Dita e Dëshmorëve/ Nëna e Dritan Lamajt kërkon drejtësi, jo hakmarrje, çështjen edhe në Hagë

0
117

Artan Cena

dita e deshmoreve, policia (6)Lumturi Lamaj, thirrje kolegëve të djalit të vrarë që të hetojnë krimin. “Saimir Tahirin nuk e kam gjetur, në radhë të parë kam takuar një tjetër, kam vajtur dy herë”, – tha ajo

 E revoltuar që vrasja e djalit të tij është ende e pazbardhur, nëna e Dritan Lamajt ka zgjedhur Ditën e Dëshmorëve të Atdheut që të flasë për herë të parë për humbjen e djalit të saj. Duket se dhimbjen Lumturi Lamajt më së shumti ia kishte shtuar edhe vendimi i Gjykatës së Krimeve të Rënda që ka bërë që ajo të shprehet se do ta çonte çështjen e djalit të saj deri edhe në Gjykatën e Hagës. E vendosur për të kërkuar drejtësi, dhe jo hakmarrje, 71-vjeçarja Lumturi Lamaj ka thënë se drejtësinë ia ka lënë në dorë shtetit. Deklaratën nëna e Lamajt e ka bërë gjatë ceremonisë së përkujtimit të efektivëve të policisë rënë në përballje me krimin. Gjatë fjalës së saj ajo tha se “shokët e Dritanit duhet ta shikojnë më shumë çështjen e tij”. Gjithashtu ajo bëri të ditur se kishte kërkuar të takonte ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Por dy herë që kishte shkuar nuk e kishte gjetur, siç tha edhe ajo.

 

Thirrja e nënës së Lamajt

Nëna e kryekomisarit Dritan Lamaj kërkon të zbardhet vrasja e djalit të saj pasi në të kundërt ajo thotë se do të shkojë në Gjykatën e Hagës. Këtë thirrje për drejtësi nga shteti shqiptar, nëna e Lamajt e bëri në ceremoninë e nderimit të dëshmorëve. Nëna e kryekomisarit të vrarë, Lumturi Lamaj, u shpreh: “Kam qenë brez pas brezi familje shembullore. Kam rritur katër fëmijë me sakrifica. Tani që ishte kryekomisar mu vra. Kam respekt për Policinë e Shtetit për Policinë e Tiranës dhe Ministrinë e Brendshme. Unë nuk vras dot njeri. Unë kam dy vjet dhe ia kam lënë shtetit megjithatë ju lutem më falni juve që merrni pjesë këtu që jeni drejtues, duhet të shikohet më shumë puna e Dritanit. Kam marrë kontakt me Policinë e Tiranës dhe me inspektorin e ministrit të Brendshëm pasi Saimir Tahirin nuk e kam gjetur, në radhë të parë kam takuar një tjetër, kam vajtur dy herë. Shtëpinë po nuk e rregulloi dot i zoti nuk e rregullon dot miku. Në rast se shtetit shqiptar nuk e zbardh çështjen e Dritanit unë si nëna e tij 71-vjeçare do iki në Gjykatën e Hagës për drejtësi. Më kuptoni mirë. Por do pres shtetin shqiptar akoma”. Reagimi i saj ka ardhur pas vendimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda që la të lirë Arben Frrokun, i cili u arrestua si vrasës i kryekomisarit Dritan Lamaj. Pas më shumë se 1 viti e gjysmë gjykim, trupa gjyqësore e krimeve të rënda vendosi të pushojë çështjen ndaj Frrokut. Gjykata rrëzoi pretendimet e Prokurorisë lidhur me dëshmitarin e mbrojtur ndërkohë që vendimi për pafajësinë e Frrokut është apeluar.

 

Vrasja e kryekomisarit

Kryekomisari Dritan Lamaj u ekzekutua me 12 plumba në 24 shkurt të 2013-ës pranë banesës së tij në kryeqytet. Ai ishte duke parkuar makinën, kur një tjetër mjet tip “BMW”, ngjyrë gri iu afrua. Nga xhami i pasim i kësaj makine u shkreh një kallashnikov duke i marrë jetën kryekomisarit, që në atë kohë mbante detyrën e shefit të Komisariatit numër 6 në Tiranë. Vetëm 24 orë pas ngjarjes, u arrestua në Selanik të Greqisë, biznesmeni Arben Frroku si personi që kishte qëlluar për vdekje të ndjerin, kryekomisarin Lamaj. Gjatë hetimit kishte shumë kundërshtime, ndërsa u zbardh edhe identiteti i dy dëshmitarëve okularë për ngjarjen e rëndë. Në fund, Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi për të burgim të përjetshëm. Por në 3 prill të këtij viti, Gjykata e Krimeve të Rënda e shpalli të pafajshëm dhe pas më shumë se një viti, Arben Frroku la qelinë.

