Standard.al

Skandali/ Kompanitë shtetërore “zhdukin” 12 milionë euro nga paratë e shqiptarëve

0

Ervin Kaduku

12 milionë euro nga paratë e shqiptarëve– Para fushatës elektorale, nga depozitat e transferueshme të ndërmarrjeve me pronar shtetin kanë “avulluar” 20 për qind e tyre vetëm në muajin mars 2015…

Fushata elektorale për pushtetin e ri vendor po fillon dhe qeveria “Rama”, ndryshe nga sa thotë publikisht, po vjel me nxitim kompanitë shtetërore për të krijuar një fond për financimin e mitingjeve, për blerjen e votave të shqiptarëve të varfëruar skajshëm. Depozitat e transferueshme të kompanive publike (shtetërore) jofinanciare kanë regjistruar një rënie të fortë në muajin mars të këtij viti, sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë. Ky zë ka regjistruar një rënie me 20% apo me 1.7 miliardë lekë (12 milionë euro), për të zbritur në 7.4 miliardë lekë. Në depozita të transferueshme mbahen gati gjysma e totalit të depozitave të kompanive shtetërore, që ishin gjithsej 15.6 miliardë lekë në fund të muajit mars 2015. Në total, depozitat e kompanive publike ranë me 12% në mars, në krahasim me një muaj më parë, tkurrja më e madhe mujore që nga fillimi i vitit 2014.

Burime nga BSH thanë se një nga arsyet e kësaj uljeje të fortë mund të lidhet me “presionin” e administratës tatimore për të derdhur më shumë tatim fitimi në buxhet. Vetëm OSHEE mësohet se ka derdhur rreth 600 milionë lekë. Në fakt, për periudhën janar-shkurt të ardhurat në buxhet nga tatim fitimi ishin 2.05 miliardë lekë, me një rënie prej 13% me bazë vjetore për dymujorin, si rrjedhojë e dy faktorëve, problemet me sistemin e ri online (sidomos në janar, ku ky zë ra me 60%) dhe faktin që tatim fitimi paguhet një herë në tre muaj. Por në fund të tremujorit, rezultati u përmbys. Për peridhën janar-mars të ardhurat nga ky zë u rritën ndjeshëm me 38% në 8.6 miliardë lekë, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Krahas periudhës së plotë tremujore, kontributi i kompanive shtetërore u vlerësua si një nga arsyet kryesore që kthyen tendencën. KESH dhe OSHEE ishin dy kompanitë që u “fajësuan” nga Financat për mosrealizimin e planin për mbledhjen e tatim fitimit vitin e kaluar, çka bëri që plani i tyre të rishikohej me ulje në shtator të vitit të kaluar. Në 2013-n këto dy kompani kishin paguar rreth 1 miliardë lekë tatim fitim.

 

Zvarriten Financat

Të ardhurat nga tatimet dhe doganat kanë shfaqur dobësi të theksuar në tremujorin e parë të vitit, por duket se, pjesa e mbetur e vitit do të jetë edhe më e vështirë, sidomos në gjashtëmujorin e dytë. Sasitë mujore te të ardhurave që janë planifikuar për tu mbledhur në muajt në vijim vijnë me rritje të ndjeshme pas muajit qershor, krahasuar me tremujorin e parë, ku për shkak të sistemit të ri online me tatime, plani i të ardhurave për tremujorin ishte më i ulët se, fakti i 2014. Për rrjedhojë ngarkesa për mbledhjen të ardhurave nis e peshon në tremujorin e dytë dhe në tremujorët pasardhës. Për periudhën prill-qershor, plani është 27% më i lartë se, i tremujorit të parë, ndërsa plani i tremujorit të fundit është 14 % m ë i lartë se i tremujorit të dytë.

Totali i të ardhurave buxhetore për vitin 2015 është parashikuar në nivelin rreth 414.4 miliardë lekë ose rreth 27.8% e PBB, me një rritje në terma nominalë prej 49.7 miliardë lekësh krahasuar me buxhetin fillestar të vitit 2014. Planifikimet e qeverisë për të ardhurat buxhetore janë ambicioze këtë vit me një rritje 13 për qind krahasuar me faktin e vitit 2014. Rritja e programuar është mbi katër herë më e lartë se, rritja e pritshme ekonomike e këtij viti prej 4%. Pavarësisht planifikimit të ulët për tremujorin e parë, të ardhurat nga tatimet dhe doganat shënuan për periudhën janar- mars, një mosrealizim prej 8.6 për qind në krahasim me planin e këtij viti dhe 2 për qind më pak në krahasuar me faktin e një viti më parë. Ky rezultat duket s,e e vështirëson situatën për të përmbushur objektivin e vjetor pë të ardhurat buxhetore. Ministria e Financave ndërkohë po planifikon të rishikojë buxhetin me ulje në mes të vitit.

