Denoncimi/ KLSH: Julinda Dhame, 94 milionë lekë shtetit për vizitën e Papës e një koncert

0
164

Artan Cena

 Julinda DhameVeç kallëzimit, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kërkuar edhe shkarkimin e saj të menjëhershëm nga detyra që mban që prej muajit tetor 2013, kur është emëruar nga Edi Rama

 Kontrolli i Lartë i Shtetit ka depozituar në Prokurori një kallëzim penal për drejtoren e Përgjithshme të Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Julinda Dhame. Ajo akuzohet për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tenderë apo ankande publike. Veç kallëzimit, KLSH-ja ka kërkuar edhe shkarkimin e saj të menjëhershëm nga detyra. Sipas këtij institucioni, vetëm në periudhën tetor 2013, kur Dhame u emërua në këtë detyrë, deri në dhjetor të vitit 2014, ajo i ka shkaktuar një dëm ekonomik shtetit në vlerën e 94 milionë lekëve. KLSH ka kontrolluar të gjitha procedurat e tenderëve apo të fondeve nga viti 2012 deri në fund të vitit 2014, por ka vërejtur shkelje vetëm në periudhën tetor 2013 – dhjetor 2014 dhe asnjë problem përpara kësaj periudhe.

 

Akuzat e ngritura nga KLSH:

  1. Nga auditimi konstatuam mos përmbushje të detyrave funksionale lidhur me zbatimin dhe plotësimin e kritereve për marrëveshjet ekzistuese të qirasë dhe për marrëveshjet e zhvillimit, të lidhura me subjektet që kanë përfituar statusin “person i stimuluar” në respektim të kreut III, neni 9, pika 2/d, nenit 48/2 të ligjit nr. 9734, datë 14.5.2007 “Për turizmin”. Konstatohet se megjithëse kjo problematikë është sjellë në vëmendje nga strukturat e auditit të brendshëm të Ministrisë, nuk është vepruar për të përgatitur një plan veprimi masash për të ushtruar kontrolle dhe saktësuar statusin e gjithë subjekteve të cilët kanë statusin “person i stimuluar”, duke lejuar që subjektet të vazhdojnë të ushtrojnë aktivitetin edhe kur këto subjekte kanë humbur karakterin turistik të ndërtimeve apo nuk ekzistojnë fizikisht si ndërtime në zonat e dhëna me këtë status.
  2. Nga auditimi u konstatua se nga ana e AKT-së nuk janë ndjekur qëllimisht procedurat e prokurimit “tender i hapur”, duke copëzuar fondet dhe aplikuar për objekte të ngjashme prokurimi procedurat “kërkesë për propozim”, “blerje të vogla”, apo “negocim pa shpallje”, nëpërmjet të cilave AKT ka shmangur konkurrencën e operatorëve ekonomikë duke favorizuar kështu subjekte të ndryshme private. Kjo situatë mbështetej edhe nga fakti i mos ndjekjes së procedurave ligjore për miratimin e programit vjetor të aktivitetit në MZHUT, kërkesë kjo e përcaktuar në rregulloren e brendshme të AKT-së si dhe Ligjin 9734, datë 14.05.2007 “Për Turizmin”, i ndryshuar. Mos hartimi dhe mos çuarja për miratim nga AKT-ja të programit të saj vjetor të aktivitetit, në të cilin duhet të ishin evidentuar të gjitha kërkesat e këtij institucioni për prokurime (mbështetja e aktiviteteve të ndryshme, pjesëmarrja në panaire, etj) ka çuar në justifikimin nga AKT të përdorimit të procedurave emergjente të prokurimit. Mungesa e zhvillimit të procedurës “tender i hapur” nga AKT, e cila për periudhën objekt auditimi nuk ka ndodhur në asnjë rast, dhe përdorimi i procedurave emergjente ka favorizuar një numër të caktuar subjektesh private të cilat siç evidentohet edhe në materialet e auditimit janë po të njëjtat subjekte në procedura të ndryshme prokurimi. Kështu në tenderin “Arredimi i stendës për pjesëmarrje në Panairin e I. T. B. Berlin”, me fond limit 6.651.000 lekë (pa TVSH) ose 7.918.800 lekë me TVSH, në hartimin e specifikimeve teknike dhe llogaritjen e fondit për vitin 2014, nuk janë zbatuar kriteret e përcaktuara për prokurimet publike, nuk janë përgatitur preventivat paraprake, të cilat bëhen për çdo aktivitet promocional dhe miratohen nga titullari i institucionit duke vepruar në kundërshtim me kërkesat e Rregullores së Brendshme të institucionit. Si pasojë e këtyre veprimeve janë copëzuar fondet buxhetore, pasi janë kryer procedura prokurimi të llojit “kërkesë për propozim” apo “blerje me vlera të vogla” dhe jo procedura ”tender i hapur”, duke iu shmangur procedurave konkurruese të prokurimit, në kundërshtim me VKM nr. 1, datë 10.01.2007 “Për rregullat e prokurimit publik” i ndryshuar, kreu VI, pika 1/d. Hartimi i specifikimeve teknike dhe llogaritja e fondit limit, është bërë pa analizuar koston e mallrave që duhet të prokurohen, për pasojë nuk ka asnjë preventiv paraprak për llogaritjen e fondit limit, duke vepruar në këtë mënyrë në kundërshtim me VKM nr. 1, datë 10.01.2007 i ndryshuar. Gjithashtu nga auditimi i zbatimit të kontratës konstatohet se, mallrat e bëra dalje nga magazina për arredimin e stendës në panairin e Berlinit, nuk rezulton të jenë bërë hyrje në magazinë, pasi në kartelat e magazinës si dhe nga kontrolli fizik i saj, nuk konstatohet ky fakt.

