Dëshmia/ “Djalin ma kanë rrahur keq në polici,  presin të shërohet ta sjellin në Gjykatë”

0
234

Artan Cena

nderim lushi Babai i Nderim Lushit akuzon policinë se nuk po e lejon që të takojë djalin Nderim Lushi. Avokati: Presin të shërohet që t’i japin masën e sigurisë

Të afërmit e Nderim Lushit thonë se djalin e tyre e kanë keqtrajtuar edhe në polici. Kjo është arsye pse ata nuk i kanë lënë ta shohin djalin e tyre. Babai ka thënë për gazetarët se ka kërkuar disa herë ta takojë djalin, por kërkesa i është refuzuar nga policia. Ai thotë se ka marrë vesh nga policë të tjerë të komisariatit të Kukësit se Nderim Lushi ka të nxira në sy dhe në trup. Kjo ka ndodhur pasi ai është shoqëruar në komisariat. Mevlan Lushi shprehet se atij nuk i është lejuar të takojë djalin e tij, por thekson se ai ka shenja dhune dhe i është mohuar e drejta e raportit mjekësor. Mevlan Lushi kërkon që shteti të zbatojë ligjin, ti japë djalit të tij të drejtat që i takojnë, pasi ai është i pafajshëm. Policia e Kukësit nuk ka reaguar ndaj këtyre akuzave, ndërsa Prokuroria thotë se po e heton çështjen. Edhe avokati i Nderim Lushit, Altin Goxhaj, tha se klienti i tij është dhunuar nga policia dhe masën e sigurisë nuk ja japin deri sa të shërohet.

 

Rrëfimi i babait

Në ditën e tretë të ndodhur në qelinë e burgut prindërit e Nderim Lushit, i cili u dhunua nga forcat e rendit gjatë protestës së mbajtur në Kukës 3 ditë më parë, kanë kërkuar që ta takojnë, por nuk janë lejuar nga policia. Babai i Nderim Lushit, Mevlani deklaron se policia nuk i ka lejuar ata që ta takojnë djalin e tyre. Ai ka bërë me dije më tej se nga takimi që kanë bërë të afërmit e tij në ambientet e paraburgimit, kanë vërejtur shenja dhunë në trupin e Nderimit, e sy të nxirë. “Ne si prindër na kanë refuzuar ta takojmë. E kanë vizituar të afërmit, kanë parë shenjat e dhunës. Ata e kanë goditur në sy dhe në trup”, – u shpreh babai i tij. Nga ana tjetër, babai i Nderimit deklaroi se policia i ka mohuar djalit të tij dhe të drejtën e një raporti mjekësor. “Raporti mjekësor i takon me ligj. I kanë shtyrë masën e sigurisë. Presin që plagët të shërohen që të mos duket dhuna”, – shtoi më tej ai. Gjithashtu Mevlan Lushi i bën apel shtetit që të zbatojë ligjin. “Shteti të zbatojë ligjin dhe ti japë të drejtën që i takon tim biri. Ai është i pafajshëm, ndaj të nxirret nga burgu një orë e më parë. Kjo, pasi ai ka qenë duke protestuar në mënyrë paqësore”, – deklaroi babai i Nderim Lushit.

 

Avokati Goxhaj

“I arrestuari Nderim Lushi mbahet ne qeli padrejtësisht dhe i dhunuar”. Kështu deklaroi avokati i protestuesit kuksian i cili u ndalua nga policia 3 ditë më parë kur shumë qytetarë tubuan për faljen e kamatëvonesave të OSHEE-së. Lushi po mbrohet ligjërisht nga avokati Altin Goxhaj, i cili ditën e djeshme ka marrë takim me klientin e tij. Goxhaj u tha gazetarëve se kishte konstatuar mungesë të shërbimit mjekësor dhe shkelje të afateve ligjore prej 48 orësh të klientit të tij.

 

Hetimet për ngjarjen

Prokuroria e Kukësit ka nisur hetimet të arrestuarit Nderim Lushi dhe ndaj shefit të Krimeve të Kukësit, i cili 3 ditë më parë kërcënoi me armë disa protestues që tentuan të bllokonin rrugën e Kombit. Albion Xhitoni u filmua nga kamerat duke mbushur armën e shërbimit përpara protestuesve, duke i sharë e kërcënuar. Gjatë dy ditëve më parë policia i doli fillimisht në mbrojtje Xhitonit i cili gjatë ndërhyrjes për të shpërndarë protestën nxori nga brezi edhe armën e tij duke ua drejtuar protestuesve ndaj të cilëve përdori dhe një fjalor vulgar. Në deklaratën e djeshme të policisë thuhej se ai u detyrua të nxirrte pistoletën pasi disa nga protestuesit tentuan t’ia merrnin. Por disa pamje filmike të protestës të cilat u transmetuan më pas, dëshmonin tërësisht të kundërtën. Sjellja skandaloze vijoi me keqtrajtimin e disa protestuesve mes tyre dhe Nderim Lushi i cili ndodhet në qeli.

