Gara për Tiranën/ Kosova siguron votën e parë të një socialisti, kreut të PS-së Baldushk: Jam me doktorin

0
114

kosova me kreun e ps baldushkKandidati i PD-së për Tiranën: Asnjë zonë e Tiranës nuk do të harrohet apo diskriminohet

Kandidati i opozitës për kryetar Bashkie në Tiranë, Halim Kosova, zhvilloi dje një bashkëbisedim me banorët e Baldushkut, ku në qendër të takimit u vendosën shqetësimet e zonës si edhe projektet e domosdoshme që do të sjellin rritjen e prodhimit. Por krejt surprizues në këtë takim ishte deklarata e kreut të PS-së së Baldushkut, i cili pjesëmarrës në bashkëbisedimin e Kosovës me banorët, tha se vota e tij do të shkonte për kandidatin e djathtë. “Unë jam i Partisë Socialiste, 15 vjet kryetar i Partisë Socialiste këtu në Baldushk. Unë kam pasur gruan në një periudhë me një fjalë të monizmit që… ti ke punuar shumë mirë dhe kjo punë mua më ka vlejtur shumë. Dhe unë jam shumë mirënjohës dhe vota ime është për ty”, – tha ai. Nga ana e tij, Kosova tha se asnjëherë në detyrën e tij nuk kishte bërë dallime partiake. “Kurrë, kurrë, kurrë, në 35 vjet mjek, nuk kam pyetur ndonjëherë para se të jap ndihmën, ore nga vjen ti, çfarë partie je ti, që po qe se je tek ajo partia që unë mendoj do të ndihmoj. Absolutisht, kurrë”, – pohoi kandidati i opozitës për bashkinë e kryeqytetit.

 

Bashkëbisedimi

Në takimin me banorët e Baldushkut, Kosova theksoi se një tjetër angazhim i tij do të jetë edhe ai me stafin e Bashkisë që do të drejtojë, duke i dhënë përparësi zgjidhjes së problemeve të qytetarëve. “A bën ndonjë dallim ti? E lë njërin me kostum firmato dhe njërin zbathur në shtëpi? Ua ndan të gjithëve njësoj sipas nevojave. Kjo është ajo që do bëj unë me stafin në Bashki. Që kush është në shërbim të qytetarit dhe banorëve, kush nuk i pengon, kush nuk ia shton hallet, kush nuk ia shton burokracinë, do rrijë më mua. Ku është halli më i madh aty do bëhet edhe investimi ose sulmi, por të jeni të sigurtë që nuk do të ketë asnjë lloj harrese dhe asnjë lloj diskriminimi për asnjë zonë të Tiranës”, – theksoi Kosova. Ndërkaq, banorët e Baldukusht ngrenë shqetësimin për ndërprerjen në dy vitet e fundit të subvencioneve për bujqësinë. “Kjo komuna jonë ka prioritet të madh bujqësinë dhe këto dy vitet e fundit nuk janë dhënë fare subvencione. A ka mundësi që ju të jeni zoti ynë, për shembull, që të kërkoni ato pak fonde që të na ndihmojnë?”, – tha një banor. Nga ana e tij, Kosova theksoi se Bashkia ka krijuar këtë fond si garanci në Bankë për kreditë që do të jepen me zero përqindje. “Fondi që ti merr, të bën që në fillim të fillosh të japësh rezultate maksimale, bën sera a blen mjete për të punuar tokën, a blen më shumë plehra. Kjo është puna jote se si do ta bësh ti planin, është plani dhe projekti i çdonjërit nga ju që do pretendojë të marrë këtë fond pa përqindje, pa përqindje sepse ato i mbulon Bashkia dhe pa garanci sepse ato i mbulon Bashkia, pa diskutim për t’ju ndihmuar ju”, – u shpreh ai. Lidhur me mundësinë e tregtimit për banorët e zonës, Kosova tha se mund të shihet mundësia e krijimit të një sistemi menaxhimi midis tyre dhe qytetarëve që kanë nevojë. “Po si ka mundësi që ti ta prodhosh në Berat, ose në Lushnjë, ose në Fier dhe të të dalë kostoja për ta shitur në Tiranë, duke qenë se Tirana ka gjithë këto fshatra, gjithë këto hapësira që mjafton t’i kombinojmë, t’i menaxhojmë më mirë prodhimet tona dhe mënyrën se si ato t’i shkojnë tregut, është shumë më mirë për ju por është shumë më mirë edhe për qytetarët e Tiranës që në çmim mos të kenë dhe kostot e tjera shtesë”, – u shpreh ai.