Në tenderin “Prodhimi i materialeve promocionale në kuadër të vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri”, me fond limit 5.338.333 lekë (pa TVSH) dhe vlerë kontrate 6.102.000 lekë me TVSH, përzgjedhja e procedurës së prokurimit nuk është bërë në përputhje me kërkesat e nenit 33, pika 2/c të ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për Prokurimin Publik” i ndryshuar, pasi nga data e shpalljes së vendimit nr. 13, datë 23.07.2014 të Komisioni Shtetëror deri me datë 21. 9. 2014 që është dita e vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri, është kohë e mjaftueshme për të përzgjedhur procedurën e nevojshme të prokurimit për të mos shmangur konkurrencën në prokurim.

Në rolin e Kryetarit të Autoritetit Kontraktor, ka bërë pagesa për një aktivitet si Festival i Trashëgimisë Kulturore jo të lidhur direkt me promovimin e turizmit si dhe janë copëzuar fonde për realizmin e tij. Gjatë TRAKU FEST do të ofrohej një numër i madh aktivitetesh të shtrira në katër ditë, duke i ofruar secilit qytetar një zgjidhje midis konferencave akademike, festimeve tradicionale, vizitave të organizuara dhe koncerteve masive me grupe të njohura, shpenzimet e tyre konstatuam se janë të pajustifikuara duke përbërë shkelje të disiplinës financiare. Rezultoi se një pagesë prej 740 mijë lekë, është bërë në favor të një subjekti, për të cilin AKT nuk ka asnjë dokumentacion për regjistrimin si subjekt fizik apo juridik, certifikatë të QKR-së, licencë profesionale etj. Shpenzimet janë kryer kryesisht për transportin e personave nga Tirana në Gjirokastër e kthim dhe për akomodim fjetje në hotel, të cilat nuk kanë lidhje thelbësore me objektin e qëllimin e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, përcaktuar në Ligjin për Turizmin.

