“Kumanova”/ Amaneti i luftëtarit në Kumanovë: Do të vritemi, mos e lër nënën të mërzitet

0
173

 

beg rizaj 111Komandantët Mirsad Ndrecaj i ashtuquajtur “NATO” dhe Beg Rizaj i njohur si “Komandant Begu” ishin ndjekur dhe përgjuar nga shërbimi sekret i Maqedonisë që nga 13 shtatori i vitit 2013. Ka qenë lideri i LSDM-së dhe opozitës maqedonase, Zoran Zaev, i cili theksoi dje se “grupi i armatosur në Kumanovë ishte ndjekur që nga mesi i vitit 2013”. Zaev nënvizoi se dy udhëheqësit e këtij grupi të UÇK-së, Mirsad Ndrecaj, Komandant NATO dhe Beg Rizaj, ishin në përgjim prej shtatorit të vitit 2013. “Unë kam materiale të shkruara dhe jo biseda të përgjuara, që sigurisht çdo opozitë në botë i siguron ato për shkak të sigurisë, që të jetë korrektuese në momente të caktuara. Nuk ka rëndësi se ata janë ndjekur tetë muaj apo 1 vit e 8 muaj, por tani hapet dilema se si është bërë e mundur që paraprakisht të bëhej diçka për t`u ruajtur jetët e njerëzve”, – theksoi Zaev. Dokumenti i tij daton nga 13 shtatori i 2013-ës dhe e posedon vetëm ai.

 

Amaneti i fundit

Është trishtues dhe rrëqethës rrëfimi i fundit nëpërmjet telefonit i njërit prej luftëtarëve që me siguri ka mbetur i vrarë në luftimet në Kumanovë. Biseda rrëqethëse këputet pas pak, asnjë shenjë më dhe asnjë gjurmë… vetëm të shtënat e fundit dëgjohen. Ai i lë amanet motrës ngushëllimin për nënën. “Me siguri do të vritemi! Nuk na ka mbetur asnjë plumb, m’u kanë vrarë shumë shokë, po të kishim municion akoma do luftonim… edhe këtë vend të trimave do ta mbushnim me varre të tyre. Na tradhtuan motër, por mos më qani, e kemi paguar veten. Mos e lër nënën të mërzitet se baba është më i fortë”. Dhe këtu merr fund gjithçka, ndihen të shtënat!

 

Rizaj na sulmoi me thikë

 Pas përfundimit të luftimeve rreth 30-orëshe në Kumanovë ndërmjet policisë maqedonase dhe luftëtarëve shqiptarë të UÇK-së kanë filluar të dalin detajet e para rreth përleshjes. Një polic i njësisë speciale i angazhuar në këtë aksion, në kushte anonimiteti, ka rrëfyer ngjarjen për median kosovare. Ai ka thënë se shqiptarët kanë qenë të stërvitur mirë dhe me përvojë të madhe në përleshje dhe të armatosur. “Ata kanë qenë shumë të rrezikshëm. Dukej nga mënyra se si gjuanin se ishin të stërvitur mjaft mirë për beteja në afërsi”, – ka thënë pjesëtari i policisë. Ai ka treguar një detaj mjaft interesant gjatë përleshjes. “Ne jemi futur në njërën nga shtëpitë ku u dëgjua thirrja me megafon. Personi që ishte na është vërsulur me thikë, pasi i kishin mbaruar municionet dhe fatkeqësisht e ka goditur njërin nga kolegët e mi. Reagimi ynë ka qenë i menjëhershëm”, – ka thënë polici. “Pas publikimit të fotografive e kam identifikuar atë person dhe ai ka qenë Beg Rizaj”, – ka përfunduar polici.

 

 

“Ali Ahmeti më dërgoi në Kosovë të takoj Sokolin”

 Pak ditë para se të ndodhte përplasja në Kumanovë, me porosi të Ali Ahmetit, Sadulla Duraku, kryetar i Komunës Lukovë, ka takuar në Kosovë Sami Ukshinin, i njohur si Komandant Sokoli për të mësuar se cili është motivi që duan të hyjnë në Maqedoni. Në një intervistë për “Ballkan Magazine”, për gazetaren Linda Karadaku, Duraku thotë se takimi ishte bërë në Kosovë dhe komandant Sokoli kishte mohuar që kishte lidhje me ngjarjen. “Më ka dërguar Ali Ahmeti të takohem dhe më ka kërkuar të mësoj motivin. Sami Ukshinin e kam takuar në Kosovë dhe nuk e kam kuptuar motivin, por ai më ka thënë që nuk jam atje”, – tha Duraku.