 

 

Kosova: Nënkryetar për fshatrat, ndihmë ekonomike falas për problemet e pronës

Kandidati për kryetar Bashkie, Halim Kosova, premtoi dje se do të ketë një nënkryetar që do të merret vetëm me komunat dhe do të ngrejë gjithashtu një zyrë juridike falas për banorët që kanë probleme me pronat. Premtimet e tij Kosova i bëri në takimet me banorët e zonës së Krrabës dhe Bërzhitës. Një nga nënkryetarët e Bashkisë së ardhshme dotë jetë i angazhuar totalisht me problemet e komunave dhe të fshatrave përreth e para, dhe e dyta, meqënëse gjithandej po shoh që problemi i pronave është një problem shqetësues, që njeriu e punon tokën dhe se di, eka apo se ka, dhe kjo figuron brez pas brezi tek tjetri, do të ketë një zyrë juridike falas e cila do të jetë nën mbikqyrjen, sigurisht timen, për mbarëvajtjen e punës në ndihmë të çdo njeriu që ka probleme me pronën”, tha Kosova.

 

Ndreu: Doktor, ai nuk është kreu i PS-së

I menjëhershëm ishte reagimi i Kryetarit të PS së rrethit, njëherësh deputet Pjerin Ndreu lidhur me aktivitetin e kandidatit të opozitës. “Doktor Halimi, kam respekt për ju si njeri, por mos merr mendët e Lulit e të Berishes me ba gafa të tilla. Hasan Ismaili nuk ka pasë kurrë kryetar PS-së Baldushk se të paktën do e njihja une si kryetar i PS së rrethit Tiranë ! Kryetari i PS Baldushk quhet Ilir Bermeta dhe s’ka tjetër!”, shkruante Ndreu

 

Në Petrelë/ Veliaj: Kosovën e kanë lënë tek pullë, po na jep të drejtë neve për punët e pabëra nga Bashkia

Kandidati i mazhorancës për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj u ndal dje në zonat rurale të Tiranës, që i janë bashkuar Bashkisë së kryeqytetit me ndarjen e re territoriale. Gjatë takimit me banorë në zonën e Petrelës, Veliaj nuk ngurroi të lëshonte batutë ndaj rivalit të tij, Halim Kosova, duke pohuar se është braktisur nga kreu i PD-së dhe deputetët demokratë. “Sot Kërraba është një lagje e Tiranës, dhe Ndroqi dhe të gjithë nga Shëngjergji deri në Kombinat, janë njësoj si kryeqytetasit. Ne u themi se i duam të gjithë njësoj, jo ca të nënën ca të njerkës. E çojnë tek pullë pa asnjë deputet, më dhimbset, pasi Berisha e mbështet vetëm në “Facebook”, kurse Luli s’ka kohë se shkon në Holandë. Ai shkon dhe takon romët e thotë se si ka mundësi që ju kanë dhënë banesa sociale. Por Bashkia nuk e ka pasur mendjen në punë, edhe pse ka pasur banesa sociale. Në tetë vite qeverisje, nuk bënë as rrugë. Kosova na jep të drejtë. Tani le të votojë edhe për ne”, – tha Veliaj. Nga ana tjetër, kandidati i së majtës për Bashkinë e kryeqytetit u bëri thirrje edhe qytetarëve që kanë bindje djathtas, që t’i bashkohen programit të tij për të ndryshuar qytetin e Tiranës. Duke theksuar se pushteti nuk duhet për partinë, por për të mbaruar punët e njerëzve, Veliaj dëgjoi shqetësimet e banorëve të këtyre zonave. Një pjesë që i kushtoi vëmendje gjatë takimit ishte edhe turizmi, sidomos në zonat që rrethojnë Tiranën, duke premtuar ngritjen e një zyre turistike për të promovuar zonat historike të Petrelës apo edhe zonave të tjera.

 

PD: Veliaj, simbol i korrupsionit, nuk i mbulon dot mashtrimet që e sollën në pushtet

Partia Demokratike reagoi dje ndaj deklaratave të kandidatit të së majtës për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj. Duke e cilësuar këtë të fundit si simbol të korrupsionit, koordinatori i PD-së, Akil Kraja, tha se Veliaj nuk mund të japë përgjigje për shumë pretimet të mazhorancës që nuk janë realizuar. “Ky pehlivan i sajuar ka disa përgjigje për të dhënë para se të ketë guximin të dalë sërish me premtim-mashtrime. Ku i ka 300 mijë vendet e punës? Ku i ka taksat e ulura për 95 për qind të popullsisë? Ku e ka çmimin e ulur të energjisë? Ku i ka çmimet e ulura të produkteve bazë? Po ku i gjeti Erion Veliaj paratë për dasmat seriale luksoze, vilën 200-mijeuroshe, teksa qytetarët e vendit po dynden drejt Evropës nga skamja e mizëria? Ku i ka subvencionet për bujqësinë që ka 2 vite që nuk jepen, por shpërndahen mes miqsh e klientësh? Ky është realiteti. Kjo është drama therëse e shkaktuar nga Erion Veliaj e padroni i tij, kudo ku të shkelësh”, – tha ai.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here