Champions League/ Barcelona dhe Juventusi, dy favoritet

0
150

 

Barcelona dhe JuventusiPas ndeshjeve të para, katalanasit dhe “Zonja e Vjetër” kanë më shumë mundësi që të jenë finaliste për në finale

Kanë mbaruar ndeshjet e para të gjysmëfinaleve të Ligës së Kampioneve. Sfida që dhuruan shumë emocione, gola, lojë të bukur, por mbi të gjitha edhe dy favoritet për në finale. Në Torino ishte Juventusi ai që doli me kokën lart duke marrë një fitore 2-1 ndaj galaktikëve të Ançelotit. Një sfidë në të cilën nuk u nisën si favoritë por që loja tregoi të kundërtën. Djemtë e Alegrit treguan shpirt gare dhe agresivitet ndaj kampionëve të vjetshëm. Ndërsa në krahun tjetër Barcelona shkatërroi bavarezët me rezultatin e thellë në “Camp Nou”. Një sfidë jo e lehtë në letër për katalanasit, por kur ke një talent si Mesi gjithçka bëhet e mundur. Një skuadër e madhe ajo e Enrikes që arrin të dominojë bavarezët dhe të hedhë një këmbë në finale me tre golat e shënuar. Lionel Mesi është një simfoni që frymëzon gjithë botën dhe veçanërisht atë të futbollit. Pep Guardiola nuk mundi të bënte asgjë për ta ndalur talentin që e njeh ndoshta më mirë se kushdo tjetër. Numri 10 bëri të ëndërronte një qytet të tërë dhe jo vetëm sepse mediat në mbarë botën i rezervuan faqe të tëra dy magjive që zhbllokuan sfidën e luajtur në “Camp Nou”, duke i hapur rrugën finales së madhe të Berlinit. Përveç entuziazmit të parashikuar të gazetave spanjolle “Marca” dhe “AS”, “Messi-Mania” është kthyer në një fenomen global. “L’Equipe” ia dedikon faqen e parë yllit të Barcelonës, ndërsa “The Guardian” hapet me titullin “Mesi drejton spektaklin dhe fundos Bajernin”. Në Gjermani, “Bild” ironizon me shprehjen “Vallja Bavareze e Pleshtit”. Në Brazil, “Globoesporte” flet madje për një pikturë, ndërsa në Argjentinë duken më pak të lumtur pasi gazetat e vendlindjes së Mesit ndihen keq që nuk admiruan një lojtar të tillë edhe gjatë Botërorit. “Nuk ka asnjë lidhje me Mesin e Botërorit”, – shkruajnë në kor gazetat argjentinase. Lionel Mesi është rikthyer dhe ndoshta ai do të jetë orkestruesi i Argjentinës në Kupën e Amerikës Latine, të paktën kështu shpresojnë në Argjentinë, aty ku emrat e mëdhenj të futbollit botëror kanë lindur dhe ndoshta në të ardhmen do të vazhdojnë të rriten. Kompanitë e basteve ka nxjerrë edhe kuotat pas ndeshjeve të para mbi finalistët më të mundshëm për të kaluar. Gjiganti katalanas kuotohet me koeficientin 1.53, Reali i Madridit 4.00, Juventusi 7:00, ndërsa Bajern i Mynihut nga 26.00 në 41.00.

 

Renditja e FIFA-s, Shqipëria në qëndron në vendin e 57-të

Shqipëria nuk ndryshon pozicion në klasifikimin e përmuajshëm të FIFA-s. Kombëtarja mbetet në vendin e 57-të me 575 pikë pasi gjatë muajit të fundit nuk ka zhvilluar asnjë ndeshje. Mosndryshimi i pozicionit të muajit të fundit ndikohet edhe nga numri i pakët i ndeshjeve ndërkombëtare që janë luajtur gjatë 4 javëve të fundit. Ndryshime nuk ka as për tre prej kundërshtarëve të Shqipërisë në grupin eliminator të Euro 2016. Kështu, Portugalia qëndron në vendin e 7-të, Serbia mbetet në pozicionin numër 44, ndërsa Armenia në të 77-in. Ndërkohë, Danimarka humbet një vend duke zbritur në të 29-in. Për sa i përket kreut, Gjermania vazhdon të kryesojë bindshëm. Kampionët e Botës mbajnë vendin e parë të ndjekur nga Argjentina dhe Belgjika. Në 17 vendet e para nuk ka asnjë ndryshim, por klasifikimi pritet të ndryshojë pas ndeshjeve të muajit qershor.

