Deklarata/ Tahiri: Pse dënohet një punëtor e nuk dënohet tatimori me 6 milionë euro

0
145

Artan Cena

Saimir TahiriMinistri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka sulmuar dje ashpër gjykatat, pas lirimit të ish-drejtorit të Tatimeve Ismail Muça, i arrestuar për abuzime me detyrën

Nëse Bashkimin Evropian, sistemi i drejtësisë është më shumë objekt i korrupsionit sesa subjekt i luftës kundër tij, për ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri është akoma më keq; është një vend ku të varfrit dënohen, ndërkohë që të pasurve u vihen gjoba. Gjatë tryezës së përbashkët me përfaqësues të Bashkimit Evropian për parandalimin e krimit tek të rinjtë, Tahiri tha se nuk është i vetmi që ngre pikëpyetje mbi disa vendime gjykatash. Deklaratat e ministrit u bënë gjatë një takimi për sigurinë në shkolla dhe uljen e numrit të krimeve. Në këtë takim ishin të pranishëm ambasadorja e delegacionit të BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin; drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako; zv.ministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Genta Sula; Giorgio Butini drejtues i Misionit PAMECA IV dhe drejtues të Policisë, Shërbimit Social e Arsimit.

 

Akuzat e ministrit

Duket fare normale, tha ministri Saimir Tahiri, që shpesh në poste të larta të ketë persona me të shkuar kriminale. E nëse vazhdohet të ndiqet ky model duke mos bërë asgjë për ta ndryshuar rrezikohet dhe më shumë. “E thënë jo pa shkak sepse unë besoj që ndikon shumë ajo që ka ndodhur këto ditë komentet publike mbi disa vendime gjykatash dhe ma do mendja nuk jam as i vetëm edhe secili prej jush me të drejtë mund të pyes: Pse dënohet ai që suvaton shtëpinë pa leje dhe nuk dënohen zyrtarët e shtetit që legalizuan një kat të tërë pallati që nuk ekzistonte fare? Pse dënohet ai që vjedh energjinë elektrike dhe nuk dënohen zyrtarët e Tatimeve që vodhën mbi 6 milionë euro? Fundja çfarë duhet të ndodhë që të gjithë bashkë të ulërasim se po, paska njerëz të pandëshkueshëm në vendin tonë, apo se drejtësia vendos sipas xhepit të varfrit i dënon ndërsa të pasurit i takson. E kush mendon se kjo është ndonjë vepër e ndonjë gjyqtari apo prokurori të kalbur në korrupsion nuk e ka gabim, por as plotësisht të drejtë nuk e ka, se kjo mbi të gjitha është arroganca e korrupsionit dhe atyre që as dënohen e as turpërohen e fyer në sistem”, – tha ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri gjatë ditës së djeshme. Sipas tij, kjo është një ndër arsyet madje që në vazhdimësi janë korruptuar edhe të votuarit në Shqipëri sepse në padrejtësinë masive rrotull nesh që e kemi lejuar shumë shpesh me heshtje të korruptuarit janë gjithmonë më të zot, gjithmonë ja dalin. Sipas Ministrit të Brendshëm shoqëria dhe komuniteti është motori kryesor i ndryshimeve të mëdha duke garantuar drejtësinë më së pari dhe nëpërmjet saj dinjitetin që vjen nga puna.

 

Takimi i policisë

Tri institucione: Shkolla, Shërbimi Social dhe Policia, do të jenë bashkë në një nismë që synon të parandalojë dhe ulë numrin e krimeve, kryesisht tek fëmijët dhe të rinjtë, në Tiranë dhe rrethinat e saj. Në prezantimin e projektit, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, kujtoi edhe fotot e nxënësve në “Facebook” me armë dhe drogë. “Mund t’ju pyes sa prej të rinjve në një shembull fare të përditshëm e pranojnë një shok apo një shoqe në “Facebook” marr shembull, foto me armë, foto me drogë, foto me para? Unë nuk besoj që ka nevojë të mendohemi shumë gjatë për të dalë tek përgjigjja, sepse shembujt janë me qindra, në mos me mijëra. Pranohet edhe ky model, kaq fare i thjeshtë me fotografi në “Facebook”, gjerësisht pranohet tek të rinjtë, apo në ndonjë rast respektohet më shumë ky lloj modeli që shkelin në ligj dhe e sheh si trimëri, si virtyt si rrugë për prosperitet, për para të shpejta sesa modeli që ne të gjithë bashkë mundohemi për ta ndërtuar, modeli punëtorit dhe i dinjitetit të atij që punon me përulje, duke respektuar ligjin, duke respektuar rregullat, duke respektuar shokun”, tha ministri i Brendshëm.

