BSH: Në pesë tremujorë radhazi rritet deficiti i llogarisë korrente

0
135

Ervin Kaduku

banka e shqiperise–  Rritet në 22.7 për qind kredia me probleme në mars, duke kapur 1 miliard euro; deficiti zgjerohet me afro 26% krahasuar me 2013-ën

Marrja e pandërprerë e një sasie të konsiderueshme borxhesh nga qeveria shqiptare po dëmton seriozisht ekonominë e vendit. Sipas Bankës së Shqipërisë, pozicioni neto i llogarisë korrente regjistroi një deficit prej 377.5 milionë eurosh në tremujorin e katërt të vitit 2014, duke ndjekur një prirje zgjeruese për të pestin tremujor radhazi. Për këtë tremujor, deficiti i regjistruar u thellua me rreth 12% në nivel vjetor dhe u vlerësua në nivelin 14.5% ndaj PBB-së nominale. Ndërkohë, për të gjithë vitin 2014, ky deficit u vlerësua në rreth 12.9% ndaj PBB-së nominale, duke u zgjeruar me rreth 25.7% krahasuar me vitin 2013. Sipas zërave përbërës të llogarisë korrente për tremujorin në analizë, kontribut të kahut zgjerues ka dhënë përkeqësimi i deficiteve të të ardhurave parësore dhe të eksporteve neto. Ndërkohë, suficiti i të ardhurave dytësore u zgjerua me ritme të përshpejtuara në nivel vjetor. Ky i fundit dha ndikim të kahut ngushtues në ecurinë vjetore të deficitit të llogarisë korrente.

Këtë tremujor, kërkesa e huaj nuk ndihmoi në rikthimin e prirjes rritëse të eksportit të mallrave dhe të shërbimeve. Prirje rënëse shfaqën edhe importet e mallrave dhe shërbimeve, por ritmet e regjistruara ishin më të moderuara krahasuar me ato të eksporteve.

Bilanci i llogarisë së të ardhurave parësore qëndroi në territor negativ për të pestin tremujor radhazi dhe thelloi më tej deficitin e regjistruar, krahasuar me tremujorin e fundit të vitit 2013. Në anën tjetër, gjatë këtij tremujori është regjistruar një rritje prej rreth 12.9% e të ardhurave dytësore, ku vlen të theksohet rritja vjetore e dërgesave prej emigrantëve me rreth 22.1%.

Flukset hyrëse neto në llogarinë kapitale u rritën në 21.1 milionë euro, nga 18.2 milionë euro që ishin gjatë tremujorit të katërt të vitit të kaluar. Flukset neto në llogarinë financiare u rritën me rreth 26.5% në nivel vjetor dhe financuan 75.7% të deficitit të llogarisë korrente. Investimet e huaja direkte neto u zvogëluan lehtësisht me rreth 0.8% në terma vjetorë.

Në anën tjetër, investimet e tjera neto u vlerësuan në zvogëlim të mjeteve të zotëruara jashtë me rreth 122.2 milionë euro, si rrjedhojë e rënies së mjeteve në formë monedhash e depozitash. Megjithatë, këto të fundit janë kompensuar disi nga një rritje me rreth 104.7 milionë euro e mjeteve jashtë në formë investimesh portofoli të zotëruara prej rezidentëve.

 

Pagesa e energjisë uli konsumin

Banka e Shqipërisë deklaroi se mbledhja e borxheve të prapambetura të energjisë goditi konsumin e familjeve në tremujorin e katërt të vitit të kaluar. Në raportin e politikës monetare, banka thotë se pas 4 tremujorësh me rritje, kërkesa e brendshme private u tkurr duke dhënë ndikim negativ në rritjen ekonomike. Sipas saj, shkaku për rënien ishte pagesa e faturave të prapambetura të energjisë nga familjet dhe zbehja e besimit konsumatorë. Edhe pse rritja ekonomike në tremujorin e katërt të vitit të kaluar ishte sipas INSTAT 2.4 për qind, Banka thotë se ajo erdhi nga shpenzimet e qeverisë, ndërsa kërkesa private dha kontribut negativ në rritjen e prodhimit.

Sipas të dhënave zyrtare nga vetë korporata, vitin e kaluar kompania arkëtoi 100 milionë dollarë më shumë se një vit më parë, mbi 0.7 për qind e prodhimit kombëtar. Por pjesa më e madhe e këtyre të ardhurave është materializuar në tremujorin e fundit të vitit kur kompania prezantoi skemën lehtësuese të shlyerjes së detyrimeve, e cila falte 80 për qind të kamatëvonesës mbi borxhin.

