Kriza ndihet gjithnjë e më shumë, 15% më shumë subjekte në “listën e zezë” të Tatimeve

0
156

Erin Kaduku

 drejtoria e tatimeve–   Përgatitet ligj i ri për falimentin, pas parashikimeve për falimentime masive

Efektet e krizës ekonomike vazhdojnë të ndihen fort nga bizneset. Mungesa e likuiditetit duket se është një ndër faktorët kryesorë, çka vihet re dhe në të dhënat më të fundit të dala nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, ku shihet qartë se është rritur mungesa e pagesave nga ana e biznesit.

Sipas shifrave zyrtare nga kjo drejtori, lista e bizneseve, ndaj të cilëve ka nisur grumbullimi i detyrimeve me force, ka arritur në 15.585, nga 13.090 që ishin në fund të vitit 2014. Rritja me rreth 15% e subjekteve të përfshirë në “listën e zezë” të tatimorëve është një tregues i likuiditeteve të përkeqësuara, për shkak se bizneset nuk kanë arritur të shlyejnë në kohë detyrimet e papaguara tatimore. Lista e tatimpaguesve me detyrime të papaguara në afat, ndaj të cilëve ndërmerr aksione goditëse administrata tatimore, tregon se ndaj këtyre bizneseve janë marrë masat e sigurimit, mbi të gjithë pasuritë për ekzekutimin e detyrimeve dhe se ka filluar procedura e mbledhjes me forcë të tyre.

Tatimorët e publikojnë “listën e zezë” në mënyrë që personat e tretë të marrin dijeni për fillimin e këtyre procedurave dhe që organet apo institucionet, të cilët kanë bërë regjistrime të pasurive të luajtshme apo të paluajtshme të tatimpaguesve debitorë, të regjistrojnë detyrimin tatimor të papaguar si barrë mbi këtë pasuri dhe të mos lejojnë kryerjen e transaksioneve për transferimin e tyre deri kur detyrimi tatimor të jetë paguar.

Kjo, nga ana tjetër, ka sjellë si reaksion zinxhir mungesë parash për bizneset, duke bërë që këto t’i drejtohen gjithnjë e më shumë tregut informal, apo ndryshe parasë me “fajde”. Në shkurt të këtij viti, paraja jashtë bankave arriti në 217 miliardë lekë ose 13% më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndërkohë, qeveria po punon edhe për një ligj të ri për falimentin, duke parashikuar rritjen e këtij fenomeni.

 

Falimenti si do të ndodhë

Banka Botërore po asiston Ministrinë e Drejtësisë për të hartuar një ligj të ri për falimentin, i cili të mundësojë zbatimin praktik, pasi paketa ligjore aktuale nuk po e ezauron këtë mision, tashmë të kërkuar edhe nga vetë bizneset në vështirësi. Madje mësohet se, hartimi dhe funksionimi i këtij ligji do të jetë kusht themelor në marrëveshjen e re të bashkëpunimit ndërmjet qeverisë shqiptare dhe Bankës Botërore.

Drafti është në diskutim që prej vitit që shkoi dhe ende nuk ka marrë formën e projektligjit. Ministria e Drejtësisë ka analizuar se, nga zbatimi në praktikë dhe verifikimet e kryera në çështjet e falimentit të trajtuara nga Agjencia e Mbikëqyrjes së Falimentit është vënë re se, kuadri ligjor aktual paraqet mangësi në detajimin apo qartësimin e procedurave të lidhura me falimentin, duke sjellë zvarritje të procedurave dhe rritje fiktive të kostove të procedurës, çka ndikon drejtpërdrejt në dëm të palëve të interesuara, debitorë, kreditorë dhe publik.

Procedurat e falimentit në Republikën e Shqipërisë rregullohen nga një kuadër ligjor që daton që në vitin 2002 dhe ndryshimet e fundit ligjore në këtë ligj, i përkasin vitit 2010, kur u krijua institucioni i Agjencisë së Mbikëqyrjes së Falimentit, si institucion në varësi të Ministrisë së Drejtësisë.

