Standard.al

Zgjedhjet në Britaninë e Madhe janë zgjedhje evropiane

0

Nga Christoph Hasselbach

 zgjedhje britaniGjatë votimeve në Britaninë e Madhe këtë të enjte indirekt bëhet edhe politikë evropiane, që eventualisht mund të ketë pasoja të mëdha, mendon Christoph Hasselbach.

Ditën e djeshme britanikët kanë votuar për dhomën e ulët të parlamentit bëhet fjalë për shumë më tepër se sa vetëm për politikën e ardhshme për shëndetësinë, taksat apo migracionin në mbretëri. Rezultati i këtyre zgjedhjeve mund të lexohet edhe si një votim paraprak për Evropën. Sepse kryeministri David Cameron ka premtuar, se nëse do të rizgjidhet, do të organizojë deri në vitin 2017 një referendum popullor për daljen nga BE-ja. Nga ky premtim ai nuk mund të tërhiqet më. Ndonëse ai vet do që Britania e Madhe të mbetet në BE, ai është për një BE të reformuar. Me këtë ai duket se ka parasysh një BE, e cila të ndërhyjë më pak në problemet kombëtare të vendeve anëtare, të cilët janë më të kursyer dhe me personel më të pakët. Me fjalë të tjera, qendra e Brukselit duhet të humbasë kundrejt vendeve anëtare.

Por Cameron nuk ka bërë propozime konkrete. E shumë shpejt ai ka dëgjuar nga Brukseli, se BE-ja nuk mund t’i ndryshojë kështu thjeshtë marrëveshjet e veta. Madje edhe më shumë se kaq, kryetarët e tjerë evropianë të shteteve dhe të qeverive prej vitesh ngërdheshnin fytyrën kur bie fjala për Cameron-in. Ata e konsiderojnë praninë e tij në Bruksel si diçka imponuese dhe që u ngre nervat. Me këtë Cameron-i e ka kufizuar në masë influencën e tij dhe të vendit të tij në Europë.

Tani ai ndodhet si në kurth: tek shumë bashkatdhetarë ai ka zgjuar shpresa lidhur me tezën e tij një “better Deal” për Londrën, të cilat nuk mund t’i përmbushë. E ai ka në qafë partinë UK Independence, e cila ka dalë hapur për daljen e Britanisë së Madhe nga BE-ja e për këtë nuk pranon asnjë kompromis. Cameron nuk ka thuajse fare hapësirë veprimi, ai vetëm sa nxitet prej një fryme antievropiane, që ka përfshirë një pjesë të madhe të britanikëve. Nëse në këto rrethana do të realizohet një referendum për BE-në, nisur nga këndvështrimi i sotëm një dalje është e mundshme.

 

Të dyja palët kanë nevojë për njëra-tjetrën

Cilat do të ishin pasojat? Vendi do të kishte me gjasë humbje ekonomike, që megjithatë është e vështirë ta llogarisësh. Ndoshta edhe më të rëndësishme – e kurrsesi në interesin e Cameron-it – do të ishin pasojat politiko-kushtetuese. Sepse skocezët, vërtetë vitin e kaluar me një rezultat fare të ngushtë u shprehën kundër pavarësisë, por Skocia është në përgjithësi shumë më miqësore ndaj Evropës në krahasim me Mbretërinë e Bashkuar. Si rrjedhojë Skocia në rast të një vote për daljen nga BE-ja mund të shkëputej përfundimisht nga Britania e Madhe, në mënyrë që të mund të mbetej vet në BE. Një kufi politiko-ekonomik përgjatë murit të Hadrianit do të kishte pasoja negative për ekonominë britanike në përgjithësi.

Sidoqoftë as pasojat ekonomike dhe as ato politike nuk do të mbeteshin të kufizuara vetëm tek britanikët. Shumë brenda BE-së as që do të derdhnin ndonjë pikë lot për britanikët grindavecë të përhershëm, madje disa mendojnë se më mirë pa ta. Por ky është një konkluzion i rrezikshëm iluzor. BE-ja do të humbiste nga strukturat e saj jo vetëm një ekonomi të fuqishme dhe një ndër qendrat më të rëndësishme financiare në botë, por të humbiste me Britaninë e Madhe edhe një partnere të orientuar nga konkurrenca, kozmopolite dhe të hapur për reforma, do të humbiste nga radhët e saj një shtet anëtar në grupin G7, një shtet anëtar i përhershëm në Këshillin e Sigurimit dhe një fuqi atomike.

