Në Himarë e Shëngjin/ Basha: Rama-Meta nuk përballen dot me dështimet e qeverisjes dhe kërcënojnë qytetarët

0
107

Gëzim Saliu

basha ne shengjin“Paniku për humbjen e zgjedhjeve i ka bërë të thonë marrëzira. Po nuk votuat për mua, për kandidatin tonë, nuk do keni ujë, u thonë shqiptarëve. Të gjithë po qeshin me këta shakllabanë”

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, zhvilloi dje një bashkëbisedim me banorë të Komunës së Shëngjinit ku theksoi se përfaqësuesit e lartë të mazhorancës nuk mund të dalin para shqiptarëve, sepse, sipas tij, nuk kanë mbajtur asnjë premtim duke e çuar vendin drejt humnerës ekonomike. “Por s’kanë se si të vijnë para shqiptarëve. Çfarë do t’u thonë shqiptarëve, që u premtuam 300 mijë vende pune dhe tani që po mbushen 2 vjet jo vetëm s’kemi hapur asnjë vend pune, por kemi shkaktuar papunësinë më të madhe në 20 vite? Çfarë do t’u thonë shqiptarëve, që u premtuam se do të ulim çmimin e energjisë elektrike, por jua rritëm atë? Dhe ju kemi vënë fatura afrofe mbi kurriz të shqiptarëve që nuk kanë me çfarë t’i paguajnë? E tani duam t’ju marrim edhe shtëpitë në qoftë se nuk paguajnë faturat. Çfarë do t’u thonë shqiptarëve, që u premtuam shëndetësi falas dhe sot pensionistët po i marrin dhe ilaçet me listë? Çfarë do t’u thonë shqiptarëve, që ju premtuam se do të ulim taksat, kur faktikisht sot paguajnë më shumë, fitojnë më pak, jetojnë më keq”, – theksoi Basha. Nga ana tjetër kryedemokrati theksoi se sa më shumë afrohet 21 qershori aq më shumë Rama dhe Meta shprehin panikun për ndëshkimin popullor. Në mënyrë të paprecedentë, theksoi lideri i opozitës, tani që nuk bëjnë dot me premtime sepse premtim-mashtrimeve të tyre u doli boja, kanë nisur të kërcënojnë qytetarët sepse duan t’u marrin edhe pushtetin e fundit që u ka mbetur. “Paniku për humbjen e zgjedhjeve i kanë bërë të thonë marrëzira, çmendurira. Po nuk votuat për mua, po nuk votuat për kandidatin tonë, nuk do keni ujë, u thonë shqiptarëve. Shqiptarët po qeshin me këta shakllabanë, siç u thoshte Gjergj Fishta. Prandaj është e rëndësishme që të bashkohemi të gjithë e t’i tregojmë më 21 qershor se kush janë pronarët e vërtetë të Shqipërisë, qytetarët shqiptarë, apo Edi Rama e Ilir Meta. Jam i bindur se bashkimi ynë do të çojë mesazhin më të fortë këtu nga Shëngjini e nga mbarë Shqipëria”, – u shpreh Basha.

 

Në Himarë

Më herët, kreu i opozitës ishte në Himarë, ku prezantoi kandidaten e opozitës, Lefterie Prifti. Në këtë takim me banorët, Basha e cilësoi Himarën si një nga zonat më të prekura nga mashtrimet elektorale të Kryeministrit Rama dhe nga zbatimi i standardeve të tij të dyfishta. “Premtoi barazi para ligjit, por i trajton shqiptarët si të njerkës dhe Koçon si të nënës. Mbi 8 mijë objekte janë rrafshuar, i kanë goditur në kundërshtim me ligjin, me dhunë policore, ndërsa sarajet e Koços lartësohen”, – u shpreh ai. Edhe në këtë takimin, Basha denoncoi si të papranueshme, deklaratat e kryeministrit Rama s, qeveria do të mbështesë bashkitë ku do të fitojnë kandidatët e koalicionit të majtë. “Tani që e dinë, që s’ia dalin dot me premtime, se populli u thotë ‘prapë premtime, prapë mashtrime’, u janë kthyer kërcënimeve: po s’votuat për ta nuk ka bukë, nuk ka drita, nuk ka ujë, nuk ka lekë. Këto dy vjet që kishin edhe bashkitë, edhe qeverinë, a kishte punë? A kishte investime? A kishte kantiere të reja? A kishte zhvillim? A kishte subvencione?”, – pyeti Basha pjesëmarrësit në tubim.

 

Nis sulmi/ Veliaj: Në Tiranë kandidon një ish-ministër i Saliut, Basha hoqi vetëm taksën e leshit

Kandidati i mazhorancës për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, deklaroi dje se të majtët u shërbejnë njerëzve pa dallim partiak, ndaj të gjithë bashkë duhet të votojnë drejtimin e duhur këto zgjedhje. “Edhe të djathtët e dinë shumë mirë që ne të majtët u shërbejmë të gjithë njerëzve pa dallim”, – theksoi ai në takimin e zhvilluar me banorët e Dajtit. Sipas tij, nuk duhet harruar se si Basha, si Kosova janë dy ish-ministra të Berishës, ndaj kjo mjafton për ta kuptuar theksoi ai, se ata vetëm shkatërrojnë. “Ashtu siç i kemi shërbyer njerëzve pa dallim, madje të djathtëve u kemi shërbyer më shumë se partitë e tyre, ndaj dhe besoj se këto zgjedhje janë një mundësi për të majtët e të djathtët për t’u thënë qytetarëve se ne nuk harrojmë që në Tiranë kandidon një ish-ministër i Saliut, i rrethuar nga ministra të tjerë të Saliut. Ne nuk harrojmë që kandidon Lulzim Basha me nënkryetarët e vet që e shkatërruan Tiranën”, – theksoi Veliaj. Gjithashtu, kandidati i majtë tha se ai nuk do të bëjë asnjë premtim galopant që nuk mbahet, por u zotua se do të punonte me profesionistë dhe jo me të korruptuar. “Unë nuk do bëj atë që bënte Lulzim Basha që tha do heq 60 taksa, e në fakt hoqi vetëm 1 taksë, atë të leshit. Ajo që premtoj është se në Bashkinë e re do të punoj me profesionistë, jo me njerëz që shkojnë e zhvatin biznesin. Për mua, qytetarët janë zot, jo policët e Bashkisë”, – theksoi Veliaj.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here