 

Përfitojnë bankat nga politikat e BSH

Diferenca mes interesave të kredive e depozitave është rritur nga 5.46% në shtator 2011, në 7.3% në mars 2015, një nivel rekord ky, që nga fillimi i lehtësimit monetar. Kështu, politika monetare lehtësuese e Bankës së Shqipërisë, që prej tre vitesh e gjysmë po tenton uljen e kostos së lekut, duke nxitur kreditimin dhe investimet në ekonomi, duket se ka sjellë si pasojë kryesore uljen e interesave që kursimtarët fitojnë për depozitat e tyre. Sipas statistikave mujore të Bankës së Shqipërisë norma mesatare e interesave të kredisë (për të gjitha afatet e maturimit) ishte 8.25%, nga 8.01% që ishte ky tregues një muaj më parë. Rritja ka ardhur si pasojë e shtrenjtimit të huasë afatshkurtër, deri në 1 vit, që është dhe kredia që përdoret nga biznesi për kapital qarkullues (plotësimin e nevojave të shpejta për likuiditet). Ky shtrenjtim vjen në linjë me shtrëngimin e standardeve të kredidhënies për bizneset në tremujorin e parë, botuar nga Banka e Shqipërisë pak ditë më parë. Interesat e kredisë kanë arritur në nivelin më të lartë që nga nëntori i vitit të kaluar, ndonëse gjatë kësaj periudhe Banka e Shqipërisë ka ulur dy herë normën bazë (në dhjetor 2014 dhe janar 2015). Edhe huaja për ekonominë në tremujorin e parë 2015 është ngadalësuar ndjeshëm. Në të kundërt, interesat e depozitave në lekë kanë vijuar rënien. Për kursimet 12 mujore, kthimi mesatar në mars ishte 1.46%, nga 1.57% që ishte një muaj më parë. Ulja e vazhdueshme e normave të interesit ka bërë që individët të ulin depozitat në lekë, në kërkim të alternativave të tjera të investimit. Që nga shtatori i vitit 2011, kur filloi politikën lehtësuese agresive, norma bazë është ulur 13 herë, për të zbritur aktualisht në 2%. Për të njëjtën periudhë, diferenca mes interesave të kredive e depozitave është rritur nga 5.46% në shtator 2011, në 7.3% në mars 2015, një nivel rekord ky, që nga fillimi i lehtësimit monetar.

 

 

Ligji i ri rrit kompetencat për Shërbimin Gjeologjik

Shfrytëzuesit e burimeve natyrore të vendit do të kenë tashmë një oponent teknik të ri, Shërbimin Gjeologjik Shqiptar. Me ligjin e ri të depozituar në Kuvend, për Shërbimin Gjeologjik, parashikohet forcimi i rolit dhe kompetencave të këtij institucioni në projektet zhvillimore të vendit. Kjo nënkupton se investimet në miniera, hidrocentrale apo në sektorë të tjerë të ekonomisë do të duhet të kalojnë edhe një hallkë të re. Referuar projektligjit, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore është e detyruar të dorëzojë në Arkivin Qendror Teknik të Gjeologjisë, për qëllime studimore, raportet e studimeve të çdo lejeje hidrokarbure kërkim­zbulimi. Po ashtu, në Arkivin Qendror Teknik të Gjeologjisë arkivohet informacion gjeologjik i çdo zotëruesi të lejes minerare, si dhe dokumentacioni gjeologjik krahinor i studimeve dhe lejeve dhe dokumentacioni faktik i punimeve gjeologjike etj. Nga ana tjetër, edhe lejet e reja zhvillimore do të duhet të marrin miratimin nga ky shërbim.

