Me të rinjtë e Shkodrës/ Kreu i PD-së: Problemi i tyre është Basha, problemi im është varfëria dhe papunësia

0
141

Gëzim Saliu

basha shkoder“Oferta e PD-së, ulja e taksave, ulje me 25% e çmimit të energjisë dhe faljes së kamatvonesave për të gjithë shqiptarët. Ne kemi ofertën e rritjes së pagave dhe pensioneve”

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha vijoi dje bashkëbisedimin me të rinjtë e Shqipërisë duke u ndalur dje në Shkodër ku theksoi se mazhoranca e majtë e ka zhytur vendin në gropën e papunësisë, varfërisë dhe pamundësisë. Sipas Bashës, problemi kryesor i kryeministrit Rama është vetëm opozita dhe kryetari i saj dhe jo hallet dhe problemet e qytetarëve.  “Problemi i tyre është Basha. Problemi im është rënia ekonomike, rënia e fuqisë blerëse, rritja e taksave, rritja e çmimeve, pamundësia për të mbyllur muajin, papunësia rinore, papunësia në tërësi. Po unë do të uroja që ai të luftonte me të njëjtën fuqi që më lufton mua, papunësinë. Të luftonte me të njëjtin prioritet që lufton kryetarin e opozitës, varfërinë. Të luftonte pagat e ulta, pensionet e ulta me të njëjtën forcë që sulmon, shpif dhe fajëson këdo, përveç vetes së tij.” – tha kryedemokrati.

 

Takimi

Edhe në këtë takim, kreu i demokratëve theksoi se PD dhe kandidatët e saj e kanë ofertën për ta nxjerrë vendin nga kriza për ti kthyer shpresën qytetare, duke ulur taksat e hapur mundësi për punësim.  “Kemi ofertën e uljes së taksave, kemi ofertën e uljes me 25% të çmimit të energjisë dhe faljes së kamatvonesave për të gjithë shqiptarët. Kemi ofertën e rritjes së pagave dhe pensioneve. Kemi ofertën e dëmshpërblimit lek për lek të të gjitha objekteve të prishura në mënyrë të paligjshme nga qeveria Rama-Meta.”- pohoi ai.  Pjesë e vizitës së Bashës në Shkodër ishte edhe takimi me tregtarët e vegjël dhe të mesëm të qytetit të Shkodrës, ku shoqërohej nga kandidatja e PD-së për kryetare bashkie Volrtana Ademi.  Në këto takime, lideri i opozitës u njoh me problemet dhe shqetësimet e tregtarëve që nga rritja e taksave, rritja e çmimit të dritave rënia e fuqisë blerëse, etj. “Është e papërballueshme 400 mijë lek më tepër se në qeverinë e PD-së na vijnë taksat, plus dritat më tepër, plus çdo gjë më tepër. Drita paguaj më shumë 30 mijë lek në muaj, plus fukarallëku”, tha një tregtar. Një tjetër i cili punonte prej 15 vitesh pohoi se është i vetmi rast situata aktuale ku ai nuk po paguan dot taksat. “Na kanë vu gjoba e gjana, nuk e shoh të arsyeshme me jetu më në këtë vend, edhe pse me të thënë të drejtën e du shumë këtë vend”. Banori tjetër theksoi se,: Unë me shkollë të lartë, djali me shkollë të lartë, gruaja pa punë prej një viti e gjysmë, jemi 3100 lek të reja, ose 31 mijë lek. Çfarë mund të paguhet ose çfarë mund të bëhet me këto lekë? Fatura e dritave vjen më shumë se 32 mijë lek, po ashtë edhe uji”. Nga ana tjetër një tregtar nuk nguroi të thumbonte me humor qeverisjen e majtë ku i pohoi Bashës, “Kisha një mistri në dorë, me thotë polici ku po shkon? Du more me lujt itu i thash”. Duke vazhduar batutën, kryedemokrati tha,: “Armëmbajtje pa leje”. Ndërkaq shqetësimit të një tregtareje që deklaroi se shit blerjet kanë rënë ndjeshëm pasi është rritur tatimi në 15 %, kryedemokrati iu përgjigj duke nënvizuar,: “Duhet të ofrojmë zgjidhje për situatën, ne e kemi zgjidhen, uljen e taksave, uljen e çmimit të energjisë, uljen e çmimit të naftës, rritjen e fuqisë blerëse”. Në këtë diskutim u përfshi edhe kandidatja e opozitës për bashkinë e Shkodrës e cila theksoi se PD la një program të veçante për rishikimin e diferencimit të tarifave. “Do të shohim edhe diferencimin e tarifave. Ne kemi bërë një studim i cili përcakton diferencimin e tarifave në bazë të llojit të biznesit”, deklaroi Ademi.

