Nisja e verifikimeve/ Skandali në Kukës, pezullohet shefi i Krimeve që kërcënonte me armë

0
128

Artan Cena

Albion XhitoniPolicia e Shtetit ka vendosur që Albion Xhitoni bashkë me vartësin e tij, Shkëlzen Neza, të pezullohen deri në përfundim të hetimit që ka nisur

Pas bërjes publike të pamjeve ku shefi i Krimeve në Policinë e Kukësit, Albion Xhitoni, shihet duke nxjerrë armën dhe duke e mbushur, është vendosur që ai të pezullohet, kjo deri në përfundim të hetimeve që kanë nisur. Bashkë me Xhitonin është pezulluar edhe një oficer i rendit, Shkëlzen Neza, i cili ka qenë i pranishëm dhe mësohet se ka ndihmuar shefin e Krimeve në dhunimin e Nderim Lushit, përfaqësues i shoqërisë civile që kishte thirrur një protestë popullore për faljen e faturave dhe kamatëvonesave të energjisë elektrike. Policia e Shtetit dy ditë në parë deklaroi se Xhitoni kishte reaguar pasi disa protestues kishin tentuar t’i merrnin armën e shërbimit. Pa kaluar 24 orë, në një njoftim të dytë, policia bëri me dije se ai ishte pezulluar nga detyra, me urdhër të drejtorit të qarkut. Për këtë ngjarje skandaloze ka reaguar edhe ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili e ka dënuar aktin e oficerit, por duke mos harruar të përmendë faktin se tubimi ishte i paligjshëm.

 

Hetimet ndaj shefit të Krimeve

Prokuroria ka nisur hetimet ndaj shefit të Krimeve të Kukësit, i cili dy ditë më parë kërcënoi me armë disa protestues që tentuan të bllokonin Rrugën e Kombit. Albion Xhitoni u filmua nga kamerat, duke mbushur armën e shërbimit përpara protestuesve, duke i sharë e duke i kërcënuar. Gjatë dy ditëve më parë, policia i doli fillimisht në mbrojtje Xhitonit, i cili gjatë ndërhyrjes për të shpërndarë protestën nxori nga brezi edhe armën e tij duke ua drejtuar protestuesve ndaj të cilëve përdori dhe një fjalor vulgar. Në deklaratën e djeshme të policisë thuhej se ai u detyrua të nxirrte pistoletën pasi disa nga protestuesit tentuan t’ia merrnin. Por disa pamje filmike të protestës të cilat u transmetuan më pas, dëshmonin tërësisht të kundërtën. Sjellja skandaloze vijoi me keqtrajtimin e disa protestuesve. Kamerat e televizioneve e filmuan gjithashtu edhe duke qëlluar me grushte një prej organizatorëve, Nderim Lushin, pasi e kishte prangosur dhe e kishte futur në makinën e policisë. Bashkë me të është pezulluar gjithashtu edhe ndihmës-specialisti i Krimeve, inspektor Shkëlzen Neza. Ndërsa Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm ka nisur një hetim disiplinor.

 

Protesta në Kukës

Ngjarja ndodhi të hënën rreth orës 12:00, në qytetin e Kukësit ku sipas policisë, u organizua një tubim i paligjshëm i nxitur nga aktivisti i shoqërisë civile Nderim Lushi. Protesta e cila kishte filluar në sheshin para Prefekturës se Kukësit është zhvendosur drejt vendit të quajtur Ura e Drinit të Zi, me qëllim bllokimin e aksit hyrës në qytetin e Kukësit. Sipas policisë, Lushi ka depozituar një kërkesë pranë komisariatit të policisë Kukës, ku kishte kërkuar leje për tubimin, por ajo nuk ishte pranuar pasi ishte konsideruar e paligjshme. Edhe ndaj Lushit, policia ka nisur procedimin për veprimet e kundra ligjshme, i cili është nxitës dhe organizator i këtij tubimi të paligjshëm, nga ku ka rezultuar se ai ishte tërësisht në shkelje ligjit dhe është marre masa e arrestit ne flagrance. Njëkohësisht po punohet për sqarimin e rrethanave të hetimit dhe identifikimin e personave të tjerë të cilët kanë kryer veprimeve të dhunshme ndaj punonjësve të policisë.

