Standard.al

“Rilindja” e varfërisë: Individët trokasin në banka për kredi

0

Ervin Kaduku

ne banka për kredi–  Shtohet shifra e kreditimit për individët. Shqiptarët fillojnë të tërheqin edhe kursimet e tyre shumëvjeçare në formën e depozitave bankare

Vështirësinë e shqiptarëve për të siguruar jetesën po e dëshmojnë muajt e fundit shifrat e kredimarrjes. Duket se gjithnjë e më shumë individët po u drejtohen sporteleve të bankave për të marrë hua. Kredia për ekonominë shënoi një rritje fare të lehtë në muajin mars, pas tre muajve radhazi që kishte shënuar rënie. Sipas statistikave mujore të publikuara nga Banka e Shqipërisë, stoku i huasë për ekonominë arriti në 557.2 miliardë lekë në fund të muajit mars, me një rritje prej vetëm 0.1% në raport me muajin e mëparshëm.

Por, një tendencë interesante e këtij muaji është rritja e huasë për individët, që ka dhënë efektin në zgjerimin e lehtë të kredisë, ndërsa bankat po u largohen korporatave jofinanciare. Huaja për individët u zgjerua me 2 miliardë lekë, apo 1.3% me bazë vjetore, ndërsa ajo për biznese ra me 2.3 miliardë lekë, apo 0.6% për të njëjtën periudhë e ndikuar kryesisht nga reduktimi i valutës. Si rrallëherë në vitet e fundit, kredia për individët është rritur me dy miliardë lekë brenda një muaji. Ndonëse zë vetëm 28% të totalit të kredisë për ekonominë, kredia për individë është një segment ku bankat ngelen mjaft të interesuara për të rritur biznesin, me qëllim diversifikimin e portofolit të tyre që ngelet tepër i përqendruar te bizneset. Me individët që po rezultojnë kredimarrës më të mirë se sa korporatat, duket se bankat po e kthejnë vëmendjen drejt tyre, çka vërehet dhe në fushatat e fundit publicitare të shumë bankave që shënjestrojnë familjarët.

Kredia për biznesin gjatë muajit Mars shfaqi sërish një ecuri zhgënjyese, në rënie me mbi dy miliardë lekë krahasuar me Shkurtin. Sidoqoftë, kjo rënie është pjesë e një cikli të zakonshëm sezonal të kredisë për biznesin, që përgjithësisht në muajt e parë të vitit ka një performancë të vakët. Me bazë vjetore, kredia për biznesin ngelet në rritje vjetore me 1.3%.

Huaja për ekonominë po shfaq tendenca rënëse këtë vit, ndryshe nga 2014-a kur ajo u rigjallërua. Në raport me dhjetorin e 2014-s, huaja për ekonominë në fund të marsit ra me 0.5%. Ndonëse kredia me probleme ka shfaqur një rënie të lehtë, për të arritur në 22.5% në fund të shkurtit, kjo nuk po i nxit bankat të japin hua të re, teksa ankohen për mungesën e projekteve të mira nga ana e bizneseve. Me bazë vjetore (mars 2015/mars 2014), huaja për ekonominë është rritur me 2.7%.

Edhe për shkak të një tendence normale sezonale, kreditimi rezultoi i ngadaltë në tremujorin e parë të këtij viti. Krahasuar me fundin e vitit 2014, kredia për ekonominë është më e ulët me rreth tre miliardë lekë. Sidoqoftë, sipas një baze më të qëndrueshme krahasimi, kredia ngelet në rritje pozitive vjetore me 2.3%.

 

Largohen depozitat

Tregues i dukshëm i varfërimit të mëtejshëm të shqiptarëve është edhe fakti se ata po tërheqin depozitat nga bankat, ndërkohë që ndër vite kjo ka qenë një strehë e sigurtë për kursimet e tyre.

Sipas statistikave të bankës së Shqipërisë, në mars, depozitat e individëve në lekë ranë me 2.2 miliardë lekë, apo 0.6%. Në raport me një vit më parë, tkurrja është 6%.

Politika monetare lehtësuese e Bankës së Shqipërisë, që ka ulur normën bazë 13 herë që nga shtatori 2011, është transmetuar me shumë tek norma e kthimit të depozitave, që ka zbritur në rreth 1.5-1.6% për kursimet 12 mujore (nga rreth 6% që ishin para se institucioni monetar qendror të fillonte politikën lehtësuese), duke i bërë individët të kërkojnë alternative më fitimprurëse.

