Standard.al

Thellohet përçarja/ Rama, Blushit: Bën politikë të ulët pa ide dhe shpifëse. Mos i kujto shqiptarët budallenj

0

Gëzim Saliu

rama dhe blushi“Kush ka imagjinuar se Rilindja e Shqipërisë mjaftonte të vinte vetëm me ndryshimin e qeverive ka parë diçka që nuk ekziston. Punë ka, kush ka aftësi reale dhe këmbëngulje e gjen një vend”

Përplasja në PS duket se nuk ka më kthim pas. Kritikave të ripërsëritura të deputetit Ben Blushi në adresë të qeverisë, Kryeministri Edi Rama zgjodhi dje t’u përgjigjej ashpër nga Panairi i Punës, ku la të nënkuptohej se i referohej anëtarit të kryesisë, pa i përmendur asnjëherë emrin. Sipas Ramës, Blushi ka zgjedhur mënyrën më të ulët për të bërë politikë, ndërsa theksoi se kushdo që mendon se rilindja do të ndodhë vetë, ka parë diçka që nuk ekziston. “Shqipëria sot po merr kthesën në rrugën e duhur. Kush ka imagjinuar gabimisht se Shqipëria e rilindur ishte një punë e lehtë dhe mjaftonte të ndryshonin qeveritë, flamurin e partisë që qeveris dhe rilindja do të ndodhte vetë, ka parë një gjë që nuk ekziston. Kush përpiqet që thotë ku i keni këto, ku i keni ato i merr shqiptarët për budallenj. Duke shfrytëzuar problemet reale dhe një dëshpërim që është real të bëjë politikën e llojit më të ulët, politikën që nuk ka asnjë ide, asnjë program, asnjë alternativë, por ka vetëm një, rrugën e shpif-shpif se diçka do të mbetet dhe gënje-gënje se me siguri do të gjenden njerëzit që do ta hanë gënjeshtrën. Rezultatet e reformave nuk vijnë as të gjitha menjëherë dhe as kur procesi është në fazën e operacionit të vet ashtu siç vijnë kur organizmi fillon të gjenerohet”, – tha Rama.

 

Për punësimin

Ndërkaq, në fjalën e tij gjatë pjesëmarrjes në panairin e punësimit, Rama iu përgjigj Blushit edhe sa u takon kritikave për varfërinë dhe punësimin. “Sot ka një fakt, sot bilanci është i qartë. Janë në punë të regjistruar dhe i paguajmë taksa këtij shteti 93 mijë persona më shumë seç ishin 1 vit më parë. Shqipëria është kthyer në drejtimin e duhur, por ka ende shumë-shumë punë për të bërë. Shqipëria është larg të qenit vend që papunësia është një problem i zgjidhur. Papunësia e të rinjve është një plagë e hapur edhe në shumë nga vendet e BE, mjafton të shikojmë fqinjin tonë Italinë. Shqipëria ende nuk ofron mundësi të barabarta dhe punësim real për të gjithë. Por siç tregojnë historitë jetësore të mijëra e mijëra njerëzve që sot janë në punë dhe 18 muaj më parë nuk ishin punë”, – deklaroi ai. Duke e cilësuar varfërinë një kancer, Rama tha se ai kërkon reforma të thella. “Kanceri nuk zhduket me propagandë, as me terapi. Kanceri për tu zhdukur kërkon operacion të thellë dhe një vullnet të hekurt. Në 2014 u trefishua fondi për programet e nxitjes së punësimit krahasuar me 2013. 2014 ishte viti i rritjes më të lartë të financimit të qeverisë për nxitjen e punësimit, kjo do të thotë që u veprua në drejtimin e duhur”, – u shpreh kryeministri. Ndërkaq kritikave të atyre që theksojnë se në vend nuk ka punë, Rama iu dha përgjigje duke pohuar se me vullnet dhe besim sipas tij puna gjendet. “Puna nuk vjen të të trokasë te shtëpia, të të zgjojë nga gjumi e të të thotë hajde se po të pres te kafja. Kush ka aftësi reale e gjen një punë por duhet ndarë nëse dikush kërkon një rrugë apo një punë. Duhet këmbëngulje për të gjetur punë”, – deklaroi kreu i qeverisë.

