Observator i ri me rreze Gama

0
121

Observatori i ri me rreze Gama ne meksikeShkencëtarët amerikanë dhe ata meksikanë kanë përfunduar ndërtimin e observatorit më të madh në botë me rreze gama, që është vendosur në malin Sierra Negra në Meksikën Qendrore. Siç shkruante ditë më parë “Zëri i Amerikës”, Detektorët e observatorit do të fillojnë së shpejti të zbulojnë fakte të panjohura për vrimat e zeza dhe supernovat, apo shpërthimet yjore. Ngjarje kozmike ekstreme, siç janë shpërthimet e yjeve, pulsarët, apo vrimat e zeza, lëshojnë rrezatime elektromagnetike, të quajtura rreze gama, të cilat në rrethana të caktuara lëvizin më shpejt se sa shpejtësia e dritës. Shkencëtarët thonë se rrezet janë aq të fuqishme, saqë disa prej tyre mund të zbulohen duke ardhur nga distanca deri në 10 miliardë vite drite larg. Jordan Goodman është profesor fizike në Universitetin e Merilendit. “Është drita me energjinë më të madhe, dhe na lejon të kuptojmë se nga ç’pjesë e universit vijnë pjesëzat me energjinë më të lartë. Ndaj ky observator do të ofrojë një pamje të gjerë të qiellit në momentet e energjisë më të lartë”. Kur rrezet kozmike gama godasin elemente si uji, ato krijojnë një shkëlqim të butë në ngjyrë blu, që njihet si “radiacioni elektromagnetik Cherenkov”, ndriçim që vihet re tek bërthama e reaktorëve bërthamorë. Treqind cisterna me ujë të mbyllura mirë në Observatorin eksperimentues Cherenkov po ashtu përmbajnë sensorë që zbulojnë dhe regjistrojnë radiacionin Cherenkov. Duke matur këndin dhe intensitetin e goditjes së rrezeve gama mbi sensorët, shkencëtarët mund të llogarisin prejardhjen e tyre. Zoti Goodman thotë se krahas me studimin e hapësirës së thellë, observatori i ri po ashtu mund të studiojë edhe diellin. “Kjo është një teknikë e pazakontë, pasi ka edhe ide se duhet të studiojmë rrezet gama që vijnë nga dielli, me një energji tepër të lartë. Për të pare diellin përdorim pikërisht rrezet gama”. Për këtë eksperimentim u zgjodh fundi i një vullkani të shuar në Meksikën qendrore, për shkak të kushteve të favorshme klimatike. Pas dhjetë vjetësh, observatori do të çmontohet dhe mjedisi përreth do të kthehet në kushtet e mëparshme.

 

Fantashkenca po bëhet realitet

Fotografitë holografike tredimensionale dhe ekranet “flat” ishin vetëm pjesë e fantazisë sonë. Së shpejti, kjo do të bëhet realitet. Puna e lodhshme e shkencëtarëve nga Universiteti teknologjik Suinburn në Melburn të Australisë nxiti zhvillimin e teknikës e cila me një material të formuar nga grafeni krijon ekran lundrues tredimensional me ngjyrë, i cili mund të shihet me sy. Grafeni është materiali që u solli Çmimin “Nobel” në fizikë në vitin 2010 Andre Gajmit dhe Konstantin Novoselovit. Grafeni bëri revolucion të vërtetë në teknologji për shkak të përçueshmërisë së madhe dhe vetitë e mahnitshme mekanike, termike dhe optike. Grafeni u bë materiali kryesor në prodhimtarinë e ekraneve me prekje, ndërsa tani edhe për fotografitë holografike. Hologramet funksionojnë ashtu që e lakojnë dritën larg ekranit në mënyrë të kontrolluar. Hulumtuesit nga Suinburn kanë krijuar ekran lundrues 3D me ndryshimin e oksid grafenit, me të cilin kanë krijuar pikselë të vegjël me madhësi nanometrike, që mundëson krijimin e fotografive lundruese 3D. Me fjalë tjera, së shpejti do të mund të shikojmë 3D pa syze. Kjo teknologji mund të zbatohet në ushtri, arsimin në largësi, mjekësi dhe zbavitje.

 

Një zbulim në Antarktik mund të na ndihmojë të gjejmë jetë në Mars

Me një mbikëqyrje ajrore në një fushë që duket e thatë në Antarktik është zbuluar diçka e papritur ndër sipërfaqe. Bëhet fjalë për një shtresë të pabesueshme të shkëmbinjve që përmban ujë. Ky zbulim mund të japë përgjigjen e pyetjes për jetë në kushte ekstreme në Tokë, por edhe për jetë në vende tjera në Sistemin diellor, sidomos në Mars. Lëngu dyfish më i kripur se uji i detit është gjetur në thellësi prej 300 metrave në rajon të quajtur Fusha e Tejlorit. Sipërfaqja shtrihet në 18 kilometra në pjesën lindore të fushës. Është gjetur edhe një sistem tjetër i lidhur me liqenin Boni. Mbikëqyrja ka rezultuar me zbulimin e diçkaje që gjendet në sipërfaqen e një gjëje shumë më të madhe. Ros Virxhinia, ekolog nga kolexhi Darmut, tha për “Discovery Channel”: “- Kjo tregon që ky ekosistem është i madh dhe i lidhur. Mund të ketë sisteme shumë më të mëdha nën sipërfaqen e rajonit antarktik”. Përveç kësaj, shkencëtarët prapa hulumtimit zbulojnë që në këtë ujë është e mundshme jeta. Në hulumtimin e tyre ata përmendin që janë testuar vetëm disa ekzemplarë, por në të gjitha ekziston mundësia për jetë. Në fillim të këtij muaji, shkencëtarët me ndihmën e roverit “Curiosity” në Mars kanë përcaktuar kushtet e jetesës në planet, të cilat janë të përkryera për ekzistencën e ujit të kripur nën sipërfaqe. Prandaj, ky zbulim bëhet edhe më i rëndësishëm për mundësinë e jetës në Mars.

 

Tërmeti në Nepal “zvogëloi” Everestin për 3 cm

Deri tani nga tërmeti në Nepal numërohen mbi 7 mijë të vdekur dhe rreth 10 000 persona të tjerë të zhdukur. Përveç kësaj tërmeti 7.8 ballë zvogëloi edhe malin Everest. Mali më i lartë në botë u shkurtua me 3 cm, sipas shkencëtarëve. Analiza është e bazuar në të dhënat e Agjencisë Hapësinore Evropiane. Kur pllakat tektonike midis Indisë dhe Euroazisë, lëvizën duke shkaktuar tërmetin, bënë që korja e Tokës të relaksohej dhe ky relaksim i Tokës, sipas shkencëtarëve, reduktoi lartësinë e Everestit. Roger Bilham, anëtar i Institutit të Kërkimet Shkencore Mjedisore gjithashtu tha, se një mal i pozicionuar në afërsi të qendrës së Nepalit, Annapurna, u rrit me 20 cm. Ndërkohë për shkak të ortekëve të shumta të shkaktuar nga tërmeti me magnitudë 7.8 ballë është bërë pothuajse e pamundur “ngjitja në Everest”, në këtë sezon. Nga ortekët e shumta u vranë të paktën 919 persona.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here