“Post Kumanova”/ Maqedoni, mblidhen krerët e politikës, opozita kërkon dorëheqjen e qeverisë

0
124

menduh thaciDy krerët e partive maqedonase dhe dy krerët e partive shqiptare u takuan në Shkup pas ndërmjetësimit të ndërkombëtarëve. Flitet vetëm për qetësim të situatës

Liderët kryesorë të Maqedonisë, Nikollas Gruevski, Ali Ahmeti, Zoran Zaev dhe Menduh Thaçi janë takuar gjatë mesditës së djeshme në Shkup ku kanë diskutuar për gjendjen e vështirë të vendit. Diskutimet mësohet se kanë qenë të zjarrta, ndërsa në fund duket se nuk është rënë dakord. Të paktën kështu thotë kreu i opozitës maqedonase, Zoran Zaev. “Vetëm dorëheqje dhe qeveri kalimtare. Takimi ka qenë një tentativë për të vënë një kornizë për dialog politik. Por nuk ramë dakord”, – ka theksuar Zaev pas takimit. Takimi do të vazhdojë të hënën. Zaev mësohet se ka këmbëngulur për dorëheqje dhe formimin e një qeverie kalimtare si kusht për zgjidhjen e krizës politike. “Normalizimi është i mundshëm vetëm me formimin e qeverisë kalimtare, e cila do të organizojë zgjedhje të parakohshme”, – ka thënë Zoran Zaev.

 

Kryeministri Gruevski

“Në një javë të vështirë për shtetin, u takuam për ti dhënë përkrahje të përbashkët vlerave demokratike, përfshirë të drejtën e protestës dhe dënimit të dhunës, pavarësisht a është për qëllime kriminale apo politike. Ne gjithashtu u pajtuam të vazhdojmë me dialogun për hir të avancimit të agjendës euroatlantike për të mirën e të gjithë qytetarëve. Në takim krahas liderëve të partive më të mëdha politike në vend”, – ka thënë kryeministri dhe kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.

 

Reagimi i Ahmetit

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka ritheksuar edhe njëherë se dhuna dhe destabilizimi nuk janë interes i askujt. Ai kërkoi bashkëpunim dhe komunikim më të madh rajonal për të gjitha çështjet. Ahmeti i ka bërë këto deklarata gjatë një takimi që ka pasur me përfaqësuesin special të OSBE-së për Ballkanin Perëndimor, ambasadorin Gerard Stoudman si dhe Komisaren e Lartë për të drejtat e Komuniteteve, Astrid Thors. Kryetari Ahmeti shprehu mirënjohje për kontributin konstruktiv të OSBE dhe komunitetit ndërkombëtar në tejkalimin e situatës shumë të vështirë në Kumanovë. Ndërsa nga ana tjetër OSBE shprehu shqetësim për krizën politike dhe situatën e sigurisë në vend si dhe theksoi gatishmëri për të ndihmuar në tejkalimin e gjendjes.

 

Të ikë qeveria

Kriza në Maqedoni mund të tejkalohet vetëm me ndërrimin e të gjithë drejtuesve në institucionet shtetërore e më pas, me një qeveri kalimtare që do t’i hapte rrugën demokratizimit të shtetit. Kështu vlerësojnë disa prej analistëve në Shkup. “Nuk është problemi që të largohen 20 ministra e pas tyre të vijnë persona të tjerë të kualifikuar për organizimin e zgjedhjeve demokratike. Bëhet fjalë për shtresa të tëra. Çfarë të bëjë ministri i ri i Brendshëm apo i Drejtësisë kur sekretarët, zëvendësit, e gjithë të tjerët të jenë po ata. Edhe po të jetë më i miri në botë, në ditën e tretë të punës, ai mund të bëhet jo efikas dhe të japë dorëheqjen”, – thotë analisti, Sasho Ordanovski.

 

Pasojat: 121 familje e 66 shtëpi të dëmtuara nga konflikti në Kumanovë

Plot 66 shtëpi dhe 121 familje kanë pësuar dëme materiale nga përleshjet e armatosura në Kumanovë. Këto janë të dhënat e para që i janë dorëzuar qeverisë dhe autoriteteve vendore nga komisioni për vlerësimin e dëmeve, i cili do të vazhdojë punën në terren edhe në ditët në vijim. Pas këtyre, Komuna e Kumanovës ka shpërndarë ndihmat e para në Lagjen e Trimave. Ndërkohë, 5 ditë pas tërheqjes së policisë nga lagja e tyre, banorët ende nuk po arrijnë të marrin veten dhe të largojnë nga mendja atë çfarë ju ka ndodhur. “Unë nuk besoj se mund të kthehem siç kam qenë. Tani ju të gjithë jeni para meje, por unë nuk jam duke parë asgjë përveç luftës që përjetova atë ditë për 14 orë”, – thotë një prej tyre. “Nuk ka dhimbje më të madhe se kjo. Sikur gjithçka të na e shtrojnë me ar, nuk paguhet kjo traumë që na ka mbetur dhe nuk do largohet kurrë. Çdo minutë e kemi përjetuar vdekjen para syve”, – thotë një tjetër. “Përjetimet nuk mund të përshkruhen, mjaftojnë pamjet që keni marrë, ndërsa për tekst nuk ka nevojë”, – vijon dikush tjetër. Ish-deputeti shqiptar nga Kumanova dhe pjesëmarrës në konfliktin e vitit 2001, Hysni Shaqiri thotë se këto ngjarje kanë prekur të gjithë shqiptarët. Ai fton zyrtarët e Tiranës dhe Prishtinës të vizitojnë Lagjen e Trimave dhe në të ardhmen t’i kushtojnë më tepër vëmendje popullatës shqiptare në Maqedoni. “Ka hapësirë për të vepruar politikisht. Shqiptarët kanë struktura për t’u organizuar dhe për t’i thënë ndal këtij terrori, kësaj politike që po shkakton dhimbje dhe trauma tek familjet shqiptare. Kjo është dhimbje e gjithë shqiptarëve”, – ka thënë Shaqiri. Ngjarjet e Kumanovës tek qytetarët e Maqedonisë kanë shtuar pasigurinë, që ishte prezente që kur nisi kriza politike, nga e cila duket se vendi nuk do të ketë dalje të shpejtë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here