Ata i janë drejtuar investimeve në letra me vlerë afatgjatë (obligacione), ose tek fondet e investimit. Edhe në total, depozitat shënuan rënie të lehtë me 0.1%, duke arritur në 974.2 miliardë lekë. Me bazë vjetore (mars 2015/mars 2014), depozitat në total janë zgjeruar me 2.3%.

Në total, depozitat në valutë shënuan një rritje të lehtë në mars me bazë mujore, me 0.1%, por kanë qenë ato në lekë, që u reduktuan në masën 0.2%.

 

 

 

Financat: 194 subjekte karburanti rezultuan me përzjerje

Për periudhën 23 Qershor 2014 – 30 Prill 2015, numri i njësive të kontrolluara nga grupet në vartësi të ministrisë së Financave është 2.38, nga ku 2.69 ose 89% kanë rezultuar në rregull dhe 269 ose 11% kanë rezultuar me shkelje. Nga rastet me shkelje, 194 janë konstatuar me karburante të përziera dhe 75 subjekte kanë refuzuar kontrollin. Ka deklaruar kështu dje kreu i Financave, Shkëlqim Cani.

Sipas tij, ministria e Financave ka detyrën të bashkëpunojë për kontrollin e tregut. Importuesit e karburanteve, sjellin produktin në magazinat e lira doganore dhe një pjesë e shesin në regjimin e lirë doganor, ndërsa pjesën tjetër e zhdoganojnë vetë duke vazhduar zinxhirin e tregtimit të produktit në ndërmarrjet e integruara ose në ndërmarrje të tjera në tregun e shitjes me shumicë dhe ose pakicë deri tek konsumatori përfundimtar.

Në fushën e instalimit të pajisjeve fiskale në tregun e shitjes me pakicë të karburanteve nga 2.758.676 pajisje fiskale në vitin 2013, në vitin 2014 i shtuam ato deri në 3.120.345 njësi, ndërsa deri në datën 30 Prill 2015 kontrollojmë 3.524.227 njësi fiskale vetëm në tregun e shitjes me shumicë të hidrokarbureve, tha Cani. Duke shtuar se është rritur edhe deklarimi i shitjeve dhe kontrolli i tyre. Në vitin 2013 numri total i kuponëve fiskalë standardë ishte 11.3 milionë, sot numri i tyre ka arritur në rreth 19 milionë.

 

 

Takim për gjallërimin e tregtisë ndërkufitare me Kosovën

Zhvillimi ekonomik i zonave kufitare mes Shqipërisë dhe Kosovës ka qenë në fokus të një takimi të organizuar në Gjakovë, për zhvillimin e përbashkët të komuniteteve vendore kufitare Kosovë-Shqipëri. Gjatë takimit u bë e ditur se, brenda dy javësh në Gjakovë do të vijnë një grup biznesmenësh për të parë konkretisht atë që po ndodh. Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi tha se për 10 vite me radhë është folur për folklorizëm, por sipas tij, ka ardhur koha që ato t’i lihen çiftelisë dhe të punohet konkretisht për zhvillim ekonomik.

Kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari – Lila ka folur për rëndësinë e krijimit të ideve për zhvillimin e këtyre zonave. Sipas saj, është koha të korrigjohet padrejtësia historike lidhur me krijimin e mundësive për zhvillim të ndërsjelltë në komunat në të dy anët e kufirit. “Neve na takon të fillojmë të krijojmë natyrshëm rrugët e bashkëpunimit, të inkurajojmë bizneset dhe sipërmarrësit e rinj që kanë ide për të zhvilluar një biznes, se ka treg edhe në Gjakovë, edhe në Tropojë edhe në Bajram Curri”, tha ajo.

Ndërsa Minxhozi njoftoi të pranishmit lidhur me marrëveshjen e bashkëpunimit ndërkufitar, të nënshkruar mes dy qeverive, Kosovë-Shqipëri, të zyrtarizuar me deklaratën e përbashkët në mars të këtij viti. “Për dy javë në Gjakovë do të vijnë një grup biznesmenësh me në krye kryetarin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, për të parë konkretisht se çfarë po ndodh këtu. Kur them këtu jemi në Gjakovë, jemi në Kosovë jemi edhe në Shqipëri. Kemi folur për shumë vite me folklorizma prej 10 vjetësh, folklorin t’ja lëmë çiftelisë, neve na duhet ekonomia, na duhet një bashkëpunim i vetëm”, tha ai.