Burimet në Ministrinë e Drejtësisë pohojnë se kuadri i ri ligjor për falimentin do të ketë në fokus çështjet që lidhen me paaftësinë paguese të subjekteve debitore, si dhe praktikat e ristrukturimit të borxhit, të cilat do të shmangin eliminimin e biznesit dhe do të rimodelojnë strukturën financiare dhe organizative të subjekteve debitore. Organizimi i bizneseve me humbje nëpërmjet ristrukturimit do të mund të parandalojë edhe efektet negative në ekonomi.

Ligji i ri synon gjithashtu shlyerjen, në mënyrë kolektive të detyrimeve të debitorit, nëpërmjet likuidimit të të gjitha pasurive të tij dhe shpërndarjes së të ardhurave ose një plan riorganizimi, nëpërmjet arritjes së një marrëveshjeje tjetër, me synim kryesor ruajtjen e veprimtarisë ekzistuese.

Sipas analizës së Ministrisë së Drejtësisë, ligji ekzistues paraqet disa mangësi. Krahasuar me ligje të tjera të brendshme dhe me legjislacionet e huaja, që trajtojnë këtë fushë, ekspertët konsiderojnë se pozitat e debitorit në një procedurë falimenti, janë në një gjendje diskriminuese, kjo për shkak se fryma që ligji ekzistues përcjell, është e orientuar drejt zbatimit të procedurave të likuidimit, duke mos i lënë hapësirën e duhur biznesit për të shfrytëzuar mundësinë tjetër të njohur nga ligji, atë të riorganizimit, që si qëllim kryesor ka ruajtjen e aktivitetit.

Kjo ndodh pasi dispozitat e ligjit ekzistues fokusohen më tepër në sqarimin e dispozitave që parashikojnë likuidimin e një biznesi, duke lënë të paqartë procesin e riorganizimit të një biznesi. Ministria e Drejtësisë thotë se, në këto kushte është e nevojshme të hartohen dispozitat e qarta ligjore, që të plotësojnë këtë mundësi që vetë ligji jep, duke ruajtur njëkohësisht balancën midis të drejtave dhe detyrimeve, që kanë të gjithë aktorët në një çështje.

Ligji aktual nuk përcakton saktë se për çfarë mund të aplikohet në fazën fillestare të nisjes së procedurave të falimentit. Pra, nuk përcakton mundësi alternative nëse një procedurë aplikimi mund të jetë për ndjekjen e procedurës së likuidimit. Ministria e Drejtësisë sqaron se, ndërkohë që legjislacioni ynë paraqet këtë mangësi, legjislacionet e vendeve më të zhvilluara i kushtojnë rëndësi detajimit, që prej fillimit të aplikimit për procedurë falimenti, duke e sqaruar atë që në momentin e aplikimit, çka i orienton më shpejt dhe saktë palët se cilat do të jenë hapat e mëtejshme në realizimin e procedurës.

 

A ka zgjidhje?

Qeveria mund të ndërhyjë ndryshe nga deri tani në mbështetje të biznesit privat që ka problem të mbartura në vite, gjë që nuk e bën. Një zgjidhje konkrete, është që qeveria të blejë apartamentet bosh të kompanive të ndërtimit që janë kredimarrës të këqij me vlera të kostos dhe t’i japë ato për të pastrehët. Në këtë mënyrë ulen kreditë e këqija në banka dhe zgjidhet problemi i strehimit për shtresat në nevojë

Përmirësimi i burimeve të të ardhurave për kreditorët e këqij bashkë me disa politika ndërmjetësuese të qeverisë mund të jenë zgjidhje të shëndetshme për uljen e kredive me probleme, thotë Llazi Balliu, një ekspert i vjetër i sistemit bankar dhe ish-anëtar i Këshillit të Mbikëqyrjes të Bankës së Shqipërisë. Ai thotë se fshirja e kredive të humbura nga bilancet nuk përmirëson situatën, përkundrazi, mund të jetë vetëm një efekt statistikor dhe kreditë me probleme mund të rriten edhe më tej.

Balliu thotë se, duhet të gjenden zgjidhje eficiente dhe për më tepër duhet të forcohen rregullat ndaj bankave për të respektuar standardet në dhënien e huave. Një zgjidhje konkrete, sipas tij, është që qeveria të blejë apartamentet bosh të kompanive të ndërtimit që janë kredimarrës të këqij me vlera të kostos dhe t’i japë ato për të pastrehët. Në këtë mënyrë, Balliu thotë se, janë zgjidhur dy problematika: Ulen kreditë e këqija në banka dhe zgjidhet problemi i strehimit për shtresat në nevojë. Por ai shton se, kreditë e këqija do të mbeten të tilla deri sa, burimet e financimit të kredimarrësve të këqij nuk përmirësohen.

