Gjykata e Krimeve/ Sulmi ndaj policisë në Lazarat, në burg edhe 5 anëtarë të “grupit të zjarrit”

0
117

Artan Cena

rruga e LazaratitPersonat e lënë në qeli ishin në kërkim që prej qershorit të vitit të kaluar, kur uniformat blu zhvilluan aksionin antikanabis në Gjirokastër

Gjykata e Krimeve të Rënda ka shqyrtuar masat e sigurisë dhe më pas ka lënë në burg, 5 të arrestuarit e pak ditëve më parë, si të dyshuar për sulme me armë ndaj forcave të policisë gjatë aksionit në Lazarat, qershorin e vitit të kaluar. Të arrestuarit janë: Ramadan Basha, Arjan Basha, Gurgaz Skënderi, Gentjan Kazma dhe Myrteza Shemsho. Mbi ta rëndon akuza e vrasjes së punonjësve të policisë e mbetur në tentativë, armëmbajtje pa leje si dhe kultivim për shitje te lendeve narkotike. Ndërkohë, ditën sotme do të mbahet edhe seanca e vlerësimit të masës së sigurisë për Altin Shurdhin, i arrestuar për të njëjtat akuza. Në këtë mënyrë ka shkuar në 10 numri i personave të arrestuarve, të cilët sulmuan efektivët e policisë gjatë aksionit për spastrimin e Lazaratit nga lëndët narkotike dhe grupet kriminale.

 

Masa e sigurisë

Gjykata për Krime të Rënda ka lënë në burg disa persona nga zona e Lazaratit, pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, të akuzuar nga Prokuroria për veprën penale të “Vrasjes së punonjësit të policisë”, mbetur në tentativë, për “Armëmbajtje pa leje” si edhe për kultivim, prodhim dhe shitje lëndësh narkotike. Ndaj këtyre shtetasve, me kërkesë të Prokurorisë për Krime të Rënda, gjykata ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg”, të cilat janë ekzekutuar tri ditë më parë nga ana e Policisë së Shtetit. Gjatë ditës së djeshme, Gjykata shqyrtoi vlerësimin e masës së arrestit dhe e ka lënë në fuqi vendimin e saj.

 

Dosja e Prokurorisë

Prokuroria për Krime të Rënda, në kuadër të procedimit penal numër 183, të nisur në vitin 2013, e cila përbën edhe dosjen më voluminoze të hetimit për “Lazaratin”, ka arritur të zbulojë një grup të konsiderueshëm personash, të dyshuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që kanë goditur forcat e policisë gjatë ndërhyrjes në zonën e Lazaratit, në qershor 2014. Po ashtu, ky grup personash dyshohet se ka pasur aktivitet të zgjeruar në kultivimin, prodhimin dhe trafikun e lëndëve narkotike.

 

Hetimi i policisë

Në bazë të informacionit të përcjellë në mënyrë periodike nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, si edhe hetimeve të kryera nga ana e Prokurorisë për Krime të Rënda, janë arritur të identifikohen disa prej personave të dyshuar si të përfshirë në sulmet e armatosura kundër policisë. Për këta shtetas është aprovuar nga gjykata për krime të rënda kërkesa e prokurorisë për masën e sigurisë “Arrest me burg”, të dyshuar se kanë konsumuar elementët e veprave penale: “Pjesëmarrje në organizatë kriminale”, “Vrasje me dashje e punonjësit të policisë”, mbetur në tentativë, “Armëmbajtje pa leje”, si edhe kultivim, prodhim dhe shitje lëndësh narkotike. Në bazë të hetimeve të Prokurorisë për Krime të Rënda, të zhvilluara në bashkëpunim me Policinë, si edhe pas vendimit të gjykatës, janë ekzekutuar masat e sigurisë “Arrest me burg” për shtetasit:

  1. Ramadan Basha
  2. Arjan Basha
  3. Gurgaz Skënderi
  4. Gentjan Kazma
  5. Myrteza Shemsho

 

Të arrestuarit

Pritet që gjatë ditës së sotme të zhvillohet seanca për vlerësimin e masës së sigurisë edhe për shtetasin e arrestuar tashmë, Altin Shurdhi. Lidhur me goditjen me armë zjarri ndaj forcave të Policisë së Shtetit gjatë datave 15 qershor 2014 deri në datë 20 qershor 2014 tashmë janë të arrestuar nga muaji qershor 2014 edhe shtetasit: Razip (Gate) Mahmutaj, Vandam Mahmutaj, Matjas Bocia, Emiljano Aliko.

 

Grabitjet e bankave parandalohen, nëse zbatohen rregullat

 Grabitja e një banke të nivelit të dytë e ndodhur në shkurt të këtij viti në afërsi të Stacionit të Trenit, ku u morën miliona euro edhe mund të ishte parandaluar nëse masat e sigurisë për transportimin e vlerave të mëdha monetare do të ishin respektuar. E njëjta situatë u përsërit edhe me grabitjen e se hënës në afërsi të Vorës ku efektivët e sigurisë private, nuk ishin të gjithë të pajisur me armë. Këto probleme duket se janë zgjidhur me ligjin i ri për shërbimin privat të sigurisë fizike, por ai ende nuk po zbatohet plotësisht pasi mungojnë disa akte nënligjore. Sipas ekspertëve, me zbatimin e tij do të hiqen disa pengesa të cilat mund të jenë bërë edhe shkak i ngjarjeve kriminale. Nga ana tjetër, ligji i ri për policinë private parashikon edhe rritjen e cilësisë së shërbimeve të ofruara nga shoqëritë. Për çdo efektiv privat paga mesatare është 50 përqind më e lartë se paga minimale, ndërkohë që atij i shtohen dhe atribute të veçanta madje edhe në kryerjen e veprimeve parandaluese në ngjarje kriminale kur kanë mundësi.

 

Prangoset në Morinë kosovari i kërkuar për vrasje

 I kërkuar prej vitesh nga policia, është vënë në pranga gjatë një kontrolli rutinë në kufi. Siç bëhet e ditur gjatë paradites së djeshme shërbimet e Policisë Kufitare në Morinë, kanë vënë në pranga shtetasin e shpallur në kërkim ndërkombëtar, Admir Islamaj, 40 vjeç, banues në Deçan, Kosovë. Islamaj i është dorëzuar palës kosovare, pasi Gjykata e Qarkut Pejë, më herët kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest me burg”, për “Vrasje e kryer në bashkëpunim”. Mësohet se ndaj tij ishte lëshuar një urdhër-ndalimi prej kohësh por që nuk ishte ekzekutuar në vendet e tjera. Kosova nuk ka marrëveshje ekstradimi me vendet e tjera, përveç se me Shqipërinë.

 

Shqiptarja plagoset në panairin “Expo Milano 2015”

 Një 24-vjeçare shqiptare raportohet se u plagos rëndë në pavijonin turk të panairit “Expo Milano 2015”, pas një aksidenti të papritur që ka ndodhur gjatë aktivitetit. Sipas njoftimeve, vajza ishte duke vizituar pavijonin që prezanton Turqinë kur konstrukti i sipërm i tij, u shkëput dhe i ra mbi kokë. Vajza u dërgua menjëherë në spitalin San Carlo të Milanos. Dyshohet se pjesa e konstruktit që i ra mbi kokë 24-vjeçares, nuk ishte e fiksuar me bulona, por me ngjitës. Sipas medies italiane objekti që goditi të renë shqiptare ishte një pjesë metalike me peshë rreth 300 gramë. Incidenti ka ndodhur në ditën e dytë të ekspozitës.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here