Në debat përfaqësuesit e bizneseve janë inkurajuar të shpalosin idetë e tyre për mundësitë e zhvillimit ekonomik në zonën Gjakovë – Has – Tropojë, ndërkohë që ata kërkuan më shumë përpjekje nga qeveritë e dy vendeve

 

 

Përfundon epoka e deflacionit në Eurozonë

Zona e euros përfundoi katër muaj deflacioni në prill me çmimet e konsumit që qëndruan të pandryshuara nga nivelet e një viti më parë, duke treguar se rreziku i rënieve të vazhdueshme të çmimeve po zbehet.

Çmimet e konsumit në 19 vendet që ndajnë euron vijuan të pandryshuara gjatë muajit prill nga një vit më parë, siç pritej, pas një rënie 0.1 për qind në mars, vlerësoi zyra e statistikave të Bashkimit Evropian, Eurostat.

Zbehja e rënies së çmimeve ka të ngjarë të përbëjë një lajm të mirëpritur për Bankën Qendrore Evropiane, e cila dëshiron ta mbajë inflacionin nën, por afër 2 për qind për periudhën afatmesme. Ajo filloi shtypjen e parave në mars për të injektuar më shumë para në ekonomi dhe shmangur shqetësimet e çmimeve vazhdimisht në rënie, ose deflacionit.

Ekonomistët kanë thënë se inflacioni duhet të bëhet në mënyrë të qartë pozitiv në gjysmën e dytë të 2015, teksa energjia po bëhet gjithmonë e më pak pengesë duke pasur parasysh se çmimet e naftës filluan të bien ndjeshëm që nga qershori i vitit të kaluar.

Në të vërtetë ka nga ata që thonë se tregu mund të fillojë pyesë nëse BQE-së do ti duhet të vijojë me aplikimin e lehtësimit sasiore deri në shtator 2016.

Ashtu si në muajt e mëparshëm, dobësia e çmimeve është shkaktuar kryesisht nga kostoja në rënie e energjisë, e cila shënoi 5.8 për qind më e lirë në prill se një vit më parë.

Inflacioni bazë, i cili përjashton energjinë e paqëndrueshme dhe kostot e ushqimit të papërpunuar, qëndroi i pandryshuar në 0.6 për qind nga viti në vit.

Si një tjetër shenjë disi pozitive për ekonominë e Eurozonës, Eurostat citoi papunësinë e cila ra lehtazi në mars nga 36,000 në 18.105 milion persona.

Megjithatë, kjo nuk ishte e mjaftueshme për të ndryshuar normën e papunësisë nga 11.3 për qind të muajit shkurt.

Ekonomistët kishin pritur që norma të binte në një nivel të tu të ulët tre-vjeçar prej 11.2 për qind.

 

 

Rreziku i daljes së Greqisë nga euroja mbetet në fuqi

Zgjedhja e papritur e qeverisë greke për të shqyrtuar ekipin negociator që do të trajtojë një marrëveshje të vështirë me kreditorët ndërkombëtarë, është përshëndetur me një kujdes të veçantë në Bruksel. Ka vlerësim në këtë zgjedhje, për shkak se riorganizimi do të mund t’i japë energji të re për diskutime teknike, por mbetet të tejkalohet mes palëve një diferencim i rëndësishëm politik. Në mesin e negociatave me kreditorët dhe ndryshimet në Qeveri, rreziku i Grexit është ende dhe tre faktorët kryesorë, shkruan gazeta italiane ekonomike “Il Sole 24 ore”, që mund të shkaktojnë shkëputjen e Athinës nga monedha e përbashkët janë si më poshtë.

Së pari, “fluturimi” i depozitave të individëve dhe kompanive është një element i rëndësishëm, nga tetori 2014, por që ka çuar në një dalje nga depozitat bankare, me shifrat që arritën në 140 miliard euro shkurt.

Një faktor i dytë që rrit rrezikun është shkalla e lartë e borxheve të këqija (në mes 23% dhe 35% të kredive): gjashtë vendet si Greqia, Italia, Spanja, Portugalia, Qipro dhe Irlanda, secili nga to, kanë grumbulluar një total prej jo shlyerjes së kredisë, që arrin në një vlerë prej mbi 600 miliardë euro.

Së treti, maturimi afatshkurtër i Athinës mund të shkaktojë rrezikun e Grexit, përfshirë bonot e thesarit dhe Pagesa ndaj FMN-së, që arritën në 10 miliard euro, që duhen kthyer në mes të 8 maj dhe 19 qershor.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.