 

 

Tahiri e pranon: Oficeri i policisë veproi kundër ligjit

 Vetë ministri i Brendshëm Saimir Tahiri pranoi dje se pjesëmarrja me armë në një tubim është e paligjshme, ndonëse e konsideroi të paligjshme edhe protestën e banorëve të Kukësit, që kërkonin faljen e kamatëvonesave të energjisë elektrike. “Pavarësisht se protesta e disa qytetarëve në Kukës ishte e paligjshme dhe e dhunshme, punonjësi i Policisë së Shtetit është pezulluar deri në hetimin e plotë të ligjshmërisë së veprimeve dhe zbatimit të procedurave të parashikuara. Pjesëmarrja me armë në një tubim është e paligjshme. Ashtu siç është tërësisht e papranueshme sjellja e punonjësve të policisë që tejkalojnë ligjin për ti bërë ballë paligjshmërisë së cilitdo. Detyrimi i punonjësve të policisë për të respektuar ligjin, është më i madh se liria që çdo qytetar mund ti japë vetes për të shkelur ligjin. Hetimi disiplinor i Policisë së Shtetit, Shërbimi i Ankesave dhe Çështjeve të Brendshme dhe Drejtoria e Inspektimit pranë Ministrit të Brendshëm, do hetojnë plotësisht këtë rast, si dhe do rishikohen aktet dhe procedurat për zbatim në rastet e tubimeve dhe masave policore. Ashtu siç besoj, hetimet e Prokurorisë do nxjerrin përgjegjësitë përkatëse, pa kursyer kurrkënd”, – shkruan Tahiri në “Facebook”.

 

 Çonin emigrantë në SHBA, gjykata lë në qeli bandën e falsifikatorëve

 Gjykata e Krimeve të Rënda caktoi masën e sigurisë “Arrest me burg” për 5 të dyshuarit e rrjetit që falsifikonin dokumente dhe dërgonin njerëz në SHBA dhe Kanada kundrejt parave. Me kërkesë të akuzës, u izoluan në qeli shtetasit Bajram Xhaja, Kujtim Emiri, Xhelil Alla, Mihal Gjoka dhe Sofije Pepaj, pasi dyshohet se kanë konsumuar veprën penale të “Trafikimit të personave të rritur”. Sipas prokurorisë, të dyshuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin gjenin persona që donin të largoheshin drejt SHBA dhe Kanadasë. Më pas kundrejt garancisë bankare prej 20 mijë eurove ata personat që donin të largoheshin i pajisnin me pasaporta italiane false, dokumente të tjera të udhëtimit me pas i nisnin me avion nga aeroportet italiane ose bullgare. Në momentin e arrestimit, të dyshuarve u janë gjetur dhe sekuestruar dy laboratorë të falsifikimit të dokumenteve, si dhe dhjetëra dokumente false.

 

Prokuroria e Tiranës, të tjera akuza gjykatës për Ismail Muçën

 Prokuroria e Tiranës reagon lidhur me vendimin e gjykatës për shpalljen si të pafajshëm të ish-drejtorit të tatimeve Tiranë, Ismail Muça. Ky i fundit, akuzohet si i përfshirë në një skemë mashtruese me rimbursimin e TVSH-së. Organi i akuzës thotë se “Prokuroria e Tiranës është përballur me një vendim absurd, kur nga 8 personat e akuzuar si të përfshirë në një skemë mashtruese me rimbursimin e TVSH-së, 7 prej tyre janë shpallur fajtorë në procese gjyqësore të veçuara”. Ndërkohë që ish-drejtori i tatimeve Tiranë, shtetasi Ismail Muça, është shpallur i pafajshëm nga trupi gjykues i drejtuar nga gjyqtari Artan Gjermeni. Prokuroria kishte kërkuar për Muçën shpalljen fajtor dhe dënimin e tij me 14 vite burgim për veprat penale të vjedhjes duke shpërdoruar detyrën, të kryer në bashkëpunim, falsifikimit të dokumenteve, të kryer në bashkëpunim dhe pastrimit të produkteve të veprës penale.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here