 

Rama: Me Veliajn, Tirana lokomotiva e punësimit real

Kryeministri Rama vlerësoi dje në panairin e punës kandidatin e mazhorancës për bashkinë e Tiranës, Erion Veliajn, duke u shprehur se me të kryeqyteti do të kthehet në drejtimin e duhur. “Erion Veliaj është kandidati i Aleancës për Shqipërinë Evropiane për Bashkinë e Tiranës. Duke vënë në krye të bashkisë një punëtor, Tirana do të kthehet në drejtimin e duhur dhe të bëhet lokomotiva e punësimit real. Nën drejtimin e tij, qasja e qeverisë shqiptare ndaj punësimit dhe mirëqenies sociale ndryshoi në mënyrë radikale dhe tani jemi në gjendje të shkojmë më tutje mbi këtë bazë solide që është ndërtuar”- tha ai.

 

Rama: Punë ka, po duhet këmbëngulje/ Basha: Kryeministri vazhdon talljet me shqiptarët, i quan popull që nuk duan punën

Kreu i opozitës, Lulzim Basha, reagoi dje ndaj deklaratave të Kryeministrit Rama në panairin e punës, duke i cilësuar ato si një tallje për shqiptarët. Duke iu referuar qëndrimeve të kreut të qeverisë sipas së cilave vende pune ka në Shqipëria, por duhet këmbëngulje dhe aftësi për t’i gjetur, Basha deklaroi dje se Rama po poshtëron qytetarët. “Kryeministri i te keqes vazhdon avazin e talljes dhe poshtërimit te shqiptareve. Dy dite me pare na quajti popull me varfëri aspiratash, sot na akuzon si popull qe nuk e duam punën. Papunësia u rrit me 7 për qind ne këto 20 muaj sepse kryeministri i te keqes rriti taksat, rriti çmimin e energjisë, rriti çmimin e naftës, mbylli me mijëra biznese dhe nisi ne eksod kapitalin dhe investimet, shkatërroi mijëra vende pune dhe hodhi ne mes te katër rrugëve nena, baballarë dhe te rinj”, – tha Basha. Më tej, kreu i demokratëve pohoi se shqiptarët po ikin nga vendi se nuk ka punë dhe shpresë. “Ky i fajëson se nuk duan te punojnë dhe se kane varfëri aspiratash. Kryeministri i te keqes ka humbur çdo lidhje me realitetin, nuk ka zgjidhje për ekonominë dhe punësimin por vetëm vrer dhe akuza ndaj popullit te tij. Fajësimi i popullit është shenja e çmendurisë se çdo sundimtari, shenja e vdekjes se çdo regjimi. Është koha të shpëtojmë prej kësaj te keqe”, – përfundoi Basha.

 

Paloka: Blushi i drejtë me akuzat, por krahasimi me qeverinë “Berisha” s’qëndron

 Partia Demokratike i vlerëson kritikat e deputetit socialist Ben Blushi ndaj qeverisë së majtë, por ndahet thellësisht nga ai mbi krahasimin që i bëri qeverisë Rama me atë të Berishës. Nënkryetari demokrat, njëkohësisht kreu i grupit parlamentar të PD-së Edi Paloka tha se qeveria Berisha ndërtoi pothuajse gjithë infrastrukturën e vendit, ndërkohë që sipas tij të majtët në dy vjet vetëm kanë kriminalizuar vendin, duke e zhytur në varfëri të thellë. “Këta nuk kanë bërë asgjë. Këta, përveç rritjes së krimit, futjes së krimit në parlament, të evidentuar së fundmi dhe nga Blushi, korrupsionit masiv, vjedhjes dhe grabitjes së qytetarit shqiptar, dhunimit të të drejtave të qytetarëve shqiptarë, gjë që ka çuar deri në eksodin e shqiptarëve. Absolutisht nuk mund të ketë paralele ndërmjet dy qeverive”, – deklaroi ai. Më tej, Paloka tha se e vetmja gjë e përbashkët e dy qeverive, është Ilir Meta. “Bile Ilir Meta i këtyre është edhe pak më i keq se i atij që kemi pasur ne. Dhe nuk mund të thuhet që kjo qeveri po punon aq keq sa ka punuar qeveria Berisha sepse të paktën i bëri disa mijëra kilometra rrugë, ndërtoi një pjesë të mirë të infrastrukturës në Shqipëri”, – deklaroi kreu i grupit parlamentar demokrat.

 

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.