 

 

Korrupsioni në gjyqësor, ekspertët: Rritje pagash

Niveli i korrupsionit në radhët e gjyqësorit shqiptar është tashme një fakt i pranuar gjerësisht. E për ta luftuar atë ekspertët propozojnë rritjen e pagave të gjyqtarëve. Ndryshimi strukturës së pagave, sipas tyre, do të stimulojnë drejtësinë. Krahas pagave, ekspertët vënë re se edhe buxheti i qeverisë për gjyqësorin është i ulët, ndërkohë që zgjidhje janë tarifat e reja. “Në këndvështrimin tonë të Euralius-it, propozimi i tarifave të reja në Gjykatën e Lartë dhe atë të Apelit do të ndikonte pozitivisht në buxhetin e gjykatave, ndërkohe që vëmendje duhet t’i kushtohet dhe investimeve në fushën elektronike dhe dixhitalizimit për nevojat e gjyqësorit”, – tha Erwin Rooze. Gjatë tryezës së organizuar për sistemin e drejtësisë u diskutuan dhe problemet mbi financimin e ulët të ndihmës ekonomike. Sipas ekspertëve Shqipëria është një ndër vendet, e cila nuk parashikon ndihmë ekonomike për shtresat që nuk mund të paguajnë mbrojtës ligjorë apo shpenzimet e një çështjeje.

 

Doshi në Prokurori, kërkon sekuestrimin e pamjeve të aeroportit të Hanoverit

Për të dytën herë brenda javës deputeti, Tom Doshi është paraqitur gjatë ditës së djeshme në Prokurorinë e Përgjithshme. I shoqëruar nga dy avokatët e tij mbrojtës, Doshi është takuar me oficerët e Policisë Gjyqësore, të cilët i kanë vënë në dispozicion provat që disponon Prokuroria, mes të cilave edhe video-përgjimin me Durim Bamin. Doshi ka qëndruar ne Prokurori rreth 6 orë, ndërsa pas daljes, avokatët e tij deklaruan se i qëndrojnë kërkesës për prova shtesë. Avokatët e deputetit Tom Doshi shprehen se hetimet janë të mangëta. Në një prononcim për mediat avokatët theksuan se në seancën e djeshme u njohën me aktet e hetimit paraprak. Sipas avokatëve, Prokuroria justifikohet me akte. “Kemi parashtruar një sërë kërkesash, si kryerjen e veprimeve të rëndësishme hetimore, lidhen me persona të akuzuar publikisht persona që kanë ndërhyre në hetimin e çështjes duke e devijuar atë. Për momentin mendoj mos them cilat janë këto veprime por do i bëjmë publike pasi të marrim përgjigje nga Prokuroria”, – thanë ata. Hetimet për çështjen “Doshi” nisën pas akuzave publike që bëri deputeti i Shkodrës, Tom Doshi, se kishte zbuluar një komplot për eliminimin e tij fizik dhe të demokratit Mhill Fufi. Pas tri javësh hetime prokuroria për Krime të Rënda ia delegoi dosjen Prokurorisë së Përgjithshme, pasi doli në përfundimin se e gjithë ngjarja ishte e sajuar. Me marrjen e autorizimit në Kuvend, Prokurori i Përgjithshëm firmosi urdhër-ndalimin për deputetët Doshi e Frroku e më pas Gjykata e Lartë caktoi ndaj të dyve masën e arrestit në shtëpi.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here