 

 Nderohen policët e rënë në detyrë, Çako: Mbështetje familjeve

Me rastin e 5 Majit, Ditës përkujtimore tё Dëshmorëve të Atdheut, në nderim të qindra të rënëve nga radhët e Policisë së Shtetit, që kryen sakrificën më sublime në mbrojtje të jetës, lirisë e qytetërimit, u zhvillua një ceremoni pranë Akademisë së Sigurisë, aty ku gjendet dhe memoriali kushtuar të rënëve të policisë. Gjatë fjalës së tij drejtori i policisë, duke vlerësuar aktin e vetëmohimit dhe sakrificës së të rënëve të policisë u shpreh: “Sakrifica e tyre është njëkohësisht vlerësim dhe mirënjohje për misionin dhe idealin e tyre, për të cilin ata ishin betuar se do i shërbenin, por është edhe lartësim i kurajës, guximit dhe vendosmërisë së treguar, për të luftuar deri në fund dhe pa kompromis me krimin. Sot ata janë heronjtë e vërtetë të ditëve tona, shembuj frymëzimi dhe motivimi për të gjithë ne, pasi sakrifikuan gjënë më të shtrenjtë, jetën e tyre, për ta bërë këtë vend më të sigurt për të jetuar dhe punuar”. Po ashtu Çako theksoi mbështetjen e vazhdueshme dhe kujdesin e veçantë që Policia e Shtetit do të tregojë ndaj tyre. “Vetëm për vitin akademik 2014-2015 janë 46 djem e vajza, që vazhdojnë studimet e larta, si dhe 22 të tjerë që janë pranuar në “Shkollën Bazë të Policisë” duke plotësuar kështu të gjitha kërkesat për të vazhduar studimet në Polici, por edhe duke plotësuar ëndrrën e tyre. Duke qenë këtu para jush sot, kam nderin e veçantë t’ju përcjell mbështetjen dhe vlerësimin e të gjithë punonjësve të policisë, si dhe tu siguroj se asnjëherë vëmendja dhe kujdesi jonë ndaj jush nuk do të mungojë. Emrat e të 212-të punonjësve të policisë të rënë në krye të detyrës, si asnjë institucion apo organizatë tjetër, janë skalitur në murin tonë të kujtesës, dhe në çdo arritje të policisë ne nderojmë kujtimin e tyre dhe në çdo përpjekje kujtojnë sakrificën e tyre”, – u shpreh drejtori i Policisë së Shtetit.

 

 Tiranë, në kërkim siriani se rrahu me shkelma gruan shtatzënë

Një qytetar sirian është shpallur në kërkim policor pasi ka dhunuar fizikisht bashkëshorten e tij shtatzënë, duke e goditur me grushte dhe shkelma në bark. Sipas të dhënave nga komisariati numër. 3 në kryeqytet bëhet me dije se ka nisur procedimi penal dhe është shpallur në kërkim shtetasi sirian Salim Mohamed Edl Cheikh, 36 vjeç, banues në rrugën “Urani Pano” Tiranë, me kombësi dhe shtetësi siriane, sepse bashkëshortja e tij Doha Sameer Bkour, 26 vjeç lindur në Homs, Siri dhe banuese në rrugën “Urani Pano”, pas Muzeut Historik Kombëtar Tiranë, me kombësi dhe shtetësi siriane, ka kallëzuar se bashkëshorti i saj ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike, duke i shkaktuar dëmtime për shëndetin, si pasojë e të cilës i ka dëmtuar asaj fetusin prej 6-7 javësh që kishte në bark. Nga ana e “bluve” të kryeqytetit iu plotësua kërkesë-padia për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes. Sipas informacionit rezulton se çifti sirian kishin probleme të vazhdueshme dhe se kryefamiljari nuk ishte dakord që gruaja e tij të mbante foshnjën pasi kërkonte që ta abortonte.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here