 

Deklaratë nga selia blu/ Patozi: Mazhoranca ka nis reprezaljen policore në Vlorë, frikë nga humbja e sigurt

Deputeti demokrat i  qarkut të Vlorës Astrit Patozi deklaroi dje se koalicioni i majtë në pushtet po e kërkon shpëtimin nga humbja që e pret në Bashkinë e Vorës tek reprezaljet policore, presioni shtetëror dhe tek dhuna e falangave të krimit.  Në një dalje publike nga selia e PD-së, Patozi theksoi se edhe pse fushata elektorale nuk ka nisur ende zyrtarisht në territorin e bashkisë së Vlorës janë shtuar me ritme të shpejta rastet e incidenteve dhe të dhunës për motive të qarta politike. “Vëllai i kryetarit të Partisë Socialiste të Prezës, Agim Kajmaku, goditi në një ambient publik shefin e kabinetit të kryetarit aktual të bashkisë së Vorës, Fiqiri Ismaili, i cili kandidon për zgjedhjet e 21 qershorit nën siglën e Partisë Demokratike. Zoti Subi Përzhilla u sulmua në mënyrë të papritur nga agresori i dhunshëm, sepse, sipas këtij të fundit, tani pushtetin e kishte e majta dhe askush tjetër nuk mund të guxonte të fitonte përveç saj dhe se Partia Demokratike as fushatë nuk duhet të bënte”, theksoi deputeti i PD-së. Në vazhdim të deklaratës së tij, Patozi pohoi se tre netë më parë një punonjës i policisë bashkiake u shoqërua pa asnjë shkak nga  forcat e komisariatit 6 dhe u mbajt disa orë pa asnjë arsye bindëse. “Kjo ishte hera e tretë që ai ndalohej dhe shoqërohej në polici në harkun e pak ditëve. Ngjarje të tilla po bëhen të shpeshta edhe në fshatrat e tjera që përfshihen në territorin e kësaj bashkie, sidmos në Prezë, ku spikat zelli i shefit të krimeve, Përparim Zenuni, që më shumë se punonjës i policisë së shtetit, duket se është një militant i thekur partie”, tha ai. Më tej, ligjvënësi demokrat theksoi se gjatë gjithë këtyre ditëve në zonën e Vorës, Prezës dhe Bërxullit, ka një prani të shtuar nëpunësish të administratës shtetërore, që nga ministra të kabinetit të Ramës, kryesisht të LSI-së, e deri tek drejtorë të rëndësishëm, që u bëjnë sipas tij presion të hapur arsimtarëve, mjekëve, bizneseve dhe subjekteve të tjera private. “Partia Demokratike siguron mbështetësit e saj në territorin e bashkisë së Vorës se nuk ka asgjë në botë që të ndalë fitoren tonë në këtë njësi administrative dhe se ajo do të qëndrojë fort pas çdo rasti dhune dhe presioni për të deformuar vullnetin e zgjedhësve të kësaj qeverie në panik. Dhe një kujtesë të fundit për Ilir Metën, i cili me sa duket qëndron në hije të gjithë kësaj që po ndodh në Vorë, pasi e ka zgjedhur vetë kandidatin e humbur të së majtës atje. Nuk do të arrish kurrë të kthesh kohën e zgjedhjeve më të këqija që janë mbajtur ndonjëherë në Shqipëri, ato të vitit 2001, kohën kur ti ishe kryeministër”, deklaroi Patozi.

 

 Me banorët e njësisë 3/ Sulmet, Kosova: Sa më shumë të trullosur e të egërsuar i shoh bindem se jemi në rrugën e mbarë

Kandidati i opozitës për kryetar Bashkie në Tiranë, Halim Kosova u takua dje me banorë të njësisë 3 në zonën e Pediatrisë, ku u ndal në faktin se konflikti politik në vend ka dëmtuar interesat e qytetarëve, dhe solli si shembull bllokimin e banesa sociale për të pastrehët. “Çdo konflikt politik në këtë vend është kthyer në një problem më vete për jetën e përditshme të qytetarit . Nuk mund të ketë asnjë lloj agresiviteti ndaj meje që të më bëjë të kthej rrugën e vendosur që çdo minutë ta shfrytëzoj për të gjetur një zgjidhje për ju. Jam këtu për të dhënë zgjidhjen e duhur dhe të marr vendimin e duhur në kushte shumë të vështira, por me qetësinë, maturinë dhe eksperiencën që unë kam”, tha ai. Ndërkaq në këtë takim, kandidati i PD-së për bashkinë e kryeqytetit nuk nguroi të komentonte edhe sulmet e kundërshtarëve politikë duke theksuar,:  “Mundohen të më pengojnë por unë shoh që sa më shumë sinjale që unë marr dhe informacione negative, më bindin që rruga që kam ndërmarrë është rruga e duhur. Sa më shumë ti shoh të trullosur sa më shumë ti shoh të egërsuar, aq më shumë bindem se bashkë me ju do shkojmë në rrugën e mbarë për Tiranën, për familjet tona për lagjet tona”.  “Nëse ky njeri që sot është djathtas, do të kishte kandiduar majtas, vota ime do të shkonte majtas”,  shprehu mbështetjen një banore për Kosovën. Në të njëjtën linjë një e re e kësaj njësie tha,: “Mami është e paralizuar dhe me tha, dua të vish të më marrësh me makinë sepse votën time dua tja jap Dr.Halimit”.   Nga ana e tij, kandidati i PD-së pohoi se e vetmja mënyrë pune e tij ka qenë mos pajtimi në asnjë moment me abuzimin dhe korrupsionin. “Arsyeja se pse situata sot është e papranueshme ka të bëjë me faktin se qeveria është larguar nga hallet dhe problemet e qytetarëve”, deklaroi Kosova.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here