 

 Ishin në kërkim, 7 persona bien në pranga brenda 24 orësh

 Shtatë persona janë vënë në pranga nga Policia e Tiranës pasi ishin në kërkim për vepra të ndryshme penale si vjedhje, armëmbajtje pa leje, drejtim të automjetit në mënyrë të parregullt etj. Kështu është arrestuar 27-vjeçari Kristi Pjetri, banues në Tiranë, pasi Gjykata e Tiranës, e ka dënuar me 6 vjet burg në vitin 2013 për veprën penale “Vjedhja me dhunë” e kryer në bashkëpunim. U kap personi në kërkim Lavdim Metkola, 39 vjeç, banues në Bathore, i dënuar me 9 muaj burg, për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”. Gjithashtu është vënë në pranga Shpëtim Mustafa, 52 vjeç, i dënuar me 2 muaj burg, për “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”. U kap në flagrancë 19-vjeçari Kristo Muçi, banues në Tiranë, i shpallur në kërkim më parë për vjedhje, ndërsa dje rreth orës 08:00, në Rrugën e Bogdanëve, u kap duke vjedhur disa vegla pune në zyrën e shtetasit me inicialet D. H, 44 vjeç, banues në Tiranë. Muçi dyshohet se është autor i 5 vjedhjeve të ndodhura gjatë këtij viti. Është arrestuar edhe 56-vjeçari Robin Xoxi, banues në Tiranë, i cili ishte në kërkim për “goditje për shkak të detyrës” dhe “shkatërrim prone”, i denoncuar nga Zhan Levani. Policia ka prangosur edhe 46-vjeçarin Xhemal Gjokmeli, nga fshati Prush pasi është i dënuar me 1 muaj burg për “drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”. Është arrestuar për “vjedhje” edhe Gëzim Doka, 44 vjeç, banues në Tiranë.

 

 Mbyti foshnjën 3-ditëshe, ndalohet nëna për të vuajtur dënimin

 Gjykata e rrethit Krujë dënon me 1 vit burg 30-vjeçaren Eriona Sirika, që akuzohej për vrasjen e foshnjës, 3 ditë pas lindjes. Eriona Sirika, nga fshati Borizanë i Krujës, i duhet të kryejë edhe 4 muaj burg nga dënimi i mbetur, pas vendimit të formës së prerë të gjykatës, më 13 prill të këtij viti. Krujë, nëna mbyti dhe varrosi foshnjën e saj Sipas policisë, Sirika është ndaluar në banesën e saj në Krujë, pasi nga dënimi prej një viti kishte kryer 7 muaj e 28 ditë burg. Ngjarja ndodhi në 4 shtator të vitit të kaluar, 48 orë pas krimit makabër, ku nëna 30-vjeçare, pasi e mbyti foshnjen e seksit mashkull e varrosi në oborrin e banesës në fshatin Borizanë te Krujës. Gjykata e Rrethit Krujë me një vendim të datës 3.4.2015 e ka dënuar me 1 vit burg për veprën penale “Vrasje e foshnjës”.

 

Masakra e Pukës, ekstradohet nga Greqia njëri nga autorët

Ekstradohet nga Greqia Anton Permarkaj, i kërkuar nga drejtësia shqiptare për vrasjen e dy vëllezërve Markaj në vitin 2012. Ngjarja ndodhi në fshatin Qelë të Pukës, pas një konflikti që kishin për një copë tokë. Policia e Shtetit bëri të ditur se ditën e djeshme në orën 16:30, nga Interpol Tirana është bërë ekstradimi nga Athina, drejt vendit tonë i shqiptarit Anton Permarkaj, 33 vjeç, lindur, në Pukë. Ky ishte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Pukës, ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, për kryerjen e veprave penale të “Vrasjes në rrethana rënduese kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake”. Në fshatin Mardhniq të vitit 2012, Anton Permarkaj së bashku me vëllezërit e tij, Sokol Permarkaj, Bardhok Permakaj dhe Fran Permakaj, u zunë pritë dhe qëlluan me armë zjarri në drejtim të anëtarëve të familjes Markaj. Nga goditjet e të sipërpërmendurve mbetën të vdekur Paulin dhe Hilë Markaj, si edhe të plagosur Tone Markaj, Angjelina Markaj dhe Alfons Markaj. Në vendngjarje kanë qenë edhe tre anëtarë të tjerë të familjes Markaj, të cilët nuk kanë pësuar dëmtime. Konflikti ndërmjet familjeve Permarkaj dhe Markaj kishte nisur disa kohë më parë se të ndodhte ngjarja kriminale, për shkak të një toke që i ishte lënë në përdorim familjes së të pandehurve. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Athinën, në Greqi, u bë i mundur arrestimi, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë i Anton Permarkaj. Në aeroportin e Rinasit ky person iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here