 

Një rast i rrezikshëm precedent

Por edhe më shumë se kaq: kjo do të ishte dalja e parë nga BE-ja, që ndonëse është e mundur në bazë të marrëveshjeve të BE-së, deri më sot ka vlejtur vetëm teorikisht. Kjo do të ishte një kthim pas në procesin e bashkimit evropian, e ndoshta edhe fillimi i shpërbërjes. Ndoshta vende të tjera do të pasonin ose së paku do të kërkonin lëshime në njërën ose tjetrën pikë, si kusht për të qëndruar. Se çfarë do të thoshte kjo për Evropën, sot është e vështirë të vlerësohet. Një Evropë, që përballet me agresionin rus në Lindje, me terrorin e islamit apo me imperializmin tregtar kinez, duke mos qenë si bllok, por si një grumbull i shpërbërë shtetesh të vogla, nuk do të kishte se ç’të thoshte më në skenën botërore. E në parametrat botëror secili vend i BE-së në vetvete është një vend i vogël.

Sigurisht, këto mendime as që shtrohen në zgjedhjet për dhomën e ulët të parlamentit. Politika për Evropën as që përbënte ndonjë temë të rëndësishme në fushatën elektorale. Megjithatë në mënyrë indirekte këto zgjedhje mund të kenë pasoja të mëdha. Sfidanti i Cameron-it, Ed Milliband nga Partia Laburiste është kundër një referendumi për BE-në. Por nëse ai bëhet kryeministër, problemi përkohësisht nuk do të ishte akut. Megjithatë varet shumë nga ajo se sa i vështirë mund të jetë krijimi i qeverisë, e në një rast të tillë as ai nuk do t’i shmangej dot frymës skeptike ndaj Evropës që mbizotëron në përgjithësi në vend. Sido që të jetë rezultati i zgjedhjeve, e aq më tepër në rast se rizgjidhet Cameron-i, të gjithë ata që në Mbretërinë e Bashkuar angazhohen për projektin evropian, bashkë me partnerët e tyre evropianë duhet të bëjnë një punë të madhe bindëse, për t’u treguar skeptikëve, se çfarë rrezikohet në Evropë.

 

David Cameron dëshiron të mbetet në pushtet – por si?

Momenti kryesor erdhi në fund të fushatës, kur David Cameron para punëtorëve të një supermarketi në Leeds tha: “Ky është një votim vendimtar për karrierën”…por shumë shpejt e korrigjoi, duke thënë: “ky është një votim vendimtar për vendin”. Në anglisht fjalët “career” dhe “country” janë të afërta, por edhe në këtë mënyrë Cameroni tregoi qartë se çfarë mendon ai në fakt. Shumë britanikë mendojnë se ai është një politikan karrierist. Pas studimeve ai ka pasur një punë të shkurtër në një agjenci për reklama, por shpejt është anëtarësuar në radhët e konservatorëve dhe karriera e tij ishte shumë e shpejtë. Një orator i mirë me paraqitje të shkathëta. Para 10 vitesh ai mori kryesinë e përçarë të partisë, me premtimin se do ta modernizojë. Bashkëpartiakët ishin të zhgënjyer në kohën e qeverisjes së Blairit, kur ata ishin në bankat e opozitës. David Cameroni premtoi se do ta ndryshojë këtë gjendje. Dhe më 2010 arritën vërtetë ta largojnë nga pushteti kryeministrin e pafat laburist Gordon Broën.

 

Bilanci qeveritar

Ndërkohë që kryeministri synonte dhe premtonte një fillim të ri. Veçanërisht kur dihet, që ai nuk e arriti shumicën e duhur dhe u fut në koalicion me liberaldemokratët në vitin 2010. Tradicionalisht ky është një përjashtim në politikën britanike, sepse sistemi i votimeve synon arritjen e një shumice të qëndrueshme për qeverisje. Që në atë kohë ka pasur kritika nga më të moshuarit në parti, të cilët thoshin se do të ishte më mirë që partia të qeveriste e vetme. Por atyre u duhet të ambientohen me kohët që kanë ndryshuar, sepse as pas këtyre zgjedhjeve nuk pritet ndonjë shumicë e qartë. Ndërsa liberaldemokratët pas lidhjes në koalicionit me partinë konservatore rrezikojnë të humbasin peshën si parti. David Cameron dhe ministri i Financave George Osborne thoshin se do t’i tejkalojnë sa më parë pasojat e krizës financiare të vitit 2008. Sipas motos: kursime dhe shkurtime deri në dhimbje. Por të gjitha shkurtimet prej miliardash në fund kanë sjellë pak rezultate. Britania e Madhe edhe më tej ka deficitin e katërt më të madh, pas Greqisë, Islandës dhe Irlandës. Fillimi i shlyerjes së qëndrueshme të borxheve është shtyrë për 5 vite. Vitin e kaluar është shënuar një rritje prej 2,6%. Por të ardhurat nga tatimet kanë mbetur të vogla. Qytetarët e kanë ndjerë shumë pak rritjen ekonomike. Në tremujorin e parë të vitit 2015, rritja ekonomike është zvogëluar, që i dëmton shumë konservatorët, të cilët thoshin se kanë hartuar një plan afatgjatë.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.