitale. Ai deklaroi se për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore që janë klientët e saj Bek Bajra dhe Valdet Zekaj, por edhe të burgosurit e tjerë do të kërkojë transferimin e tyre sot në spital. “Është përdorur dhunë e tepërt gjatë arrestit të tyre nga Kumanova deri në gjykatën e Shkupit. Kanë të thyer dhëmbë dhe hematoma, ndërsa në njërin ka pasur ndërhyrje kirurgjikale për shkak të gjendjes së rëndë. Këtu janë bërë shkelje të të drejtave të njeriut, asnjë konventë nuk e lejon atë keqtrajtim. Apelojmë te organizatat ndërkombëtare që të ndërhyjnë me ekipe mjekësore për shkak se gjendja e tyre nuk është e mirë”, – ka thënë ajo. Një pjesë e familjarëve siç mësohet vizitat mund t`i realizojnë edhe gjatë ditëve në vijim.

 

Kosova kishte dijeni

Tre muaj para se të zhvillohej konflikti i armatosur në Kumanovë mes njësiteve ushtarake e policore maqedonase dhe një grupi luftëtarësh shqiptar, të gjithë mekanizmat përgjegjës në Kosovë, dalin se kanë qenë në dijeni se diçka po përgatitej shtetin fqinj. Agjencia Kosovare e Inteligjencës, që në muajin shkurt e kishte njoftuar presidenten e vendit, Atifete Jahjaga, kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, ministrin e Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni si dhe drejtorin e Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni se shërbimi sekret maqedonas i kishte kontaktuar disa qytetarë të Kosovës më qëllim të inskenimit të sulmeve në Maqedoni. Këtë e ka konfirmuar kryetari i Komisionit Parlamentar për mbikëqyrje e Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Haxhi Shala, gjë qe del se edhe mbikëqyrësit parlamentar kanë qenë të informuar për zhvillimet në fshehtësi.

 

SHQIPTARËT E ARRESTUAR:

  1. Kenan Iseni, Kumanovë
  2. Fadil Fejzullahu, Kumanovë
  3. Demë Shehu, KOsovë (Juniku)
  4. Sami Ukshini, Kosovë (Sokoli)
  5. Irfan Lutfiu, Kumanovë
  6. Arsim Bajrami, Kumanovë (polic nga Vaksinca)
  7. Fadil Elshani, Kosovë
  8. Esat Kafexholi, Kosovë
  9. Ardijan Bujari, Kosovë
  10. Muhamed Krasniqi, Kosovë ( Malisheva)
  11. Shefket Avaqi, Kosovë
  12. Lirim Demiri, Kumanovë
  13. Ajrush Avdia, Kosovë
  14. Betim Kartashi, Kosovë
  15. Genci Sefa, Shqipëri
  16. Lendrit Rustemi, Kosovë
  17. Enver Klain, (me shtetësi gjermane)
  18. Rufki Dogani, Kosovë
  19. Nasuf Bekiri, Haraçinë
  20. Valdet Zekaj, Kosovë
  21. Bajram Elshani, Kosovë
  22. Nexhmetin Lika, Tetovë
  23. Lirim Krasniqi, Kosovë
  24. Sevdail Miftari, Kumanovë
  25. Fatmir Reçica, Kosovë
  26. Beg Bajra, Kosovë (komandant Begu)
  27. Fejzulla Rushitovski, fshati Brezë
  28. Besnik Ajdini, Kumanovë

 