Ekspertët e bankës mendojnë se për të kompensuar këto pagesa familjet mund të jenë detyruar të shkurtojnë shpenzimet e tjera për konsum.

Për këtë vit Banka e Shqipërisë pret që konsumi të rigjallërohet. Sipas saj kërkesa e brendshme do të jetë faktori kryesor që do të mbështesë rritjen ekonomike gjatë këtij viti, që vlerësohet se do të jetë më e lartë se ajo e 2014-ës.

 

Rritet kredia me probleme në mars

Kredia me probleme në muajin mars ka shënuar rritje në raport me shkurtin, duke arritur në 22.69%, nga 22.5% që kishte zbritur në muajin shkurt. Të dhënat bëhen të ditura nga statistikat tremujore të Bankës së Shqipërisë. Ndonëse në raport me tremujorin e fundit të 2014-s, tendenca është zbritëse e lehtë (0.07 pikë përqindjeje më pak), marsi duket se vërtetoi se rënia e huave të pakthyera në afat nuk ishte e qëndrueshme, por më shumë një “manovër” e bankave për të dalë me fitime të larta në tremujorin e fundit.

Në tremujorin e fundit të 2014-s, NPL-të zbritën me 2.1 pikë përqindjeje në 22.8%. Niveli më i lartë rekord i huave të pakthyera në afat, që prej fillimit të viteve 2000, para se sistemi të pastrohej nga kreditë problematike të bankave shtetërore, u arrit në tremujorin e tretë 2014, prej 24.9%.

Në tremujorin e fundit 2014, rënien më të madhe e shënuan huat nënstandarde (kategoria e parë e klasifikimit si problematike, deri në 180 ditë vonesë), me 1.6 pikë përqindjeje.

Huat e humbura (ato që banka nuk ka shpresë t’i rikuperojë më) përbënin 11.73% të totalit të huave, në fund të tremujorit të parë. Në vlerë absolute, kredia e humbur ishte rreth 470 milionë euro.

Pjesa më e madhe kredive të humbura ose në rrezik serioz arkëtimi nga bankat zotërohen nga rreth 35 kompani dhe korporata të mëdha, të cilat mbartin 65% të portofolit të kredive me probleme. Ndërsa 80 kompani zotërojnë mbi 80% të totalit të kredive të pakthyera.

Kompanitë me moskthimin e kredive po mbajnë peng të gjithë zhvillimin e ekonomisë, janë pjesa më e vështirë e shtruar për zgjidhje. Por duket se, me këtë pjesë do të merret posaçërisht Banka Botërore, e cila, siç mësohet, ka marrë në skaner një nga një debitorët e mëdhenj.

Në total, kredia me probleme është rreth 23% e totalit, apo gati 1 miliard euro. Burimet konfidenciale pohojnë se 35 kompani, që zotërojnë 65% të totalit të kredisë me probleme i kanë një borxh bankave prej rreth 600 milionë euro. Ekspertiza e deritanishme ka evidentuar se gjysma e tyre duhet të përfshihen në faliment dhe pjesa tjetër të ristrukturohet.

 

Vijon rënia e pagave mesatare të shqiptarëve

Pagat mesatare në ekonomi kanë vijuar rënien. Banka e Shqipërisë në raportin e fundit të politikës monetare, referoi se, treguesi përafrues i pagës mesatare regjistroi rënie vjetore në tremujorin e afërt të vitit 2014. Në terma nominalë dhe realë, kjo rënie shënoi përkatësisht vlerat 4.6% dhe 5.8%. Nga ana tjetër, rritja e lehtë tremujore e treguesit të rregulluar për sezonalitet mund të sinjalizojë ndërprerje të tendencës rënëse të shfaqur në paga.

Gjithashtu, të dhënat e vrojtimeve të besimit sinjalizojnë zhvillime më pozitive të ecurisë së pagave në tremujorin e parë të vitit 2015.

Nga ana tjetër, treguesi i produktivitetit të punës (PP) në aktivitetin jobujqësor shënoi një dinamikë më negative (-9.5%) se ajo e pagës mesatare reale, gjatë tremujorit të katërt të vitit 2014.

