Me të rinjtë e Elbasanit/ Basha: Qytetarët s’hanë as palma dhe as punësohen majë palmës. Papunësia e rinisë 40%

0
158

Gëzim Saliu

basha turkuTakimi me të rinjtë e Elbasanit, kandidati Turku: Në vitin e parë ulim taksat e biznesit me 30%

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, zhvilloi dje një bashkëbisedim me të rinjtë e Elbasanit, ku së bashku me kandidatin e opozitës për këtë Bashki Ardian Turku u njoh nga afër me shqetësimet për tarifat e larta, nivelin e papunësisë si edhe promovimin në poste drejtuese të personave me precedentë kriminalë dhe nxjerrjen në rrugë të të rinjve të kualifikuar. Në këtë takim, Basha ftoi të rinjtë që me 21 qershor t’i japin me votën e bashkuar, pa dallim të majtë e të djathtë ndaljen keqqeverisjes. “A është drejtimi i duhur për Elbasanin që fakulteti të ketë më pak studentë sepse nuk paguajnë dot tarifat e rritura? A është drejtimi i duhur për Shqipërinë që në muajin prill, numri më i lartë i azilkërkuesve i Bashkimit Evropian të mos jenë më sirianët, por të jenë shqiptarët? A është drejtimi i duhur për Shqipërinë që papunësia rinore të kapë shifrën, pothuajse 40%? Në qoftë se ky nuk është drejtimi i duhur atëherë më 21 qershor, me votën tuaj duhet të jepni një mesazh të bashkuar, mesazhin e ndaljes të së keqes”, -theksoi kreu i PD-së.

 

Takimi

Në bashkëbisedimin me të rinjtë, Basha theksoi se vendi është zhytur në varfëri dhe se sipas tij qeveria ka prioritet fasadat të cilat nuk hapin vende pune por mbushin xhepat e qeveritarëve. Për kryedemokratin sistemi i taksave të larta, çmimeve të larta, mungesës së shpresës e ka çuar vendin në drejtimin e gabuar. “Duhet të ketë një rend prioritetesh, në qoftë se papunësia është problem më i madh, në qoftë se varfëria është problem më i madh, në qoftë se uji është problem më i madh, aty investohet në fillim. E pastaj në projekte luksi. E pastaj në projekte zbukurimesh se njerëzit nuk hanë palma as nuk punësohen majë palmës. Sistemi që po falimenton Shqipërinë është sistemi i taksave të larta, i çmimeve të larta, ku shqiptarët paguajnë më shumë, fitojnë më pak dhe jetojnë më keq. Ne do t’i japim fund këtij sistemi. Shqiptarët do të paguajnë taksa të ulëta, do të fitojnë më shumë, do të kenë më shumë mundësi për punësim dhe do të jetojnë më mirë”, – pohoi kreu i demokratëve. Nga ana e tij, kandidati i PD-së për kryetar të bashkisë së Elbasanit, Ardian Turku theksoi se prioritet i punës së tij janë interesat e qytetarëve dhe familjarët e tij. Në programin e tij Turku bëri të ditur se ka prioritet uljen e menjëhershme me 30% të taksave dhe reduktimin e informalitetit. “Menjëherë ekipi im do të ulë taksat e biznesit të vogël, jo më me 10% por me 30% që në vitin e parë. Por më duhet t’ju them se nuk do të ketë më një rrugicë, apo në një rrugë me 20 dyqane rresht, ku 8 paguajnë, ku 6 s’paguajnë fare dhe 6 paguajnë nën dorë dhe vazhdojnë biznesin informal”, – deklaroi ai. Më pas kreu i opozitës zhvilloi edhe një takim me fermerë dhe banorë të Kuqanit në Elbasan ku u njoh me shqetësimet e banorëve për mungesën e subvencioneve, rritjen e çmimit të naftës dhe të energjisë elektrike që e ka dyfishuar koston e punimit të tokës në këtë zonë. “Po le të shohim pak aty ku kanë qeverisur bashkë me kryetarin e tyre siç është rasti i Elbasanit. A kanë hapur vende pune këto dy vite me paratë që kanë marrë nga shqiptarët? A e ka luftuar papunësinë? A i kanë ulur taksat? A paguajnë elbasanllinjtë më pak? A fitojnë më shumë? A jetojnë më mirë aty ku i kanë patur të dyja pushtetet? Jo. A e dini pse jo? Sepse gjithë pushteti i sovjetëve është provuar si formula shkatërrimtare për një shoqëri”, – deklaroi kreu i opozitës Lulzim Basha.