Policia nuk jep detaje rreth arratisjes së Sulejman Osmanit

Policia nuk ka treguar ende për mënyrën se si u arratis një nga të arrestuarit gjatë aksionit në Kumanovë. Ndërsa nga MPB-ja nuk japin detajet e arratisjes, tashmë në sy të publikut, ka dilema – nëse i paraburgosuri është arratisur apo është lënë i lirë nga vetë policia. Për këtë çështje, Ministria e Brendshme është e vendosur. “Personi sigurisht që nuk është liruar me urdhër apo “qëllimisht”. Siç informuam më parë, ngjarja është nën hetim, kështu që në këto momente nuk do të komentonim mbi spekulimet që sillen në publik”, – kanë thënë për “Alsat-M”, burime nga Ministria e Brendshme. MPB-ja, nuk e publikon as identitetin e personit që iu është arratisur policisë, pasi e kanë dërguar në afërsi të fshatit Brezë për t’u treguar se ku ishin fshehur armët e vjedhura nga Kulla Kufitare e Gushincës. Por personi në fjalë u shfaq nga Kosova, me identitetin Sulejman Osmani, qytetar i Maqedonisë. Në deklaratën që kishte dhënë fillimisht për Xhezair Shaqirin, i njohur si komandant Hoxha, ai theksonte se ishte arratisur nga frika se mund ta vrisnin. Ai ia mbathi me pranga, pavarësisht paralajmërimeve të policisë që hapi zjarr ndaj tij. Historinë e tij, ai e tregoi më pas edhe për televizionin publik të Kosovës. Identitetin e të arratisurit e konfirmoi kreu i BDI-së, Ali Ahmeti. Ai thotë se nuk e njeh personalisht, por tha se gjatë konfliktit në vitin 2001, Osmani është arrestuar edhe nga ana e vetë UÇK-së.

 

Dështon edhe takimi i dytë, në Maqedoni nuk ka marrëveshje

Takimi i katër drejtuesve të partive më të mëdha në Maqedoni lidhur me zgjidhjen e krizës në vend rezultoi pa marrëveshje. Takimi ishte një nismë e ambasadorëve të Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian për t’i dhënë fund krizës disamuajshe në këtë vend, krizë që u shkallëzua nga skandali i përgjimeve. Drejtuesit politikë, siç bëhet e ditur, nuk kanë arritur të paraqesin as propozimet e tyre për zgjidhjen e problemeve. Në takimin e djeshëm të organizuar nga diplomatët perëndimorë, morën pjesë Kryeministri konservator Nikola Gruevski, shefi i opozitës social-demokrate Zoran Zaev dhe dy udhëheqës të partive shqiptare, Ali Ahmeti drejtues i Bashkimit Demokratik për Integrim në koalicionin qeveritar dhe Menduh Thaçi, udhëheqës i një partie opozitare. Maqedonia përballet me një prej krizave më të thella politike që nga shpallja e pavarësisë nga Jugosllavia në vitin 1991. Pjesa dërrmuese e krizës ka ardhur si rezultat i akuzave të opozitës se qeveria kishte përgjuar ilegalisht 20 mijë njerëz. Të dielën, dhjetëra mijëra njerëz morën pjesë në një protestë kundër qeverisë në Shkup. Shumë prej tyre kanë ngritur një kamp përballë zyrave të kryeministrisë dhe janë zotuar se do të rrinë aty, duke kërkuar dorëheqjen e Kryeministrit Gruevski. Në mbrëmjen e djeshme është organizuar një protestë në mbështetje të qeverisë. Qindra përkrahës të opozitës e kaluan natën e së dielës me të hënën jashtë ndërtesës së qeverisë në Shkup nën kërkesat e vazhdueshme për dorëheqjen e Kryeministrit konservator Nikola Gruevski. Protestuesit, të cilët thonë se kanë në plan të qëndrojnë aty për ditë me radhë, po ashtu kanë bërë thirrje për zhvillimin e zgjedhjeve të reja. Mbështetësit e opozitës e kaluan natën në tenda pas protestës së të dielës ku morën pjesë dhjetëra mijëra njerëz. Qeveria e vendit të vogël ballkanik pas përballjes me skandalin e përgjimeve, përjetoi edhe një konflikt të armatosur në Kumanovë mes policisë dhe disa shqiptarëve të armatosur, ku sipas autoriteteve humbën jetën 18 njerëz. Në këtë rajon të njohur për historinë e përgjakshme të konflikteve ndëretnike dhe paqëndrueshmërisë politike, zhvillimet kanë shkaktuar alarm si brenda ashtu edhe jashtë atij vendi.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here