Standard.al

Rob i lirisë së kontrolluar

0

Nga Imer Mushkolaj

Nga Imer MushkolajPër lirinë si ide të kontrolluar rreptësisht, për “robërinë” e dëshiruar brenda ekraneve të telefonëve mobilë, për lirinë e shprehjes…

Doktor, është urgjente. Një person e kanë gjetur në park, duket se e ka humbur kujtesën. Nuk di asgjë. As ku është, as kush është…

Lum ai për veti! Çfarë fati!

Por, si jemi ne të tjerët? Si dukemi ne? Si të vendosim çfarë të mbajmë mend e çfarë jo. Çfarë duam të mbajmë mend, e çfarë të harrojmë me çdo kusht.

Rregullat janë të qarta. Të gjithë i kemi drejtuar sytë nga ekranet e telefonave mobilë, që të zgjedhim çfarë të bëjmë. Sipas opsioneve që na ofrohen aty, natyrisht.

Jetojmë në liri të kontrolluar rreptësisht. Duhet të zgjedhim përgjigje nga pesë të ofruara, program nga 100 të ofruar, aplikacion nga mijëra të tillë. Por, në një ekran. Të gjithë të varur nga ai ekran i vogël, në njëfarë forme të gjithë të droguar.

Ata që nuk kanë telefona të mençur mund të konsiderohen thjesht gabim statistikor. Ne që jemi gjithë ditën në ekran jemi të vlefshëm. Të rëndësishëm dhe të bukur për veten tonë. Të buzëqeshur…

Por, kjo nuk është jeta jonë. Iu takon të gjithëve. Më së paku ne.

Jeta na duket si një vizatim, të cilin veç duhet ngjyrosur me ngjyra të ndryshme, pa dalë jashtë vijave. Hapësirë për gabime nuk ka. Ndryshe dështon.

Liria është ide e kontrolluar rreptësisht. Nuk mund të gjendet lehtë. andaj edhe kushton. Andaj edhe nuk e kemi – ne që pretendojmë se e gëzojmë.

Lirinë e ka bariu diku në bjeshkë, ose peshkatari në breg të lumit. Edhe ky personi që e ka humbur kujtesën. Por atyre nuk iu duhet.

Ne na kanë lënë mundësinë që të provojmë për ta kërkuar, për ta shijuar. Na kanë lënë edhe mundësinë për të shtypur një pullë. Off. Për ta errësuar ekranin. Për t’u kënaqur me lirinë.

Dhe për një moment të kemi mundësi që ta gjejmë veten. T’i ndjejmë shqisat tona. Zemrën. Dashurinë. Familjen. Miqtë.

Çfarë? Të gjithë janë të dashuruar në telefona dhe nuk e kuptojnë idenë që t’i fikin ata për pak kohë? Që të jetojnë pa ta të paktën disa orë? Mendojnë se ti që po propozon ta shijojnë lirinë je i çmendur?

Epo, miku im, nuk ke fat. Por, ti vazhdo ta realizosh idenë brilante, të paktën për gjysmë ore. Pije një kafe, ndize një cigare. Qetësohu. Çlirohu. Jeto.

Ama, veç një gjysmë ore. Pastaj ndize telefonin dhe shiko çfarë të ka ikur gjatë atyre minutave. Shumë gjëra ke humbur. Shumë. Bashkë me to edhe mundësinë për ta jetuar lirinë.

Vazhdo të jesh rob i lirisë së kontrolluar. Dhe fol, fol për lirinë e shprehjes.

Doktor, pacienti po vjen në vete. Por nuk po tregon kush është, as nga është. Po e kërkon telefonin. Po pyet nëse ka Wi-Fi në spital!

(Inspiruar nga shënimi i Ditës Botërore të Lirisë së Shprehjes në Riga të Letonisë. Folës të jashtëzakonshëm, sfida të jashtëzakonshme për gazetarët, rrëfime të jashtëzakonshme nga Iraku, Afganistani, Siria, Ukraina… Pjesëmarrës të fokusuar në telefonat mobilë. Prit, çfarë po thotë presidenti letonez? Diçka për lirinë e shprehjes? Dhjetë minuta fjalim janë shumë. Janë tepër. Për sa e sa ngjarje raportohet gjatë kësaj kohe në rrjetet sociale. Sa e sa fotografia publikohet. Dhe ne nuk bën t’i humbasim ato. Le të kënaqemi duke e jetuar lirinë tonë të kontrolluar). 

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.