Të tjerë vëzhgues për zgjedhjet lokale, 1090 nga KZLNDQ

0
154

koalicioni i vezhgimit te zgjedhjeveKoalicioni për Zgjedhje të Lira dhe të Ndershme dhe Demokraci të Qëndrueshme (KZLNDQ), prezantoi sot në Tiranë projektin për monitorimin e zgjedhjeve lokale 2015. KZLNDQ do të angazhojë 90 vëzhgues afatgjatë në të 90-të Zonat e Administrimit Zgjedhor (ZAZ), 1000 vëzhgues afatshkurtër në 1000 qendra votimi në të gjithë Shqipërinë, si dhe do të monitorojë deri në fund numërimin e votave në 90 ZAZ. KZLNDQ do të përfshijë parimet statistikore në lidhje me planin e vendosjes së 1000 vëzhguesve në ditën e zgjedhjeve.

KZLNDQ përmes realizimit të këtij projekti do të monitorojë të tre fazat e procesit elektoral: fushatën parazgjedhore, ditën e zgjedhjeve dhe numërimin e votave. Përveç monitorimit të ZAZ-ve, KZLNDQ do të vëzhgojë edhe veprimtarinë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Komisioneve të Qendrave të Votimit dhe Kolegjit Zgjedhor. Duke qenë se numërimi i votave në Shqipëri nuk bëhet në qendrat e votimit, KZLNDQ nuk do të projektojë rezultatin e zgjedhjeve. Megjithatë KZLNDQ do të kenë informacion të saktë në lidhje me cilësinë e procesit ditën e zgjedhjeve dhe në lidhje me pjesëmarrjen e zgjedhësve në votime.

Qëllimi kryesor i vëzhgimit të zgjedhjeve nga ana e KZLNDQ është paraqitja me transparencë dhe me të dhëna konkrete të procesit zgjedhor, vlerësimi i tyre në përputhje me standardet ndërkombëtare të gjithëpranuara dhe praktikat më të mira ndërkombëtare lidhur me zgjedhjet, si dhe formulimi i rekomandimeve për përmirësim në zgjedhjet e ardhshme, – tha Mirela Arqimandriti, drejtuese e skuadrës së projektit.

Për të realizuar një vëzhgim sa më të saktë të aspekteve të zgjedhjeve, KZLNDQ do të zbatojë metodologjinë e vëzhgimit të bazuar në parimet statistikore. Sipas statisticienes, Lauren Scora, kjo metodologji do të zbatohet në numrin total prej 5344 qendrash votimi për të zgjedhur 1000 prej tyre. Nëpërmjet përzgjedhjes së një kampioni rastësor qendrash votimi rezultati do të ekstrapolohet për të gjithë vendin me një kufi gabimi midis 3 dhe 5 % dhe nivel besueshmërie rreth 95 %.

“KZLNDQ e ka zbatuar këtë metodologji edhe në dy raste të tjera me shumë sukses, por suksesi kryesor janë qytetarët të cilët kryejnë vëzhgimin me përpikëri dhe seriozitet sipas udhëzimeve të marra. Kësaj radhe, KZLNDQ ka një skuadër prej 20 ekspertësh të fushave të ndryshme të cilët do të menaxhojnë punën e rreth 1200 qytetarëve në çdo njësi administrative”. tha Erjona Mulellari, drejtore Ekzekutive e KZLNDQ-së.

“Koalicioni sapo ka mbaruar trajnimin e 90 vëzhguesve afatgjatë, të cilët do të cilët do të fillojnë menjëherë vëzhgimin në 90 Zonat e Administrimit Zgjedhor dhe pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Vëzhguesit afatgjatë dhe afatshkurtër, do të jenë të përkushtuar për detyrën e ngarkuar.

Ata kanë nënshkruar zotimin e vëzhguesit i cili përmban parimet themelore të objektivitetit, paanësisë, pavarësisë, durimit, vetëpërmbajtjes gjatë procesit të vëzhgimit, tha Dhimitër Gjodede, një nga koordinatorët për vëzhguesit afatgjatë.

Ky aktivitet u përshëndet nga Marcus Johnson, drejtori i USAID për Shqipërinë.

KZLDQ, planifikon të publikojë raportime të herëpashershme gjatë procesit parazgjedhor, përfshirë një raport paraprak përpara ditës së zgjedhjeve. Në datën 21 qershor do të ketë të paktën dy komunikime me medien, ndërsa raporti i parë pas zgjedhjeve do të dalë në datën 22 qershor. Raporti final do të dale, pas publikimit të rezultateve finale të zgjedhjeve.

KZLNDQ dëshiron që proceset e Zgjedhjeve Lokale, 2015 në Shqipëri të respektojnë standardet ndërkombëtare për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe të pasqyrojnë me besnikëri vullnetin e qytetarëve shqiptarë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here