Ligji i ri përcakton se personat fizikë dhe juridikë, privatë ose shtetërorë, që kryejnë shpime me thellësi mbi 15 metra nga sipërfaqja e tokës, qoftë edhe për ujë të pijshëm, janë të detyruar të marrin miratimin për projektin nga Shërbimi Gjeologjik Shqiptar. Sa i përket të ardhurave për financimin e shërbimit, projektligji parashikon financim nga buxheti i shtetit dhe nga të ardhurat e shërbimeve me të tretët. Tarifat e shërbimeve me pagesë për të tretët, që kryhen nga Shërbimi Gjeologjik Shqiptar, do të miratohen me udhëzim të përbashkët të ministrit të Financave dhe ministrit përgjegjës për Shërbimin Gjeologjik Shqiptar.

Referuar relacionit, ndryshimet në detyra e kompetenca do të mundësojnë që Shërbimi Gjeologjik i vendit të ndihmojë në realizimin e programit të qeverisë për kryerjen e studimeve për zhvillimin ekonomik dhe uljen e varfërisë në shkallë vendi, si dhe për hartimin e politikave për miradministrimin e territorit.

 

 

Komisioni Evropian publikon “Barometrin” ekonomik për Ballkanin

Sipas raportit “Barometri i Ballkanit 2015”, Shqipëria tregohet me një rritje ekonomike mesatare 2.4 % përgjatë viteve 2009-2014, e cila krahasuar me vendet e tjera, duket më e përmirësuar. Duke u bazuar në shifrat e raportit, sa i përket shkallës së papunësisë, sipas këtij barometri në vitet 2009-2014 shkalla mesatare e papunësisë arrin 14.8 %, e parafundit mes shteteve të tjera, në të cilat Kosova ka shkallën më të lartë të papunësisë prej 37.7 %, ndjekur nga Maqedonia 30.6 %, vijon Bosnja dhe Hercegovina me 27 %, Serbia 20.3 %, Mali i Zi me 19.5 % dhe në fund të listës gjendet Kroacia me 14.1 %.

Raporti “Barometri i Ballkanit 2015”, i publikuar ditën e sotme në Bruksel, në fokus të së cilit ka qenë zbulimi i gjendjes ekonomiko-sociale të vendeve ballkanike, nëpërmjet pyetjeve të zhvilluara në disa sektorë. Me qëllim që të angazhohen më afër publikut të gjerë dhe komunitetin e biznesit në kontekstin e Strategjisë EJL 2020, KBR ka realizuar një studim gjithëpërfshirës mbi qëndrimet, përvojat dhe perceptimet, e cila ishte kryer në dhjetor të vitit 2014 në të gjitha shtatë ekonomitë e mbuluar nga Strategjia.

 

Evropa Juglindore, shumë punë për të bërë

Në krizën që nisi në fund të viteve 2008, Evropa Juglindore është përballur me një recesion apo një rritje të vonuar, me një numër të madh sfidash në shumë fusha, sidomos në tregun e punës. Ekonomitë më të mëdha hasën problem dhe kohë të vështira, si Kroacia, Serbia dhe Bosnja Hercegovina, ndërsa Maqedonia dhe Shqipëria filloi përmirësimet, ndërsa Mali i Zi është diku në mes.

Në tabelën e vendosur në këtë studim që tregon përqindjet e rritjes ekonomike, Kroacia ka pasur një rritje mesatare -2.2% nga 2009 deri në 2014. Ndërsa Serbia -0.3%, Bosnja 0.1 % rritje, Mali i Zi 0.4 %. Rritje më të madhe ka pasur Shqipëria me 2.4 % mesatarisht, Kosova 3.8 % dhe Maqedonia 1.8 %.

Sa i përket shkallës së papunësisë, e treguar në tabelën e dytë, ka qenë në rritje të konsiderueshme për shumë nga këto ekonomi, stabël për Malin e Zi, në rritje për Maqedoninë dhe Kosovën. Nivelet janë gjithsesi, në vlera të larta.

Në raport tregohet se shkalla e vështirësisë së gjetjes së punës për të rinjtë është e lartë.

Sa i përket pagesave mujore, mesatarisht ka pësuar rënie për Kroacinë çdo vit me 0.7 %, Në Serbi me 0.1 %. Rritja e pagave ka qenë shumë e ngadalësuar për ekonomitë e tjera, përveç Maqedonisë që ka parë rritje me 3.4 % dhe Kosovës me 10.8 %.

Duke parë drejt së ardhmes, perspektivat nuk janë përmirësuar shumë shpejt. Serbia dhe Kroacia po përballen me recesionin ose me shërim shumë të ngadaltë këtë vit dhe ndoshta me disa përmirësime të lehta.