  1. Nga auditimi u konstatuan procedura tenderimi fiktive, në të cilat nuk janë zbatuar kërkesat përkatëse ligjore e nënligjore përsa i përket përcaktimit nga AKT-ja të specifikimeve teknike dhe llogaritjes së fondit limit, hyrjes dhe daljes nga magazina të materialeve të prokuruara, si dhe magazinimin e këtyre mallrave pas mbarimit të aktiviteteve, kërkesa këto të përcaktuara në VKM nr. 1, datë 10.01.2007 “Për rregullat e Prokurimit Publik”, i ndryshuar, Udhëzimin e MF nr. 30, datë 27.11.2011 “Për menaxhimin e aktiveve në njësitë e sektorit publik”, si dhe Ligjin nr. 10296, datë 8.7.2010 “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin”. AKT-ja në specifikimet teknike të mallrave të prokuruara është mjaftuar vetëm me përcaktimin e sasive të mallrave të prokuruara, pa përcaktuar specifikime të tjera të domosdoshme si lloji, përmasa, pesha, garancia e mallit, certifikatë origjine, materiali, etj. Kjo ka çuar në një situatë ku nga ana e AKT-së nuk argumentohet dot mungesa apo ekzistenca e mallrave të ndryshme të prokuruara më parë, çka tregon për fiktivitetin e këtyre procedurave të prokurimit.
  2. Janë prokuruar shërbime për të cilat nuk ka pasur asnjë nevojë apo domosdoshmëri nga ana e AKT-së, siç është dhe rasti i marrjes me qira të një magazine prej 700 m2 (ish ambientet e Praktiker) në një kohë kur AKT ka pasur dhe ka në administrim dhe dy magazina të tjera brenda godinës ku aktualisht ndodhet. Siç rezultoi dhe nga auditimi, ambientet e reja të magazinimit prej 700 m2 (pjesë e pandarë e një sipërfaqeje totale magazinimi prej 19,726 m2) përdoreshin njëkohësisht edhe nga një subjekt tjetër privat. Ato nuk plotësonin kushtet thelbësore të magazinimit ku AKT nuk dispononte as çelësat e kësaj magazine dhe ku hyrjet dhe daljet në magazinë kontrolloheshin nga qiradhënësi dhe jo qiramarrësi. Të vetmet mallra të magazinuara brenda sipërfaqes prej 700 m2 të AKT-së ishin një konstruksion metalik, disa tavolina dhe një sasi e pajustifikuar motorësh garash dhe goma makinash dhe motorësh (jo në pronësi të AKT-së).

Sa më sipër, për të gjitha shkeljet e konstatuara nga ana e grupit të auditimit, KLSH ka depozituar pranë organit të Prokurorisë kallëzim penal ndaj Drejtoreshës së AKT-së, znj. J. Dhame, me akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”, parashikuar nga nenet 248 dhe 258 të Kodit Penal, lidhur me rastet e copëzimit të fondeve, shmangies së procedurave të normale të prokurimit “tender i hapur” dhe aplikimin e procedurave “kërkesë për propozim”, “blerje të vogla” dhe “negocim pa shpallje”, kryerjes së pagesave që nuk përputhen me objektin e veprimtarisë së AKT-së apo pagesave të panevojshme për AKT-në në favor të subjekteve private, si dhe në kundërshtim me kuadrin ligjor në fuqi dhe ligjin 9734, datë 14.5.2007 “Për Turizmin”.

KLSH i ka kërkuar Institucionit të AKT, që të merren masa të menjëhershme për ushtrimin e kontrolleve në subjektet që kanë përfituar asistencë financiare, duke evidentuar gjendjen faktike të tyre me qëllim saktësimin e statusit të subjekteve që kanë përfituar këtë mbështetje si dhe të ndiqet në rrugë ligjore përmbushja e detyrimeve që rrjedhin nga marrëveshja e qirasë dhe zhvillimit për ato subjekte të cilat dhe pse marrëveshjet e qirasë dhe zhvillimit janë zgjidhur në mënyrë të njëanshme vazhdojnë të qëndrojnë në truallin (pronë shtet) duke mos paguar asnjë detyrim. Të domosdoshme konsiderojmë plotësimin e evidencave institucionale me sipërfaqet e trojeve të zëna nga subjektet që kanë lidhur marrëveshje qiraje trajtuar si “persona të stimuluar” ndër vite e vite, të dhëna të cilat duhet të jenë transparente dhe të aksesueshme si për auditim edhe për publikun e gjerë”.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here