Për pasojë, treguesi i kostove të punës për njësi (KPNJ) rezultoi me ngadalësim të rritjes vjetore (5.2%). Në të njëjtin tremujor, edhe ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të prodhimit industrial (IÇP) regjistroi thellim gradual të ritmeve negative (-0.4%).

Ecuria e treguesve të mësipërm tregon praninë e presioneve inflacioniste të dobëta nga krahu i pagave dhe i kostove prodhuese në sektorët jobujqësorë të ekonomisë.

 

 

Shtohen masat shtrënguese tatimore për karburantet

Qeveria ka rritur “dozën” e kontrollit ndaj pikave të karburanteve, duke synuar eliminimin e informalitetit në këtë sektor. Ministria e Financave njoftoi se për të gjithë subjektet që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në fushën e tregtimit të hidrokarbureve me vendim të Këshillit të Ministrave, u hoq rasti i prishjes së pompave të karburanteve dhe shitja për 3 tre ditë pa lëshimin e kuponëve fiskalë. Sipas vendimit të mëparshëm, grosistëve dhe shitësve me pakicë i jepej një afat 3­ditor që të shisnin karburant pa lëshuar kupon tatimor, në rast se i prishej kasa. Pas tre ditësh, me rregullimin e kasës, duhet të hidheshin të dhënat në sistem. Në rast se defekti nuk rregullohej brenda tre ditësh, ndalohej shitja e karburantit. Kjo dispozitë është keqpërdorur dhe abuzuar nga grosistët, të cilët shisnin shpesh 3 ditë pa lëshuar kupon, nën justifikimin e prishjes së kasës. Kështu qeveria ka ndryshuar këtë pikë duke hequr “3-ditëshin”. Në rast se prishet kasa, ndalohet shitja e karburantit. Kështu sipas këtij vendimi, kur dispenseri ose pajisja fiskale difektohet dhe del nga regjimi automatik, dispenseri nuk mund të punojë dhe subjekti nuk mund të shesë pa kupon tatimor deri në momentin e asistimit nga shoqëria e autorizuar që ky subjekt ka një kontratë mirëmbajtje. Koha e gjatë prej 72 orë deri në momentin e rregullimit të pajisjes fiskale jepte shkas për abuzim, duke tregtuar karburant pa kupon tatimor. Shpesh herë pajisjet fiskale prisheshin qëllimisht nga subjektet apo teknikët e autorizuar për të tregtuar pa kupon tatimor dhe pa matur sasinë e tregtuar gjatë kohës prej 72 orë. Me këtë ndryshim tashmë nuk mund të tregtohet karburant pa kupon tatimor dhe procesi i tregtimit të lëngut duhet të ndërpritet kur pajisja nuk funksionon.

 

 

Turizmi, konkurrojmë me Moldavinë për vendin e fundit…

Shqipëria së bashku me Moldavinë rezultojnë vendet më të këqija në Evropë mbi konkurrueshmërinë në sektorin e turizmit. Raporti i vitit 2015 nga “Travel & Turism”, ofron një platformë për shumë aktorë me objektivin e arritjes së një industrie të fortë dhe të qëndrueshëm për të kontribuar në mënyrë efektive në zhvillimin ekonomik ndërkombëtar.

Sipas klasifikimeve të fundit të “Travel & Tourism”, indeski i konkurrencës për vitin 2015, e klasifikon Shqipërinë në vendin e 106 të dalë nga 141 ekonomi të vlerësuara.

“Travel & Tourism” mat një sërë faktorësh dhe politika që mundësojnë zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të Turizmit dhe Udhëtimeve në një vend. Indeksi është shprehur në një 1 (keq) deri 7 (të mira), shkallë të gjithë 90 treguesve, dhe vlerëson 141 ekonomitë. Për fat të keq Shqipëria është renditur në normën e 6, me disa nga vendet më të varfra dhe të pazhvilluara në gjithë botën.

Siç del nga raporti, Shqipëria le pas në renditje vende si Venezuela, Moldavia, Guinea. Shtetet fqinje si Maqedonia dhe Serbia renditen përkatësisht në vendin 82 dhe 95.