Ai propozon ristrukturimin në vend të falimentit të korporatave të mëdha që kanë borxhe të këqija. Sipas Balliut, falimenti nuk i shërben askujt dhe ka pasoja të shumëfishta në ekonomi, përndryshe ristrukturimi po shihet kudo në botë si një model më i suksesshëm përballë falimentit klasik. Rritja e transparencës dhe thellimi mbi të vërtetat e bilanceve të kompanive në të ardhmen do të mund të parandalojë krijimin e huave të reja me probleme. Eksperti njohur i rekomandon Bankës së Shqipërisë që të forcojë kontrollin dhe mbikëqyrjen në bankat tregtare, pasi ka të dhëna për përfshirjen në korrupsion të oficerëve të kredisë dhe ky është një element kyç se pse kreditë nuk janë kthyer në banka.

 

Performancë e dobët e Tatimeve e Doganave

Sipas statistikave të publikuara nga Ministria e Financave, totali i të ardhurave në buxhet për periudhën janar-prill 2015 eshte 121 miliardë lekë. Zëri i të ardhurave jotatimore ka një ecuri pozitive. Ndërsa të ardhurat nga tatimet e doganat kanë vijuar me performancë në rënie me 1%, ku efektin më të keq e ka dhënë TVSH-ja. Të ardhurat nga TVSH, një tregues i konsumit në ekonomi, ranë me 9%, në rreth 37 miliardë lekë. Ministria e Financave ka shpjeguar më parë se ulja e grumbullimit të taksës së TVSH-së ka ardhur edhe si rrjedhojë e uljes së TVSH të mbledhur në importin e “makineri dhe pajisje” për shkak të përjashtimeve që është bërë për këtë taksë në import. E njëjta e dhënë është edhe për uljen e të ardhurave në importet e materialeve të ndërtimit, që sjell një ulje të TVSH-së.

Të ardhurat nga tatim fitimi janë rritur me 30% në 10.3 miliardë lekë. Dalja e kompanisë shtetërore OSHEE me fitim për herë të parë që nga 2009-a (për tremujorin e parë fitimi i OSHEE ishte 2.1 miliardë lekë) ka ndikuar pozitivisht në këtë zë.

Tatimi mbi të ardhurat personale vijon të ketë performancë negative, me një rënie prej 1.2% në 8.6 miliardë lekë.

Të ardhurat nga taksa nacionale ranë me 8% në 9 miliardë lekë, ku ndikimin kryesor e jep tkurrja e rentës, si rrjedhojë e rënies së çmimeve të naftës.

Zëri që po mban peshën kryesore në rritjen e të ardhurave në buxhet për katërmujorin është ai i të ardhurave jotatimore, konkretisht “të ardhura nga institucione buxhetore”, që u zgjerua me 3.9 miliardë lekë, apo 44% në 13 miliardë lekë. Ky zë ka ndikuar në 82% të totalit të rritjes së të ardhurave në vlerë absolute 4.8 miliardë lekë. Rritja e tarifave të universiteteve dhe të ardhurat nga licence celulare janë arsyet kryesore të rritjes së të ardhurave jo tatimore.

Duke marrë në konsideratë zhvillimet e ekonomisë për dy katër mujorët e ardhshëm, që do të shoqërohen nga një normalitet ecurie të investimeve, dhe në rastin optimal do të ketë një rritje të PBB deri 3%, atëherë mbetet të fokusohet qartë menaxhimi dhe burimet drejt zgjerimit të bazës të të ardhurave duke u angazhuar me risqet më kryesore për të ardhurat, si dhe programe konkretë antievazion të harmonizuara me luftën brenda administratës ndaj korrupsionit, që jo vetëm luftojnë fenomenin, por edhe gjenerojnë të ardhura në buxhet.

Një rrugë e duhur që duhet të zbatohet, mund të thuhet se është rikuperimi i tatimeve të munguara duhej të bëhej nga forcimi i administrimit duke u orientuar nga strategjia për rritjen e vullnetarizmit në zbatimin e ligjit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here