Bosnja dhe Hercegovina mund të përfitojnë nga rindërtimi pas përmbytjes së vitit të kaluar, ndërkohë që rritja pritet në periudha afatmesme. Nga ekonomitë e tjera, Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë duhet të vazhdojë të rritet më shpejt se pjesa tjetër, që pritet të përjetojnë një përshpejtim të rritjes në një periudhë afatmesme. Megjithatë, duke pasur parasysh nivelin e ulët të punësimit, ritmet e rritjes së parashikuara janë nën ato të mundshme. Sipas vlerësimeve të bëra nga ëiië, vargu i normave të rritjes në një periudhë afatmesme është midis 0 deri në 3 për qind në vit. Deri në horizontin e vitit 2020, një kthesë e rëndësishme është e mundur vetëm me disa ndryshime radikale. Ka edhe sfida të mëdha në politikat ekonomike u bë e ditur sot sipas raportit.

Kriza ka qenë aq e rëndë në disa ekonomi për shkak të pabarazive të akumuluara si jashtë dhe brenda vendit. Ka ende probleme të rëndësishme në sektorin bankar dhe sektorët e korporatave për shkak të niveleve të larta të kredive me probleme të cilat reflektojnë probleme të likuiditetit dhe të aftësisë paguese në p.sh. sektori i ndërtimit dhe ndërmarrjet shtetërore. Ata kërkojnë ristrukturim që në fakt, është i vështirë për t’u arritur në kontekstin e papunësisë së lartë.

Rreziqet negative janë të lidhura me turbulencat e vazhdueshme në BE dhe në Evropë që mund të vonojnë procesin e integrimit dhe të shkaktojnë vonesa në transformimin politik dhe ekonomik të brendshëm. Në shumicën e ekonomive, vendimmarrja demokratike është stabilizuar, megjithatë, ka ende ndryshime kushtetuese dhe politike, si dhe përmirësimet që janë të nevojshme për përmirësimin e legjitimitetit demokratik dhe reagimi.

Rreziqet sociale ekzistojnë për shkak të punësimit të ulët dhe papunësisë së lartë. Një grup veçanërisht i pambrojtur është popullata rinore, me normat e papunësisë deri në 50 për qind në disa raste, por edhe të papunëve afatgjatë, të cilat përbëjnë një pjesë të rëndësishme të atyre që kërkojnë për një punë. Ndjenja e përgjithshme në këtë rajon ka qenë e zymtë për një kohë mjaft të gjatë. Kjo është pasojë e përkeqësimit afatgjatë ekonomik dhe regresit, bën të ditur raporti. Efektet kanë qenë të thella dhe ata janë pasqyruar qartë në dëshirën e përhapur për të emigruar dhe punuar diku tjetër. Periudha deri në vitin 2020 mund të jetë fillimi i një kthese.

(marrë nga Monitor)

 

Afron ora kritike për qeverinë greke

Qeveria greke ka derdhur në arkat e Fondit Monetar Ndërkombëtar 200 milionë euro detyrime, ndërkohë që pjesa e mbetur, prej rreth 750 milionë eurosh duhet të shlyhet brenda datës 12 Maj. Nga ana tjetër, data 11 Maj shënon edhe takimin e radhës së Eurogrupit për të diskutuar në lidhje me krizën greke. Gjithsesi, gjasat që të arrihet një marrëveshje në këtë datë janë minimale. Arritja e një marrëveshje mbi reformat do të zhbllokonte këstin e radhës së huasë prej 7.2 miliardë euro që do t`i jepte një frymëmarrje financave greke. Në pritje të këtyre negociatave, qeveria greke ka ndërmarrë disa masa që mund të shihen si një sfidë nga Brukseli dhe Uashingtoni. Qeveria e drejtuar nga Alexis Tsipras ka propozuar vendosjen e një takse të veçantë për 500 familjet më të pasura në Greqi. Edhe lista e reformave që Greqia i ka parashtruar kreditorëve parashikon vendosjen e një takse për objektet e luksit ndaj nëpunësve që fitojnë më shumë se 30 mijë euro në vit. Nga ana tjetër, mazhoranca në Greqi, ka miratuar një projektligj që duket se vë në jetë një ndër premtimet elektorale, atë të rikthimit në administratë të nëpunësve të larguar nga qeveria Papandreu, si pjesë e masave shtrënguese. Projektligji që mban titullin demokratizimi i administratës, parashikon rikthimin në punë të rreth 4.000 punonjësve publikë, kryesisht ata të policisë bashkiake dhe arsimtarët

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.