 

Rezultatet e “Travel & Tourism”

Renditja 106 / Vota 3.22

 

– Mjedisi i biznesit 93 / 4.11

– Siguria 70 / 5,34

– Shëndeti dhe higjiena 72 / 5.22

– Burimet njerëzore dhe aftësitë e punës 56 / 4.68

– Gatishmëria 73 / 4,07

– Prioritizimi i “Travel & Tourism” 105 / 4,03

– Çmimi i konkurrencës 93 / 4,38

– Qëndrueshmëria e mjedisit 109 / 3.60

– Infrastruktura e transportit ajror 97 / 2.16

– Infrastruktura e porteve 95 / 3.01

– Infrastruktura shërbimi Turistik 79 / 3,94

– Burimet natyrore 128 / 2.03

– Burimet kulturore – 127 / 1.14

 

 

Me 40 shtete është eliminuar taksimi i dyfishtë

Shqipëria ka eliminuar taksimin e dyfishtë deri më tani me 40 shtete. Edhe pse me shumë vende nuk kemi shkëmbime tregtare apo dhe biznese qartësisht të regjistruara, përsëri shteti shqiptar ratifikon marrëveshje me to për eliminimin e taksimit të dyfishtë. Qëllimi i tyre është nxitja e zhvillimit të marrëdhënieve ekonomiko­tregtare, me këto vende, të cilat deri më tani ekzistojnë shkëmbimet tregtare. Por referuar vendeve me të cilat janë ratifikuar këto lloj marrëveshjesh ka raste që ato nuk përfshihen në statistikat zyrtare të tregtisë së jashtme. Një ndër marrëveshjet e fundit të ratifikuara në Parlament ishte ajo e eliminimit të taksimit të dyfishtë me Islandën, duke u përqendruar në tatimin mbi të ardhurat dhe kapitalin. Por duke u nisur nga mungesa e bashkëpunimit tregtar me Islandën mund të vëmë re dhe marrëveshje të ngjashme që janë realizuar kohët e fundit me vende si Britania dhe Irlanda e Veriut, Emiratet e Bashkuara Arabe, India apo Katari. Marrëveshjet eliminuese të taksimit të dyfishtë, krahas lehtësive për biznesin, kanë dhe anën e tyre të “errët”, që po kthehen në problem për mbledhjen e të ardhurave nga tatimet. Mundësia për të paguar taksat në vende të tjera është zgjidhja kundër rëndesës fiskale shqiptare. Nëse i referohemi INSTAT dhe tregtisë së jashtme, shohim se disa nga këto vende nuk figurojnë aspak në listën e shkëmbimeve tregtare. Për të kuptuar këtë tendencë ne na vjen në ndihmë dhe argumentimi se pavarësisht rëndësisë tregtare dhe kapitale të një shteti, marrëveshja për eliminimin e taksimit të dyfishtë ende nuk është realizuar me disa vende. Kështu edhe pse kemi një marrëveshje të tillë me thuajse të gjitha vendet e rajonit, akoma kjo marrëveshje nuk është konkrete me Kosovën, vend me të cilin kemi shkëmbime tregtare gjithnjë në rritje. Marrëveshjet e shmangies së tatimit të dyfishtë krijojnë një bazë të plotë ligjore për trajtimin tatimor të individëve. Këta mund të jenë personave juridikë shqiptarë apo të shtetit përkatës ku ekzistojnë aktivitete biznesi apo të ardhura të ndryshme.

 

 

Greqia i vendos kushte gazsjellësit TAP

Athina ka vënë një tjetër kusht për ndërtimin e gazsjellësit TAP. Ministri grek i riorganizimit produktiv, Panajotis Lafazanis ka kërkuar që kompanitë greke të marrin pjesë në ndërtimin e gazsjellësit. Ministri grek i ka dërguar një letër presidentit të TAP, John Attrill, ku theksohet se është e domosdoshme që kompanitë greke të kenë peshën kryesore për ndërtimin e gazsjellësit në territorin grek. Ministri thekson se nuk duhet të bëhet asnjë dallim ndaj kompanive greke, pasi në të kundërt do të merren masa.

“Ndërsa pjesa më e madhe e gazsjellësit do të realizohet në terren grek, e konsiderojmë si të mirëqenë se do të preferoni të përzgjidhni kryesisht kompani greke, si për ndërtimin e gazsjellësit dhe të veprave dytësore, gjithashtu dhe për furnizimin e materialeve që nevojiten”, – thekson në letrën e tij Lafazanis.

“Ne nuk kërkojmë të shkelet legjislacioni përkatës, por mendojmë ekzistojnë mënyra, mjete dhe metoda, që mundësojnë pjesëmarrjen e kompanive greke që janë të besueshme, kanë ekspertizën dhe pajisjet e duhura, që të marrin pjesë ndërtimin e veprës”, – vijon më tej letra e ministrit grek.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here