 

Me banorët e fshatrave të Tiranës/ Kosova: Nuk e kam problem të shtrij dorën e bashkëpunimit te Rama për projektet e Tiranës

Kandidati i opozitës për kryebashkiak në Bashkinë e Tiranës, Halim Kosova, bisedoi dje me banorët e fshatrave të kryeqytetit ku iu përgjigj deklaratave të kryeministrit sipas së cilave nëse emrat e propozuar nga PD do fitojnë në bashki do ankohen për bllokime projektesh nga qeveria. Duke iu përgjigjur edhe pyetjes së një banori cili theksoi se me ardhjen në pushtet të qeverisë tjetër së majtë, projektet e Bashkisë janë bllokuar, Kosova tha se ai ka hyrë në këtë garë jo për të bërë karrierë politike por për të shërbyer.“Rama dhe Basha janë dy konkurrentë për postin e kryeministrit. E kam thënë dhe gjej rastin ta them prapë. Unë nuk jam konkurrent as me njërin as me tjetrin. Puna ime është si të bëj më mirë menaxhimin dhe harmonizmin e mundësive që ka Tirana e madhe në të mirë të komunitetit, të gjithë banorëve kudo që jetojnë. Kështu që, ashtu si e kam treguar në sektorin shëndetësor, duke i shtrirë dorën e bashkëpunimit çdo force politike për pacientin, po këtë lloj metode pune do përdor për të shtrirë dorën e bashkëpunimit çdo lloj force politike sado kohë që ajo të jetë në fuqi”, pohoi ai. Ndërkaq në këtë takim, Kosova siguroi se ndarja administrative nuk do ti lërë larg vëmendjes së Bashkisë së Tiranës. “Çdo banor i Tiranës në qendër, në fshat, në komunë, kudo qoftë ai, do trajtohet njësoj si banor i kryeqytetit të Republikës së Shqipërisë. Kurrë nuk i kam ndarë pacientët demokrat e pacient socialist, të këtij lloji të atij lloji, absolutisht nuk kam përse ta bëj tani me banorët”. Lidhur me punësimin e të rinjve të këtyre zonave, Kosova tha: “Bashkia do të ofrojë ambiente falas, me qera zero ose shumë minimale në objekte që i ka në varësinë e vet, duke i rikonstruktuar, për të rinj të cilët kanë një projekt dhe duan ta hedhin në letër dhe këtë do të rekomandoja ty dhe gjithë të tjerëve që ti përvishemi punës dhe të bëjmë më të mirën e mundshme për ta parë veten me perspektivë”.

 

PD hap website për Veliajn: Do postojmë çdo ditë premtimet e pambajtura dhe mashtrimet

Partia Demokratike hap website në internet për kandidatin e së majtës për bashkinë e Tiranës Erion Veliaj, ku ka dhe do të përfshijë në të çdo ditë ato që i cilëson si premtimet të pambajtura dhe mashtrime të ish-ministrit të Mirëqenies Sociale. Në 2013-ën Erioni premtoi: “Të gjitha grave e vajzave të regjistruara të papuna u ofrojmë një shans punësimi, vetëpunësimi ose trajnimi brenda një viti”. Erioni dhe Ministria e tij ishin përgjegjësit për ta realizuar këtë premtim. Ku janë trajnimet për gjithë gratë dhe vajzat? Ku janë vendet e punës? Sot gratë dhe vajzat nuk marrin asnjë punësim përveç talljeve dhe fyerjeve në zyrat e punës. Kemi parë që punësim ju ofrohet në këmbim të favoreve seksuale nga perversët e pushtetit ose për Lizat e arsimit që zhvatin ryshfete dhe organizojnë deri prostitucion shtetëror me gratë dhe vajzat shqiptare. Erioni premtoi, ai ishte përgjegjës, por asgjë nuk u bë. Ai i mashtroi të gjitha gratë dhe vajzat e regjistruara si të papuna”, – thuhej në deklaratën e PD-së. Më tej PD bëri të ditur se çdo ditë do t’i kujtohet kandidatit të së majtës premtimet e thyer si edhe mashtrimet. Çdo ditë do të postojmë premtimet e pambajtura dhe mashtrime më të fundit në faqen e internetit: www.drejtimiiduhur.al”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here