 

Sot takohen krerët e politikës në Maqedoni

 Liderët e katër partive politike në vend, VMRO-DPMNE, LSDM, BDI dhe PDSH, do të takohen gjatë ditës së sotme në Shkup. Dialogu politik do të udhëhiqet mes Gruevskit, Zaevit, Ahmetit dhe Thaçit. Propozimi që takimi të mbahet nën koordinimin e presidentit Ivanov, është refuzuar nga ana e BDI-së dhe Ali Ahmetit. Kryetari i BDI-së nuk ka pranuar të ulet në një tryezë me presidentin e shtetit, të cilin ai nuk e njeh si të tillë. Mësohet se takimi është iniciuar nga ana e përfaqësuesve të Bashkësisë Ndërkombëtare që të hapet dialogu për zgjidhjen e krizës politike.

 

Kosova njihet me emrat e shqiptarëve që janë arrestuar në Maqedoni

Kosova e ka marrë listën zyrtare nga autoritetet e Maqedonisë me emrat e të arrestuarve. Kjo gjë është bërë e ditur nga Ardian Arifaj, këshilltar i zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtë të Kosovës, Hashim Thaçi. Në listë janë 23 shtetas kosovarë që janë arrestuar në incidentin e armatosur në Kumanovë të Maqedonisë. “Më në fund e kemi marrë një listë nga autoritetet maqedonase me emrat e 23 qytetarëve të Kosovës të cilët janë arrestuar në Kumanovë. Ambasada ka nisur menjëherë përpjekjet që së pari të vë kontakt nëse të arrestuarit kanë pranuar të kontaktohen nga ambasada – t’i shikojë nevojat e tyre, gjendjen shëndetësore, t’i njoftojë familjet e tyre dhe ta organizojë një vizitë familjare deri të premten”, – tha Arifaj për “Kallxo.com”. Ai tha se ende nuk kanë marrë asnjë konfirmim zyrtar nga autoritetet e Maqedonisë për shtetas të Kosovës të vrarë apo të plagosur gjatë konfliktit të armatosur në Kumanovë. “Zyrtarisht nuk kemi asnjë konfirmim për viktima nga Kosova në Kumanovë të Maqedonisë. Normalisht që jemi të gatshëm që veprojmë, të reagojmë. Kemi kontaktuar edhe autoritetet maqedonase dhe i kemi njoftuar se jemi të gatshëm për çdo rast të veprojmë në bazë të protokolleve dhe procedurave të parapara me ligj”, shtoi Arifaj. Arifaj bëri të ditur se autoritetet kosovare janë duke bashkëpunuar me autoritetet e maqedonase në identifikimin e të arrestuarve por edhe të viktimave. “Autoritetet e Maqedonisë kanë kërkuar gjurmët e gishtërinjve të nëntë personave, dhe autoritetet kosovare menjëherë kanë reaguar. Pra ka bashkëpunim në identifikimin edhe të arrestuar, pasi që lista kërkon një sqarim rreth emrave, por edhe për viktimat jemi të gatshëm të ndihmojmë, edhe me verifikim, por edhe me të gjitha procedurat tjera”, – tha Arifaj. Sipas tij, është planifikuar të realizohet një vizitë të premten e kësaj jave e familjeve të shtetasve kosovarë të arrestuar në Kumanovë të Maqedonisë. “Është paralajmëruar që të premten familjet do të lejohen t’i vizitojnë personat e arrestuar. Ajo ju takon autoriteteve maqedonase që t’jua mundësojnë të arrestuarve edhe të kontaktohen nga ambasada por edhe të vizitohen nga familjet”, – tha më tej Arifaj.

 

Kërkesa e nënkryetarit të PE-së: Gruevski duhet që të japë dorëheqjen

Nënkryetari i Parlamentit Evropian, Alexander Graf Lambsdorff, i ka kërkuar Kryeministrit maqedonas të japë dorëheqjen sepse kjo do të kontribuojë në zgjidhjen e krizën që ka përfshirë prej disa muajsh vendin. “Nikolla Gruevski duhet të tërhiqet si pengesë në rrugën për të ulur tensionet etnike, por edhe për zgjedhjet e reja, që duhet të mbahen në kushte demokratike. Pa një aksion të shpejtë, tha nënkryetari i Parlamentit Evropian, Alexander Graf Lambsdorff, rajoni sërish do të jetë në prag lufte”. Kjo është e para deklaratë e faktorit ndërkombëtar që kërkon dorëheqjen e Kryeministrit maqedonas. Edhe Departamenti Amerikan i Shtetit deklaroi se po ndjek më shumë vëmendje situatën në Maqedoni duke qëndruar në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet dhe udhëheqësit politikë të vendit. Një prej zyrtarëve të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit u bëri thirrje banorëve të ruajnë qetësinë dhe të lejojnë zbardhjen e fakteve për dhunën në Kumanovë. Ai u kërkoi udhëheqësve të Maqedonisë të bashkëpunojnë dhe të nisin dialogun për zgjidhjen e sfidave me të cilat ndeshet vendi i tyre, si krizën e zgjatur politike dhe realizimin e reformave të nevojshme.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here