 

Abidal: Alvesh më ofroi mëlçinë e tij

Erik Abidal ka kujtuar sërish momentet e vështira që kaloi kur u diagnostikua me kancer. Francezi mes të tjerash ka rrëfyer se braziliani i Barcelonës, Dani Alvesh, i ofroi mëlçinë e tij për transplant. “Ishte me të vërtetë diçka që duhej shumë forcë për ta përballuar. Nuk isha i pari njeri që pata sëmundje të tillë, por pata fatin që të më mbështesnin shumë njerëz. Dani Alvesh më ofroi mëlçinë e tij për transplant. E tha seriozisht. Ishte e jashtëzakonshme. Sigurisht që refuzova. Ai gjithashtu kishte një karrierë për të ndjekur dhe një familje për të mbajtur. E falënderoj shumë për atë gjest. Fatmirësisht, unë u ndihmova nga kushëriri im dhe tashmë siguroj shëndet të plotë. Një nga arsyet që më bënin më të fortë në ato momente, ishte bashkëshortja ime”, – ka rrëfyer ish mbrojtësi francez i Barcelonës.

 

Bekenbauer: Gëtze duhet të rritet

Franc Bekenbauer ka nxitur edhe më shumë zërat se Mario Gëtze mund të rikthehet te Borusia e Dortmundit në këmbim të Ilkai Gundoganit, kur flet duke i tërhequr veshin 22-vjeçarit. Legjenda e Bajernit të Mynihut tha se talenti gjerman duhet të rrisë nivelin e lojës në fushë, nëse kërkon suksesin te kampionët e Gjermanisë. Që nga transferimi në “Allianz Arena” në verën e vitit 2013, Gëtze ka impresionuar me paraqitjet e tij, por jo edhe aq sa të jetë titullar i padiskutueshëm. U pa kjo edhe në humbjen me Barçën, takim që Gëtze e nisi nga stoli, ashtu si në gjysmëfinalen e Kupës kundër Dortmundit. “Ai sillet dhe lëviz në fushë sikur të jetë një lojtar i ri. Në momentin që humbet një duel, krejt papritur ai ndalet dhe kjo është një sjellje tipike fëmijësh. Me këtë mënyrë të luajturi, Gëtze nuk mund ta ketë vendin te Bayerni, ndaj është koha që të rritet. Kur ishte te Dortmundi, ai tregoi se çfarë mund të bëjë dhe sa i talentuar është, por këtu diçka i mungon”, – këshillon Bekenbauer. Që prej kalimit te bavarezët, gjatë dy sezoneve Gëtze është aktivizuar në 56 takime, ku ka shënuar 19 gola gjithsej.

 

Marota: Rinovimi i Alegrit, një formalitet

Rikonfirmimi i Masimiliano Alegrit, blerja e lojtarëve cilësorë si Dibala dhe Kavani, por mbi të gjitha dëshira për të blinduar Pol Pogbanë, janë disa nga prioritetet e Juventusit, që i zbulon drejtori sportiv Bepe Marota. 58-vjeçari e nis me zgjatjen e kontratës së Alegrit. “Është thjesht një formalitet. Në fund të impenjimeve zyrtare të këtij sezoni do të të mbyllim gjithçka. Alegri ka treguar se është një trajner fitues. Fitoi kampionatin, ka arritur në finale të Kupës së Italisë si dhe në gjysmëfinale të Champions-it. Unë jam kundër mbajtjes së trajnerëve që u skadon kontrata, sepse e konsideroj mungesë besimi”. Për mundësinë e blerjes së Dibalasë dhe Kavanit, Marota u mjaftua vetëm më fjalë vlerësuese për dy sulmuesit amerikano-latinë. “Janë dy emra që kushtojnë shumë, nuk i njoh vetëm unë. Kavani dhe Dibala janë dy sulmues cilësorë që tërheqin vëmendjen e shumë skuadrave”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here